Kthimi i ligjit për masat shtesë së sigurisë për shqyrtim nga Presidenti Nishani ka hapur sërish debatin jo vetëm mes politikës, por edhe biznesit. Konfindustria ngre shqetësimin se miratimi i ligjit do të jetë një kosto shtesë për bizneset. Sipas administratorit Gjergj Buxhuku vetëm investimi fillestar llogaritet në 30 milionë euro. “Në bazë të të dhënave që vinë pranë Konfindustrisë mendohet që, investimi total i parashikuar nëse do të kalonte në këtë mënyrë projektligji i cili tashmë po diskutohet në Komisionet e Kuvendit arrin shifra deri në 30 milionë euro investim përveç kostove të menaxhimit të sistemit, mirëmbajtjes më vonë. E shkruajtur në këtë formë, praktikisht kjo do të ishte një taksë e re shtesë e fshehur e biznesit”, thekson Buxhuku. Ai thotë se asnjë vend të Europës bizneset nuk detyrohen me ligj të vendosin sisteme sigurie, ndërsa ngre pikëpyetje se ligji fsheh interesa të tjera. “Pjesa dërmuese e bizneseve i kanë kamerat e sigurisë, problemi është se zgjidhjet në këtë rast duhet të jenë orientuese jo detyruese. Edhe për mënyrën sesi do të menaxhohet më pas sistemi, në çdo rast ekziston rreziku si pasojat e pakëndshme me historinë e kasave fiskale, me gjithë problematikën që ato kishin”, thekson ai. Konfindustria kërkon që domosdoshmërisht ky ligj duhet të shoqërohet me kostot financiare. Ekspertët europianë të PAMECA-s (mision i Bashkimit Europian në mbështetje të Policisë së Shtetit) janë shprehur kundër projektligjit për kamerat e sigurisë që u miratua në Kuvend dhe u refuzua të dekretohej nga Presidenti Nishani. HashtagAL disponon komentet e ekspertëve të misionit që mbajnë datën 10 prill të vitit 2015, pothuajse një vit përpara se projektligji të paraqitej për miratim në Kuvend. Në këto komente, thuhet qartazi se projektligji shkel liritë dhe të drejtat e njeriut. Kur flasim për mbikëqyrje/monitorim në vende publike dhe vende private nga subjekte të ndryshme, kemi të bëjmë me të drejtën e privatësisë”, shkruhet në komentet e ekspertëve që i kujtojnë Policisë së Shtetit se ka një Konventë Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe Direktiva të Parlamentit Europian që kanë përcaktuar linjat e mbrojtjes së privatësisë.
Nga ana tjetër, ekspertët kujtojnë se ky është një projektligj i paprecedent në Bashkimin Europian, ku asnjë prej vendeve anëtare nuk ka shkuar kaq larg. Në komentet e ekspertëve europianë sillet në vëmendje të policisë shqiptare edhe jurisprudenca e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila ka vënë kufij të qartë për institucionet shtetërore. Sipas vendimeve të GJEDNJ, privatësia mund të shkelet kur qëllimi është i ligjshëm, në mënyrë ligjore dhe në përputhje me nevojën e një interesi shumë të madh publik. PAMECA shkruan se, mund të kryhen edhe përgjime e survejime të fshehta, por mekanizmi që është zgjedhur nga Policia e Shtetit është i diskutueshëm. Para së gjithash, Shqipërisë i mungon një kuadër i plotë ligjor që rregullon përgjimin parandalues dhe mbikëqyrjen, madje edhe kur kryhet nga agjencitë e zbatimit të ligjit, shkruajnë ekspertët. Në këtë mënyrë, PAMECA thotë qartë dhe shkoqur se edhe sot e gjithë ditën përgjimet dhe survejimet që kryhen nga vetë policia nuk janë fort të ligjshme, imagjinoni nëse ato bëhen nga privatët.
Kamerat e sigurisë, biznesi kundër: Taksë e fshehtë, investimi fillestar 30 mln euro
Ujësjellësi shton TVSH edhe mbi tarifën e shërbimit
Qyetarët e Tiranës në faturën e ujit përveçse paguajnë detyrimin që ju takon për ujin e pijshëm që konsumojnë, detyrimin për largimin e ujrave të përdorura e një sërë taksash të tjera, paguajnë edhe një tarifë shërbimi prej 100 lekë. Në fakt në faturën e marsit edhe kjo tarifë tani vjen me Tatim Mbi Vlerën e Shtuar duke e çuar vlerën 120 lekë. Problemi në fakt më shumë sesa pagesa e një vlere modeste prej 20 lekësh në çdo faturë qëndron në dy pika. E para bie ndesh me parimet që renditen në Udhëzimin e Ministrisë së Financave datë 30.01.2015 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” ku pjesa më e madhe e tarifave janë të përjashtuara dhe mbeten fikse flasim këtu për tarifa mbi dokumentat që tërhiqen nga institucionet si hipoteka apo regjistimet e çështjeve në gjykatë. Madje në faturën tip që ujësjellësi përdorte më parë nuk është aplikuar TVSH mbi këtë tarifë. E dyta kjo faturë është miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në datën 7 Mars të këtij viti dhe mbetet e paqartë nëse këtë 20 për qindsh do ta tërheqin Tatimet apo do ta mbajë ujësjellësi siç bëhet përgjithësisht me tarifën e shërbimit që mbahet nga institucionet dhe menaxhohet prej tyre. Me një llogari të thjeshtë “lëvizja” me TVSH¬në tek tarifa i jep ujësjellësit rreth 4 milionë lekë më shumë çdo muaj kjo po të llogarisim se lëshohen afërsisht 200 mijë fatura. Sot ajo që shohim me faturën e ujit është një listë e gjatë me detyrime që shtohet çdo ditë.
Konkretisht për marsin qytetarët do paguajnë:
Detyrimi për ujin e pijshëm
Detyrimi për largimin e ujit të përdorur
Tarifë shërbimi plus TVSH mbi këtë tarifë
Taksë për ndërtesën
Tarifë pastrimi mbi të cilën çuditërisht nuk po aplikohet TVSH
Dhe taksë e përkohshme për infrastrukturën arsimore.
Bankat pronare të 160 milionë euro pasuri të paluajtshme
Bankat në Shqipëri zotërojnë 22 miliardë lekë pasuri të patundshme (rreth 160 mln euro), të cilat janë duke denatyruar rolin primar të bankave në ndërmjetësimin financiar, duke kthyer një pjesë të funksioneve të tyre në “real estate”. Banka e Shqipërisë njoftoi dje se vlera e kolateraleve në pronësi të bankave, pasi kanë dështuar shitjet nga përmbaruesit, është rritur ndjeshëm më 2015. Nga 5 miliardë lekë më 2012 zotërimet e bankave në formën e pasurive të paluajtshme në fund të vitit të kaluar janë mëse katërfishuar në rreth 22 miliardë lekë. Banka e Shqipërisë arsyeton se nga pikëpamja e autoritetit mbikëqyrës është e rëndësishme të vlerësohet ndikimi që ka mbajtja në bilanc e këtyre lloj kolateraleve mbi të ardhurat dhe kapitalin e bankës.
Tetë janë llojet kryesore të rrezikut që lidhen me veprimtarinë bankare: rreziku i kredisë; rreziku i normës së interesit; rreziku i likuiditetit; rreziku i çmimit; rreziku operacional; rreziku i përputhshmërisë; rreziku strategjik dhe ai reputacional. Ndërkohë që rreziku i çmimit përbën rrezikun kryesor që lidhet me pasuritë e paluajtshme. Një rënie e çmimit të pasurive të paluajtshme, gjatë periudhës së mbajtjes në bilanc, mund të zvogëlojë si vlerën e aktivit në bilanc, ashtu edhe të ardhurat që mund të realizohen nga shitja e kolateralit pasuri e paluajtshme. Njëkohësisht, një shitje në masë e këtyre kolateraleve nga ana e bankave (fire sale) mund të dëmtojë rëndë tregun e pasurive të paluajtshme, duke ndikuar jo vetëm mbi të ardhurat e bankës, por edhe mbi vlerën e kolateraleve pasuri e paluajtshme të pranuar gjatë procesit kredidhënës, me pasoja në cilësinë e portofolit të kredisë dhe nivelit të mjaftueshmërisë së kapitalit.
Nivelet e larta të këtyre lloj aktivesh në bilanc, shoqëruar me strategji jo të efektshme të marrjes në pronësi të tyre mund të ndikojnë negativisht likuiditetin e një banke. Banka e Shqipërisë theson se, politikat operacionale dhe procedurat që lidhen me këto lloj aktivesh mund të kontribuojnë në shtim të rrezikut operacional, duke rezultuar në të ardhura më të ulëta nga kolateralet në pronësi dhe shpenzime të larta; përpjekje joadekuate dhe joefektive shitjeje, prishje/shkatërrim të kolateralit/eve, humbje jo të njohura dhe norma më të ulëta rikuperimi. Në rastet kur këto kolaterale merren në pronësi, bankat marrin përsipër rrezik të qenësishëm përputhshmërie me kuadrin ligjor që rregullon administrimin e pronave.
Një bankë është ligjërisht përgjegjëse për sa i takon marrjes në pronësi, veprimeve dhe mirëmbajtjes së këtyre pronave, të cilat mund të rrjedhin në detyrime ligjore të caktuara. Rreziku i mospërputhshmërisë së bankës me detyrimet ligjore për administrimin e pronave, mund të shoqërohet edhe me cenim të reputacionit të saj në marrëdhënie me konkurrentët apo me klientët, lajmëron Banka e Shqipërisë. Të dhënat e mësipërme shprehin qartazi se deri në vitin 2008, pra para ndikimit të krizës financiare globale në Shqipëri, vlerat e pronave të marra në pronësi si ndaj totalit të aktivit të bilancit, ashtu edhe kapitalit rregullator janë në nivele të papërfillshme, ndjeshëm nën 1%. Ndërkohë që, gjatë katërvjeçarit të fundit (2012-2015), rriten ndjeshëm duke shënuar vlera mesatare historike përkatësisht 1.2% dhe 12.8%. Në dhjetor 2015, këto vlera qëndrojnë mesatarisht në 1.6% të aktivit dhe 16.2% të kapitalit rregullator.
Ahmetaj rimerr investimet publike
Kur Kryeministri Rama krijoi rishtaz Ministrinë e Ekonomisë në vitin 2013 dhe në krye të saj emëroi një nga personat më të besuar të tij, Arben Ahmetajn, fill më pas e pajisi atë me funksione të rëndësishme, që deri atëherë i kishin pasur ministritë e tjera.
Një ndër këto funksione ishin investimet publike, të cilat iu hoqën Ministrisë së Financave dhe i kaluan asaj të Ekonomisë. Kështu çdo projekt investimi publik nuk mund të financohej pa vulën e Ahmetajt. Por kjo hallkë e re në zinxhirin e investimeve e ka penguar realizimin e tyre dukshëm dhe kjo është evidentuar edhe në raportet e monitorimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Por, dyshimi që çelësat e investimeve nuk mund t’i mbajë askush tjetër veç Ahmetajt, u vërtetua së fundmi. Në ditën që Arben Ahmetaj ka nisur drejtimin e Ministrisë së Financave pohoi se do të merrte me vete edhe strukturën e investimeve publike. Kjo është bërë fakt tashmë. Zv/ministrja e Financave, znj. Irena Beqiraj ka konfirmuar për “Monitor” se tashmë struktura e investimeve publike i ka kaluar sërish dikasterit të Financave.
Kalimi i funksioneve më të rëndësishme publike në varësi të një personi është një rast i paprecedent në historinë e ndarjes së funksioneve qeveritare shqiptare.
Ministria e Ekonomisë nën drejtimin e Ahmetajt u shndërrua në një dikaster hibrid ku u bashkuan funksione që nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën, si investimet publike, turizmi, inspektimi i karburanteve etj. Tani që Ahmetaj drejton një dikaster tjetër dhe ka marrë me vetë edhe strukturën e investimeve nuk është çudi që edhe turizmi dhe koncesionet të kalojnë tek Ministria e Financave.
Mallkim i trofeut dhe “fikja” e Mesit
Pas eliminimit të Barcelonës nga Atletiko e Madridit në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, Lionel Mesi u largua nga “Vicente Calederon”, duke prekur me dorë muskujt.
Argjentinasi nuk ishte deciziv atëherë kur skuadrës i duhej më tepër se kurrë deri në këtë moment të sezonit. Dhe sa herë ai nuk është në ditën e tij, nuk është një rastësi që katalanasit eliminohen.
Që kur ai është bërë pjesë e ekipit të parë, 5 herë kampionët e Europës janë eliminuar nga Liverpuli (2007), Mançester Junajtid (2008), Inter (2010), Çelsi (2012), Bajerni (2013) dhe Atletiko Madrid (2014 dhe 2016).
Gjatë këtyre 7 ndeshjeve me eliminim direkt në këto 10 vitet e fundit, “pleshti” ka qenë në fushë për 1.442 minuta dhe ka dhuruar vetëm një asist (atë në ndeshjen e kthimit ndaj Çelsit), duke mos shënuar asnjë gol. Madje, ai ka humbur edhe një penallti decizive.
Por herët a vonë mallkimi i përsëritjes së suksesit në këtë kompeticion do të prekte edhe katalanasit, skuadrën favorite për ta fituar edhe këtë sezon trofeun më të rëndësishëm kontinental. Asnjë ekip, që kur është krijuar formati Champions në vitin 1992, nuk ka arritur të rikonfirmohet në krye të Europës në sezonin pasardhës.
Dhe nuk janë pak që kjo të quhet thjesht një rastësi, por 24 edicione. Për të gjetur skuadrën e fundit që arriti të mbronte titullin duhet të kthehemi pas në kohë, në formatin e vjetër të Kupës së Kampioneve.
Ishte sezoni 1988-1990 dhe atëherë në krye të Europës ngjitej Milani i madh i Sakit, i cili mposhte në dy finale radhazi rumunët e Steauas së Bukureshtit dhe portugezët e Benfikës. Dhe po të kthehemi edhe pak më pas në kohë do të gjejmë pesë triumfet radhazi të Realit të Madridit, por edhe tripletën e Ajaksit të Amsterdamit dhe Bajernit të Mynihut dhe dopietën e Interit, Liverpulit dhe Notingem Forestit. Të shohim çdo të ndodhë pas datëlindjes së 25-të të Champions-it!?
Ekonomia botërore përballë problemeve të mprehta
Udhëheqësit financiarë botërorë u shprehën ‘dëshpërues’ mbi ekonominë globale të enjten, duke treguar për daljen e mundshme të Britanisë nga Bashkimi Evropian si një kërcënim serioz së bashku me rrugën problematike të rritjes së Kinës dhe mospajtimit mbi normat e interesit në eurozonë. Shqetësimi se votuesit britanikë ka të ngjarë të largohen nga BE me referendumin e 23 qershorit ka trembur ministrat e financave, bankierët qendrorë dhe zyrtarë të tjerë të mbledhur për takimet e pranverës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Drejtori Administrativ i FMN-së, Christine Lagarde sinjalizoi frikën e thellë të politikëbërësve se ‘Brexit ‘mund të ‘nxjerrë nga binarët’ rimëkëmbjen e lëkundur ekonomike të Evropës dhe të shkojë edhe më larg se kaq. Lagarde, e cila tha se personalisht shpresonte që Britania të qëndrojë në BE, parashikoi se një divorc i mundshëm do të çojë drejt viteve të pasigurisë financiare. Komisioneri i Çështjeve Monetare dhe Ekonomike të BE-së, Pierre Moscovici referoi në në një ngjarje të veçantë, duke përshkruar pasojat politike të votimit britanik për tu larguar nga blloku si ‘një lajm shumë i keq.’ Komentet e tyre pasuan paralajmërimet e qarta nga Banka e Anglisë se ekonomia e Britanisë ka të ngjarë të vuajë rëndë dhe monedha e saj do të bjerë në qoftë se e mbyll historinë me BE-në. Moscovici ka shtuar se perspektivs rreth rritjes së afërt evropiane tashmë është përkeqësuar.
Borxhi publik dhe privat i Kosovës arriti në 1.9 miliard euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se deri në shtator 2015 borxhi i jashtëm i Kosovës, borxhi i jashtëm privat dhe borxhi i jashtëm publik arriti në 1.9 miliard euro, që është për 12.3 për qind më i lartë se në shtator 2014. “Si përqindje e BPV-së, borxhi i jashtëm bruto arriti në 33.2 për qind. Borxhi i jashtëm publik në shtator 2015 kishte vlerën prej 436.8 milionë eurosh, një pjesëmarrje prej 22.8-përqindësh në gjithsej borxhin e jashtëm bruto. Pjesa më e madhe e borxhit të jashtëm përbëhet nga huat ndërmjet kompanive. Në strukturën e borxhit të jashtëm, FMN-ja ka një pjesëmarrje prej 10.3-përqindësh, pasuar nga Banka Botërore që ka një pjesëmarrje prej 10.9-përqindësh, si dhe kreditorët e tjerë (më shumë se gjysma e borxhit ndaj kreditorëve të tjerë është kreditim ndërmjet kompanive) që kanë një pjesëmarrje dominuese prej 78.9-përqindësh”, thuhet në raportin e BQK-së për Zhvillimet Makroekonomike.
City, i vështirë!
Manchester City-Real Madrid dhe Atletico Madrid-Bayern Munchen janë sfidat e fazës gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, prej nga do të dalin edhe dy finalistët e këtij sezoni, të cilët do të luftojnë për trofeun me “veshë të gjatë”. Shorti që u hodh paraditen e së premtes në Nyon të Zvicrës, lë të hapur mundësinë e një finaleje të njëjtë sikurse në vitin 2014, kur për herë të parë u përballën dy skuadra nga i njëjti qytet, Real-Atletico.
Megjithatë, Ronaldo do të rikthehet në Manchester dhe si një yll i United dhe do të bëjë të pamundurën për të eliminuar ish-kushërinjtë e urryer të Cityt. Ndërkohë, Guardiola mund të përballet me ekipin e ardhshëm të tij, Cityn, në rast se skuadra e tij aktuale dhe ajo angleze mund të kalojnë edhe këtë fazë. Ndeshjet e para gjysmëfinale do të luhen më 26 dhe 27 prill, ndërsa ato të kthimit më 3 dhe 4 maj.
Drejtori Sportiv i Real Madridit, Emilio Butragueno, parasheh një ndeshje shumë të vështirë kundër Manchester Cityt në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Ai tha se, ata do të jenë të motivuar për këtë takim dhe dëshira e tyre është që të shkojnë në Milan. “Ndeshja do të jetë e barabartë. Po flasim për lojtarë të mëdhenj. City është skuadër e madhe dhe motivimi do të jetë i madh. Ne do të luajmë dy ndeshje të nivelit të lartë, por dëshira jonë është të shkojmë në Milano”, tha Butragueno pas shortit.
Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane ka folur për ndeshjen kundër Manchester Cityt në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Ai tha se do të jenë dy ndeshje të vështira dhe do të jetë një sfidë totale. “Është një gjysmëfinale shumë e vështirë. E vetmja gjë pozitive është që luajmë ndeshjen kthyese në shtëpi. Shoh dy ndeshje të komplikuara dhe do të jetë një luftë totale”, tha Zidane gjatë konferencës për media.
Menaxheri Gjeneral i Manchester Cityt, Txiki Begiristain e ka pranuar se Real Madrid është favorite, por insiston se ata mund të shkojnë në finale. Ai tha se, City ka sulm të mirë dhe mund të mposhtë Realin. “Mendoj se Real Madrid është favorite, pasi ka luajtur në 26 gjysmëfinale, gjashtë rresht në vitet e fundit. Por, ne kemi sulm shumë të mirë dhe mund t’i eliminojmë ata”, tha Begiristain.
Trajneri i Manchester Cityt, Manuel Pelegrini, mendon se shorti i ka vu përballë një skuadre tejet të vështirë. Ai ka shtuar se në këtë fazë të Championsit nuk ka asnjë skuadër të lehtë dhe se janë duke shikuar që të bëjnë paraqitje të mira ndaj Realit. “Përballja me Realin nuk është një motivim shtesë. Motivi jonë është se do të luajmë dy ndeshje gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve”, ka thënë Pelegrini. “Është një short shumë i vështirë. Nuk ka rëndësi kundër cilit ekip luajmë, të gjithë në këtë fazë janë të vështirë. Ne tentojmë që të bëjmë paraqitje të ngjashme si deri më dhe presim ndeshje të mira kundër një ekipi të madh”, ka shtuar ish-trajneri i Real Madridit.
Jaja Ture kërkohet nga Juventusi
Jaja Ture flirton me Juventusin. Mesfushori i Mançester Sitit i është vetofruar skuadrës bardhezi dhe shpreson që sezonin e ardhshëm të luajë në Torino. Sipas mediave italiane, 33-vjeçari do të divorcohet në fund të sezonit me Sitin dhe kërkon të ndryshojë skuadër.
Interesant është fakti se, deri në këto momente ai ka qenë një nga dëshirat e mëdha të Interit dhe Roberto Mançinit, por duket se Ture ka “tradhtuar” dashurinë e vjetër për të veshur fanellën e kampionëve të Italisë. Interi e ka shumë të vështirë t’i plotësojë kërkesat ekonomike futbollistit nga Bregu i Fildishtë dhe për këtë fakt ky i fundit ka vendosur t’i shkelë syrin “Zonjës”. Pavarësisht se Ture kërkon të transferohet në Torino, Masimiliano Alegri dhe drejtuesit e Juventusit nuk emocionohen nga ky fakt dhe kanë vendosur ta lënë në pritje lojtarin e Sitit. Ai nuk mund të jetë kurrsesi alternativa e parë në rolin e mesfushës, duke parë që bardhezinjtë po kërkojnë të bëjnë revolucion, duke afruar futbollistë të rinj. Për më tepër, Ture kërkon 7 milionë euro në sezon dhe Juventusi nuk shquhet për të bërë çmenduri të tilla lidhur me pagat e lojtarëve. Gjithçka do të varet nga Pogba, por edhe nga Andre Gomes, i cili është objektivi kryesor i Juventusit në merkaton e verës.
Milani në prag të shitjes
Presidenti i Milanit Silvio Berluskoni është në prag të shitjes së klubit drejt investitorëve kinezë. Mediat italiane thonë se kuqezinjtë priten të shiten shumë më lirë se çfarë thuhej më parë. “Milani është një hap larg fundit të një epoke dhe nisjes së një tjetre të re. Silvio Berluskoni është duke lëshuar 70 për qind të aksioneve të klubit për një shifër të përafërt me 400 milionë euro.
Pak, shumë më pak nga 1 miliard euro që duhej të shitej nga operacioni Taechaubol. Përfituesi është një maniak kinez, ndërsa këshilltari është një ekspert amerikan. Nga burime të besueshme konfirmohet se firmosja e marrëveshjes është e afërt, ndoshta brenda javës që vjen”, shkruan e përditshmja italiane “Corriere dello Sport”. Rreth 70 për qind e aksioneve pritet të shiten së shpejti, ndërsa 30 për qind që mbeten do të shiten në fund të sezonit të ardhshëm.
Ndërkohë, mirënjohjen më të madhe për punën që bëri gjatë periudhës që drejtonte Milanin, Sinisha Mihajloviç e ka marrë si dhuratë nga ana e tifozëve kuqezi, të cilët menjëherë sapo mësuan për vendimin e Berluskonit për të shkarkuar trajnerin, u pozicionuan në krah të serbit. Mbështetësit e Milanit nuk e kanë pritur aspak mirë vendimin e klubit për t’i besuar stolin Kristian Brokit, teksa kanë premtuar protesta në adresë të Berluskonit dhe Galianit. Ndërkohë, rikthehemi tek aktualiteti.
Valerio Stafeli, gazetari i famshëm i emisionit popullor në Itali “Striscia la Notizia”, i ka dhuruar ditën e djeshme “Tapirin e Artë”, ish-trajnerit të kuqezinjve, Sinisha Mihajloviçit. Ky i fundit, në prononcimin e tij të shkurtër përpara kamerave, ka evituar që të polemizojë me presidentin e Milanit, Silvio Berluskoni. I pyetur për shkarkimin e tij, Mihajloviç tha: “Nuk duhet të më pyesni mua pse sot nuk jam më trajneri i Milanit. Unë nuk jam njeriu më i përshtatshëm për t’i dhënë një përgjigje kësaj pyetjeje. Për më tepër informacione duhet t’i drejtoheni presidentit Silvio Berluskoni.
Përfitoj nga ky rast për të falënderuar të gjithë tifozët e Milanit, të cilët kanë qenë gjithmonë shumë të dashur me mua. Kjo do të thotë se ndoshta kanë vlerësuar aspektin njerëzor të Sinisha Mihajloviç”, u përgjigj në mënyrë ironike serbi.