37.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Protesta e punonjësve e ARMO-s: Do lëmë Jugun pa ujë

Punonjësit e rafinerisë së përpunimit të naftës, ARMO janë përfshirë dje në protestë të dhunshme me punonjësit e Përmbarimit që po ruajnë ambientet e kompanisë, pasi kanë nëntë muaj pa marrë rrogat. Sipas burimeve nga terreni punonjësit duket se janë acaruar pas marrjes në mbrojtje të objekteve të ARMO-s nga përmbarimorët për llogari të Albpetrolit.
Pak ditë më parë, kompania shtetërore e nxjerrjes së naftës, Albpetrol, ka marrë në ruajtje rafinerinë e ARMO-s, në Ballsh. Lëvizja ka ardhur, pasi pak ditë më parë Albpetrol fitoi gjyqin në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë ndaj rafinerisë së përpunimit ARMO për një detyrim 30 milionë euro. Në proces gjyqësor janë dhe 20 milionë euro të tjera.
Punonjësit e rafinerisë kanë nisur një protestë agresive, duke pushtuar sallën e komandës në nënstacionin e TEC-it Ballsh. Grevistët kërkojnë prezencën e medias dhe nga momenti në moment mund të ndërpritet energjia elektrike dhe uji i pijshëm për Mallakastrën dhe gjithë Jugun.
Por burimet zyrtare të Albpetrol sqaruan se greva e punonjësve po shkon përkundër qëllimeve të tyre. Ata sqaruan se, Përmbarimi do të nxjerrë në ankand për asetet e Ballshit dhe ligji detyron që të ardhurat që sigurohen do të shkojnë për shlyerjen e rrogave të punonjësve, tepricat për detyrimet tatimore dhe pjesa që mbetet e arkëton Albpetrol. Burimet zyrtare në Albpetrol shpjegojnë se, kjo është mënyra e vetme që ish-punonjësit e Ballshit të marrin rrogat.
Kompania Përmbarimore TDR Group ka rrethuar ARMO-n dhe ka nisur të bëjë vlerësimin e aseteve të saj. Pas vlerësimit ARMO do të dalë në ankand dhe në rast se nuk arrin të shitet pas procedurave të përcaktuara me ligj në të dy ankandet, atëherë do t’i kalojë në pronësi Albpetrol. Neni 605 i Kodit të Procedurës Civile përcakton që detyrimet ndaj punonjësve dhe ato ndaj shtetit kanë përparësi ndaj detyrimeve ndaj bankave.
Pak javë më parë, kompania Përmbarimore EPSA nxorri në shitje një tjetër uzinë të përpunimit të naftës të rafinerisë së ARMO, (truall dhe ndërtesa në fshatin Drizë) për llogari të Bankës Raiffeisen, për një kredi të pashlyer prej 2.8 miliardë lekësh (rreth 20 milionë euro). Si ankandi i parë, ashtu dhe i dyti, ku vlera e shitjes u përgjysmua në 10 milionë euro, dështuan dhe uzina i ka kaluar në pronësi Bankës Raiffeisen.
Përveç Raiffeisen Bank edhe Tirana Bank është vënë në radhë për të mbledhur borxhet nga kreditori më i madh më i keq në Shqipëri.
Kompania e rafinerisë së naftës, 15% të aksioneve të së cilës zotërohen nga shteti dhe 85% nga azerët e Heany Assets Corporation, është kreditori më i madh i keq i vetëm në Shqipëri.
Prej kohësh ARMO ndërkohë është në një situatë tejet të vështirë. Rafineria e Ballshit është mbyllur dhe vlerësohet se ajo nuk është eficiente, ndryshe nga ajo e Fierit që ka ende leverdi.
Sipas bilancit të vitit 2013 (bilanci i 2014-ës nuk është dorëzuar ende në QKR), pjesa më e madhe e borxhit të ARMO është ndaj bankës FBME dhe palëve të treta, në total rreth 140 milionë euro. Ndaj bankave në Shqipëri, ARMO ka kredi prej rreth 37 milionë euro, pjesa më e madhe e të cilave ndaj Raiffeisen dhe Credins, përkatësisht rreth 20 dhe 15.6 milionë euro, gjithnjë sipas të dhënave të bilancit 2013.
Gati një vit më parë, një korrespondencë ndërmjet dikastereve të qeverisë zbardhte planin se si do të falimentohet dhe pas do të shtetëzohet ARMO, e cila kishte në total 207 milionë USD kredi për të shlyer në bankat dhe 53 milionë USD në tatime.
Muajt e fundit një kompani zvicerane dhe më pas një amerikane shfaqën interes për ARMO, duke parë me leverdi përpunimin e bitumit, por mali me borxhe i ARMO-s ka stepur investitorët, ndërsa azerët e Heany Assets Corporation, që kanë 85% të aksioneve pothuajse e kanë braktisur ARMO.
Në gusht të 2013, Heany Assets Corporation bleu aksionet e Anika Merkuria Associated Oil, e cila zotëronte 85 për qind të aksioneve të ARMO sh.a. Në datën e blerjes Heany Assets Corporation njohu detyrimet e shoqërisë, të cilat arrinin në 243.5 milionë dollarë. ARMO gjatë vitit 2014 përfitoi të ardhura, si qiradhënëse e dy rafinerive, si pronare e tyre.

SHBA thirrje zyrtare Ivanovit të tërhiqet

Uashingtoni i bëri thirrje të mërkurën presidentit të Maqedonisë, Gjeorgje Ivanov të rishqyrtojë vendimin e tij për pezullimin e hetimeve ndaj skandalit të përgjimeve.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby tha se, pezullimi i hetimeve do të mbronte zyrtarët e korruptuar dhe do t’i mohonte drejtësinë popullit të Maqedonisë.“Vendimi do të dëmtonte më tej shtetin ligjor, integritetin e institucioneve gjyqësore, si dhe besueshmërinë e përkushtimit të udhëheqësve maqedonas ndaj vlerave themelore të NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
Të martën, në mënyrë të papritur, Presidenti Ivanov njoftoi se kishte vendosur të ndërpriste hetimet për skandalin e përgjimeve, duke thënë se synonte t’i jepte fund “agonisë politike në të cilën ndodhej vendi prej një viti”.
Opozita në Maqedoni, po proteston për të dytën ditë, duke kërkuar dorëheqjen e presidentit.
Protestuesit u mbodhën të mërkurën në mbrëmje para zyrave të presidentit ku qëlluan, me vezë, gurë e mjete të tjera. Më pas, ata çanë kordonin e policisë dhe shkuan para Parlamentit. Megjithatë, protestuesit nuk arritën të shkonin para selisë së partisë VMRO-DPMNE në pushtet.
Nga ana tjetër, një tjetër grup protesuesish, që besohet se janë përkrahës të partisë VMRO-DPMNE, u nis drejt selisë së Lidhjes Social Demokrate të opozitës, për të shprehur revoltën kundër drejtuesve opozitarë.
Vendimi i Presidentit Ivanov për të mbyllur hetimet, për një prej skandaleve politike më të rënda të këtij vendi, u kritikua me forcë edhe nga Bashkimi Evropian, që e quajti atë një veprim që bie në kundërshtim me shtetin ligjor.
Bashkimi Evropian ndërmjetësoi një marrëveshje mes pozitës dhe opozitës pas skandalit të përgjimit. Skandali do të hetohej nga një prokuror i posaçëm dhe ish-kryeministri Gruevski ra dakort që Maqedonia të zhvillojë zgjedhje të parakohshme, të cilat janë planifikuar për në qershor.
Parlamenti i vendit u shpërnda javën e kaluar, por opozita theksoi se do t’i bojkotojë zgjedhjet, pasi nuk janë përmbushur kushtet për të cilat u ra dakort në marrëveshje që zgjedhjet të jenë të lira e të drejta.
Presidenti Ivanov është aleat i ish-kryeministrit Gruevski, i cili e mbështeti atë të zgjidhej në këtë post.

Rama i rikthehet koncesionit të Spitallës

Zona teknologjike dhe Industriale e Spitallës po riofrohet ndaj investitorëve në një garë të hapur vetëm me një të pestën e sipërfaqes fillestare.
Kjo, pasi specifikat e reja të tenderimit e kanë rrudhur sipërfaqen në 101 hektare, nga rreth 500 hektarë që ishin në tenderin e fillim vitit që rezultoi i dështuar.
“Si fazë e parë, të përzgjidhet zhvilluesi për një sipërfaqe prej 101.2 (një qind e një pikë dy) ha”, thuhet në kriteret e reja të tenderit.
Përpjekjet gjatë vitit të kaluar për dhënien e 500 hektarëve në Spitallë, një zonë afër Durrësit, kanë dështuar, për shkak se interesi i kompanive kineze, “Zhejiang Haiteng investment Co” dhe “Bejing Dongrun Tongbao Technology Co, ka shfaqur mangësi.
Për të lehtësuar zhvillimin e kësaj zone si një park industrial në shërbim të biznesit të huaj, zona është rikualifikuar në tender për vetëm një euro për një periudhë 99- vjeçare.
Shqipëria është i vetmi vend në Rajon që nuk po zhvillon një zonë industriale, ndërsa investitorët e huaj e kanë cilësuar këtë një faktor pengues për të ushtruar aktivitete në Shqipëri.
Aktualisht, Spitalla është në kushtet më të mira për të funksionuar në shërbim të bizneseve, për shkak se është e pajisur me infrastrukturë si rrugë, energji dhe ujësjellës.
Mirëpo ndër vite janë bërë ndërtime pa leje, të cilat duket se kanë qenë edhe pengesa kryesore për ta shndërruar atë në zonë industriale.
Në vendimit e fundit të qeverisë për shpalljen “Zonë e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik” të territorit, sipërfaqja gjithsej është 199.7 (njëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë pikë shtatë) ha, pjesë e zonës kadastrale Nr. 8517, në Spitallë, Durrës. Por qeveria do të tenderojë vetëm 101 hektarë.
Zona e Spitallës është 6.6 kilometra larg Portit të Durrësit dhe rreth 30 km larg Aeroportit “Nënë Tereza”.

Shqipëria, në grupin e vendeve të rrezikuara nga kriza e borxheve

Në raportin mbi borxhet 2016 ekspertët përmendin 108 vende, ndër to edhe Shqipëria, Serbia e Kroacia, si të rrezikuar nga kriza e borxheve. Në këto vende gjendja nuk ka përmirësim dhe tendenca e borxheve është në rritje. Ekspertët gjermanë të zhvillimit tërheqin vëmendjen për zhvillime të reja të rrezikshme lidhur me krizën e borxheve shtetërore në vendet në zhvillim dhe ato në ekspansion. “Ne shohim prej vitesh një përkeqësim dramatik të situatës së borxheve në hemisferën jugore në përgjithësi”, deklaroi Jürgen Kaiser nga organizata Erlassjahr.de të mërkurën (13.04) në Berlin gjatë paraqitjes së raportit të borxheve 2016 të përpiluar bashkërisht me organizatën e ndihmës Misereor.
“Nga rënia e çmimeve të lëndëve të para dhe rritja e papritur e interesave kërcënojnë borxhe të reja si në vitet 1980”, theksoi Kaiser. Sipas të dhënave të Misereor dhe Erlassjahr.de borxhet shtetërore kundrejt donatorëve të jashtëm në vendet në zhvillim dhe ato në ekspansion janë në rritje prej vitesh dhe kanë arritur ndërkohë një shumë të përgjithshme prej rreth 5,4 bilion bilionë Dollarë borxhe. Kjo rritje është pesë herë më shumë se përpara 25 vjetësh.
Sipas raportit mbi borxhet, 108 shtete konsiderohen si “me borxhe kritike”. Raste dramatike paraqiten në periferinë europiane si në Kroaci, Serbi, Ukrainë e Shqipëri. Këtyre u shtohen edhe vende si Gambia, Gana dhe Mauritania në Afrikë, India e Pakistani si dhe Libani e Jordania në Lindjen e Mesme.
Rreziqet e një përkeqësimi të gjendjes së borxheve në vendet e prekura, sipas ekspertëve, kanë të bëjnë me rënien e ndjeshme të çmimeve për lëndët e para, zhvillimet e paparashikueshme në tregjet e kapitalit dhe një rritje e dobët ekonomike globale. Lëvizjet aktuale të migracionit janë një “dëshmi e dështimit të politikës perëndimore të zhvillimit”, tha koordinatori i Erlassjahr.de. Natyrisht që borxhet nuk janë e vetmja dhe arsyeja e drejtpërdrejtë për arratinë e njerëzve, por megjithatë mungesa e perspektivës ekonomike është një faktor i rëndësishëm, theksoi ai.
Erlassjahr.de dhe Misereor i bëjnë thirrje qeverisë gjermane, që krizën që kërcënon ta vendosë në agjendën ndërkombëtare. Të dyja këto organizata me karakter fetar kërkojnë krijimin e një kuadri global ligjor për zgjidhjen e krizës së borxheve, në të cilin të merren parasysh edhe interesat e vendeve në borxhe. “Vendet e pasura deri tani e kanë bllokuar krijimin e një procesi të detyrueshëm dhe korrekt të shlyerjes së borxheve”, deklaroi Kristina Rehbein nga organizata Erlassjahr.de.
Eksperti i financave i Misereor, Klaus Schilder, paralajmëron nga pasojat e krizave të borxheve për vendet e prekura. Rritja e borxhit shtetëror është një “pengesë qendrore” për zhvillimin, theksoi ai. “Detyrimet për kthimin e borxhit e rëndojnë shumë buxhetin e shtetit – e nuk mbetet aspak hapësirë për të investuar p.sh. në fushën e shëndetësisë e arsimit.” Në këtë kontekst nuk duhet të lihet jashtë vëmendjes as përgjegjësia e donatorëve.
Raportin për borxhet nuk sheh parimisht si problem borxhet jashtë vendit, por e vendos theksin tek raporti mes kapacitetit ekonomik dhe atij financiar të një vendi si dhe tek qëndrueshmëria e strategjisë së tij financiare. Sipas mendimit të ekspertëve në këtë drejtim influencojnë në mënyrë problematike zhvillimet e ndryshme aktuale.
Ndër të tjera në një sërë vendesh në zhvillim dhe në ekspansion janë ulur të ardhurat prej shitjes së lëndëve të para për shkak të rënies dramatike të çmimeve. Njëkohësisht interesat e ulëta të obligacioneve shtetërore për vite me radhë në përgjithësi e kanë ulur gatishmërinë për blerjen e tyre. Por së fundi interesat për bonot e thesarit të këtyre shteteve janë rritur dukshëm në sfondin e shtimit të pasigurisë në tregjet e kapitalit.

Revolta, Shkupi kërkon mbylljen e Prokurorisë Speciale

Vendimin e presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov për faljen e politikanëve që janë nën hetimin e Prokurorisë Speciale, duke reguar e shokuar partia opozitare LSDM e cilësoi si një grusht shteti. Lideri i opozitës Zoran Zaev theksoi: “Ky është tentim për të shpëtuar nga krimi dhe korrupsioni i politikanëve ndaj shtetit. Ivanov u bë pjesë e krimit. nga dita e sotme nuk ekziston shteti i së drejtës. Me këtë vendim e varrosën Marrëveshjen e Përzhinës. Kërkojmë nga Ivanov të japë dorëheqjen”, ka deklaruar Zoran Zaev, duke kërkuar që kriminelët duhet të përgjigjen për krimet e kryera. Ai theksoi, se asnjëherë nuk do të pranojë amnesti për vete nisur nga fakti se nuk ndihet fajtor. “Nuk kërkoj dhe nuk pranoj amnisti. Nuk jemi të gjithë njëlloj dhe nuk jemi të presidentit”.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, e ka kundërshtuar vendimin e Ivanovit, duke theksuar se ky vendim nuk do ta zgjidhë krizën politike.“Vendimi është i nxituar, i pamenduar fare dhe si një vendim i tillë nga një i ashtuquajtur president jolegjitim nuk ka legjitimitet, nuk mendoj se e ndihmon zgjidhjen e krizës dhe fare nuk kemi biseduar si katër parti politike, që kemi arritur marrëveshjen e Përzhinës”, vlerëson kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, vendimin e presidentit Ivanov e ka cilësuar si absurditet, përmes të cilit suspendohet sistemi juridik në Maqedoni.
Kundër vendimit të presidentit Ivanov është shprehur dhe partia maqedonase në pushtet VMRO DPMNE, e udhëhequr nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski.
“Qendrimi i VMRO-DPMNE-së është që njerëzit që kanë mbajtur peng Maqedoninë për një vit e gjysmë, që kanë thyer ligjet dhe institucionet e shtetit, patjetër duhet të përgjigjen”, theksohet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Kërkohet seancë e jashtëzakonshme e Parlamentit
Lidhja Demokratike kërkon mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Parlamentit dhe do ta ftojë presidentin Gjorge Ivanov që ta shfuqizojë vendimin për falje. Lidhja Demokratike i fton deputetët që të fillojnë procedurë për mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme. Nga Lidhja Demokratike theksojnë se në përputhje me Kushtetutën mbajtje të mbledhjes së jashtëzakonshme mund të kërkojnë 20 deputetë, ku më pas Kryetari i Kuvendit është i detyruar që të thërrasë seancë plenare, thuhet në kumtesën e LD-së.

Ndërkombëtarët të shqetësuar për situatën në Maqedoni
“Vendimi i presidentit Ivanov për faljen e disa funksionarëve ka shkaktuar shqetësim serioz. Ky veprim po bëhet në kohën kur të gjitha partitë duhet të gjejnë mënyrë për zbatimin e Marrëveshjes Politike të Përzhinos (për zgjidhjen e krizës politike). U bëjmë thirrje të gjitha palëve që t’iu ikin rreziqeve që i shembin përpjekjet disavjeçare të shtetit, që me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, synon ta përforcojë sundimin e së drejtës”, theksohet ndër të tjera në reagimin e Bashkimit Evropian.
Qeveria gjermane mbi deklaratën e presidentit të Maqedonisë qeveria Federale e Gjermanisë është thellësisht e shqetësuar për deklaratën e presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov më 12 prill 2016.
“Ne presim, që të respektohet nga të gjitha palët shteti ligjor. Ne shpresojmë, që gjendja në shtet dhe në shoqëri të mos përshkallëzohet më tej në aspektin juridik e politik dhe që të ruhet siguria e brendshme. Qeveria Federale shpreson gjithashtu në një sqarim të shpejtë të çështjeve juridike dhe politike, që rrjedhin prej deklaratës së presidentit të shtetit. Eshtë me rëndësi të veçantë, që Prokuroria Speciale, ashtu siç është përcaktuar në marëveshjen e Përzhinos, të mund të vazhdojë e papenguar punën e saj, që është jashtëzakonisht e rëndësishme për stabilizimin institucional të sistemit shtetëror, që vlerësohet nga një pjesë e madhe e shoqërisë maqedonase dhe nga bashkësia ndërkombëtare. Gjithashtu të gjitha partitë duhet të përforcojnë përpjekjet për të krijuar kushtet minimale për zgjedhje që t’u përgjigjen standardeve europiane”, theksohet në deklaratën e qeverisë së Gjermanisë.
Ambasadori i SHBA-së në Shkup, Jess Baily, reagoi gjithashtu me tone kritike: “Falja pa mbaruar procesi gjyqësor i mbron politikanët e korruptuar dhe bashkëpunëtorët e tij. Lëreni Prokurorinë Speciale ta bëjë punën e saj”.

Qytetarët në protesta
Disa qindra qytetarë, në mbështetje të organizatave joqeveritare dhe duke brohoritur “nuk ka drejtësi, nuk ka paqe”, “kriminelët pas hekurave” mbrëmjen e së martës, për më shumë se pesë orë, kanë protestuar kundër vendimit të presidentit të Maqedonisë. Protesta ka vazhduar para qeverisë së Maqedonisë, ku protestuesve u është bashkangjitur lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev. Situata u tensionua kur forcat policore i penguan protestuesit të afrohen para selisë së partisë maqedonase në pushtet VMRO DPMNE, nga radhët e së cilës është zgjedhur presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. Organizatat joqeveritare, të cilave iu është bashkangjitur edhe opozita maqedonase, kanë paralajmëruar protesta në orët e vona të së mërkurës.

Ukraina mbetet pa qeveri pas dorëheqjes së Kryeministrit

Parlamenti i Ukrainës është duke u përgatitur për të votuar për një qeveri të re dhe nëse do të miratojë dorëheqjen e kryeministrit Arseniy Yatsenyuk.
Kryeministri 41-vjeçar njoftoi të dielën se heq dorë nga posti, në përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik të vendit, me shpresë t’i japë Ukrainës një mundësi për të miratuar reforma të reja zgjedhore, kushtetuese dhe gjyqësore, dhe për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Kabineti Yatsenyuk i shpëtoi një vote mosbesimi në shkurt, por dy parti u larguan nga koalicioni qeverisës. Ai është kritikuar për ekonominë e përkeqësuar dhe ritmin e ngadaltë të reformave.
Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ia dha mbështetjen e tij të martën kryetarit të Parlamentit Volodimir Groysman, por është e paqartë nëse z. Groysman do të ketë vota të mjaftueshme.
Analistët kanë shprehur shqetësimin se emërimi i zotit Groysman mund të rezultojë që fuqia politike e Ukrainës të përqendrohet tek Presidenti Poroshenko dhe rrethi i tij i ngushtë.
Disa ligjvënës kanë thënë gjithashtu se një emërim i zotit Groysman si kryeministër do të nënkuptonte largimin e ministres së Financave Natalia Yaresko, e cila në një rast është parë si pasuese e  zotit Yatsenyuk.
Ligjvënësit pritet të votojnë të martën mbi koalicionin dhe emërimin e kryeministrit të ri. Dështimi për të vendosur së shpejti mund të rezultojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe presidenciale.

7 muaj burgim për propagandë terrori

Një gjykatë në Kosovë dënoi me shtatë muaj heqje lirie dhe 800 euro gjobë, një shqiptar nën akuzat për veprën penale, bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Kosovës.
Në një njoftim të Gjykatës Themelore në Ferizaj, ai akuzohet se “në mënyrë publike, me anë të shkrimeve, xhirimeve, duke përfshirë dhe mos u kufizuar në rrjetin social nxit të tjerët që të kryejnë vepra penale të përcaktuar në Ligjin për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura Jashtë Territorit të Vendit në atë mënyrë që i pandehuri si anëtar në grupin Facebook dhe përmes profilit të tij personal prej muajit maj deri në fund të muajit nëntor 2015, në shkrimet, postimet dhe komentet e tij i lartëson dhe i madhëron personat që luftojnë përkrah ISIS-it si “Trima të vërtet”, “Luana me mjekër”, “Se të gjithë myslimanët e vërtetë janë ISIS”, “Unë jam ISIS”, “Vetëm ISIS-i mund të çlirojë shqiptarët nga serbo sllavët maqedon” “ISISI do ta çlirojë edhe Kosovën”, “ISIS-in do ta presim me lule”, “Mirëseardhshin”, “Insha-Allah ia fillojnë edhe në Kosovë sa më parë”, duke i nxit me këto shkrime në këtë mënyrë persona apo grupe të personave që t’iu bashkohen formacioneve të armatosura të Organizatës Terroriste ISIS”.
Samet Imishti nga fshati Rezhancë i Komunës së Hanit të Elezit, rreth 60 kilometra në Juglindje të Prishtinës, qe arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar në një operacion të bashkërenduar me policinë italiane, e cila gjatë bastisjeve në qytetet Brescia, Vicenza e Perugia arrestoi atëbotë tre persona nën dyshimet për “mbrojtje të terrorizmit” dhe “nxitje të urrejtjes racore”.
Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të përfshirjes së qytetarëve të saj në luftën e Sirisë. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje, ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet në rreth 60 sish. Mbi 50 shqiptarë të Kosovës besohet se kanë humbur jetën në atë zonë.
Që nga viti 2013, autoritetet në Kosovë kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza.

Dokumentat e Panamasë për financim të grupeve terroriste

Dokumentat e Panamasë ka të ngjarë të sjellin ndjekje të reja penale të personave të akuzuar për financim të grupeve terroriste, dhe të nxisin presionin politik për të shtrënguar rregullat financiare në Shtetet e Bashkuara. Përpjekjet për të bllokuar financimet e terrorizmit thuhet se kanë filluar të jenë më të efektshme, por ato po shkaktojnë në të njëjtën kohë dëme anësore.
Sulmet terroriste kërkojnë para për eksplozivë, udhëtime dhe armë. Bllokimi i fondeve për grupet ekstremiste është çelësi i pakësimit të kërcënimit të tyre.
Terroristët kanë përdorur disa kompani të regjistruara në Panama për të lëvizur fshehtazi para përmes firmave me pronësi të fshehtë dhe ekspertët thonë se, dalja e informacioneve mund të nxisë përpjekje për ndjekje të reja penale.
“Nga Dokumentat e Panamasë dimë se kishte organizata terroriste që kishin regjistruar kompanitë e tyre fiktive atje-Hezbollahu përshembull”,  thotë Eric Lorber i firmës Integriteti i Rrjetit Financiar.
Një komision i Dhomës së Përfaqësuesve po dëgjon dëshmi mbi financimet e terrorizmit.
Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë thanë se, janë në dijeni të raporteve të reja dhe po rishikojnë informacionet.
Ish-senatori amerikan Carl Levin tha se, rregullat më të forta që kërkojnë nxjerrjen e pronësisë së kompanisë do të ndihmonin në ndalimin e financimeve të terroristëve.
Në një artikull në gazetë, ai u tha zyrtarëve të mos humbasin mundësinë politike të nxitur nga zemërimi publik mbi skandalin.
Anëtarja e Komisionit të Senatit për Bankat, Elizabeth Warren i bëri thirrje gjithashtu Departamentit të Thesarit të bëjë hetime.
Ekspertët thonë se, rregullat më të rrepta e bëjnë më të vështirë për të lëvizur paratë për operacionet terroriste, kështu që terroristët lëvizin me metodat më të vjetra, por më të vështira për t’u kapur.
“Ndjekja është e vështirë. Paratë që lëvizin në Mogadishu apo në Teheran mund të lëvizin me valixhe apo duke i fshehur në Panama. Ky është shqetësimi kryesor për ata që luftojnë financimin e terrorizmit”, thotë analisti i Institutit Enterprise, Michael Rubin.
Por organizatat bamirëse të ligjshme që grumbullojnë fonde për njerëzit në vendet e shkatërruara nga lufta po shohin banka që po mbyllin llogaritë e tyre papritur, duke e bërë të vështirë të paguajnë punonjësit apo shpenzime të tjera.
“Ka shkuar në pikën ku shumë organizata bamirëse myslimane në SHBA që punojnë në mbarë botën janë pranë falimentimit”,  thotë presidenti i firmës Interaction, Sam Worthington.
Rreziku i lartë dhe fitimet e ulta i bëjnë bankat të hezitojnë për të bërë biznes me organizata që punojnë në zona konflikti.
Bankat bëjnë shumë pak fitim nga llogaritë relativisht të vogla të organizatave bamirëse dhe në disa raste kanë paguar gjoba të mëdha për shkelje të sanksioneve.
Kjo është e gjitha pjesë e një fushë beteje financiare.

Policia bastis zyrat e Mosac Fonseca

Autoritetet në Panama bastisën zyrat e firmës ligjore Mossack Fonseca, e lidhur me një sërë llogarish bankare që kanë lidhje me udhëheqës botërorë. Prokurori i Përgjithshëm i Panamasë tha në një deklaratë se policia është në kërkim të aktiviteteve të paligjshme të firmës.
Mossack Fonseca është akuzuar se ka ndihmuar individë apo korporata të shmangin taksat. Dukumentet e firmës të bëra publike kohët e fundit me emrin “Dokumentet e Panamësë”, tregojnë se kjo firmë kishte hapur llogari bankare për klientë të pasur ndërkombëtarë me qëllim për të mos paguar taksa në vendet e tyre.
Mes klientëve janë presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko, miq të presidentit rus, Vladimir Putin, dhe të afërm të kryeministrit britanik, David Cameron, kryeministri pakistanez Nawaz Sharif, dhe presidenti i Kinës, Xi Jinping.
Themeluesi i kompanisë Ramon Fonseca ka thënë se kompania nuk ka shkelur ligje dhe as nuk ka shkatërruar dokumente.

Mourinho drejt Realit ose PSG

Manchester United është gati t’i thotë “Jo” Jose Mourinho-s. Ende asgjë nuk është zyrtare, por mediat angleze bëjnë të ditur se do t’i takojë Ryan Giggs të vazhdojë operacionin e rilindjes së klubit anglez. Gjithsesi e ardhmja e Mourinhos projektohet drejt piacave jo më pak të rëndësishme, në Madrid ose në Paris. Mozaiku i stolave të klubeve të mëdha të Europës për sezonin e ardhshëm ende nuk është kompletuar dhe fati i Zinedine Zidane dhe Laurent Blanc mbetet ende pezull.
Fitorja 3-0 ndaj Wolfsburgut në shenjën e Cristiano Ronaldos ka rritur kuotat e Zizou, por Florentino Perez duket i tentuar nga ideja për të rimarrë te Reali i Madridit një nga trajnerët e tij të preferuar. Jo rastësisht mediat spanjolle e kanë theksuar disa herë këtë opsion, por gjithsesi duhet pritur fundi i sezonit, pasi një triumf në Champions do ta bënte ta pamundur largimin e Zidane.
Por nëse në Madrid mbetet për t’u pritur rezultatet e fund sezonit, në Paris gjërat janë ndryshe. Të martën krerët e PSG nxituan t’i jepnin votëbesimin Laurent Blanc, në të nxehtë, menjëherë pas eliminimit në Champions nga Manchester City, por presidentit Al Khelaifi i shpëtuan disa fraza aspak siguruese në lidhje me trajnerin francez që ka rinovuar së fundmi kontratën deri në vitin 2018.
Në Doha, padyshim që ky eliminim djeg, mbi të gjitha, pasi erdhi kundër rivalëve të Abu Dhabit, nga sheikët e Citizens. Emiri Al Thani në javët e ardhshme do të bëjë të ditur strategjinë për sezonin e ri dhe mbetet ende për t’u kuptuar, nëse frenat e skuadrës do të mbeten në duart e Blanc. Para se të rikthehej te Chelsea, Mourinho u raportua disa herë për një transferim të mundshëm te kampionët e Francës, por ai më pas preferoi të rikthehej në Premier League.
PSG mund të shkarkojë trajnerin laurent Blanc pas eliminimit për herë të tretë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Kandidat për postin e trajnerit pritet të jetë Jose Mourinho, i cili ende është i pa punë dhe e ka konfirmuar se do të kthehet gjatë verës të drejtojë një skuadër. Ky është një lajm i keq për Unitedin, skuadër e cila dëshiron që Mourinho të zëvendësoi trajnerin Louis van Gaal, shkruan “Daily Telegraph”.

Ku është Mesi?

Shtypi botëror ka ngacmuar Barcelonën dhe ka ngritur në qiell Atleticon pas ndeshjes që përfundoi me rezultatin 2-0 për bardhekuqtë dhe rrjedhimisht pas eliminimit të katalanasve. “Ku ishte Mesi”? “Nuk kemi lajme nga Leo Mesi”, thotë “Daily Mail”, që shton se as argjentinasi dhe as Neymari nuk janë më ata që kanë qenë para pushimit të kombëtareve.
Ndërkohë, “La Gazzetta dello Sport” thotë se ishte “një mbrëmje e hidhur për Mesin dhe shokët e tij”.
“L’ Equipe” i Francës nënvizon se sërish është Atletico Madrid skuadra që eliminon Barcelonën nga Champions League, ndërsa Griezmann është lideri i saj.
Argjentinasja “Ole” thotë se, bëhet fjalë për një triumf të madh të Atletico Madrid. Po Mesi? Nuk diti, nuk mundi dhe nuk gjeti mënyrën për t’iu kundërpërgjigjur kundërshtarit.
Ndërsa katalanasja “Sport” mendon se arbitri dhe Griezmann e eliminuan Barcelonën: “Atletico, i nxitur nga tifozeria, dukej se do e hante Barcelonën. Në fund, skandali! Rizzoli nuk dha një penallti të pastër për katalanasit”.
Atletiko e Madridit arriti të eliminojë blaugranat pas një ndeshjeje të luajtur me shumë zemër në “Vicente Calderon”, të cilin ekipi i Simeones e fitoi 2-0, duke i hequr lojën dhe idetë Barcës. Griezzman ishte heroi i Atletikos me një dygolësh, njërin prej të cilëve nga pika e bardhë, ndërsa nuk munguan dhe polemikat në fund, pas një topi të prekur me dorë nga Gabi në të 90-ën, të cilën Rizzoli e cilësoi si jashtë zone. Gjithsesi ishte një kualifikim i merituar për Atleticon, që goditi Barcelonën, atëherë kur duhej me francezin që shënoi golin e parë në të 36-ën.
Barca që deri në ato çaste nuk kishte prodhuar asgjë, nuk pati reagimin e duhur dhe Atletico në të 88-ën, shfrytëzoi sërish një zbritje për të fituar një 11-metërsh pas topit të prekur me dorë nga Iniesta. U mbyll gjithçka me polemikat e Barcës me Rizzolin dhe goditjen jashtë të Mesit, me kampionët që u eliminuan e festën që ishte e tëra për Atletikon. Bajerni i Mynihut vuajti vetëm 38 minuta në “Da Luz” për të arritur gjysmëfinalen, pasi vendasit kaluan të parët në epërsi me anë të Jimenezit në të 27-ën, duke ndezur tifozerinë e tyre, por Vidal ashtu si në ndeshjen e parë shuajti shpresat e portugezëve me golin e tij. Vulën e kualifikimit ia vuri Muller me golin e 1-2 në të 52-ën, ndërsa barazimi i Taliscas në të 76-ën nuk ndryshoi përveç shifrave përfundimtare, pasi kualifikimi i Bajernit ishte vulosur tashmë.
Gabi u tregua i sinqertë për rastin e 11-metërshit që kërkuan lojtarët e ekipit katalanas në fundin e takimit, ku vetë mesfushori preku topin me dorë në zonë. “Po, e ndalova topin me dorë. Arbitri e dha faull, unë isha në vijën e zonës, por nuk e di nëse e ndalova topin jashtë apo brenda saj. Arbitrat ka raste që të favorizojnë dhe ka raste që jo. Gjithsesi, nuk duhet të merremi me këtë episod, pasi e merituam kualifikimin”, tha kapiteni i skuadrës së drejtuar nga Simeone.