30.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

PD Gjirokastër: Kryebashkiakja masakër mjedisore dhe muzeale

Dega e PD Gjirokastër i ka kërkuar Prokurorisë së këtij qyteti që të hetojë përgjegjësit e masakrës mjedisore dhe monumentale që po kryhet në qytet, sponsorizuar nga Bashkia. Kreu i PD të Gjirokastrës, Roland Bejko, në një dalje publike tre ditë fill pas skandalit të kryetares së Bashkisë në videon e pacensuruar gjatë shkarkimit të administratorit të ujësjellësit, ka bërë fajtore për gjendjen mjaft të rënduar në qytet, kryebashkiaken e Gjirokastrës Zamira Rami, e cila sipas tij, po mbështet një firmë ndërtuese për të kryer punime në zonën muzeale, pa asnjë leje nga organet kompetente.
Sipas Bejkos, kjo firmë punon ilegalisht pa leje ndërtimi nga Bashkia e Gjirokastrës, pa leje mjedisore nga Inspektoriati Rajonal i Mjedisit dhe më kryesorja, pa çertifikimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës.
Në një kohë kur qeveria shqiptare vitin e kaluar, pati nxjerrë një urdhër të ashpër për penalizimin e çdo institucioni, firme apo individi në momentin kur ndërhyn në një zonë të mbrojtur nga UNESCO.
Por sipas Bejkos, ky urdhër nuk është i vlefshëm për Bashkinë e Gjirokastrës, pasi kryetarja Zamira Rami, nuk pyet. Për kreun e PD, organi i akuzës në Gjirokastër duhet të ndërmarrë urgjentisht hetime ndaj kësaj masakre që po bëhet në zonën muzeale të qytetit.

Masakra e Xhuvanit, Skënder Demiraj: Djalin ma vrau policia

Gjykata e Tiranës urdhëron vazhdimin e hetimit për mosdhënie të ndihmës së shpejtë për Arbër Demiraj, një prej 4 të vrarëve në masakrën e Rrugës së “Elbasanit” nga Kostandin Xhuvani, djali i ish-deputetes së PS më 4 nëntor 2014. Dosja ishte pushuar nga Prokuroria në dhjetor të 2015, por me një vendim që mban datën 7 prill 2016, Gjykata vendosi shfuqizimin e këtij vendimi.
Në vendimin që mban firmën e gjyqtarit Kreshnik Omari thuhet se, Skënder Demiraj ka bërë kallëzimin se djalit të tij nuk i është dhënë ndihma e parë mjekësore nga punonjësit e policisë, pavarësisht këmbënguljes së tij që Arbëri të çohej në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Kjo ndihmë i është dhënë nga mjeku pas kalimit të 1 orë e 10 minutave, kur ai kish vdekur.
“Në kallëzimin e tij, ai shpjegon se iu ka kërkuar ndihmë oficerëve të policisë e shefave që ishin të pranishëm, por kjo ndihmë nuk i është dhënë, duke i thënë se është njoftuar ambulanca dhe nuk e linin të prekte djalin. Pasi ka ardhur ambulanca, nga ana e tij është kërkuar që djali të çohej në spital, por ata nuk i janë afruar djalit të tij, por kanë marrë kufomat brenda lokalit. Më pas, pas 30 minutave ka ardhur një ambulancë tjetër dhe një mjek ka kërkuar t’i bënte djalit të tij adrenalinën, por ka konstatuar se ai kishte vdekur dhe e kanë çuar në morg. Sipas kallëzuesit, djali i tij është trajtuar nga policia si kriminel dhe është lënë qëllimisht të vdesë në mënyrën më të poshtër pa e prekur njeri me dorë dhe duke i penguar njerëzit që donin ta ndihmonin dhe përfundimisht, sipas tij, djalin e tij e ka vrarë Policia e Shtetit dhe jo Kostandin Xhuvani dhe Erald Sida. Lidhur me sa më sipër nga ana e kallëzuesit është kërkuar zgjidhje ligjore, lidhur me veprimet e punonjësve të policisë që kanë qenë në vendngjarje e që kanë ndërmarrë veprime kriminale ndaj djalit të tij”, bën të ditur Prokuroria.
Demiraj ka kërkuar zgjidhje ligjore për “veprimet e punonjësve të policisë që kanë qenë në vendngjarje e që kanë ndërmarrë veprime kriminale ndaj djalit të tij”.

Qeverinë e tremb e vërteta e opozitës

Ridvan Bode

Diskutimi i nismës së Grupit Parlamentar të PD-së në këtë seancë në fakt ngre një nga çështjet më thelbësore që ka të bëjë me parlamentarizmin në Shqipëri, me sistemin tonë politik. Është thelbësore për faktin që Parlamenti ka për mision për të monitoruar qeverinë, për të bërë transparencën e qeverisjes dhe për të adresuar përmes një procesi ligjvënës të gjithë problematikën që vjen nga ky monitorim. Dy janë instrumentet e Parlamentit. Është KLSH që monitoron përmes procedurave të veta dhe është vetë Parlamenti që përmes komisioneve hetimore parlamentare, një mision që i takon opozitës, bën monitorimin e çështjeve të veçanta, të problemve të caktuara për t’i kërkuar më tej adresimin e tyre.
Historia e këtij Parlamenti ka treguar që qeveria ka vendosur në kontroll të plotë tërësisht Parlamentin. Qeveria nuk është e interesuar për parlamentarizëm, por përkundrazi po punon çdo ditë për të denigruar rolin e Parlamentit në shoqërinë tonë, që nga mbushja e Parlamentit me njerëz me precedent penalë, që nga mënyra e funksionimit të Parlamentit ku bllokohet çdo nismë dhe iniciativë e opozitës, ulja e rolit të Parlamentit në çdo proces ligjvënës dhe monitorues. KLSH sjell një raport prej 800 milionë eurosh dëme dhe në vend të reflektimit të Parlamentit për çështjet e ngritura dhe sugjerimet e bëra, mazhoranca hidhet e gjitha në sulm për të denigruar këtë raport për ta bërë atë hiç dhe zero. Opozita propozon ngritjen e komisioneve hetimore dhe mazhoranca është kontributore për të bllokuar çdo nismë e tentativë të opozitës për të monitoruar.
Është e vërtetë që historia e komisioneve hetimore nuk është histori tepër fatlume, pasi shpesh është bllokuar për shkak të këtij reagimi të mazhorancës në përfundime që nuk kanë gjetur zbatim as nga institucionet e komanduara për të marrë në konsideratë faktet e nxjerra nga një komision hetimor. Por kjo nuk duhet të ulë rolin dhe të deningrojë rolin e Parlamentit në të gjithë këtë process të mbikëqyrjes të qeverisjes. Roli i opozitës është zvogëluar me dashje, sepse qeveria kërkon që me demagogjinë e saj, e cila flet për një Shqipëri virtuale dhe jo për atë që përjetojnë qytetarët, të mund ta bëjë refren të të gjithë debatit të saj edhe këtu në aulën e Parlamentit. Ka mbetur që vetëm disa raporte apo deklarata të institucioneve ndërkombëtare që të mund të kontribuojnë për transparencën në këtë vend duke akuzuar, duke ngritur problemet, duke adresuar problematikat që lidhen me qeverisjen. Mirëpo edhe në këto raste, siç jemi edhe dëshmitarë edhe sot, qeveria përpiqet që dështimet t’i shesë për arritje. Sot, thuhet për të mos pasur negociata me Shqipërinë dhe këtu dilet me deklarata për mbështetjen e madhe që u japin institucioneve shqiptare për të plotësuar kriteret për hapjen e negociatave. Ka 3 vjet që nuk hapen negociatat dhe këtu flasin për suksese të mëdha dhe për arritje të kësaj qeverie. Dhe nëse do ishte kështu, negociatat do të ishin hapur me kohë.
Duhen raportet e disa institucioneve për të marrë vesh se çfarë ndodh në Shqipëri. Banka Botërore në raportin e Doing Bussines, deklaroi disa muaj më parë se Shqipëria ka zbritur me 35 vende dhe qeveria e shet përsëri si një arritje të madhe. Edhe në këtë raport, u desh të deklarohet se për mundësitë e të bërit biznes në Shqipëri se për taksat që ka Shqipëria, thuhet se ka humbur 11 vende në krahasim me vetë këtë qeveri dhe me 16 vende në raport me vitin 2013 dhe qeveria sërish deklaron se ka arritje dhe suksese të mëdha. U desh FMN-ja të dilte me deklaratë kundër për koncesione, për të filluar reflektim dhe për të patur kujdes, sepse me koncensionet po rrënohet stabiliteti financiar i vendit. U deshën raportet nga BE për të kuptuar qytetarët që Shqipëria ishte vendi kryesor i trafikut të drogës, të kanabisit për në vendet e BE-së.  U desh raporti i Bankës Botërore për të mësuar një sërë të vërtetash për ekonominë shqiptare dhe përsëri ministri e nxjerr si një arritje të madhe të kësaj qeverie. U desh Freedom House që të deklaronte dy ditë më parë se korrupsioni në Shqipëri është shndërruar në elementin kryesor të qeverisjes, deklaratë e bërë për herë të parë dhe vetëm njëherë në vitin 2004 dhe ku 40-45% e tenderave janë me prokurim të drejtpërdrejtë. Dhe ne jemi sot në të njëjtin stad ku rreth 40% e tenderave janë me prokurim të drejtpërdrejtë dhe fituesit në tendera dalin me mesatarisht 99% të vlerës limit të lejuar për prokurim. Po ashtu, duheshin Dhomat e Tregtisë të huaja në Shqipëri për t’ia plasur në sy ministrit e për t’i thënë që Shqipëria është vend i papreferuar për investime. Del Dhoma Gjermane e Tregtarisë, vend kryesor i ekonomisë së BE-së që flet fare hapur dhe deklarata e saj ka një peshë dhe besueshmëri që kapërcen të gjithë këtë qeveri. E pra, Shqipëria është vendi më i papreferuar për të investuar.
Pse ndodh një gjë e tillë? Sepse qeveria veç bllokimit të kontrollit dhe monitorimit të saj, ka bllokuar tërësisht edhe transparencën e domosdoshme të ngarkuar me ligj, ka bllokuar statistikat e vetë qeverisë. Ministri foli për arritje, por nuk u tha shqiptarëve se për çfarë, arsyet se pse nuk u tha pse ka 4 muaj që nuk publikohen statistikat fiskale, të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit. Ka qenë praktikë që në datën 12 të muajit pasardhës ato publikoheshin. Sot jemi në mes të muajit prill dhe ende nuk janë publikuar statistikat e dhjetorit, janar, shkurt dhe as të marsit. Qeveria del e publikon listat me suksese, por i fshihet si djalli nga temjani të vërtetave që vijnë nga statistikat e vetë qeverisë. Nuk ka ndodhur kurrë më parë ndonjëherë që të fshihen statistikat zyrtare përpara opinionit publik dhe kjo po ndodh aktualisht. Ky është niveli i transparencës që kësaj qeverie. U desh të mësojmë nga Banka Botërore, që në vitin 2015 në arkën e shtetit munguan 400 milionë dollarë nga taksat dhe i gjithë axhustimi fiskal është i vetmi vend në rajon që vjen prej shkurtimeve të shpenzimeve, duke pakësuar investimet publike, duke pakësuar shpenzimet sociale për njerëzit në nevojë, duke bllokuar rritjen e pagave, ndërkohë që çmimet rriten si dhe duke bllokuar rritjen e pensioneve. Ja ku e keni në raport ku thuhet, se i vetmi vend që në përpjekje për të axhustuar gropën e madhe të financave shkurton vetëm shpenzimet dhe kontributi i të ardhurave është zero, e madje është minus.
Qeveria nuk bën transparencë dhe nuk lejon as opozutën për të bërë transparencë. Qeveria deklaron se jemi një vend me rritje ekonomike. Është 2.6% në vitin 2015 dhe qenkemi 0.5% më lart se mesatarja e rajonit. Këtë thotë qeveria dhe këtë thotë e Banka Botërore, por në detaje kjo bankë por edhe vetë INSTAT thotë se, bujqësia ka rënë me 2%, që industria ka rënë me 3% në 2015. E pra, këto janë dy degët e industrisë ku punojnë dhe ushqehen shqiptarët. Statistikat tona se rritjen më të madhe në 2015 e paska dhënë dega e ekonomisë, arte, argëtim dhe çlodhje me 15.25% është rritur kjo degë e ekonomisë, dhe shqiptarët marrin rrugët e Europës dhe sipas kryeministrit nuk shkojnë për të punuar se ka punë me bollëk këtu. 80 mijë njerëz ikën nga Shqipëria, por ne jemi vendi i atraksionit dhe ata kanë ikur për atraksion dhe se punë paskemi boll në Shqipëri. Dhe çfarë ndodh, ndërtimi është dega kryesore që ka rritje ekonomike në 2015 me 12. % dhe rritja ekonomike ka ardhur nga ky sektor. Kur e dëgjuam menduam se na gënjejnë, sepse këtu ka një monatorium për ndërtimet dhe s’ka ndërtime dhe se invetimet publike kanë rënë dhe qeveria deklaron se investimet e rritën ekonominë, por kur lexon Bankën Botërore, sepse qeveria nuk i tregon, se ndërtimi është rritur vetëm për shkak të një investimi privat me 560 milionë euro në hidrocentralin e Devollit dhe që do të thotë 5 pikë përqindje dhe është kontratë e lidhur në qeverisjen e PD-së, do të thotë që ekonomia shqiptare vetëm nga ky investim është rritur me 5% dhe në kushtet kur jemi rritur me 2.6%, do të thotë që ekonomia reale dhe funksionale, atje ku punojnë dhe hanë shqiptarët është ulur me 2.4% dhe kjo është arsyeja pse ka rënë bujqësia dhe industria, dhe kjo është arsyeja se pse kanë rënë të ardhurat në vitin 2015. Kjo është arsyeja pse ka rënë konsumi në 2015, pse është rritur varfëria, papunësia etj., por qeveria me statistikat del e mburret. Ai është një investim shumë i rëndësishëm, por shqiptarët atë sot as e hanë dhe as e pijnë atë investim. Shqiptarët janë të papunë. Për të vazhduar me statistikat e tjera të qeverisë që konsumi, dhe është i vetmi vend në rajon, që në rënie. Statistikat e Bankës Botërore flasin për rënie të konsumit me 2.6% në vitin 2015. Pra ne hamë më pak dhe investojmë më pak, por ne jemi rritur dhe qeveria është në rregull dhe tund kartën e rritjes ekonomike për shkak të hidrocentralit.
Na u tha që papunësia është në rënie. Në të vërtetë, Banka Botërore thotë një shifër alarmante. Shqipëria është i vetmi vend në rajon ku ka rritje të ekonomisë dhe rritje të papunësisë, por edhe kjo është një statistikë që i shkon për shkak qeverisë. Qeveria thotë që është rritur edhe përmes import/eksporteve dhe që janë eksportet që kanë mbështetur rritjen e ekonomisë. Po çfarë del nga të dhënat e BB-së?! Vija e kuqe në tabelë është Shqipëria dhe është i fundit vend në rajon në dy dhe 3 vitet e fundit për vëllimin e eksporteve dhe ndërkohë që ka qenë vendi për rritjen më të madhe të eksporteve edhe në kohën e krizës. Është vendi i fundit dhe qeveria deklaron se jemi rritur për shkak të rritjes së eksporteve, ndërsa statistika e INSTAT-it thotë se, eksportet kanë rënë me 7.7% në vitin 2015 dhe importet me 2.2%. Megjithatë edhe me dështimet dhe ndrydhjen e ekonomisë, qeveria bën politikë dhe argumenton rritje për ekonominë. Qeveria thotë se, ka rritje ekonomike, por kreditimi i ekonomisë ka rënë. Ende nuk kanë të njëjtin nivel sa qershori i vitit 2013, kur erdhën në pushtet dhe është 3.4% më pak dhe gjithnjë e më shumë ekonomia është në këtë pamundësi të kreditimit të saj.
Me çfarë u rrit ekonomia jonë?! Shikoni se çfarë ndodh ndonëse qeveria thotë kemi bërë progres të madh. Por sipas BB-së, Shqipëria është vendi i fundit në rajon për shkallën e mobilizimit të depozitave të kursimit për t’i investuar në ekonomi. Është vend i fundit, por po ashtu Shqipëria është vendi i parë për nivelin e kredive të këqia. Kanë qenë që kreditë e këqia kanë qenë për shkak të qeverisjes së mëparshme, por nuk thonë kështu statistikat. Qeveria thotë edhe se po ulim varfërinë, por ka disa tregues që janë realisht kundër saj si papunësia në rritje, sepse nga 28.5% ka shkuar në 32.3% sipas Bankës Botërore, të ardhurat nga puna janë në rënie dhe këtë e thotë një raport i FMN-së dhe BSH-së me një shifër prej 6 % të të ardhurave nga puna. Indeksi i çmimeve ësjtë burimi i të ardhurave të qytetarëve thotë qeveria, por për atë që kanë të bëjnë me mirëqenien e qytetarëve janë ushqimet dhe ato janë rritur me 2.2 edhe pse inflacioni është me 0.5%. Ky inflacion do të ishte më i lartë po të shohim se çmimi i frutave ka një rënie me 17 % çka do të thotë se të ardhurat e fermerëve shqiptarë ka rënë. Kjo po e bën rritjen e mirëqenies së njerëzve?! Kur të gjitha çmimet e ardhura nga importi janë në rritje e që në fakt duhet të ishin në rënie. Pra nga të gjitha këto del e qartë, që qeveria mundohet të bëjë politikë, duke shitur si sukses atë që në vetvete përbën thelbin e dështimeve të saj. Sepse nuk ka statistika, nuk ka transparencë, sepse japin vetëm shifra globale dhe dalin e deklarojnë asgjë prej shifrave reale ndaj dhe roli i opozitës për të bërë transparencën dhe për t’u thënë të vërtetat shqiptarëve, që ata i dinë më mirë se ne, është i domosdoshëm. Po bëhet një distancë e madhe e këtij Kuvendi në raport me hallet e njerëzve, pikërisht duke dëgjuar tellallë të kryeministrit që dalin këtu e mburren kur janë tërësisht të dështuar. Ndaj u themi të mbështesni propozimin tonë për të pasur një punë më efikase të komisioneve hetimore parlamentare.

Duhet vepruar sot

Jorida Tabaku

Qeveria aktuale dhe propaganda janë përherë në një konvergjencë të pëlqyeshme dhe hera-herës të duket sikur qeveria punon për propagandën dhe jo anasjellas. Por nuk mund të themi të njëjtën gjë sa i takon ekonomisë dhe realitetit ekonomik të vendit sepse është shumë e qartë që qeveria dhe ekonomia janë tërësisht në drejtime të kundërta.
Ishte qartësisht e kuptueshme për këdo që ka një njohje të cekët ekonomike dhe financiare, se programi i artikuluar nga kjo qeveri që dikur quhej “Rilindje” nuk qe vetëm se ëndrra në beze. Prandaj gjendja aktuale e ekonomisë, me gjithë të metat, mangësitë dhe minuset e qeverisë së shkuar nuk është edhe aq shumë pasojë e asaj çfarë trashëguat nga ne, por më së shumti pasojë e atij fshikullimi të pamend që këto tri vite i bëtë biznesit, sipërmarrësit dhe qytetarit.
Sot Shqipëria është vendi i fundit në rajon sa i takon investimeve të huaja, 7.1% më pak se tre vjet më parë është raporti i investimeve të huaja në vendin tonë dhe kjo si pasojë e të qenurit vendi me barrën më të lartë fiskale në rajon. Asnjë, asnjë investitor i huaj me peshë në 3 vite! Asnjë!
Jemi vend që kemi një deficit tregtar më të lartë sepse nuk mundemi dot të eksportojmë dhe burimet kryesore të eksportit kanë shpallur falimentin, ndërkohë që bizneset ekzistuese nuk mund të mbajnë mbi supe peshën kryesore të eksporteve.
Në mes të kësaj furtune qeveria vazhdon të krekoset për rritje ekonomike të papërfillshme e për rënie konsumi. Flitet ende për ulje të papunësisë kur INSTAT raporton se papunësia është rritur në 17.7%.
Flitet për situatë të stabilizuar ndër konsumatorë kur nga vetë të dhënat e INSTAT dëshmohet me shifra se për herë të parë që pas vitit 1999 rritja e pagave në sektorin publik rezultoi negative, për pasojë niveli i pagave në sektorin privat vazhdon të jetë gjithaq i ulët. Ka rënë paraja e disponueshme, ka rënë fuqia blerëse, kanë rënë depozitat e ka rënë besimi i konsumatorëve.
Ndërsa qeveria ankohet se ka punë, por nuk ka profesionistë, Eurostat raporton se numri i shqiptarëve që kanë kërkuar azil në Evropë është i barabartë me një qytet sa i Gjirokastrës.
Po bëhemi më të papunë, më të varfër, më të pashpresë dhe po zhytemi më thellë në borxh.
Mbi supet e shqiptarëve borxhi u rrit me 1,6 milion euro, por për çfarë? Për çfarë mori hua kjo qeveri në emër të shqiptarëve sot dhe të shqiptarëve nesër? As më shumë e as më pak se sa për zbukurime, për të mbushur qytetet me palma, që Kryeministri të ketë mundësi të shpërndajë paratë tek klientët e tij.
Qartësisht, ekonomia jonë sot është më e dobët, vuan jo vetëm nga vizioni i shtrembëruar i një qeverie që nuk ka më as qëllim, as rrugëtim dhe as shkak tjetër për të qeverisur përpos vjedhjes.
Por, vuan edhe si pasojë e një pjese të mirë të kësaj shumice, e cila përjashto një pakicë që ka vendosur të gjykojë me parime, është kthyer në kumbarën e veprimeve keqdashëse të qeverisë. Por vuan edhe nga sjellja e pjesës së majtë të kësaj salle që thuajse e gjitha në shumicën absolute të rasteve ka qenë kumbarja e veprimeve keqdashëse të qeverisë.
Siç qe rasti i votimit të ligjit sa i takon kthimit dhe kompensimit të pronave apo ligji i investimeve strategjike, të cilat na kanë shndërruar në vendin e fundit në rajon sa i takon të drejtës së pronësisë.
Prandaj fajtorë për ku jemi sot nuk është vetëm kjo qeveri, por edhe një pjesë e mirë e kësaj mazhorance që e ka shndërruar Kuvendin në noter të kapriçiove kryeministrore. Dhe ata që bëjnë opozitë brenda mazhorancës e që vazhdojnë të jenë paterica e kësaj qeverie. Kjo nuk është gjë e re, padyshim!
Një pjesë e mirë e juaja me bindje jeni shndërruar në vasalë të një Kryeministri duke hedhur tutje edhe parimet tuaja. Me bindje dhe vendosmëri të thellë e keni çuar vendin drejt një spiraleje deflacioni, duke rikthyer qarkullimin e ulët të parasë në vend pas 16 vitesh.
Kjo verbëri nuk po e ndihmon as ekonominë dhe as shqiptarët, që vazhdojnë të kenë pagën më të ulët në rajon, 157 euro/muaj.
Pa folur këtu për represionin sistematik ndaj bizneseve që përbuzen duke kaluar në morsën e taksave dhe taksidarëve.
Merrni shembullin e Tiranës, që është qendra kryesore e biznesit të vendit, sot një biznesi të kryeqytetit i duhet të punojë 4 deri në 5 muaj që të paguajë taksat që ju apo vasali juaj në krye të bashkisë ka vendosur. Për pasojë, Shqipëria sot është ndër vendet e para në rajon sa i takon barrës fiskale.
Kjo qasje e juaja ndaj biznesit, si një armik që nuk i duhet lënë shtegu dhe duhet mbytur me taksa dhe tarifa që kjo qeveri të mbijetojë, ka prodhuar atë rritje ekonomike qesharake prej 2.6%. Rritje ekonomike që erdhi për ironi nga ato hidrocentralet që juve zotoheshit se sa të vinit në pushtet do t’i anulonit.
Por është e qartë tanimë për të madh e për të vogël se ajo karrige ju lezeton aq shumë, saqë jeni të gatshëm të bëni hasha çdokënd për të mos zbritur.
Dhe ky mesa duket është parimi juaj, që nga niveli më i ulët i administratës, e cila është shndërruar në problem për çdo investitor të huaj deri në majën e pushtetit.
Shikoni se si shprehet Dhoma e Tregtisë gjermane për arsyet e renditjes në vend të fundit të Shqipërisë “Faktorë të vlerësuar si pengesë në zgjedhjen e Shqipërisë si destinacion investimesh janë ‘lufta kundër informalitetit dhe korrupsioni’, ‘transparenca e tenderave publike’, ‘siguria ligjore’, ‘parashikueshmëria e politikave ekonomike’ dhe ‘administrata publike’”.
A nuk janë këto pesë shtylla të cituara në këtë raport, pjesë e thuajse çdo diskutimi të mbajtur nga kjo sallë prej opozitës? A nuk kanë qenë këto shtylla shqetësim i opozitës në amendamentet e paraqitura prej saj? A nuk janë këto pesë arsye për të cilat ju kemi kritikuar dhe kërkuar llogari publikisht dhe juve i jeni përgjigjur me arrogancë?!
Përballë këtyre fakteve dhe shifrave, Kryeministri i vendit në hartimet e tij të gjata me shumë pak sens ekonomik bën krahasime duke kapërcyer hera-herës dhe dekada. Pa kuptuar që pikërisht kjo padije e shoqëruar me fjalime propagandistike që me vetëdije ngatërrojnë faktet me shpikjen e ka shndërruar qeverisjen si ajo shprehja popullore “shto ujë e shto miell” pak rëndësi ka se çfarë del!
I tillë është edhe argumenti i lëshuar pak ditë më parë sa i takon reformës antiinformalitet të kryer nga qeveria vitin e shkuar, një reformë që na paska qenë një sukses. Një gënjeshtër aq e madhe saqë nuk di se kush mund ta besojë. Një gënjeshtër aq e ndotur edhe po aq e rrezikshme sa armët kimike që tre vjet më parë donte të na i bënte peshqesh.
Pikë së pari, çfarë reforme qe ajo kur qeveria e hodhi në treg vetëm sa për të mbushur arkën e shtetit të boshatisur nga korrupsioni i faktuar edhe nga kompania e nënkontraktuar angleze? Çfarë reforme mund ta quash atë që nisi si një aksion në variantin popullor “tafti-bafti”, që nuk qe vetëm se një sulm i dhunshëm i institucioneve qeveritare të financave ndaj subjekteve private?
Pra, nuk qe reformë, por qe një aksion që nisi me turp dhe u mbyll po aq me turp dhe nëse nuk doni të besoni fjalët e mia ju ftoj të shihni faktet dhe t’i krahasoni me fiksionet kryeministrore të suksesit.
Shikoni se çfarë deklarohej në nëntor 2015 (dhe këtu po citoj ministrin e Financave) “aksioni antiinformalitet do të sjellë në buxhetin e shtetit 9.3 mld lekë shtesë”, pas katër muajve dështim të shoqëruar me terror qeveria, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, korri suksesin e mosgrumbullimit në buxhetin e shtetit të 19.7 mld lekësh.
Por edhe pse ky dështim me përmasa po aq të mëdha sa propaganda qeveritare nuk prodhoi vetëm se një rishikim të radhës për buxhetin e shtetit, ulje të investimeve në ekonomi dhe sidomos ulje të investimeve infrastrukturore. Qeveria vazhdon të këmbëngulë se ka të drejtë, del në media dhe me shpatë në dorë i shpall luftë bizneseve.
Pa e vrarë mendjen se vetëm në 4 muaj të këtij viti numri i bizneseve që kanë mbyllur aktivitetin e tyre sipas QKR-së është mbi 2.000 duke u rritur me 40% nga vjet.
Pa e vrarë mendjen se këto biznese që mbyllen shtojnë numrin e shqiptarëve që jetojnë në varfëri dhe që aktualisht sipas Bankës Botërore janë gjysma e shqiptarëve.
Pa e vrarë mendjen se sot gjysma e bashkëkombasve tanë gdhihen me 5$ në ditë, ndërsa Kryeministri dhe ministrat e tij mendojnë si të zbukurojnë zyrat, për të cilat mendojnë se do t’i mbajnë përjetësisht!
Prandaj nuk është habi që jemi në një gjendje kritike, nuk është habi që recesioni është tek dera dhe qeveria ende nuk ka një plan kundër tij.
Shqipëria e gjeneratës së varfëruar është ajo çfarë keni bitisur në tre vjet qeverisje, për të ardhur në vitin e fundit tuajin pa asnjë reformë cilësore që t’i shërbejë qytetarëve.
3 vjet më pas Shqipëria nuk është as më e jetueshme dhe as më mirë se sa para 23 qershorit 2013.
3 vjet më pas Shqipëria është më e varfër, investohet më pak, paguan më shumë.
3 vjet më pas rrogat janë më të ulëta dhe papunësia më e lartë.
3 vjet më pas qendrat e qyteteve janë me beton, por rrethinat e tyre janë në skamje.
3 vjet më pas përballë nesh ndodhet spiralja deflacioniste, ndërkohë që qeveria krekoset për arritje që askush nuk i sheh e jo më t’i besojë.
Mazhoranca është në pritje të suksesit të reformës që nuk do të vijë dot kurrë.
Pa kuptuar se nëse ne nuk veprojmë sot, do ta paguajmë më rëndë nesër.
Nëse rrisim akoma më tej borxhin publik për zbukurime qytetesh nuk do t’i bëjmë ato më të jetueshëm.
Nëse rrisim dhunën ndaj bizneseve duke i menduar si “minj” nuk do të rrisim punësimin dhe as konsumin.
Nëse i trajtojmë shqiptarët si kavje mbi të cilët mund të eksperimentojmë politikat e propagandës nuk mund të ulim numrin e azilkërkuesve.
Nëse nuk ndërtojmë politika fiskale në shërbim të rritjes ekonomike nuk mund të prodhojmë një ekonomi më të mirë, por një qeveri më të korruptuar.
Dhe është kjo ajo çfarë qytetarët kanë sot mbi krye. Një qeveri të korruptuar që nuk i shtyn investitorët të investojnë, bizneset të bëjnë biznes, qytetarët të bëjnë një jetë më të mirë.
Përkundrazi një qeveri e korruptuar prodhon fasada për qytete që nuk kanë banorë, prodhon propagandë për njerëz që nuk duan ta dëgjojnë dhe prodhon dhunë për qytetarët që në të drejtë e kundërshtojnë!

Krimi dhe korrupsioni ka uzurpuar zyrat e shtetit

Albana Vokshi

Bllokimi i komisioneve hetimore në Parlament fakton barrikadën shtetërore për të penguar zbardhjen e abuzimeve me pseudoreformat që vodhën Shqipërinë, burgosën shqiptarët, larguan qindra mijëra shqiptarë drejt vendeve të BE për të kërkuar azil dhe po dëbojnë çdo ditë investitorët e huaj. Si për koinçidencë, në kohën që Kryeministri ndodhet për vizitë zyrtare në SHBA, Departamenti amerikan i Shtetit publikoi Raportin për të Drejtat e Njeriut 2015 për Shqipërinë. Në dokumentin e qeverisë amerikane thuhet se të drejtat e njeriut në Shqipëri kërcënohen kryesisht nga korrupsioni në të gjitha degët e qeverisë, veçanërisht në sistemin e shëndetësisë dhe nga rritja e dhunës në familje dhe diskriminimi i grave, diskriminimi i romëve dhe egjiptianëve etj. Rasti skandaloz, precedent për hetime të thelluara, u shënua dje në Lushnjë, kur kryetari i Bashkisë kërcënoi dhe ushtroi dhunë verbale ndaj një nëne, të cilës do ja fuste portofolin në gojë vetëm sepse kërkoi të drejtën e saj për punë! Por si reagoi qeveria, për këtë akt dhune? Ministri i Mirëqenies vrapoi ta dekorojë zyrtarin dhe i vuri bizhu në qafë, një medalje për partinë!!! Unë e kam akuzuar KM Rama për nxitës të dhunës ndaj grave e tashmë nën shembullin personal të Kryeministrit Rama, deputetë apo kryevendorë janë shndërruar në fyes arrogantë dhe dhunues të çdo të drejte… Edhe pas publikimit të videos, ku zyrtari me zë dhe figurë dhunon një grua, edhe pas reagimit të PD, Avokatit të Popullit në lidhje me këtë ngjarje, nuk ka asnjë hetim administrativ dhe as penal, ndërkohë që në Kodin Penal dhunimi dhe diskriminimi i grave cilësohet vepër penale dhe dënohet si e tillë.
Raporti i DASH për të dytin vit radhazi thekson që korrupsioni në shëndetësi shkel të drejta themelore të qytetarëve që të shumtë, më 2013, votuan Ramën se besuan në premtimin e shëndetësisë falas dhe për të gjithë… Raporti i Departamentit të Shtetit është një thirrje për aksion politik e qytetar për të ndalur degradimin e Shqipërisë dhe vjedhjen shtetërore. Partia Demokratike ka kërkuar me urgjencë amendimin e ligjit për komisionet hetimore për të ndërgjegjësuar jo vetëm publikun, por edhe për të tërhequr vëmendjen e selive diplomatike në Tiranë për manovrat e mazhorancës për të penguar kontrollin opozitar dhe Reformën në Drejtësi. Mazhoranca e votave të blera, po përdor taktika antikushtetuese për të penguar të drejtën e kontrollit opozitar. “Pushtetdhunuesit” e Tiranës e kanë “fshirë” edhe rezolutën e miratuar në prag Krishtlindjet e 2014-ës, të ndërmjetësuar nga Parlamenti Europian.
“Krimi dhe korrupsioni ka uzurpuar të gjitha zyrat shtetit”, thotë raporti i DASH. Politikat qeverisëse janë vënë në shërbim të pasurimit të oborrit qeveritar dhe shqiptarët janë lënë në harresë… Në opozitë ëndërrimtari për karrigen e Kryeministrit pagoi për mbi 1500 protesta për të bllokuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, heqjen e regjimit të vizave dhe reformën për statusin e vendit kandidat në BE. Sot, i njëjti po bllokon haptazi çeljen e negociatave që do t’i jepte jetë projektit 25-vjeçar të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Edi Rama sot po përdor pushtetin e sovranit për t’ju bllokuar shqiptarëve dhënien e një drejtësie të pakapur e të pakorruptuar, një qeverisje dhe administratë të dekriminalizuar dhe një shtet funksional bazuar në parimin kushtetues të check and balance… Kur hetimet bllokohen në Parlament, institucionet ekzekutive fitojnë “imunitet” për abuzimet. Ministria lapidare e korrupsionit pasi ka dhënë 338 milionë euro me koncesion të gjitha shërbimet shëndetësore dhe po përgatitet për pazarin e Urgjencës dhe laboratorëve, i është futur me kokë planit për vjedhjen e fondit për barnat dhe terapitë dhe aparaturat e kimioterapisë. Meqenëse makutëria ju ka zënë veshë e sy, ministri i centralizoi të gjitha tenderat spitalorë, çdo tender do e bëjë ai vetë në ministri… asnjë qindarkë të mos ju shkonjë jashtë xhepit të miqve e klientëve…
Shkak i tenderave abuzivë, korruptivë… është edhe situata tronditëse dhe kriminale në Spitalin e Onkologjikut në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Pacientë të prekur nga sëmundjet tumorale sfiliten që në orët e para të mëngjesit, shkallëve apo korridoreve të pavijonit, në shpresë të një trajtimi mjekësor. Dje me kolegë të Komisionit parlamentar të Shëndetësisë dëgjuam nga afër shqetësimin e pacientëve dhe kërkuam shpjegime për mungesën e ilaçeve, analizave dhe funksionimit të aparaturave në Spitalin Onkologjik. Vizituam të gjitha pavijonet, akseleratorin (investim i qeverisë Berisha prej 2.5 mln eurosh), që Rama e inauguroi fshehurazi, në ditën ndërkombëtare të kancerit… ditë në të cilën për herë të parë u furnizua onkologjiku me herceptinë pas shumë javësh mungesa… Stafi i terrorizuar, i detyruar më parë të dalë në prononcime të gënjeshtërta, i porositur që të mos jepnin asnjë informacion për askënd … nuk guxoi as të na takonte e as të na shoqëronte… përndryshe mund të humbnin edhe vendin e punës… Edhe një infermier që guxoi të priste kryetaren e Komisionit të Shëndetësisë dhe deputetë të opozitës, u telefonua, u kërcënua në telefon nga lart dhe u urdhërua të mos na shoqëronte pasi “ne deputetët e opozitës shkonim në spital si kriminelë”.
Por cila është kriminale? Të shkosh e të interesohesh për qytetarët? Për mbarëvajtjen e shëndetit të tyre? Apo të vjedhësh qindra milionë euro që duhet të shkonin për barna e trajtime shëndetësore??? A është kriminale të fusësh pacientët në pajisje që nuk funksionojnë si duhet e që më shumë shkaktojnë dëme në shëndet se sa shërojnë dhe pa i paralajmëruar për efektet negative anësore? A është kriminale që t’i sjellësh qytetarët që me mëngjes, t’u kërkosh të bëjnë vetë të gjitha analizat te klinikat private e në fund të ditës pas shumë orësh pritje të largohen të dëshpëruar se s’kanë mundur të marrin kurën që ju shpëton jetën sepse nuk kanë t’i paguajnë nga xhepi i tyre? A është kriminale që 338 milionë euro të shkojnë për pasurim personal, ndërkohë që mund të kishin shkuar për ndërtimin e dhjetëra spitaleve ultramodernë me kapacitete të larta e me nevoja të plotësuara për barna, pajisje e aparatura? A është kriminale të ndryshosh ligjin për barnat vetëm që të lejosh të futen barna të falsifikuara, të pakontrolluara, të paçertifikuara, kontrabandë në Shqipëri? Dhe ju i dini shumë mirë rastet e denoncuara nga familjarë të pacientëve për humbje jetësh nga përdorimi i barnave falso…
Sigurisht që kjo është kriminale e ne do vazhdojmë ta denoncojmë derisa të marrë ndëshkimin që meriton. Edhe pas denoncimeve, qeveritarët tallen dhe në vend që të përmirësojnë shërbimet dhe të sigurojnë medikamentet jetike dhe kujdes paliativ për të sëmurët me tumor, hajdutët mblidhen në bodrumet e propagandës qeveritare për të sajuar një tjetër vjedhje, kësaj radhe edhe kohën televizive dhe radhët në gazeta për të gënjyer për shërbimin e munguar në spitale. Para një jave, ashtu arrogant e prepotent ministri me çamçakëz në gojë u shfaq duke shkuar në një mort tragjik… I kompleksuar prej intervistës në Washington nga gazetarët profesionistë të “Voice Of America”, të cilët nuk i lejuan mashtrimin e radhës sulmoi duke e ofenduar korrespondentin e “Voice Of America” në Shkodër Pëllumb Sulo, i cili më pas u kërcënua nga shoqëruesit e tij teksa filmonte në Spitalin e Shkodrës, ku ndodhej i plagosuri nga aksidenti ajror në Malësinë e Madhe. Sigurisht, ministri i sulmon gazetarët sepse kanë qenë ata që kanë denoncuar korrupsionin në shëndetësi.
Por ministri i Shëndetësisë, në korrespondencën e tij ose jep informacion që s’ka asnjë lidhje me kërkesën ose gënjen zyrtarisht në përpjekje për të bllokuar informacionin për koncesionet e check up, sterilizimit të pajisjeve mjekësore dhe hemodializës. Tenderokrati Beqaj refuzon të japë dokumentacionin me pretendimin që nuk e disponojnë pasi e ka sekuestruar Prokuroria (tre shkresat e Beqajt). Atëherë ju drejtova me një shkresë zyrtare Prokurorisë duke i kërkuar informacion në lidhje me sekuestrimin e dokumentacionit të 3 koncesioneve. Por në shkresën me nr. Prot 3423, dt 4.4.2016, Prokuroria në konfirmim të hetimeve deklaron se dokumentacionin e koncesioneve e ka fotokopjuar dhe e ka kthyer dosjen në Ministrinë e Shëndetësisë. Atëherë pse ministri refuzon të zbatojë detyrimin ligjor për t’i dhënë këtë informacion një deputeti të Kuvendit? Çfarë e bën këtë ministër kaq arrogant sa të shkelë mbi Kushtetutë e ligje duke refuzuar praninë në dëgjesat e komisioneve parlamentare apo dhënien e informacionit legjislativit? Por le t’i kthehemi çështjes që po diskutojmë: pse mazhoranca nuk do ngritjen dhe mirëfunksionimin e komisioneve hetimore? Sepse kërkon të varrosë skandalet shtetërore… Është tronditëse që historia e vjedhjes së fondeve të shëndetësisë vazhdon edhe në këto momente që po flasim! Po rendis më poshtë disa fakte për skandalet e njëpasnjëshme që kanë mbuluar sektorin më jetik – shëndetësinë!!!
–    Për arsye tërësisht përfitimi dhe gjobëvënie, ministri në funksionin e tij si kryetar i Këshillit Administrativ të Fondit të Detyrueshëm të Sigurimeve Shëndetësore ka marrë një vendim për kriteret e lidhjes së kontratave me farmacitë. I ankimuar edhe në Autoritetin e Konkurrencës, edhe në Gjykatën Administrative, ky vendim përmban një sërë kriteresh antiligjore, të cilat lënë vend për abuzime dhe nuk është as ministri e as Fondi autoriteti që duhet të marrin kompetencat e ligjit. Ndaj i kërkoj drejtoreshës së re të Fondit të mos bëhet palë me abuzuesit e pushtetit, por të thërrasë menjëherë mbledhjen e Këshillit Administrativ për të shfuqizuar këtë vendim abuziv të ministrit.
–    Lista e ilaçeve të rimbursueshme për 2016-ën është bërë zakon të dalë më 1 prill… por ende nuk është publikuar …. janë duke pritur urdhër nga sponsorët e shefit të ministrit…
–    Të sëmurët me HIV/AIDS kanë javë të tëra pa mjekim edhe pas disa kërkesave që janë dërguar në ministri nga spitali, medikamentet nuk gjenden as në spitale dhe as nuk blihen dot në farmaci, gjë që e bën edhe më tragjike situatën e pacientëve të prekur nga kjo sëmundje.
–    Koordinatori i korrupsionit po bën “hapa dollapa” edhe me policinë për “Omegafarmën”, njëri pronar i së cilës është në burg për abuzim me ketosterilin sipas Prokurorisë 2.2 mln euro. Ndërkohë që pronari tjetër, i ati, arrestohet për kontrabandë ilaçesh, por dhe lirohet menjëherë me detyrim paraqitje pasi siç dukej ju duhej ndërmjetësi i tenderave jashtë… ndërkohë që ministri, pavarësisht denoncimeve nga ana jonë, vazhdon i pashqetësuar të paguajë heshtjen e tij në burg në këmbim të tenderave të barnave spitalore.
Besoj se janë të kuptueshme pra, arsyet e bllokimit të hetimeve parlamentare nuk janë politike, por aritmetike!‎ Me refuzimin e iniciativave të PD, KM Rama dëshmoi dhe një herë se është Kryeministri palë në korrupsionin e tenderave, antiligjin, është Kryeministri më refuzues i shqiptarëve dhe i halleve të tyre. Ndaj kësaj qeverie i ka filluar countdown. Është viti i tyre i fundit dhe një fillim i ri për shqiptarët. Është fillimi i ndryshimit, është shpresa e ringritjes së shqiptarëve pas rrëzimit të klikës në pushtet.

Rama i do kriminelët me pushtet

Oerd Bylykbashi

Cili shqiptar i ndershëm si shumica e shqiptarëve, shpesh i varfër dhe që me zor e shtyn muajin, që pret që në këtë sallë të flitet për hallet e tij, cili është ai që pret të shohë një deputet të arrestuar në flagrancë për plagosje të rëndë me dashje, me armë pa leje, të vijë në Parlament dhe votojë ligje siç kanë ndodhur në këtë sallë?
Cili shqiptar i ndershëm si shumica e shqiptarëve, që i thyejnë brinjët për një mur oborri në pronë të vet se nuk ka nxjerrë leje, që e fusin në burg për një faturë energji apo një byrek pa kupon, pret të shohë një deputet, një ministër, një drejtues, apo funksionar tjetër publik të arrestuar në flagrancë për vrasje apo plagosje të rëndë me dashje, kur prej këtij zyrtari kriminel pritet që t’i japë besim publikut?
Cilët qytetarë me kurajo civile që burgosen në flagrancë se duan të mbrojnë parqet nga betonizimi i kësaj qeverie, pranojnë që ata të rrijnë në burg, ndërsa deputeti që vret apo plagos për konçesione të marra nga kjo qeveri të votojë ligje për Reformën në Drejtësi?
Të tillë shembuj ku qytetari është në hall, ndërsa kriminelët që ju sollët në këtë sallë, në funksione publike dhe që i bëjnë karshillëk qytetarit të varfër, u marrin pronën dhe i qëllojnë me armë, nuk mbarojnë.
Amendamenti që Partia Demokratike propozoi ka vetëm një qëllim, të të mbajë larg nga Parlamenti dhe çdo funksion publik ata që arrestohen në flagrancë për vrasje dhe plagosje. Të pezullohen deri sa të dalin të pafajshëm apo fajtorë.
Ky do të ishte plotësim i ligjit të dekriminalizimit. Pretendimit se ligji është i sapomiratuar, nuk e ndërrojmë kaq shpejt, se është antikushtetues i përshtatet vetëm një përgjigje:
Kushtetuta nuk është as strehë fshehur e as jorgan për t’u mbuluar krimi dhe kriminelët e lidhur me këtë pushtet që krekoset pas kësaj foltoreje. Përgjigjja është se nuk ka shqiptar që pranon vrasësin apo plagosësin e arrestuar në flagrancë që të ketë mandat deputeti. Çdo spërdredhje për antikushtetutshmëri është një tallje me qytetarët që shohin me habi se si ju mbroni kriminelët.
Nuk e ndryshokeni ju ligjin se është i ri, por kur LSI ju kërkoi një komunë më shumë me amendamentin “Tavo”, ligjin e reformës territoriale e ndryshuat brenda një muaji, por për të larguar ata që vrasin e plagosin nuk doni ta bëni.
Kur pezulluat hyrjen në fuqi të ligjit për nëpunësit civil, dhe e ndryshuat ligjin pa hyrë ende në fuqi, këtë e bëtë që të largonit 8 mijë nëpunës që të fusnit militantë e të bënit drejtore njerëz me rekorde kriminale. Por sot nuk doni ta ndryshoni ligjin që të largoni kriminelët që sollët në funksione publike edhe kur vrasin apo plagosin.
Këtë e bëni jo se ligji është i ri, por sepse doni të mbroni krimin. Mosndëshkimi. Kjo është kryefjala.
Sot është dita e provës, që Kryeministri jo vetëm është penduar për nënshkrimin e marrëveshjes së 24 dhjetorit 2014, jo vetëm që është penduar që votoi Ligjin e Dekriminalizimit, por sot është prova që Kryeministri ka vendosur që t’i mbrojë kriminelët që ai veshi me pushtet.
Me zor të madh pranoi që të nënshkruhej marrëveshja mbrëmjen e 23 dhjetorit 2014. E zvarriti ligjin për një vit deri sa hoqi nga Parlamenti ata që nuk i mbronte dot si deputetë dhe i strehoi në pushtet vendor ose parti, u mbajti në sirtar urdhërin e kërkimit ndërkombëtar apo u ngriti traun e kufirit një ditë para se të dënoheshin për jetë.
Kjo është mbrojtja që Kryeministri i jep këtij takëmi. Ky është mosndëshkimi që u garanton ai dhe votat tuaja të bindura. Nëse duhet për të mbrojtur ata që vrasin apo plagosin me kostum deputeti apo ministri, me urdhër të tij ju rrëzoni sot amendamentin që i mban ata larg kësaj salle.
Nëse duhet, i bën presion Gjykatës së Lartë që të lirojë deputetët e tij që plagosin qytetarët në mes të komisariatit apo godasin deputetët e opozitës, por po asaj Gjykate i bën presion që të dënojë deputetët e opozitës që denoncojnë korrupsionin e tij dhe të ministrave të tij.
Me shumë mund, në 2012 i hoqëm deputetëve dhe ministrave imunitetin kushtetues. Edi Rama në atë kohë lobonte me ndërkombëtarët që të mos hiqej. Por sot, ai i garanton kriminelëve imunitet antikushtetues si kryeministër, i mban pranë, u hedh dorën në qafë, i nxjerr në podium, tallet me dekriminalizimin, voton kundër amendamentet. Dhe po të jetë e nevojshme, do të sabotojë ligjin e dekriminalizimit.
Vërtet nuk kishit parë gjë, dhe nëse prisni më shumë, do të shohim më shumë nga këto mënxyra, të gjithë bashkë. Mosndëshkim, u garanton Kryeministri kriminelëve dhe tallet e ju qesh juve në fytyrë.
Eshtë ky mosndëshkim që e ka mbuluar Shqipërinë me kanabis, duke e kthyer në një nga furnizuesit më të mëdhenj të tregut europian të drogës. Erdhët ju në pushtet në shtator 2013, duke bërë pakt me krimin për pushtet dhe mbrojtje. Në 2014 e kthyet trafikun gjigant të kanabisit për në Greqi e Itali. Madje edhe avionët ulen tashmë me mbrojtjen tuaj. Kanabisi po mbillet nga Jugu në Veri; madje edhe në magazina në Durrës e sera në periferi të Tiranës.
Raporti i EUROPOL na damkos si një nga prodhuesit më të mëdhenj, duke marrë një fetë të madhe të xhiros kriminale prej 9,3 miliardë euro të kanabisit në Europë. Europol thotë që është rritur dukshëm kapja e kanabis në Itali e Greqi dhe për EUROPOL kjo do të thotë që mbillet e trafikohet më shumë në Shqipëri.
Kjo para kriminale ndahet mes krimit dhe qeverisë, protektorëve politikë. Një pjesë e tij do të blejë vota, karta identiteti, mandate deputetësh apo edhe vetë deputetë në 2017.
Durrësi është kthyer në kryeqytetin e krimit të organizuar ashtu siç nuk ka qenë kurrë. Sot, Durrësi konkuron me Napolin apo Palermon dhe asgjë nuk ndodh, sepse qeveria jep mbrojtje. Bizneset kanë frikë nga gjobat, qytetarët kanë frikë për pronat dhe të gjithë kanë frikë e nuk flasin.
Durrësi, dhe gjithë Shqipëria jua di ju për nder që ne nxijmë në hartën e trafiqeve dhe e gjithë kjo, falë kontributit tuaj ekselent duke u dhënë mosndëshkim bandave, duke ndenjur me ta, duke i mbrojtur në Parlament e pushtet vendor.
E çfarë modeli tjetër marrin të rinjtë e sotëm? Trafiko, mbill kanabis, vrit, grabit dhe lër nam edhe në mes të Evropës, sepse punë nuk ka, ndërsa shansin për deputet ta jep kjo mazhorancë; lidhu me të e nuk të hyn gjemb në këmbë.
Mosndëshkim i krimit është emblema juaj. Këtë arritje nuk jua mohon më askush. Në Uashington do të ta shpjegojnë atje zoti Kryeministër. Paralajmërimin ta dhanë me Raportin e Departamentit të Shtetit, ku kjo qeveri nxin me lidhjet e saj me krimin, trafiqet, korrupsionin, shkeljen e të drejtave dhe mosndëshkimin
Opozita e ka vendosur të mosadakordësohet me ju për ta mbrojtur krimin. Po ju jeni gati t’i qëndroni mosdakodësisë suaj me opozitën?
Ju keni nxjerrë deputetët tuaj të flasin e të lobojnë për antikushtetutshmëri të ligjit të dekriminalizimit, madje e thatë edhe vetë në publik. I detyroni të bëhen qesharakë, sepse jo vetëm e votuan ligjin vetë me gjoja zell, por po ata votuan amendamentet kushtetuese që mbështesin ligjin. Si kacavjerrje në xham duket apo jo?
Kujtesë: Sekretari i Shtetit, Kerry, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Mogherini dhe Komisioneri Hahn e vlerësuan ligjin e dekriminalizimit si hap të guximshëm dhe presin zbatimin.
Pyetje: Opozita është gati ta zbatojë deri më një Ligjin e Dekriminalizimit, po ju jeni gati ta zbatoni atë?
Provën e keni sot. Votoni amendamentin e PD-së dhe jeni në krahun e duhur. Votojeni kundër dhe jeni në krahun e mbrojtjes dhe mosndëshkimit të kriminelëve.

Koloneli: Mimi, ‘shtriga’ që po ha pilotët shqiptarë

“Një ngjarje tragjike u regjistrua nga rrëzimi i një helikopteri të Forcave të Armatosura, me pasojë vdekjen e dy pilotëve dhe një të treti të plagosur. Është humbja e dytë e madhe për popullin shqiptar, pasi jo më larg se një vit më parë vdiq edhe një pilot tjetër shqiptar, major Sokol Feka, në rrethana më pak dinjitoze, siç ishte transporti i drogës nga Maroku në Spanjë.
Nëse me pilotin Sokol Feka, të gjithë lanë duart duke u distancuar sa më parë, me të ndjerët e aksidentit të sotëm kemi një ‘vrap’ për t’i shpallur heronj. Shefi i Shtabit doli dhe u kujdes të theksonte se 2 pilotët ishin shumë të talentuar dhe me eksperiencë?!
I detyruar të jepte një informacion shtesë, deklaroi se helikopteri është marrë në dorëzim në fund të vitit 2015, pra vetëm 2-3 muaj më para. Nuk është habi që udhëtimi i sotëm në rastin më të mirë, mund të jetë i 3-ti, i 4-ti për atë helikopter.
Por sa e vërtetë është që pilotët e ndjerë ishin të talentuar e me eksperiencë?
Profesioni i pilotit nuk është art, më shumë se sa talent e dhunti, është profesion që fitohet me eksperiencë dhe stërvitje të vazhdueshme. Fakti që piloti kryesor i helikopterit ishte kapiten dhe piloti ndihmës toger, është një shkelje e rëndë e masave të sigurimit teknik. Sepse fakti që i ndjeri ka gradën kapiten do të thotë se ai ka 5-9 vite eksperiencë, kurse rregullorja përcakton që piloti kryesor të jetë major e lart deri kolonel apo edhe gjeneral në disa ushtri të shteteve të NATO-s. Do të thotë që të ketë të paktën 15-20 vjet eksperiencë.
Dhe kjo rregullore është për helikopterët me të cilët pilotët kanë vite që kanë shërbyer, fillimisht si ndihmës pilot e pastaj pilot kryesor. Pra, e njohin shumë mirë këtë mjet fluturues.
Por, ne kemi të bëjmë me një helikopter të sapoardhur, kështu që për pilotimin e tij, në pozicionin e pilotit kryesor nuk do të mjaftonte as grada major, por n/kolonel apo kolonel.
Kurse ne mësojmë se aty ka qenë pilot kryesor një kapiten dhe ndihmës një toger?!?!
Kjo është njësoj që një drejtues mjeti i një autoveture, me leje drejtimi A apo B, t’i jepet të drejtojë një MAUNE shumë të madhe, drejtuesi i të cilës duhet të ketë vite të tëra eksperiencë dhe leje drejtimi D.
Pilotimi i një helikopteri me pilot kryesor një kapiten dhe ndihmës një toger mund të ndodhë vetëm në situata lufte, kur piloti kryesor major e sipër, është vrarë dhe tashmë në kushte emergjente dhe mungese stafi. Duhet dikush të lëvizë këtë mjet. Por shefi i Shtabit deklaroi se helikopteri ishte në një fluturim ‘rutinë’ stërvitor?!
Por, edhe sikur të pranojmë (të papranueshmen), që për shkak të talentit të veçantë që kishin dy të ndjerët, pavarësisht nevojës së plotësimit të eksperiencës së duhur, mund t’u besohej drejtimi i një helikopteri të sapoardhur. Pra, të pranojmë se nuk janë shkelur rëndë rregullat e sigurimit teknik, atëherë meqë kemi të bëjmë me pilotë të talentuar, siç deklaroi shefi i Shtabit, përjashtohet ‘gabimi’ njerëzor, i bie problemi është i helikopterit. Për më shumë që ky helikopter është i ri.
Vallë si e kanë pranuar Ministria e Mbrojtjes një helikopter me probleme teknike??!!
Çfarë tjetër duhet të ndodhë që Mimi, të japë dorëheqjen?!
Kush duhet të mbajë përgjegjësi për pranimin e një helikopteri defektoz që ka kushtuar miliona euro nga taksapaguesit shqiptarë?!
Po kostoja e stërvitjes së një piloti?! Që e tejkalon edhe vetë koston e një helikopteri?! Dhe në vetëm një vit kemi 3 pilotë të humbur?! Pra, përveç humbjes tragjike për të afërmit dhe të dashurit e tyre, humbja e pilotëve është edhe e shumëfishtë dhe e prek tërë popullin shqiptar, se jo vetëm janë të paktë në numër, por edhe sepse përgatitja e një piloti kërkon miliona euro.
Por, situata është më e keqe edhe se aq…
Do të donim thjesht të ishte një shkelje e rëndë e rregullave të sigurimit teknik, që u mbyll me 2 jetë të shtrenjta pilotësh të humbura dhe që normalisht duhet të pasojë me disa dorëheqje, duke filluar nga ministrja, shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe komandanti i Forcës Ajrore dhe disa ushtarakë të tjerë, që direkt ose indirekt janë përfshirë, qoftë në pranimin e një helikopteri defektoz apo edhe në planizimin e gabuar për këtë stërvitje. Në këtë rast do të ishte humbja më e vogël.
Do të donim, por ja që nuk është ashtu…
Situata është shumë më keq. Kjo situatë është rezultat i pasojave të veprimeve që kjo ministre e paaftë ka ndërmarrë që kur është vendosur në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. Ajo është sjellë me ushtrinë si me pronën e babës së vet. Ka përjashtuar apo edhe më keq arrestuar, nga Forcat e Armatosura ushtarake kompetente (Rasti i Kolonel Dritan Demiraj, Gjeneral Syrja Gjoka etj.), thjesht se sipas këndvështrimit të saj ishin të palës tjetër dhe i ka zëvendësuar me ushtarakë inkompetentë, mjafton të firmosnin çdo gjë që ajo kërkonte.
Ajo as ka nevojë të këshillohet, thjesht i do për të firmosur, thjesht për sfond.
Dhe me një staf të tillë, ushtarakë të trembur dhe jo profesionistë, pasoja si kjo e sotmja është thjesht e radhës, për fat të keq jo e fundit.
E mbani mend se si u turpërua kjo Zonjë me rastin e dekorimit të kriminelëve të luftës?! Kërkoi edhe ‘falje’, por pa pikë turpi vazhdoi të qëndrojë akoma ministre?! Kishte hedhur firmë pa e ditur për çfarë hedh firmë? E mbani mend se si justifikohej?!
E dini sa ushtarakë kanë gradën shkencore “Doktor” në fushën e historisë?!
Disa dhjetëra të tillë, që paguhen edhe me shtesë rroge nga taksat e shqiptarëve dhe që japin mësime në auditoret e Akademisë së Mbrojtjes. Kjo zonjë pa pikën e turpit, megjithëse kishte në dispozicion me dhjetëra Dr. Shkencash në fushën e historisë, nuk ngre komisionin me ta, që të gjejë njerëzit që meritojnë të dekorohen dhe jo kriminelë, që kanë marrë jetë shqiptarësh, por shkon tek sigurimet shoqërore dhe aty merr listën e gjithë atyre që kanë shtesë pensioni si ‘veteranë lufte’ dhe kjo u jep dekoratë?!
Ja pra, se kë kemi si ministre të Mbrojtjes, ne që mburremi se jemi vend i NATO-s, një e paaftë që disa dhjetëra historianë ushtarakë i injoron dhe si kriter vlerësimi për kontributet e njërit apo tjetrit në historinë shqiptare, merr sigurimet shoqërore?! Këtë mund ta bëjë vetëm Mimi dhe vetëm në Shqipëri?!
Duke u kthyer tek ngjarja, mjafton të shikohet se kush është në krye të Forcave Ajrore (http://www.aaf.mil.al/…/kush…/3366-komandant-i-forces-ajrore), një gjeneral, i cili që nga viti 2004, pra mbi 12 vjet, që ka qenë i shkëputur nga ambienti i mjeteve fluturuese që kanë Forcat e Armatosura dhe e tërë eksperienca e tij me mjetet fluturuese është ajo e aeroplanëve të lodhur e të dalë jashtë përdorimit – MIG, që edhe pse u është vendosur një çmim qesharak prej 8000 $ askush nuk i blen. Dhe të vendosësh në krye të një force ajrore, dikënd që kurrë nuk ka shkëlqyer në atë fushë, ngjarja e sotme, do të ishte e paevitueshme.
Por, përsëri ka akoma më keq…
Më shumë se problem planizimi, situata e rënduar ka shkuar në ekstrem. Pilotët më të mirë shqiptarë dhe me eksperiencë tashmë nuk janë pjesë e Forcave të Armatosura shqiptare. Si pasojë e mosvlerësimit të tyre, në një situatë kur askush nuk ua njeh kontributet dhe vlerëson aftësitë, ata janë detyruar të braktisin Forcat e Armatosura dhe secili të sistemohet ku të mundet për të mbajtur dhe ushqyer familjen. Dhe në Forcat e Armatosura kanë ngel vetëm pilotët e rinj, që pavarësisht kushteve të rënda, duan të përdorin burimet e Forcave Ajrore, që të krijojnë më shumë eksperiencë.
Pra, kjo ministre, i kthehu në një shkretëtirë Forcat e Armatosura, më të mirët i përzuri, qoftë direkt ose indirekt, duke ua bërë të pamundur qëndrimin e mëtejshëm në ushtri. Çdo 2-3 muaj bëhen struktura të reja dhe çdo 2-3 muaj bëhen lëvizje të ushtarakëve pa plan, pa qëllim nga njëri qytet në tjetrin, duke i ndarë nga familjet dhe duke bërë edhe më të vështirë qëndrimin në ushtri.
Dhe si pasojë do të kemi ushtarakë të tredhur, inkompetentë dhe amatorë, të cilët ligji i mbijetesës i detyron të qëndrojnë në ushtri për të shfrytëzuar burimet e Forcave të Armatosura derisa të fitojnë eksperiencën e duhur për të dalë në jetë.
Një dëshmi tjetër e asaj që thamë më lart, janë edhe Forcat Detare. Edhe pse Forcat Detare kanë pasur, por ndoshta kanë akoma ushtarakë karriere të kësaj fushe (Detarisë), Mimi kujton se ka të bëjë me strukturat e Partisë Socialiste që mund të emërojë njerëz alla Jozela, ka vendosur në krye të Forcave Detare një ushtarak që detin e ka parë vetëm kur shkon në plazh.
(http://www.aaf.mil.al/…/kush…/3446-komandant-i-forces-detare)
Mendoni vetë…
Në kushtet kur Shqipëria, në mënyrë të njëanshme ka anuluar një marrëveshje shumë të ndjeshme të kufijve detarë (si pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese) me fqinjin problematik Greqinë dhe që kjo e fundit nga ana e saj, kërkon rishikim të kësaj marrëveshjeje, çfarë mund të vendoste komandanti i Forcave Detare, një ushtarak që shumicën e karrierës e ka kaluar në ofiçina ‘Zisash’ dhe furnizime orizi dhe patatesh?! Atë e zë deti edhe kur hipën në anije e lëre pastaj t’i drejtojë Forcat Detare apo të marrë vesh nga kufijtë detarë dhe konventat ndërkombëtare të ujërave midis shteteve?!
Dhe të vendosësh në krye të Forcave Detare, ushtarakë që karrierën e vet e kanë ndërtuar në ofiçina dhe furnizime qepësh e domatesh, në një kohë kur Forcat Detare kanë pasur akademinë e vet, që ka nxjerrë me mijëra ushtarakë, të cilët shërbejnë akoma në Forcat e Armatosura, në rastin më të mirë është paaftësi, por që në një vend normal shoqërohet me mbajtje përgjegjësi të rënda për këto emërime, që lusim Zotin të mos shoqërohen me tragjedira si kjo e sotmja.
Nuk do shumë të lodhesh për të dalë në përfundimin se zotëria është vendosur aty për të firmosur koncesione alla Rilindje, për shumë prona ushtarake në breg të detit, përfshirë edhe vetë ishullin e Sazanit dhe Gadishullin e Karaburunit.
Së fundi ngushëllimet e sinqerta familjarëve të pilotëve. Ata vërtet janë heronj dhe jo sa për sfond që Mimi do i shpallë si të tillë nesër, për të mbuluar paaftësitë dhe përgjegjësitë e saj dhe të vartësve, por janë heronj se edhe pse në kushte mbijetese ata vazhdonin të shërbenin në Forcat e Armatosura.

F.A”.

PE kritikon Ramën për masakrën në Lumin e Vjosës

Parlamenti Evropian kritikoi qeverinë shqiptare mbi planet për ndërtimin e hidrocentraleve dhe i bëri thirrje të marrë në konsideratë zonat e mbrojtura dhe zonat e tjera natyrore të ndjeshme, në veçanti parqet kombëtare. Në Raportin e Komisionit të Zgjerimit që u miratua nga Parlamenti Evropian, lumi Vjosa përmendet në veçanti. Parlamenti Evropian “i bën thirrje qeverisë shqiptare të kontrollojë zhvillimin e hidrocentraleve në zonat e ndjeshme mjedisore si në lumin Vjosa ashtu dhe në zonat e mbrojtura për të ruajtur integritetin e parqeve kombëtare ekzistuese.” (Pika 22 në Raportin e Zgjerimit të BE). Parlamenti Evropian i ka rekomanduar qeverisë shqiptare të rishikojë planet për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë dhe degët e saj në Progres Raportin e BE vitin e kaluar. Megjithatë, në kundërshtim me këtë kërkesë, qeveria shqiptare ka ftuar së fundmi investitorët për të ndërtuar një hidrocentral të madh në Vjosë. “Hapja e tenderit për ndërtimin e një hidrocentrali të ri në Vjosë na befasoi, pasi kryeministri Rama kishte sugjeruar gjithashtu mbrojtjen e këtij lumi kaq unik. Për më tepër, nuk është bërë një studim i thelluar sipas standardeve të njohura ndërkombëtarisht në lidhje me ndikimin që ky projekt do të kishte në natyrë”, thotë Gabriel Schwaderer, drejtor i Fondacionit për Ruajtjen e Natyrës, EuroNaur. Për më tepër, BE i bën thirrje Shqipërisë të përmirësojë standardet e Raporteve të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis si dhe të përfshijë dhe informojë më shumë publikun në procesin e planifikimit.   Ky pozicionim i Parlamentit Evropian mbështet punën tonë në Shqipëri. Megjithatë është e rëndësishme që qeveria shqiptare të mos i injorojë këto kërkesa. Në vend të hidrocentraleve të planifikuara ne kërkojmë shpalljen e gjithë Vjosës park kombëtar, duke shpallur kështu parkun e parë të Lumit të Egër në Evropë”, thotë Ulrich Eichelmann, koordinator i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, citon Tema. Ky vizion mbështetet gjithashtu dhe nga komuniteti lokal. Pothuajse të gjithë kryetarët e bashkive dhe komunave kanë firmosur një peticion për shpalljen e luginës së Vjosës, Park Kombëtar dhe kundër ndërtimit të hidrocentraleve. Vjosa është një thesar për gjithë Evropën.  Vjosa është lumi i fundit i egër në Evropë pa përfshirë Rusinë. Nga burimi në malet e Pindit në Greqi deri në grykëderdhjen në Setin Adriatik rrjedh e lirë dhe paprekur. Në disa zona, shtrati i lumit arrin në më shumë se 2 km gjerësi. Nga ana shkencore, ky lumë është pothuaj i pa eksploruar. Megjithatë, qeveria planifikon të ndërtojë diga në zonën me vlera më të larta ekologjike. “Mesazhet e Rezolutës së fundit të Parlamentit Evropian në lidhje me lumin Vjosa tregojnë në mënyrë tashmë të përsëritur se shqetësimi ndërkombëtar është në rritje. Vjosa nuk përbën vetëm një aset natyror të Shqipërisë, por një thesar në trashëgiminë natyrore të familjes evropiane ku ne synojmë të integrohemi”.

“Panama Papers”, dalin emrat e Galianit, Berlusconit e Briatore

Në miliona faqe dokumentash të “Panama Papers”, është zbuluar edhe emri i Adriano Galianit, Administratorit të Deleguar të Milanit. Në fakt 67-vjeçari bënte pjesë në listën e dytë me emrat e biznesmenëve italianë që janë aksionarë të kompanive që janë regjistruar në parajsat fiskale për të shmangur taksat. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu, se ndër 100 emrat italianë figurojnë edhe Silvio Berlusconi dhe Flavio Briatore. Në fakt, presidenti i Milanit rreth 20 vite më parë ka qenë nën hetim për shlyerjen në të zezë të pagesave të disa futbollistëve të Milanit, ndër të cilët Marco Van Basten dhe Ruud Gulit. Si një nga adimistratorët e “Sport Image”, shoqëri e themeluar më shumë se 20 vite më parë nga Berlusconi në parajsat fiskale rezulton të jetë Adriano Galiani.
Mossack Fonseca ka krijuar një tjetër shoqëri, që u ka shërbyer Berlusconit dhe Britores, edhe pse dy emrat e njohur në sportit në Itali nuk shfaqen drejtpërdrejt në dokumentat e “Panama Papers”. Mediat italiane në ditët në vijim pritet të botojnë të tjera dokumenta të rëndësishme që vërtetojnë lidhjen e personazheve të njohura në botën e sportit, që u janë shmangur taksave nëpërmjet kompanive “offshore”.

Rashica si Mertens, kushton 5 milionë euro

Napoli dhe Milot Rashica. Një interes që ka nisur të kristalizohet me afrimin e merkatos së verës. Klubi italian duket se po mendon seriozisht ta blejë talentin shqiptar të Vitesses. Sulmuesi që në fund të muajit mars debutoi edhe me Kombëtaren shqiptare në miqësoren me Luksemburgun, krahasohet as më shumë e as më pak, por me Dries Mertens, mesfushorin belg të blerë në vitin 2013 për 9.5 milionë euro nga PSV Eindhoven. Rashica ende nuk i ka mbushur 20 vjeç, por megjithë moshën e re, ka personalitet të jashtëzakonshëm. Luan si sulmues krahu, por mund të aktivizohet edhe si mesfushor krahu apo organizator. Teknikë, vrapim dhe mbi të gjitha i rrezikshëm në zonën kundërshtare. Në këtë sezon të Eredivisies me Vitessen regjistron 7 gola dhe 6 asist në 27 javë të kampionatit holandez.
Të dhëna këto që e kanë mahnitur Napolin, me drejtorin sportiv Giuntoli që po mendon ta blejë menjëherë. Një lojtar me perspektivë që taktikisht cilësohet sozia e Mertens, për të cilin klubi më pas do të vendosë nëse do ta huazojë në një tjetër skuadër, apo do ta mbajë në skuadër. Milot Rashica është një nga ata të rinj që mund të shpërthejnë menjëherë dhe të bëhet protagonist, edhe në një piacë të rëndësishme si Napoli. Precedenti me mbrojtësin shqiptar, Elseid Hysaj e shpërbleu klubin me mënyrën më të mirë. Kjo bën që italianët të mos mendohen dy herë edhe pse për ta marrë nga Vitesse nevojiten rreth 5 milionë euro.  Te Napoli nuk duan të humbin kohë, edhe sepse ofertat për talentin kuqezi nuk mungojnë. Nga Tottenham e Everton në Angli, te Ajax e PSV në Holandë e për të vazhduar me Galatasaray-n në Turqi, konkurrenca është e madhe dhe lista rritet me kalimin e javëve.