30.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Si e manipuloi Rama referendumin

Referendumi së pari ka ngjallur hije dyshimi, sepse nga votimi janë përjashtuar së paku 18 mijë socialistë ose gati 20% e zgjedhësve potencialë.
Në korrik të vitit 2015, në një takim me të rinjtë e PS në Jalë, Rama shpalli objektivin e tij për rritjen e anëtarësisë.
Ai tha në atë takim se, objektivi është që nga 100 mijë anëtarë të PS-së deri në atë moment, anëtarësia e PS-së do të shkojë në 150 mijë, në vitin 2017. Pra, me shifrat e vetë Ramës PS ka humbur saktësisht 18428 anëtarë, në raport me korrikun e kaluar dhe të gjithë ata që janë anëtarësuar në fushatën që pasoi nga korriku deri më tani.
Sepse është bërë ky falsifikim kuptohet lehtë: Që referendumi të quhet i vlefshëm duhet që në votime të dalin më shumë se 50% e anëtarësisë. Por frika se mos shumë nga socialistët bojkotojnë, pasi e kanë kuptuar falsitetin e kësaj gare, i ka shtyrë socialistët ta ulin numrin e votuesve?
Po pse kjo frikë nga bojkoti dhe falsiteti i garës?
Sepse për të shkuar deri në referendumin, qëllimi i të cilit ishte të shmangte garën e kreut aktual me kandidat alternative përballë u bë një seri shkeljesh dhe manipulimesh.
Së pari, sepse vetë referendumi ishte i paligjshëm ashtu siç tha vetë në kongres hartuesi i statutit të ri të PS, Fatmir Xhafa. Ai ishte i paligjshëm, sepse normalisht ai nuk mund të kishte fuqi prapavepruese për një garë që duhej bërë tri vite më parë. Por ai ishte i paligjshëm ashtu sikurse tha Xhafa, sepse nëse socialistët e votuan vetë statutin e ri në kongres, atëherë ata këtë nen e kishin miratuar në këtë statut, prandaj 9 prilli ishte i panevojshëm.

Basha: Dalja nga kriza vjen përmes programit të PD

Kryetari i PD, Basha ka reaguar në lidhje me deklaratat e Ramës mbi situatën ekonomike në vend ndërsa ka renditur me shifra situatën dramatike që po kalon vendi ku mjerimi dhe varfëria sa vijnë e shtohen. “Vetëm Borati do të kishte kurajon të fliste për suksese të ekonomisë shqiptare. Por ja që kemi liderin global që e quan sukses faktin se sipas Bankës Botërore, 46.2% e familjeve shqiptare jetojnë me 5 dollarë në ditë, pra janë të varfra. Se konsumi ra 2.3% gjatë vitit 2015 dhe po kështu fuqia blerëse e shqiptarëve. Se papunësia u rrit edhe në tremujorin e fundit. Se në 2015 eksportet ranë 4.9%, importet ranë 1.4%. Se kreditimi në dhjetor 2015 ra 2.3%. Se qeveria nuk mblodhi, por vodhi 400 milionë dollarë taksa dhe akciza në vitin 2015. Se e rriti borxhin në 72.2% për palma, fasada dhe “Jaguarë”” tha Basha.
Kreu i PD thekson se programi i PD është e vetmja alternativë që do të nxisë rimëkëmbjen ekonomike dhe do të nxjerrë vendin nga kriza. “Kjo është kriza e ekonomisë shqiptare dhe e çdo familje të vendit. Por Borati jeton në sukseset e tij personale që janë qindra milionë euro për vete, që janë vilat, luksi e parajsat fiskale. Nuk ka përmirësim, por vetëm përkeqësim me këtë qeveri. Dalja nga kriza dhe një ekonomi e fortë që prodhon, punëson dhe pasuron shqiptarët vjen përmes programit të PD: Taksa të ulëta, liri ekonomike dhe luftë krimit e korrupsionit qeveritar” u shpreh kreu i PD.

Reflektimi i Obamës

Presidenti amerikan Barack Obama thotë se gabimi më i madh i presidencës së tij ishte dështimi për t’u përgatitur për pasojat në Libi pas ndërhyrjes së udhëhequr nga NATO për të përmbysur udhëheqësin e Libisë Moammar Gadhafi në vitin 2011, duke e lënë vendin në kaos. Presidenti Obama reflektoi mbi arritjet dhe dështimet gjatë dy mandateve të tij në Shtëpinë e Bardhë në një intervistë për rrjetin Fox News, duke i thënë gazetarit Chris Wallace se ndërhyrja në Libi për të mbrojtur civilët nga regjimi i Gadafit ishte gjëja e drejtë për të bërë. Pasi udhëheqësi libian u vra, muaj pasi Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane filluan sulmet ajrore, ky vend i Lindjes së Mesme u la në kaos që vazhdon sot e kësaj dite. Milicitë morrën kontrollin duke formuar dy parlamente dhe qeveri rivale dhe Libia u bë një pikë kryesore nisjeje për emigrantët që përpiqen të arrijnë Evropën, duke ndihmuar dhe nxitur krizën e emigracionit në kontinent. Një qeveri e përkrahur nga  Kombet e Bashkuara ka arritur në kryeqytetin Tripoli, por asnjë nga parlamentet rivale nuk e ka mbështetur deri tani zyrtarisht marrëveshjen e ndërmjetësuar nga OKB-ja. Presidenti Obama tha se sot e sheh Libinë si një “vend në kaos” dhe në një intervistë tjetër për revistën Atlantic u shpreh se pas operacionit të Libisë, kryeministrit britanik David Cameron “iu shpërqëndrua vëmendja” nga një sërë ngjarjesh të tjera. Presidenti Obama gjithashtu kritikoi ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy për keqmenaxhimin  e ngjarjeve në Libi pas rrëzimit të Gadafit. Zoti  Obama tha se arritja e tij më e madhe gjatë viteve në Shtëpinë e Batdhë ishte shpëtimi i ekonomisë nga një depresion i madh në vitet 2008 dhe 2009 kur rënia ekonomike ishte më e keqja që nga koha e krizës së madhe të viteve 1930.  Miliona punëtorë u pushuan nga puna, shumë prej tyre madje humbën shtëpitë, duke mos qënë në gjendje të paguanin kreditë, megjithatë ekonomia a SHBA mbetet më e madhja në botë dhe shkalla e papunësisë sot ka rënë në nivele historike. Presidenti Obama, i cili largohet nga detyra janarin e ardhshëm, tha se dita më e mirë e presidencës së tij ishte në vitin 2010 kur kongresi miratoi reformën kombëtare të kujdesit shëndetësor që u quajt “Obamacare”, një plan që u ka dhënë sigurim shëndetësor miliona njerëzve të cilët ishin të pasiguruar për arsye financiare. Shumica e kundërshtarëve republikanë të presidentit demokrat ende e kritikojnë planin Obamacare. Megjithëse ndërmorrën disa përpjekje, ata nuk arritën ta shfuqizonin dhe nuk ishin as në gjendje të binin dakord mbi një plan për ta zëvendësuar atë. Presidenti Obama tha se dita më e keqe e presidencës së tij ishte gjatë vizitës në qytetin e vogël Njutaun, të shtetit Kënektikat, dy ditë pasi një person i armatosur vrau 20 nxënës dhe gjashtë mësues në fund të vitit 2012.

Korrupsion me fondet e rrugës “Pavarësia”, PD padit kryebashkiakun Dako

Partia Demokratike e Durrësit ka denoncuar në Prokurori, Kryetarin e Bashkisë Vangjush Dako.
Denoncimi është bërë nga kryetari Degës së PD të Durrësit, Osman Stafa, për shpërdorim të fondeve për investime publike të rrugës “Pavarësia”. Investimi në këtë rrugë përfundoi vjet, por nuk dihet pse janë akorduar fonde të reja për punimet.
Stafa deklaroi për mediat se janë kryer investime 2 milionë dollarë, të cilat që kanë përfunduar 1 vit më parë dhe tashmë, ai investim është shkatërruar dhe po kryhet një tjetër i ri. Po ashtu, kreu i demokratëve të Durrësit pohoi se po shkatërrohet dhe sezoni turistik.
Prej pak ditësh, ka nisur puna për rehabilitimin e rrugës “Pavarësia” në zonën e Plazhit në qytetin e Durrësit. Banorët e qytetit pohojnë se kanë vënë re mjete të rënda e punëtorë, të cilët kanë bërë rrethtimin e trotuarëve, prishjen e kuadrateve të gjelbërta të lulishteve, vendeve të parkimit si dhe të shëtitores së biçikletave, investim ky që u inaugurua në muajin qershor të vitit 2015, pak ditë përpara zgjedhjeve lokale. Poshtë këmbëve të Urës së Dajlanit është vendosur tabela me të dhënat sqaruese të firmës së ndërtimit, vlerës së projektit dhe kohëzgjatjes së përfundimit të punimeve.
Bëhet e ditur se investitori i projektit, me afat punimesh 9 muaj, është Bashkia e Durrësit. Projekti konsiston në rehabilitimin e të dyja anëve të rrugës “Pavarësia” dhe sistemimet e rrugëve dalëse në Plazh me vlerë rreth 2.2 miliardë lekë. Por investimi i dytë që po bëhet në të njëjtën rrugë, ka pasuar me reagimin e ashpër të banorëve të kësaj zone si dhe të bizneseve në plazhin e Durrësit. Të revoltuar, banorët i kanë kërkuar Bashkisë të bëjë transparencë me fondet publike, por njëkohësisht i kanë bërë thirrje të bëjë transparent projektin. Ata shprehen, se projekti i ri ngushton rrugën me dy korsi dhe heq plotësisht parkingjet anës rrugëve.
Kjo rrugë e rikonstruktuar është inauguruar vitin e shkuar dhe konkretisht shëtitoren e biçikletave, në të cilën u vendosën pemë dhe u bënë lulishte, dhe çuditërisht 7 muaj më pas po i prishin me një ndërtim të ri, për të cilin u investuan miliona të ardhura që e kanë burim nga taksat e qytetarëve.
Për më tepër është absurde të bëhen punime në fillim të sezonit turistik. Kjo do të pasojë me largimin e pushuesve dhe me dëmtimin e biznesve përreth si dhe për vetë qytetin tonë. Po vitin e shkuar në këtë rrugë u ngritën parkingjet, dhe paradoksi qëndron se këtë vit atë çfarë vjet ndërtuan, po prishen këtë vit. Reagime në lidhje me këtë situatë ka patur edhe nga media, duke parashtruar të njëjtat fakte si në këtë kallzim.

Prokuroria: Ndërtimi tek parku vepër penale

Prokuroria e Tiranës nis hetimet për ligjshmërinë e ndërtimit të parkut të fëmijëve te Liqeni Artificial, për akuzën e “ndërtimit të paligjshëm” dhe “shpërdorim të detyrës”. Zyra e shtypit pranë kryeprokruorit Adriatik Llalla konfirmoi këtë fakt për ABC News. Burimet thonë se, regjistrimi i procedimit penal është bërë, pasi nga verifikimi parparak janë konstatuar se ka elementë të veprës penale, çka ka bërë që hetuesit të nisin hetimet.
Kallëzimin në Prokurori për ndërtimin e parkut e kanë bërë përfaqësues të Shoqërisë Civile dhe ato të Partisë Demokratike. Në padinë e bërë në organin e akuzës kërkohej marrja para përgjegjësisë penale të Bashkisë Tiranë, pasi në datën 13.02.2016 ka shkatërruar pronën publike nëpërmjet prerjes së pemëve në një zonë që ka një status mbrojtjeje siç është Parku i Liqenit Artificial në hyrjen perëndimore pranë digës. Investitori Bolles+Willson është personi i kontraktuar nga Bashkia Tiranë me projektin pilot që mban datën  25.09.2015. Kjo zonë mbasi është rrethuar me një rrjetë, më pas i janë prerë disa pemë që i shërbejnë Parkut të Liqenit Artificial Tiranë që bie në kundërshtim me shkresën e Fondit të Zhvillimit, i cili përcakton se projekti nuk duhet të presë asnjë pemë.
Në padinë e Shoqërisë Civile thuhej se, kemi të bëjmë me një projekt që prish dhe zhbalancon ekosistemin e zonës nëpërmjet prerjes së pemëve dhe punimeve në tokë, pasi do të këtë masa të mëdha betoni. Ky projekt nuk mund të bëhet pa u bërë masterplani i Parkut të Liqenit Artificial dhe Plani i Përgjithshëm i Tiranës, pasi është i vetmi Park në një qytet prej 1 milion banorësh dhe i një rëndësie të veçantë. “Kemi të bëjmë me shkatërrim të pronës publike Neni 150, nëpërmjet prerjes së pemëve dhe drurëve dekorativë përaktësisht Neni 205 dhe 206 i Kodit Penal, si dhe shpërdorim të detyrës Neni 248 KP, jo vetëm nga Bashkia Tiranë, por edhe palët e nënkontraktuara nga ajo në mënyrë aktive me dashje të drejtpërdrejtë”, thuhej në padinë ndaj Bashkisë së Tiranës.
E gjithë shpërfaqja, e cila do të betonizohet tek Parku i Liqenit është 4 hektarë ose 40 mijë metra katrorë. Zona e përzgjedhur për këtë betonizim parashikon lokal dhe restorant, ndërsa është zgjedhur zemra e parkut, ku përfshihet zona nga poshtë kishës në këtë park vazhdon deri tek diga dhe shtrihet poshtë deri pranë liqenit. Nga ky projekt betoni, parashikohet prerja e më shumë se 300 pemëve, ndërsa sipërfaqja e gjelbërt do ja lërë vendin betonit.
Shoqëria Civile denoncoi para pak ditwsh përmes fotosh betonizimin e Parkut të Liqenit Artificial. Bashkia ka ngritur një zonë të rrethuar me mur betoni, e ngjashme me gropën e ndonjë pallati në ndërtim. Betonieret e Bashkisë kanë hedhur beton për ndërtimin e një muri më shumë se 3 metër të lartë dhe me gjatësi prej disa metrash. Nuk dihet me saktësi se sa metër kub hekur e beton janë hedhur në këtë zonë, por fakti është se Parku i Liqenit është betonizuar, ashtu siç ishte paralajmëruar nga opozita dhe Shoqëria Civile.

Vritet vëllai i të ekzekutuarit që ruhej me policë në Elbasan

Një tjetër vrasje ka tronditur dje qytetin e Elbasanit. 40-vjeçari Saimir Beqiri është gjetur i vrarë mëngjesin e djeshëm në një lokal përgjatë aksit Elbasan-Metalurgji, në fshatin Katund i Ri. Burime nga policia lokale bënë të ditur se viktima është vrarë, pasi ka plagë me armë zjarri në trup. Bëhet e ditur se autorët e vrasjes kanë qenë dy persona me paruke dhe lëviznin me “Benz” “Elegancë”. Dyshohet se vrasja mund të jetë kryer gjatë natës në lokal. Në oborrin e lokalit ku u gjet i ekzekutuar 40-vjeçari, aty pranë ndodhet edhe një karburant që është në pronësi të tij. Sajmir Beqiri ishte babai i tre fëmijëve dhe merrej me biznes. Ai zotëronte një pikë karburanti dhe merrej me tregti ushqimore.
Mësohet se viktima Saimir Beqiri 40 vjeç, është vëllai i Gentian Beqirit, i cili u ekzekutua me silenciator në banesë në vitin 2012, teksa ruhej nga policët, pasi ishte në “arrest shtëpie”. Ndërsa rreth 1 orë më vonë, po atë ditë i ati gjeti vdekjen pas një infarkti të pësuar nga tronditja. Gentian Beqiri, apo siç njihej ndryshe me emrin Ardian Meta, ndodhej në arrest shtëpie prej rreth 2.5 vitesh, pasi dyshohej si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005. Policia e Elbasanit bëri të ditur se, viktima e djeshme ishte person me precedent të mëparshëm penalë.

Si u ekzekutua biznesmeni Sokol Çapja në vitin 2005

Gentian Beqiri, i cili kohët e fundit kishte ndërruar identitetin dhe njihej me emrin Ardian Meta, është arrestuar pak muaj pas vrasjes së biznesmenit elbasanas, Sokol Çapja. Sipas Prokurorisë së Elbasanit, në bazë të sigurimit të provave shkencore dhe analizës së ADN-së, dyshohej që Beqiri të ishte një nga autorët e vrasjes së Çapjas. Prokurori Elvin Gokaj kishte kërkuar dënimin me 25 vjet burg të Gentian Beqirin, por Gjykata kërkoi dy herë rigjykim të tij, dhe dy vite e gjysmë më parë vendosi për të masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.
Ngjarja për të cilën akuzohej 40-vjeçari ka ndodhur 7 vite më parë. Biznesmeni 33-vjeçar, Sokol Çapja u ekzekutua mbrëmjen e 26 dhjetorit të vitit 2005, nga të paktën tre persona të armatosur dhe me maska në lokal. Atentatorët qëlluan në drejtim të tij disa herë me pistoleta dhe me automatik “Skorpion”. Pas ngjarjes, policia deklaroi se autorë të atentatit ishin Dritan Sheme, Armando Hasani dhe Gentian Beqiri (Meta).
Pas kësaj vrasjeje, në kohë të ndryshme ndodhën një varg ngjarjesh misterioze. Oficeri i Policisë Rrugore, Fadil Mema, u plagos me armë në këmbë në një atentat të ngritur nga dy persona, në afërsi të shtëpisë së tij. Ndërsa familja Çapja sipas policisë kishte akuzuar Memën si organizator të atentatit.
Të dy familjet kishin lidhje të ngushta miqësore mes tyre. Pas plagosjes, policia ndaloi një nga nipat e Sokol Çapjas dhe një person tjetër. Por, Prokuroria nuk provoi se ai ishte i përfshirë në atentatin ndaj Fadil Memës. Pas pak kohësh u ekzekutua në autoshkollën e Fadil Memës kunati i tij, Ardian Ibrahimi. Një nga të akuzuarit, Gentian Beqiri (Meta) u kap nga policia, ndërsa tentoi të arratisej për në Greqi. Gjatë operacionit, ai u plagos në njërën këmbë. Pas kapjes së Gentian Metës, u vra në rrethana misterioze në Tiranë, Dritan Sheme.

Historia/ Familja e Saimir Beqirit e vrarë në atentate

Vrasja e mëngjesit të sotëm në Elbasan dyshohet se është pasojë e një zinxhiri ekzekutimesh mes një hasmërie të vjetër në qytet. Dyshohet se porosia për vrasjen e Saimir Beqirit është marrë përsipër nga vrasës me pagesë, pasi asnjë dëshmitar i zonës nuk ka mundur të identifikojë personat që e ndoqën. Dyshohet se ai është tërhequr në një ambjent të veçuar nga ekzekutorët dhe më pas është qëlluar për vdekje.
40-vjeçari është vëllai i Gentian Beqirit, i vrarë 4 vite më parë brenda në shtëpinë e tij, ndërsa qëndronte në masë arresti, i ruajtur nga policët. Bashkë me të, brenda në shtëpi, u vra edhe babai i tij. Në gusht 2012, Gjykata kishte vendosur për të “arrest shtëpie”, ku e ruanin dy policë, por vrasësit arritën të futen brenda, në sy të policisë, dhe e vranë në gjumë.
Në atë kohë, fillimisht u tha se babai i viktimës, dëshmitar i vetëm i ngjarjes, pësoi atak kardiak dhe vdiq një orë pas ngjarjes, pasi nuk mundi ta përballojë traumën që i shkaktoi vrasja e të birit.
Por më pas, Prokuroria sqaroi se babai kishte vdekur si pasojë e plagëve të marra.
Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Qemal Stafa” të Elbasanit. Viktima Gentian Beqiri, apo siç njihej ndryshe me emrin Ardian Meta, ndodhej në arrest shtëpie prej rreth 2 vitesh e gjysëm, pasi dyshohej si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005.
Viktima 40 vjeç, kishte më shumë se 6 vjet që ishte thuajse i paralizuar, pasi në tentativë për t’i shpëtuar policisë, u hodh nga një lartësi e konsiderueshme në Komisariatin e Sarandës, ku ai ishte arrestuar gjatë një tentative për të kaluar kufirin.
Pak para se të ndodhte krimi, nëna e viktimës ka dalë për të bërë pazar. Ka qenë pikërisht ky moment i shfrytëzuar nga autorët, të cilët duket se kishin menduar mjaft mirë edhe dialogun që do të bënin me policinë, në mënyrë që të arrinin të futeshin pa telashe në banesën e shënjestrës së tyre.
Fillimisht ata janë përballur me efektivin që ruante te porta hyrëse e pallatit. Por ata kanë arritur të ngjisin shkallët pa asnjë problem. Duket që polici ka menduar se dy personat e panjohur ishin mysafirë të ndonjë fqinji të personit që kishte nën ruajtje.
Më tej, kur janë ngjitur në katin e pestë janë përballur me policin e dytë. Ata kanë nisur të flasin shumë miqësisht me të, duke iu prezantuar si djem të tezes së Gentian Beqirit.
Njëri nga autorët ka pyetur policin roje nëse ishte “tezja” në shtëpi, teksa i ka bërë me shenjë që bëhej fjalë për hyrjen ku banonte familja Beqiri. Por ai u ka thënë dy të panjohurve se e zonja e shtëpisë sapo kishte dalë në treg për të bërë pazar.
Në këtë moment, njëri prej tyre ka vazhduar dialogun, duke i thënë policit roje se po shkonin të takonin “djalin e tezes”, Gentianin, pasi kishin kohë pa e takuar.
Autori i ka rënë derës së banesës, të cilën e ka hapur i babai i moshuar i viktimës, Nezir Beqiri. Dera e banesës ishte në një kthinë të sheshpushimit ku qëndronte polici roje, i cili siç mësohet nuk ka vënë re asgjë të pazakontë.
Vetëm pak minuta ka zgjatur “vizita” e dy personave, të cilët kanë dalë nga banesa me hapa krejt normalë. Pasi kanë zbritur shkallët, ata kanë kaluar edhe policin e dytë roje. Ky i fundit, i habitur nga vizita e shpejtë, i ka pyetur se pse kishin qëndruar aq pak.
Por pikërisht në këtë moment është zbuluar çfarë kishte ndodhur, pasi të dy personat kanë vrapuar, duke u futur nëpër rrugicat e lagjes. Policët kanë shkuar me të shpejtë në vend dhe konstatuan vrasjen e personit që ata e ruanin prej 2.5 vitesh, ndërsa përtokë pa ndjenja ishte edhe babai i tij, Nezir Beqiri, i cili dyshohet se është qëlluar në kokë me qytën e pistoletës që të mos jepte alarmin e krimit.
Sipas Policisë, vrasja është kryer me pistoletë me silenciator, ndërsa viktima ka marrë disa plumba në kokë dhe në trup. Dyshohet se në momentin e ngjarjes 40-vjeçari ndodhej ende në gjumë.

Policia e arrestoi me dhunë si protestues, Metko: Ja provat që nuk isha në protestë

Geraldo Metko denoncon se si forcat e policisë të urdhëruara nga Saimir Tahiri e rrëmbyen të hënën e 28 marsit, ditë kur qindra qytetarë e të rinj të mbështetur edhe nga përfaqësues të opozitës zhvilluan një protestë tek Parku i Liqenit kundër projektit Veliaj për betonizimin e parkut. Metko tregon dhe fakton se atë ditë ai nuk ka qenë pjesë e protestës, por ka qenë në shkollë. Denoncimi i Metkos është publikuar dje nga ish-Kryeministri Berisha. “Jam Geraldo Metko, një nga të arrestuarit për protestën e fundit. Kam qenë prezent në çdo protestë të PD, por protestën e fundit nuk munda të isha i pranishëm sepse kam qenë në shkollë duke plotësuar formularin A1 për shkollë të lartë. Pasi dal nga shkolla lidhem me miqtë e mi në telefon dhe më thanë që protesta mbaroi, por jemi ulur te kafe ‘How High’. Arrita te kafja dhe sapo u ula vijnë persona të maskuar që më vonë u mor vesh që ishte policia sepse menduam se ishte rrëmbim. Më marrin me forcë duke më dhunuar dhe nga sharjet më të ndryshme më fusin në furgon. Arrijmë te Drejtoria e Policisë dhe nuk më japin të drejtën të lajmëroj familjarët dhe avokatin. Nuk më morën dëshmi, vetëm më thoshin: ‘Firmos këtu shpejt’, sikur kisha bërë vrasje apo vjedhje. Më pas ditën e fundit nuk na lejuan as ushqimet nga familjarët dhe u detyruam të hanim çfarë na kishte ngelur. Dua t’ju falënderoj përzemërsisht z. Berisha për mbështetjen tuaj dhe dua t’ju them që këto na bënë më të fortë dhe më të vendosur për të larguar njëherë e përgjithmonë këtë qeveri që tashmë ka rënë. Kjo është dhe fotoja që tregon orarin dhe datën që unë isha në shkollën ‘PNL’”.

Që Bolino të lehë, Rama i jep biznesin e BunkArt

Qeveria shqiptare ka lidhur një kontratë qiraje me një OJF të quajtur “Qendra URA” dhe i ka kaluar kësaj të fundit në administrim veprën e famshme të BunkArt, ish-bunkerin për mbrojtje atomike që në vitin 2014 u shndërrua në një muze turistik.
Siç sugjerojnë të dhënat e vetë OJF-së “Qendra URA”, kjo OJF drejtohet nga zonjat Admirina Peçi- kërkuese historike dhe Irma Gordani- financiere.
Zonja Peçi është redaktore në median “Report-Shqiptarja.com” të biznesmenit italian Carlo Bolino, ndërsa znj. Gordani ka qenë përfaqësuese ligjore e televizionit të Bolinos.
“HashtagAL” kontaktoi Ministrinë e Kulturës për të marrë më tepër të dhëna lidhur me kontratën në fjalë, por nga kjo ministri na u tha se nuk kishte asnjë lidhje me kontratën.
Më pas kontaktuam Ministrinë e Mbrojtjes, këta të fundit kërkuan kohë për t’u interesuar në lidhje me detajet e kontratës pa specifikuar nëse kontrata ishte lidhur ose jo me këtë ministri.
Më pas “HashtagAL” kontaktoi me OJF-në “Qendra URA”, duke kërkuar specifikime mbi këtë kontratë për administrimin si biznes të BunkArt, OJF-ja premtoi një përgjigje pa lënë afate.
Historia e BunkArt nis në vitin 2014, kur një projekt i përbashkët 3-mujor i Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Mbrojtjes akordoi 100 mijë dollarë për shndërrimin në muze turistik të ish-bunkerit atomik.
Kompania që realizoi asokohe punimet ishte “Spazio Eventi Albania”, kjo kompani ishte e lidhur me biznesmenin italian Bolino.
Nga janari 2015 deri në marsin e vitit 2016, BunkArt-i u administrua nga Ministria e Mbrojtjes. Por në muajin mars 2016, administrimi i ka kaluar OJF-së së kontrolluar nga Bolino, “Qendra URA”.
Madje të dhënat sugjerojnë se Bolino në muajt janar-shkurt 2016 ka acaruar marrëdhëniet me qeverinë Rama.
Gazeta e tij “Shqiptarja.com” nisi një seri artikujsh ofensivë sidomos për ndërtimin tek liqeni të një pallati që dyshohet si i biznesmenit Samir Mane. Bolino nisi të thumbonte edhe kryebashkiakun Veliaj për çështjen e taksave të bizneseve.
Në muajin mars, sulmet e Bolinos janë ndalur si me komandë, madje vetë Bolino në këtë kohë bëri një editorial ku e quante protestën tek Parku i Liqenit si një protestë hipokrite.
Duket se z. Bolino ka të tjera ide se si duhet të jetë shoqëria civile, për shembull OJF-ja e kontrolluar prej njerëzve të tij, “Qendra URA”, ka marrë së fundmi biznesin turistik të BunkArt, por rezulton se kjo OJF ka fituar dhe dy projekte të tjera në AMSHC me fondet e qeverisë.
Kalimi i BunkArt në administrim privat ka qenë një operacion i kryer në mungesë të plotë transparence dhe i pashpallur nga autoritetet publike, siç ligji e kërkon. Nuk ofrohet asnjë e dhënë nëse ka pasur garë për këtë kontratë.
Në muajin mars, në faqen zyrtare të BunkArt në Facebook, pas një viti mungese aktiviteti, nisën postimet e para.
Bëhej thirrje për të rekrutuar vajza të reja që do të shërbenin për administrimin e BunkArt, si dhe u paraqitën çmimet e vizitave për turistët, ku biletat variojnë nga 150 lekë deri në 500 lekë.
Duket se BunkArt, nga një simbol i shndërrimit të bunkerit atomik në qendër turistike, po kthehet në simbol të shndërrimit të një projekti kombëtar në marifet për të kapur median dhe për të favorizuar botuesit mediatikë si z. Bolino.

Rama i dha Bolinos realizimin e projektit në 2014

BunkArt është bunkeri i fshehtë i diktatorit Enver Hoxha i bërë publik nga Rama vitin që ky projekt u rehabilitua. Pas këtij projekti, fshihet një aferë qindra milionë lekë mes Ramës dhe një prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë mediatikë, Karlo Bolino, i cili njihet si një nga njerëzit që prej vitesh i ka shërbyer dhe i shërben Ramës me mediat e tij. Tashmë, Rama po e shpërblen duke i dhënë kompanisë së Bolinos tendera në organizimin e aktiviteteve të ndryshme siç është edhe rasti i BunkArt. Punimet mbi këtë projekt nisën vitin e kaluar në fshehtësi të plotë, pasi qeveria nuk shpalli dhe nuk bëri publik asnjë tender. Bolino ka përfituar dhe ka futur në xhepin e tij një shumë të majme për këtë projekt, duke u marrë tërësisht me çdo detaj të brendshëm dhe të jashtëm të rehabilimit të bunkerit, vendosjen e instalacioneve atje dhe shndërrimin e tij në një muze arti, përfshirë këtu edhe organizimin e aktivitetit në ceremoninë zyrtare të hapjes së bunkerit nga Rama. Nga ana tjetër, Bolino është duke u marrë dhe me fushatën publicitare të këtij projekti, duke favorizuar mediat e majta për të përfituar reklama e spote të ndryshme publicitare. Me ardhjen e Ramës në pushtet, Bolino përveç mediave të tij nisi të aktivizohej fuqishëm duke përfituar fonde marramendëse nga ministri të ndryshme në organizimin e aktiviteteve apo fushatave të ndryshme të qeverisë. Më e fundit është ajo e muajit tetor të 2014, ku kompania e Bolinos fitoi fondin prej 300 mijë dollarësh për fushatën e qeverisë në luftën kundër kancerit të gjirit.

A e kanë statusin e refugjatit muxhahedinët iranianë dhe a janë regjistruar lëvizjet e tyre?

Partia Demokratike kërkon informacion dhe transparencë nga Kryeministri në lidhje me masat e marra për pritjen dhe trajtimin e shtetasve iranianë, ish-anëtarë të organizatës MEK. Duke e vlerësuar partneritetin strategjik me SHBA dhe duke garantuar mbështetjen maksimale të objektivave të përbashkëta, PD e konsideron këtë çështje si të rëndësishme në fushën e sigurisë kombëtare dhe kërkon të dhëna të plota mbi ecurinë e procesit.
Zëvendëskryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Flamur Noka, ka depozituar dje në Kuvend kërkesën për informacion për masat e marra, për kapacitetet pritëse, për standardet e ofruara, për trajtimin e tyre. Noka kërkon gjithashtu numrin e saktë të personave të mbërritur, sa pritet të vijnë dhe afatet kohore. A e kanë statusin e refugjatit, a janë regjistruar lëvizjet e tyre, etj.
“Prej disa kohësh mediat e vendit dhe të huaja kanë shkruar mbi trajtimin në vendin tonë të rreth 3000 shtetasve iranianë, ish-anëtarë të organizatës MEK. Duke vlerësuar partneritetin strategjik me SHBA dhe mbështetjen maksimale të objektivave të përbashkëta në kuadër të këtij partneriteti, ne vlerësojmë në vazhdimësi çdo hap që hidhet në këtë drejtim. Nisur nga fakti se kemi të bëjmë me një aspekt të rëndësishëm në fushën e sigurisë kombëtare dhe një çështje me ndjeshmëri për opinionin publik, kërkojmë të informohemi si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë lidhur me ecurinë e procesit të trajtimit të individëve MEK dhe përgatitjen në vijim nga ana e strukturave tona shtetërore për pritjen e tyre. Për këto arsye, në cilësinë e zv.kryetarit të Komisionit të Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë kërkoj që ju si kreu i ekzekutivit të na informoni në mënyrë të detajuar për masat e marra në vijimësi për rritjen e kapaciteteve pritëse, standardet e ofruara, mbrojtjen dhe trajtimin e tyre”, thuhet në kërkesën e depozituar nga Noka.
Konkretisht, janë katër pika që Partia Demokratike parashtron si kërkesë për informacion nga Komisioni i Sigurisë. Së pari, PD citon se sipas raportimeve numri i personave të mbërritur deri tani është 1220, në grupe 20-25 veta. Pyetja që shtron PD është: Sa i vërtetë është ky fakt dhe cilat janë masat e marra për strehimin e tyre? Cili është niveli i masave të sigurisë ndaj tyre dhe a janë nën mbikëqyrjen e organeve të specializuara? Sa persona të tjerë pritet të mbërrijnë dhe në çfarë kornize kohore?
Së dyti, PD thekson se nëse kanë aplikuar dhe/ose fituar statusin e refugjatit dhe nëse janë pajisur me dokument udhëtimi nga Ministria e Brendshme. Sipas raportimeve disa nga këta persona kanë shkuar në kampin e ngritur në Francë. Pyetja që shtrohet është: Nëse kjo është e vërtetë, me çfarë dokumentesh kanë udhëtuar dhe a janë regjistruar lëvizjet e tyre në sistemin TIMS?
Gjithashtu, në pikën e tretë PD ngre shqetësimin nëse a ka apo jo një mbështetje financiare dhe nga cilat organe mbulohen këto kosto? A ka një bashkëpunim me UNHCR apo organizma të tjerë të huaj që operojnë në vendin tonë?
Dhe së katërti, kërkohet transparenca nëse ka ndryshime në përcaktimet e mëparshme lidhur me kohëqëndrimin në vendin tonë apo për faktin nëse do të përfitojnë shtetësinë shqiptare.

4 pikat që kërkohet të bëhet transparencë

Sipas raportimeve numri i personave të mbërritur deri tani është 1220, në grupe 20-25 veta. Sa i vërtetë është ky fakt dhe cilat janë masat e marra për strehimin e tyre? Cili është niveli i masave të sigurisë ndaj tyre dhe a janë nën mbikëqyrjen e organeve të specializuara? Sa persona të tjerë pritet të mbërrijnë dhe në çfarë kornize kohore?
Nëse kanë aplikuar dhe/ose fituar statusin e refugjatit dhe nëse janë pajisur me dokument udhëtimi nga Ministria e Brendshme. Sipas raportimeve disa nga këta persona kanë shkuar në kampin e ngritur në Francë. Nëse kjo është e vërtetë, me çfarë dokumentesh kanë udhëtuar dhe a janë regjistruar lëvizjet e tyre në sistemin TIMS?
A ka një mbështetje financiare dhe nga cilat organe mbulohen këto kosto? A ka një bashkëpunim me UNHCR apo organizma të tjerë të huaj që operojnë në vendin tonë?
A ka ndryshime në përcaktimet e mëparshme lidhur me kohëqëndrimin në vendin tonë apo për faktin nëse do të përfitojnë shtetësinë shqiptare?

Kokëdhima shkatërron detin për sarajet e tij

Partia Demokratike e Vlorës denoncon punimet e paligjshme që po zhvillohen në bregdetin e Qeparos, te ato që njihen si sarajet e Koço Kokëdhimës. Dhjetra automjete po ndërhyjnë në këtë plazh të bukur të bregut, në mënyrë të paligjshme duke shkatërruar ekosistemin. Kryetari i PD-së së Vlorës, Moisi Meminaj u shpreh se ky ndërtim mishëron qeverisjen e Edi Ramës dhe Koço Kokëdhimës, ku qytetarët e thjeshtë futen në burg për vendosjen e një tjegulle, ndërsa Koço prish ekosistemin për interesat e veta.  “Jemi sot këtu për të bërë denoncimin ndaj kësaj qeverie, të korrupsionit të kësaj qeverie, të keqqeverisjes së kësaj qeverie. Mund të shikoni që këtu është kështjella e radhës e Koço Kokëdhimës, pashait të jugut. Ju mund të shihni që një qytetar i thjeshtë nuk ndërron dot një dritare, Koço jo vetëm ndërton kështjella por grabit pasurinë kombëtare, prish zhavorin e detit, e merr këtë zhavor dhe e përdor për kështjellën e tij duke prishur të gjithë ekosistemin mjedisor dhe të detit. Kjo është qeveria, ky është Koço Kokëdhima, ky është Edi Rama. Ne e kemi denoncuar këtë objekt si të paligjshëm prej dy vitesh. Qytetari i thjeshtë nuk vendos dot një tjegull ndërsa Koço mund të bëjë bëjë gjithçka, është Pashai, është komisari i dritës së jugut”, tha Meminaj. Më herët, anëtarë të Partisë Demokratike në Himarë lyen me bojë parrullat e sistemit komunist të restauruara nga qeveria në fshatin Kudhës, pranë zonës ku do pleqërojë Rama me Kokëdhimën. Parrulla si “Rroftë udhëheqësi ynë i dashur Enver Hoxha” etj, ishin rivendosur në një godinë publike në këtë fshat. “Dy vitë më parë Partia Demokratike denoncoi në këtë vend parrullat e udhëheqësit më të dashur të Koços dhe Edi Ramës. Sot jemi këtu për të denoncuar dhe vepruar konkretisht kundër projektit të rilindjes urbane që këtu është një rilindje urbane për të rilindur Enver Hoxhën. Nga ky vend ku po fshijmë Koçon dhe kompani, do ti fshijmë edhe në 2017 me votën e lirë”, tha Meminaj.