30.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Franca merr vendimin e madh për Shqipërinë

Rriten shanset që Kombëtarja Kuqezi të bëjë një paraqitje të mirë, e madje dhe të pretendojë për rezultat pozitiv në Kampionatin Europian, “Francë 2016”. Tashmë, shpresat e kuqezinjve janë më konkrete se kurrë, madje edhe ndaj pretendentëve kryesorë për të fituar Kupën, bluve të Francës.
Në ndihmë të Përfaqësueses së Shqipërisë, dhe kontigjentit cilësor kuqezi, duket se është edhe vendimi i vetë Federatës Franceze të Futbollit. Kjo e fundit, në bashkëpunim me trajnerin e kombëtares së “gjelave”, Dider Deschamps, kanë vendosur të lenë jashtë ekipit, lojtarin më të mirë të sulmit të bluve, Karim Benzema.
Ishte vetë ky i fundit, që nëpërmjet një njoftimi të shkurtër të publikuar në “Facebook” ka informuar mbi vendimin e drejtuesve të futbollit francez.
“Fatkeqësisht për mua dhe të gjithë ata që më kanë mbështetur gjithmonë, unë nuk do të jem pjesë e kombëtares në Kampionatin Europian “Francë 2016”, deklaroi Karim Benzema në profilin e tij, duke paraprirë njoftimin zyrtar që pritet të dalë tashmë në çdo moment nga Federata Franceze e Futbollit.
Një natë më parë, për “Bein Sports”, sulmuesi francez i Real Madrid ka thënë: “Kam luftuar gjithmonë për Kombëtaren e Francës. Tashmë do të pres për vendimin që do të marrë presidenti i federatës dhe trajneri i përfaqësueses. Besoj në zgjedhjen dhe vendimin e tyre. Do të lë ata të vendosin mbi atë që është më e mira. Duhet të jemi gjithmonë të kënaqur në jetë, të qëndrojmë të qetë dhe të presim”.

Gashi gjen golin e parë MLS, i jep fitoren Colorados

Shkëlzen Gashi gjen golin e tij të parë në tokën e mundësive. Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare i dha fitoren skuadrës së tij, Colorado Rapids duke shënuar golin vendimtar në suksesin 1-2 në transfertën me Sporting Kansas City. Në minutën e 82-të, Dillon Serna goditi nga larg me topin që u përplas në traversë dhe sulmuesi shqiptar u tregua i zoti për ta dërguar në kthim në rrjetë me një gjuajtje të fuqishme me të majtën e tij.
Ishte ky goli i parë i Shkëlzen Gashit në Major League Soccer, ku është transferuar gjatë dimrit të kaluar, dhe padyshim një sinjal domethënës për De Biasin, kur duhen dhe rreth dy muaj që të startojë Europiani Francë 2016.
Sulmuesi shqiptar që e nisi si titullar në formacionin 4-2-3-1 të Colorados, duke regjistruar paraqitjen e tij të pestë me skuadrën e tij të re bëri një paraqitje të shkëlqyer, madje në minutën e 67, kur rezultati ishte 1-0 për Coloradon shpëtoi portën nga një gol i sigurt, duke larguar topin mbi vijën fatale, episod ky i barazvlefshëm me një gol të shënuar për Gashin që më pas në minutën e 82, kur Sportingu kishte shënuar golin e barazimit i dha goditjen e knock outit kundërshtarëve, duke realizuar dhe golin që vulosi rezultatin 1-2 për t’u kthyer në njeriun e ndeshjes.

Rey Manaj gol Juventusit

Rey Manaj ishte protagonist në suksesin 2-1 të të rinjve të Interit ndaj Juventusit në finalen e kthimit të Kupës së Italisë, trofe të cilin e ngritën zikaltërit, pasi edhe sfidën e parë të zhvilluar në Torino e kishin fituar 0-1. Në fakt, bardhezinjtë 19-vjeçarë kaluan të parët në avantazh në pjesën e parë me Kastanos, me një goditje të saktë me të djathtën në hyrje të zonës. Në minutën e 76 të sfidës, atëherë kur mendohej se për të përcaktuar fituesin e Kupës do të kërkohej koha shtesë doli në skenë sulmuesi shqiptar, i cili falë cilësive të tij teknike dhe fizike realizoi një gol spektakolar, duke shmangur mbrojtjen dhe portierin e Juventusit.
Në minutat e fundit Interi shënoi edhe golin e sigurisë me Zontan, për të ngritur më pas trofenë e Kupës brenda në “San Siro”. Manaj dhe portieri i Interit ishin ndër më të vlerësuarit me notën 6.5, por në paragrafin kushtuar sulmuesit kuqezi shkruhej se përveçse shënoi një gol spktakolar, ka humbur edhe të paktën dy raste të pastra për shënim. Pak para se gjyqtari të vërshëllente për përfundimin e takimit, Manaj u ndëshkua me karton të kuq pas dy të verdhave.

Amerika po flet për liderë të çmendur

Frrok ÇUPI

Nuk kishte ndodhur që një President i Shteteve të Bashkuara të ishte shprehur me fjalët “madmen” (të çmendur) për disa liderë ndërkombëtarë. Ose të paktën ky fjalor nuk kishte ardhur deri në veshët tanë prej gojës së një Presidenti të Amerikës. Barack Obama foli kështu para ndonjë jave a pak më shumë, në Uashington, në Samitin për Sigurinë Nukleare. Amerika, si një shtet thuajse kujdestar për lirinë botërore, ndjehet e shqetësuar. E shqetësuar nga liderë “të çmendur”, ndoshta më shumë se për ekzistencën e armëve bërthamore.
“There is no doubt that if these madmen ever got their hands on a nuclear bomb or nuclear material, they would certainly use it to kill as many innocent people as possible”, he said. “It would change our world”. (Marrë nga “Reuters”)
Janë shtuar të çmendurit në krye të qeverive, në krye të grupimeve politike konkurruese për pushtet, në krye të grupimeve financiare… Sikur këta të kenë mundësinë që të venë gishtin mbi “butonin e kuq”, “sigurisht që do të shkaktonin vrasjen e sa më shumë njerëzve të pafajshëm… Kjo do të ndryshonte botën tonë”, sipas Presidentit të Amerikës.
Secili nga liderët e çmendur të botës ka një “buton të kuq” në dorë. Të paktën butonin që shkatërron jetën e mijëra njerëzve. Jo veç lideri i çmendur i Koresë së Veriut, jo veç ata të ISIS… Një arsyetim mjaft i thjeshtë të çon në përfundimin se Presidenti i Amerikës, me siguri, nuk do të kishte lëshuar alarmin me “liderë të çmendur” sikur të ishte fjala veç për një numër të vogël.
Këta janë shumë. Klima e krijuar në politikat e disa shteteve të mbarë botës, ka rritur mjaft filiza çmendurie. Edhe vetë George Sorros, një nga më të përfolurit në botë se ka kultivuar një kopsht me liderë të korruptuar e madje të çmendur, para pak ditësh u kthye në një atacker ndaj Europës dhe deklaroi se Bashkimi Europian tani ndodhet “on verge of collapse” (në prag të kolapsit).
Sigurisht, edhe kjo për shkak të “liderëve të çmendur” të kultivuar nëpër kurse të vona. Historia me çmendurinë e liderëve vjen prej thellësisë së kohës. Qysh në lashtësi, madje qysh në betejën e palavdishme për Trojën, u shfaqën të çmendurit në pushtet. Sundimtarët atëherë formuluan definicionin e shkurtër “O mbret, o i çmendur!”.
Çmenduria në pushtet, në epokën e re, është thjeshtëzuar në disa kategori:

E para,
Kategoria e atyre që nuk ndodheshin në Uashington, sallën e Samitit me Presidentin amerikan Obama, por që në fakt ndodheshin aty përballë. Presidenti i Amerikës foli për rrezikun nuklear që mund të vijë nga “gishtat mbi butonin e kuq”. (Janë në Kore, në Iran, në ISIS)…
Këta tregohen me gisht. Të tjerët?…
Al Qaeda dhe Shteti Islamik kërkojnë armë bërthamore. Një nga anëtarët e Shtetit Islamik duket se ka siguruar armë kimike për t’i përdorur edhe në Bruksel, armë që u quajt edhe “dirty bomb” (bomba e pistë, një mjet me eksploziv konvencional e paketuar me material radioaktiv).
Sipas kreut të Inteligjencies Nacionale të Shteteve të Bashkuara, James Clapper, treguar në Senat, “materialet kimike dhe biologjike, lëvizin lehtësisht në ekonominë globale”. Deri edhe në ekonominë e vogël e shpesh të dyshimtë të shtetit shqiptar. Këtu ngarkohen avionë me lënde narkotike, rrëzohen helikopterë të rinj të ushtrisë në rrethana krejt të errëta, lideri heton vetveten dhe fajtori fajtorin… Alarmi i Presidentit të Amerikës ka të “paketuar” gjithë shqetësimin se rreziku ndodhet në duar të liderëve të çmendur.

Kategoria e dytë:
Shtetet autoritariste dhe njëkohësisht liderët autoritaristë. Meqë ndodhemi shumë afër akteve të fundit të liderëve tanë shqiptarë, edhe pse një shtet i vogël e liderë të vegjël, ja ku është akti i tyre: Veç para një jave, Partia Socialiste (ish-komuniste) që qeveris në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim, zhvilloi një referendum për përjetësimin e liderit dhe doli me rezultatin 97 për qind. Njësoj si lideri i Koresë së Veriut. Njësoj si parardhësi Hoxha, diktator i Shqipërisë. Një çmenduri!
Bota e teorisë së politikës ka konstatuar prej kohësh se në planetin tonë ekzistojnë shtete dhe qeveri autoritariste thuajse të çmendura. Kina, Rusia, Egjipti, India dhe Turqia sa vijnë e bëhen më autoritare. Edhe në rastin e skandalit të fundit “Panama Papers” këta mbyllën çdo hapësirë për reagim, mbyllën burimet e informacionit dhe akuzuan Perëndimin për veprime konspirative “kundër liderëve të lavdishëm” (lexo të çmendur).
Shtetet autoritariste janë shtete me liderë autoritaristë ose të çmendur, të cilët mbajnë në duar bombën e skllavërimit të njeriut. Liderët e këtyre shteteve janë akuzuar për korrupsion gjigant që prek interesat dhe nivelin e lirisë së çdo individi. Edhe Shqipëria, vendi ynë i skllavëruar nga autoritarizmi dhe korrupsioni i liderëve, ndodhet në listën e atyre vendeve që rrezikojnë demokracinë dhe liritë individuale. Sipas organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracia në Shqipëri ndodhet në faliment; në rritje ndodhet veç arroganca shtetërore.

Kategoria e tretë:
Të vegjëlit, por të shumtë, që i hyjnë njeriut nën lëkurë. Këta më së shumti ndodhen në qeverisjen e vendit tonë. Sa shumë të çmendur ka mes tyre! Dje kryetari i Bashkisë së Lushnjës i tha një gruaje të varfër me shumë fëmijë: “Kush t’i polli fëmijët, lagjja apo vetë? Dhe pas kësaj, kreu gjestin tjetër të çmendurisë.
Një tip kushëriri i Kryeministrit dje zuri një nga rrugët kryesore të kryeqytetit dhe tha se “është prona ime, këtej nuk kalon njeri!”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës iu sul Presidentit të Republikës me fjalorin e një të çmenduri. Mediat online shkruan, pas kësaj, se fjala i ngjante “o një të çmenduri o një rrugaçi”. Vetë çmenduria është akti i dhunimit të parkut të madh të kryeqytetit, pa pyetur qytetarët, pa pyetur ligjin, pa pyetur arsyen.
Kryetari i qeverisë ka shpallur iniciativën e tij private për të futur fenë në shkolla. Bie laicizmi. Por me këtë rast bie edhe ndarja e fesë nga shteti. Rrezikohet edhe harmonia fetare e kultivuar prej shekujsh në vendin tonë. Një lider i çmendur mund të godasë vlerat themelore të kombit brenda pak orësh.
Para se Kryeministri të nisej për një vizitë në Uashington, ku Presidenti mbajti fjalimin me liderë të çmendur, ky atakoi shansin e zgjedhjeve amerikane dhe të ardhmen e marrëdhënieve tona me Amerikën. Shqiptari lider tha se “sikur të fitojë X kandidat, marrëdhëniet tona me Amerikën do të rishikohen”…
… Çmenduri të tilla kishim parë në periudhën e diktaturës komuniste. Lideri i Hoxha, aty nga vitet ‘70, një ditë urdhëroi rojet t’i vinin pas dhe doli në bregoret e Lukovës. Improvizoi një tribunë dhe një rrugicë betoni si qilim të kuq dhe u shfaq mbi det. Lajmet kishin thënë se Flota e Gjashtë amerikane ndodhej në Mesdhe. Lideri i çmendur tha se do të sfidonte Flotën amerikane me daljen në ballkonin e Jonit…
Ja kështu rrezikojnë dhe bëhen qesharakë liderët e çmendur…

John Kerry: Shqipëria ka qeveri të korruptuar në të gjitha degët e saj

Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar të mërkurën raportin për respektimin e të drejtave të njeriut për vitin 2015 në të gjithë botën. Ai është prezantuar në Washington nga vetë sekretari i Shtetit, John Kerry. Në pjesën për Shqipërinë adresohen kritika të forta për sa i përket mënyrës se si respektohet ligji.
“Pandëshkueshmëria mbetet një problem. Prokuroria dhe veçanërisht dënimi i zyrtarëve të lartë që kanë kryer abuzime mbetet sporadik dhe i pandjeshëm. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe ata që kanë interesa të fuqishme biznesi shpesh kanë qenë të aftë të shmangin gjykimin”, thuhet ndër të tjera në raport. “Autoritetet morën disa masa administrative për të përmirësuar sjelljen e policisë, duke dënuar disa zyrtarë të nivelit të ulët për abuzime. Qeveria nisi disa hetime për zyrtarë të lartë, por Prokuroria më pas i rrëzoi çështjet”, shkruan Departamenti amerikan i Shtetit.

Korrupsioni

“Problemet më të mëdha me të drejtat e njeriut është korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes, veçanërisht në sistemin gjyqësor dhe atë shëndetësor. Nuk mbetet pas edhe dhuna dhe diskriminimi ndaj grave”, shkruan DASH.
“Edhe pse Kushtetuta, parashikon një sistem gjyqësor të pavarur, sërish presioni politik, intimidimi, korrupsioni i përhapur dhe resurset e limituara ndonjëherë e kanë penguar gjykatën të punojë e pavarur”.

Zgjedhjet

“Në qershor të vitit 2015, Shqipëria mbajti zgjedhjet lokale. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSCE) e vlerësoi ditën e zgjedhjeve, por duke tërhequr vëmendjen për disa parregullsi. Aty thuhet se korniza ligjore ‘mund të ketë siguruar bazën për zgjedhje demokratike’, por partitë kryesore ‘keqpërdorin kompetencat e gjera dhe përgjegjësitë e tyre mbi administratën zgjedhore duke shfaqur mungesë të vullnetit politik për zbatimin e ligjit në mënyrë efektive’”.

Keqtrajtimet nga policia

Të tjera probleme për të drejtat e njeriut ka dhe te rrahjet nga policia apo keqtrajtimi gjatë marrjes në pyetje. Ka raste të mbajtjes në paraburgim në periudha të gjata pa një akuzë të qartë dhe pa kushtet e duhura të qëndrimit të qeli.

Kthimi i pronave

Qeveria bëri një progres të pakët në çështjet e shumta të kthimit apo kompensimit të pronave të sekuestruara nga regjimi komunist.
Të drejtat e fëmijëve
Vazhdon të ketë informacion për dhunë dhe abuzim ndaj fëmijëve. Mbeten problem martesat e hershme dhe të detyruara në disa pjesë të vendit. Ka ende shumë fëmijë në rrugë, kryesisht ato të minoritetit rom. Vendi vazhdon të mbetet një burim dhe destinacion për meshkuj, gra dhe fëmijë të nënshtruar si pjesë e trafikut të prostitucioni dhe punës së detyruar.

Syzet “Maybach” 60 mijë euro të djalit të Kryeministrit

Gregor Rama, djali i madh i Kryeministrit shqiptar shfaqet në një foto të postuar në profilin e tij në Facebook, shumë klas.
Të paktën kështu shkruajnë të njohur, miq, realë dhe virtualë, poshtë fotos së tij.
Gregu, foton e ka postuar vetë bashkë me një shënim, ku shkruan: “Dikush më pyeti nëse të njihja ty. Një milion kujtime kaluan në mendjen time, por pastaj thjesht buzëqesha dhe thashë që m’u desh të të njihja”.
Me një cigare teksa rreket për ta ndezur, nuk kishte se si të shkruante ndryshe.
Ajo që bie aq shumë në sy, nuk është cigarja dhe sigurisht as statusi i tij, por janë syzet shumë të shtrenjta të markës “Maybach”.
Djali i madh i Kryeministrit është një student i arteve në degën e pikturës, i papunësuar diku, megjithatë, kohët e fundit, statusi ia ka dashur të ketë pak luks të tepërt, pikërisht kur shokët e klasës së tij nuk kanë as lekë të paguajnë kafet.
Ndërsa, Greg Rama del Bllokut me syzet e tij prej 60 mijë eurosh.
Gjithsesi, në Shqipëri syze të tilla mban vetëm deputeti i PS-së Tom Doshi, i cili është edhe një biznesmen i njohur dhe i suksesshëm në vend, si dhe Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski.
Ky i fundit është akuzuar për superluks dhe i përfshirë në dhjetëra afera korrupsioni…

Shpenzimet e shfrenuara të Ramës për veshjet luskoze

Shpenzimet luksoze të Gregor Ramës, kanë një shembull, ai është Edi Rama. Duke nisur nga detajet më të vogla e deri tek prerja e kostumeve nga stilistët më në zë në botë, Rama shpenzon miliona para. Edhe kravatat unikale të Edi Ramës, e kanë një çmim. Duke patur parasysh që kryeministri i ndërron ato çdo ditë, madje edhe dy herë në ditë, dhe duke llogaritur një çmim normal prej 100 euro, rezulton se njeriu që qeveris shqiptarët harxhon rreth 40 mijë euro në vit vetëm për kravatat.
Ndërsa kostumet, kryeministri shqiptar i preferon me tri pjesë, me copë të veçantë nga markat më të shtrenjta të botës dhe sigurisht të qepura me porosi sipas përmasave, “su misura”. Për këtë, një rrobaqepës personal merr rrugën në mënyrë periodike nga Milano dhe vjen në Tiranë për t’i marrë masat shefit të qeverisë shqiptare sipas ndryshimeve që pëson fiziku i tij. Kjo porosi e veçantë e kryeministrit shqiptar llogaritet në disa mijëra euro vetëm për një kostum të vetëm. Llogaritë mund t’i bëjë kushdo. Kryeministri, nuk është i lirë edhe kur vishet sport. Paul&shark, zegna, costum national, etj janë markat që i pëlqejnë të mbulojë trupin e tij. Duke patur parasysh rrogën e kryeministrit shqiptar dhe deklarimin e tij të pasurisë, i bie që ai këto miliona që harxhon për dukjen elegante dhe plot shije, i zhvat nga taksat e qytetarëve shqiptarë.

Pyetja “trepikëshe” e ambasadorit Lu çmend Ramën

Kryeministri Edi Rama ka skandalizuar dje diplomatët, politologët dhe gazetarët të thërritur nga Këshilli i Atlantikut për të mësuar rreth qasjes që ka Shqipëria për integrimin në Bashkimin Europian dhe se si po e pëdror mbështetjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përshpejtuar këtë proces jetik për shqiptarët. Përplasja e tij e ashpër, pa takt dhe fyese për këtë mjedis me ambasadorin Donald Lu dhe më pas me drejtuesin e këtij takimi, Frederick Kempe, njëherësh President dhe drejtor ekzekutiv i Atlantic Council shkaktoi të qeshura, por edhe i dha kuptim ndërhyrjes diplomatike të ambasadorit amerikan me pyetjen e tij.
Në një sërë përgjigjesh, Rama shokoi të pranishmit kur përmendi kandidatin republikan për President të SHBA, Donald Trump, si rrezik kryesor për paqen në rajon. Trampizmi, tha Rama, rrezikon të hedhë në erë stabilitetin e rajonit. Rama nuk pranoi në asnjë moment se korrupsioni, krimi i organizuar dhe keqqeverisja janë shkaku që mbajnë Shqipërinë dhe disa vende të rajonit larg anëtarësimit në Bashkimin Europian. Rama fajësoi BE-në, që është mbërthyer nga kriza ekonomike, e sigurisë dhe migracionit. Këto probleme të BE, tha Rama, ushqejnë destabilizimin e vendeve të Ballkanit.
Ambasadori amerikan Lu, duket i ndjerë keq për këto gafa dhe budallallëqe që artikulonte Kryeministri i një vendi ku ai shërben, që për më tepër do të takohet edhe me Presidentin amerikan, tentoi të justifikonte devijimet dhe çmenduritë e Ramës me faktin se ai nuk ka edukimin dhe kapacitetin e duhur për të trajtuar tema sensitive apo çështje politike të denja për nivelin e audiencës. Me ndërhyrjen e tij diplomatike, ambasadori Donald Lu, i kërkoi audiencës që të kenë mëshirë për paaftësinë e Kryeministrit të Shqipërisë për të trajtuar tema të tilla, pasi Rama është një ish-basketbollist që gjithë ditën e kalon duke luajtur me top në selinë e Kryeministrisë, ku ka ndërtuar një fushë basketbolli, si edhe në zyrën e tij ku ka vënë një kosh.
Ky është varianti i publikuar nga zyra e shtypit e Kryeministrit mbi komunikimin mes Ramës dhe ambasadorit Donald Lu: “Amerikanët dashurojnë basketbollin zoti Kryeministër. A ka diçka për të cilin basketbolli ju ndihmon që të jeni një Kryeministër më i mirë? Për të gjithë ata që nuk e dinë, Kryeministri Rama jo vetëm që ka ndërtuar një fushë basketbolli në ambientet e Kryeministrisë, por ai ka vendosur një kosh basketbolli edhe në zyrën e tij, ndaj edhe mund të gjesh në të ndonjë send të thyer.
Kësaj pyetje të diplomatit amerikan, Kryeministri shqiptar i ktheu përgjigjen: “Kjo nuk është një çështje për të cilën do të flas nesër me Presidentin Obama; për fusha basketbolli në institucione apo për mënyrën se si basketbolli të ndihmon të jesh më i mirë se të tjerë”.
Harbutëria e Ramës ndaj ambasadorit amerikan nuk është diçka e padëgjuar më parë, por e qeshura e të pranishmëve duket se e nxori Ramën totalisht jashtë kontrollit, kur dhunshëm i kërkonte drejtuesit të takimit, Presidentit Kempe, që të mos priste përgjigje tjetër për pyetjen “trepikëshe” të ambasadorit Lu. Disa tentativave të përsëritura të Presidentit Kempe për të marrë fjalën Rama i kundërshtonte me forcë, derisa arriti t’i thotë atij se “nuk je xhentelmen që nuk i jep fjalën një zonje”. Rama kërkonte ta kalonte krizën e tij nga injorimi që i bëri ambasadori amerikan, duke ndryshuar temë.
Kryeministri Rama në këtë takim nuk kishte nevojë të bënte as lolon. Ai është qartazi një lolo që turpëron Shqipërinë, si edhe ata që e kishin sponsorizuar një takim të tillë për të në Këshillin e Atlantikut, një prej institucioneve studimore më me ndikim në politikën e jashtme amerikane. Ju mund ta ndiqni në çdo kohë bisedën e zhvilluar nga Rama në Këshillin e Atlantikut në këtë adresë elektronike:
http://www.atlanticcouncil.org/events/webcasts.

Revolta, naftëtarët bllokojnë rrugën: “Duam paratë tona”!

Më shumë se 500 punonjës të Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh protestuan dje para Prefekturës në Fier, me pankarta në duar dhe me thirrje “duam bukë”, “duam punë”, “duam paratë tona”, etj. Naftëtarët janë përleshur me policinë pasi janë zhvendosur nga sheshi para Prefekturës dhe kanë bllokuar për rreth një orë rrugën nacionale Fier-Vlorë. Situata është rënduar më tepër kur policia arrestoi 5 drejtuesit e protestës, si dhe kreun e sindikatës së naftës, Kamber Iljazi.
Gjatë protestës, naftëtarët kanë kërkuar ndërhyrjen e shtetit për marrjen e 8 pagave të prapambetura dhe rifillimin nga puna të uzinës. “Kompania ARMO u privatizua më 27 nëntor të 2008. Aktiviteti ynë disavjeçar nuk u mor në konsideratë. Trualli ku është ndërtuar dhe instaluar kjo kompani nuk u mor parasysh dhe u shndërruam pothuajse në mekanizma fitimprurës për pronarët që shteti ynë na i bëri peshqesh”, tha një naftëtar.
Në këtë uzinë ka punonjës që punojnë prej 40 vitesh dhe tani janë në dëshpërim për shkak se kanë humbur të vetmen mundësi jetese. “Ka humbur durimi! Ne nuk durojmë dot më. Të gjithë janë pa punë, fëmijët janë pa shkollë, të sëmurë jemi”, tha një naftëtar tjetër.
Për të qenë më bindës, naftëtarët protestues, i kanë dedikuar dhe disa vargje, kreut të qeverisë Rama. “Sot protestojmë përpara Prefekturës në Fier për bukën e gojës. Ka ardhur momenti që ne jemi dorëzuar. I bëj thirrje Kryeministrit meqenëse është bërë bukur këtu në Fier të më hapë një dhomë se jam viti i gjashtë. Të paktën të siguroj bukën e gojës”, u shpreh një tjetër protestues.
Sipas tyre aq shumë është rënduar ekonomia familjare sa kanë hequr edhe fëmijët nga shkollat. “Nuk do t’ia dijë njeri fare që rrojmë apo nuk rrojmë. Atje punojnë 1000 burra dhe gra, llogarite sa njerëz kanë mbrapa ata që duan të hanë dhe ushqehen. Këtu bëhet luftë për mbijetesë, që nga muaji korrik që nuk kemi marrë lekët tona. S’kemi bukë të hamë”, u shpreh një nga naftëtarët gjatë protestës.
“Çuni im ka lënë shkollën se nuk kam lekë ta çoj në shkollë. Kjo nuk është e drejtë. Nuk kemi lekë më, mbaruam. Në rast se nuk zgjidhet kjo punë sa më shpejt do i përshkallëzojmë ndryshe këto punë”, tha një tjetër.
Naftëtarët thanë se kanë 40 vjet që punojnë në këtë ndërmarrje, ndërsa tani janë hedhur në mes të katër rrugëve. “Këta punëtorë kanë 40 vjet në atë ndërmarrje, janë të gjithë familjarë që mbajnë fëmijët në shkollë dhe gjithandej. Shumë familje janë detyruar të heqin fëmijët nga shkolla këto 8 muaj, edhe unë po mendohem të tërheq fëmijët nga shkolla se jam zhytur në borxhe”, tha një inxhinier.
Shumë prej punëtorëve të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës Ballsh thonë se janë detyruar të marrin kredi për të plotësuar nevojat bazike të familjes.
Protesta është mbështetur dhe nga sindikata të pavarura. Naftëtarët u shprehën se nëse qeveria nuk merr masa për të dhënë paratë e 8 muajve, ata do të çajnë tubacionat e ujit në Ballsh për të lënë gjithë Mallakastrën pa ujë të pijshëm. Uzina e naftës ka ndalur prodhimin, ndërsa llogaritë e kompanisë janë bllokuar nga tatimet. Pas tubimit, policia shoqëroi të gjithë personat që kërkuan leje për protestën.

R.POLISI

Komandanti i Policisë së Thethit trafikant droge, kapet me 10 kg hashash

Partia Demokratike ka reaguar dje për trafikun e drogës të komandantit të postës së Policisë së Thethit, drogën drejt Greqisë dhe lidhjet policore dhe qeveritare me këtë trafik. Sekretari i Përgjithshëm i PD, bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, brenda ditës një shef policie në Theth u kap me 10 kg hashash, ndërsa në Greqi u bllokuan 551 kg drogë e trafikuar nga Shqipëria. “Ditë e mbushur me kanabis dhe lidhje policore e qeveritare me trafikun. Një shef policie në Theth, ishte po ashtu shef i trafikut të drogës. 10 kg hashash në makinë mbante. Po sot, zbulohet sasi e madhe droge në brigjet e Korfuzit, e mbërritur nga Shqipëria. Gjithsej 551 kg marijuanë. Në fshatin Filat të Igumenicës u kapën 75 kg të tjera dhe në Patra 151 kg marijuanë e ardhur nga Shqipëria”, deklaroi Ristani.
Ristani tha më tej se, Shqipëria mbillet me drogë nga jugu në veri pasi kumbarët kanë zyrat në Kryeministri e në Ministrinë e Brendshme. “Kur kumbarët e krimit janë në qeveri, kur kumbarët kanë zyrat në Kryeministri e në Ministrinë e Brendshme, Shqipëria mbillet me drogë nga jugu në veri, Shqipëria zë vendin e parë në Europë për prodhimin e marijuanës, Shqipëria është vend tranzitimi i drogave të forta, droga është kronika e përditshme e lajmeve mediatike, droga është pas vrasjeve terorriste, droga është pas tritoleve. Por ne s’pyesim se kemi shefin e madh lider ballkanik dhe botëror, sportist dhe piktor me famë, super miliarder me euro. Sidomos tani që fitoi dhe referendumin s’ka më halle ky vend”, përfundoi Ristani.
Oficeri i policisë, Zef Mirashi, 49 vjeç, u kap duke transportuar një sasi lënde narkotike, prej rreth 10 kg. Mësohet se ky oficer police ishte komandant i Postës së Policisë së Vermoshit. “Zef Mirashi që mbante gradën nënkomisar, ishte me detyrë komandant i Postës së Policisë së Vermoshit në Drejtorinë Vendore të Policisë në Shkodër”, bëri të ditur policia.
Ndërkohë, po dje një sasi e madhe droge u zbulua në brigjet e Korfuzit. Mësohet se policia greke gjatë një aksioni në ujërat shqiptaro-greke për kapjen e një skafi, bëri të mundur që në plazhin Lliovasilema, të gjejë 19 çanta me 253 pako me droge. Ndërsa gjatë një operacioni në plazhin Almiros, u gjet dhe një çantë me 22 pako lëndë narkotike.
Gjithsej droga llogaritet në 551 kg e 155 gr marijuanë. Burime nga policia greke bënë të ditur se bëhet fjalë për një gomone që ka tentuar të zbarkojë në brigjet italiane, por teksa është pikasur personat që ishin në të e kanë hedhur drogën në Korfuz. Të njëjtat burime pohuan se gomonia drejtohej nga dy persona dhe është futur nga Shqipëria.
Po dje u kapën në Patra dhe 143 kg e 651 gr marijuanë, ndërsa në pranga ranë dy persona. Bëhet e ditur se transportuesit po tentonin të kalonin drogën me furgon frigorifer përmes tragetit për Itali. Të arrestuarit janë një 51-vjeçar grek dhe një shqiptar, 33 vjeç. Ky i fundit rezulton në kërkim nga Interpoli. Policia greke sekuestroi 2200 euro, 9 celularë e disa dokumente të falsifikuara.