Procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave mbetet një çështje e ndjeshme, për qeverinë dhe mjaft delikate për të zgjidhur. “Nuk ka ende një inventar për vendimet e marra gjatë periudhës 1993 deri në shtator 2013. Gjithashtu, ka të dhëna të pamjaftueshme për detyrimin financiar të shtetit për kompensimin e të gjitha pronave të shpronësuara”, konstaton qeveria në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe integrim 2015-2020. Gjithsesi, për herë të parë në 20 vjet, Shqipëria ka tani një numërim të saktë të dosjeve në arkivat e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe vendi është shumë pranë vlerësimit të kostos së plotë të kompensimit të pronarëve të pronave të shpronësuara. Megjithatë, mungesa e një fondi real, fizik dhe financiar e ka penguar procesin e kompensimit të ish-pronarëve. Gjatë periudhës dyvjeçare 2013-2014, i është kushtuar vëmendje automatizimit ose dixhitalizimit të indeksimit të të dhënave, skanimit të vendimeve administrative dhe gjyqësore, si edhe materialeve hartografike. Aktualisht, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) po punon për krijimin e Regjistrit Elektronik të Kompensimeve, i cili do të përmbajë të gjitha vendimet ekzistuese që njohin të drejtën e pronës/kompensimit.
Të dhënat do të merren nga 1993 deri më tani. Ky regjistrim ka përfunduar në dhjetor të 2014 dhe finalizimi i proçesit të regjistrimit shihet si një hap i rëndësishëm për nxjerrjen e kostos të përgjithshme financiare të kompensimit, thuhet në dokumentin qeveritar për reformën e pronësisë. Me urdhër të Kryeministrit nr. 154, datë 17 prill 2014, “Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për identifikimin e pronave shtetërore që do të përdoren për kompensime fizike”, u ngrit një grup pune për të identifikuar tokat bujqësore që do të vihet në dispozicion të AKKP-së për kompensimin financiar të pronarëve të pronave të shpronësuara. Megjithëse proçesi i legalizimeve ka nisur në 2004, ai nuk ka përfunduar ende. Legalizimi i ndërtimeve rezultoi në përfundimin e rreth 52.115 ndërtesave deri në fund të majit 2015, plus edhe 420.000 ndërtesa të tjera, të cilat janë në proçes legalizimi.
Në pesë vitet e ardhshme në fushën e të drejtave të pronësisë synohet mbrojtja e të drejtës së qartë të pronësisë dhe eliminimi e pasigurisë ligjore dhe shihet nga qeveria si një çështje e ndërthurur dhe parakusht për konsolidimin e shtetit ligjor, zhvillimin ekonomik, tërheqjen e investimeve të huaja, dhe për plotësimin e kritereve për integrim në BE. Megjithatë, problemet vazhdojnë të ekzistojnë, duke qenë se mekanizmat për sigurimin e të drejtave të pronësisë i bëjnë bisht zgjidhjes përfundimtare të saj, thuhet në dokumentin qeveritar. Reforma për Tokën është gjithashtu një nga sektorët kyç të reformave të qeverisë. “Strategjia sektoriale për reformën në të drejtat e pronësisë 2012-2020”, është miratuar në qershor 2012, ndërkohë që është parashikuar përgatitja e një dokumenti të ri. Reforma në sektorin e tokës është me natyrë afatgjatë. Hapat fillestare në këtë proçes afatgjatë përfshijnë përfundimin e regjistrimit fillestar të pasurive të patundshme, i cili do të garantojë siguri të plotë të titujve të pronësisë. Gjatë këtyre viteve të fundit, regjistrimi fillestar ka përfunduar në 2.633 zona kadastrale, ose në rreth 86% të numrit të përgjithshëm prej 3.058 zonash. Gjithashtu, regjistrimi fillestar përfundoi për 3.298.000 tituj pasurish të patundshme (82,5% të numrit të përgjithshëm). Regjistrimi fillestar mbetet të përfundojë plotësisht me mbështetjen e sistemit, duke qenë se përditësimi i të dhënave sapo ka filluar. Aktualisht, vetëm 330 mijë tituj pronash të patundshme ose 10% të numrit të përgjithshëm janë përditësuar.
Qeveria nuk ka pas toka të lira dhe as para për pronat
Statusi i gruas është përkeqësuar nga varfëria, papunësia e inkriminimi
Statusi i gruas në Shqipëri është dobësuar në mënyrë dramatike, pasi ato po vuajnë varfërinë e thelluar, largimet e padrejta nga puna, eksodin masiv. Ky raportim u bë nga kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, deputetja Albana Vokshi në konferencën e zhvillur në Pragë me temë: “Gratë, çelësi i integrimit”, ku merrnin pjesë Presidentja e Forumit të Gruas në Partitë Popullore Europiane, Doris Pack, deputete të Parlamentit Europian, deputete dhe politikane të vendeve të rajonit dhe BE, studente, organizata joqeveritare, etj.
Deputetja Vokshi tha se politikat antisociale të ndjekura në Tiranë në këto tri vitet e fundit kanë kthyer pas reformat integruese, kanë thelluar varfërinë dhe kanë rritur me 50% papunësinë ndër gra dhe vajza. Më 2015, mbi 100 mijë shqiptarë ikën si refugjatë ekonomikë në Gjermani dhe mbi 200 mijë të tjerë aplikuan për lotarinë amerikane, tha Vokshi. Duke iu referuar raportit të fundit të Bankës Botërore, deputetja Vokshi deklaroi se rreth 47% e popullsisë në Shqipëri jeton me më pak se 5 dollarë në ditë, borxhi publik është rritur në 73.3% dhe shqiptarët paguhen 10% më pak se tri vite më parë. Duke folur për statusin e gruas në Shqipëri, Vokshi deklaroi se propaganda e numrave në qeverinë Rama me gra ministre është fasada e përkeqësimit të të drejtave ekonomike, sociale dhe politike të grave dhe vajzave. Spastrimet politike të grave dhe vajzave në administratë dhe kërcënimet e kandidateve gra për të lënë mandatet në Parlament për banditët e Kryeministrit Rama janë faktet publike të shtypjes së të drejtave të grave.
Në Konferencën e Pragës, deputetet e Parlamentit Europian dhe përfaqësueset e parlamenteve të vendeve kandidate në BE diskutuan edhe për planin e mbështetjes së refugjatëve të luftës. Deputetja e Parlamentit të Shqipërisë, Albana Vokshi deklaroi se qeveria e Shqipërisë duhet të angazhohet me urgjencë në një plan strehimi për refugjatët nga Siria, si një bashkërendim i aksioneve humanitare të të gjitha vendeve të Bashkimit Europian. Shqiptarët, tha deputetja Vokshi, nuk kanë harruar mikpritjen e vendeve europiane gjatë eksodit të ‘90-tës, ku mbi 1 milion bashkëkombas u larguan nga Shqipëria pas rënies së regjimit më të egër diktatorial në Evropë.
Rritja e borxhit të jashtëm
I gjithë borxhi i jashtëm i ekonomisë së vendit (publik dhe privat) u rrit gjatë vitit 2015 me 702 milionë euro ose 9.2 për qind. Banka e Shqipërisë, duke raportuar për zhvillimin e borxhin të jashtëm bruto, njoftoi se në fund të tremujorit të katërt të vitit 2015 vlera e borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë ishte 7,630 milionë euro. Vetëm gjatë tremujorit të fundit, stoku i borxhit u rrit me rreth 238 milionë euro, ndërsa në krahasim me fundin e tremujorit të katërt të vitit 2014, stoku është rritur me 702 milionë euro. Autoriteti Qendror Bankar raporton se, rreth 79% e stokut të borxhit të jashtëm është borxh afatgjatë kryesisht në formën e huave, ndërsa pjesa tjetër është borxh afatshkurtër kryesisht i marrë nga sektori bankar. Sektori i qeverisë së përgjithshme zotëron pjesën kryesore të borxhit të jashtëm me rreth 43% të vlerës së përgjithshme. Pjesa tjetër është e shpërndarë midis bankave (17%), sektorëve të tjerë (17%), autoritetit monetar (1%) dhe si hua midis kompanive (22%). Sektori me peshën më të madhe në stokun e borxhit të jashtëm mbetet sektori i qeverisë së përgjithshme. Në fund të periudhës, borxhi i jashtëm i këtij sektori ishte rreth 3,293 milionë euro ose rreth 24% më i lartë ndaj një viti më parë.
Zhgënjen rritja ekonomike, mungojnë 40 milionë euro
Programi i qeverisë shqiptare për rimëkëmbje ekonomike mori një goditje tjetër dje (11 prill), pasi Instituti i Statistikave deklaroi se vlerësimi paraprak për rritjen ekonomike 2015 rezulton vetëm 2.6 për qind, nga mbi 3 për qind që pati parashikuar qeveria në janar 2015.
Instituti i Statistikave njoftoi se, Prodhimi i Brendshëm Bruto për tremujorin e katërt të vitit 2015 u rrit me 2.1 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014, i ushqyer nga rritja në sektorin e ndërtimit, (konkretisht hidrocentrali i Devollit), ndërsa sektorë të tjerë të rëndësishëm të ekonomisë patën ecuri të keqe, përfshirë bujqësinë, e cila pësoi rënie neto prej 0.9 për qind.
Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë është aktualisht 10.3 miliardë euro. Ngadalësimi i ritmit të rritjes nga 3, në 2.6 për qind, siç ndodhi gjatë vitit të kaluar, përbën një diferencë prej 40 milionë eurosh më pak.
Parashikimi doli huq
Qeveria shqiptare i kryen planifikimet e veta në bazë të një dokumenti të titulluar “Kuadri Makroekonomik e Fiskal”. Dokumenti i miratuar në janar 2015, parashikonte rritje ekonomike në masën 3 për qind për këtë vit dhe rritje ekonomike 4 për qind për vitin 2016. Por rimëkëmbja ekonomike nuk shkoi siç shpresohet dhe parashikimi i ri i kryer në janar të këtij viti, flet për rritje ekonomike prej 2.6 për qind në vitin 2015 dhe 3.4 për qind në vitin 2016.
Rritje e pashëndetshme
Të dhënat e Institutit të Statistikave të publikuara dje tregojnë se, rritja ekonomike e vitit të kaluar është shkaktuar para së gjithash nga sektori i ndërtimit, ku zgjedhjet për pushtetin vendor dhe investimet paraelektorale të qeverisë patën një rol kyç, krahas një projekti masiv ndërtimi në jug të vendit i njohur si Hidrocentrali i Devollit.
Zgjedhjet për pushtetin vendor në Shqipëri u zhvilluan në qershor 2015, dhe u paraprinë nga një fushatë ndryshimesh në fasadat e qendrave të qyteteve kryesore të njohura si Rilindja Urbane. Kjo valë shpenzimesh publike solli një rritje të pazakontë dhe të papritur në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Sektorit të Ndërtimit, i cili u rrit me 25 për qind në tremujorin e dytë dhe me 17 për qind në tremujorin e tretë. Sektori i ndërtimit përfitoi gjithashtu edhe nga hidrocentrali i Devollit, një projekt qindramilionësh aktualisht në ndërtim. Për rrjedhojë, rritja ekonomike, aq e paktë sa qe në vitin 2015, konsiderohet e pashëndetshme për shkak se është e bazuar në ngjarje kalimtare.
Rënia dramatike e bujqësisë
Sektori i bujqësisë pësoi një rënie prej 0.9 për qind gjatë vitit 2015, rënia e parë e këtij sektori në shumë vite. Sipas INSTAT, bujqësia ka shënuar rënie të vazhdueshme për pesë tremujorë radhazi dhe në tremujorin e fundit 2015, rënia ka qenë edhe më e lartë.
Shkaku kryesor i rënies së bujqësisë vlerësohet, se lidhet me përmbytjet masive që përfshinë disa zona të vendit në fund të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015, përfshirë dëmet e shkaktuara në Ultësirën Perëndimore nga dalja nga shtrati e lumenjve Vjosë e Seman.
Marsi mbyllet me 1.8 miliardë lekë më pak në buxhet
Prej vitesh performanca e ulët e pushtetit vendor ka ndikuar negativisht në fondet e buxhetit të shtetit si në të ardhura, ashtu edhe në shpenzime. Referuar të dhënave paraprake të treguesve fiskale të 3 ¬mujorit të parë të vitit, të siguruara ekskluzivisht nga TV SCAN, rezulton, se të ardhurat në muajin Mars kapin vlerën e 92.5 miliardë lekë, nga 94.4 miliardë lekë, ose 1.8 miliardë lekë më pak se ishte planifikimi. Por duke parë këto tregues, vërehet se zëri që ka ndikuar negativisht me një mosrealizim prej 2.3 miliardë lekë është ai i të ardhurave nga pushteti vendor. Për këtë zë ne muajin Mars ishin planifikuar 4.5 miliardë lekë, ndërkohë që janë realizuar vetëm 2.2 miliardë lekë. Gjithashtu me vlera negative janë dhe të ardhurat jo tatimore me 2.3 miliardë lekë më pak dhe të ardhurat nga istitucionet buxhetore me 2.7 miliardë lekë më pak. Por duke parë me kujdës koto tregues, të bie në sy performanca pozitive e administratës fiskale, ku të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë mbi pritshmëritë e qeverisë. Kështu të ardhurat nga tatimet dhe doganat rezultojnë të jenë 66.6 miliardë lekë, nga 64.4 miliardë lekë që ishte plani i fillim vitit për muajin Mars, ose rreth 2.2 miliardë lekë më shumë. Sipas këtyre statistikave, shpenzimet buxhetore gjatë muajit Mars ka vazhduar trendin e dy muajve të parë duke mos u realizuar. Nga 92.9 miliardë lekë që ishte plani, janë realizuar vetëm 82.2 miliardë lekë, ose 10.7 miliardë lekë më pak. Ndërsa në Mars llogaritet një sufiçit buxhetor prej 10.3 miliardë lekë.
Guroret e pakontrolluara kërcënojnë malin e Tomorrit
Lindita ÇELA
I parë nga larg, me majën e tij të mbuluar nga dëbora të cilin poeti Andon Zako Çajupi e quante “kishë të Shqipërisë dhe fron të perëndisë”, mali i Tomorrit ngjan madhështor dhe i bukur si një kartolinë. Por po të afrohesh pak më afër zbulon se është i tharë dhe i mbushur me zgavra që duket sikur i shkojnë deri në palcë.
Buldozer dhe ekskavator të fuqishëm e gërryejnë me pash çdo ditë, ndërsa qindra punëtorë, ditë-natë, nxjerrrin pllaka guri për t’i ngarkuar në makina që lënë pas re të trasha pluhuri.
I shpallur katër vite më parë si zonë e mbrojtur, mali i Tomorrit ngjan më shumë me një gurore të stërmadhe, për të cilën aktivistët mjedisorë shprehen se përbën një nga masakrat më të mëdha ekologjike të ndodhura ndonjëherë në Shqipëri.
Në dy anët e rrugës që çon në mal janë depozituar tonelata të tëra gurësh, mjete të fuqishme që gërryejnë malin, punëtorë që nga guri sigurojnë mbijetesën, si dhe makina të mëdha që lëvizin pa pushim në drejtim të qytetit të Poliçanit.
Dhjetëra kompani që operojnë në biznesin e nxjerrjes së pllakave të gurit punojnë në këtë zonë, edhe pse një listë e saktë e operatorëve është e vështirë të gjendet për shkak të nivelit të lartë të informalitetit.
Kreu i Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve, Ergys Agasi, pranon që shpesh kompanitë që operojnë guroret kanë dështuar të respektojnë lejet mjedisore me të cilat ato janë licencuar, por ai nënvizon që numri i kompanive që operojnë totalisht pa licencë është minimizuar.
“Ne jemi në dijeni që situata në Malin e Tomorrit është problematike ndaj dhe unë kam urdhëruar që të gjithë kompanitë atje të riaplikojnë për leje të re mjedisore, si kusht të vetëm për ushtrimin e aktivitetit të tyre”, Agasi i tha BIRN.
Jashtë kontrollit
Sapo hyn në qytetin e Poliçanit, një tabelë e madhe njofton vizitorët se mali i Tomorrit është shpallur Park Kombëtar dhe mbrohet nga shteti.
Një vendim i Këshillit të Ministrave me Nr. 472, i marrë datë 18 korrik 2012 e shpall ekosistemin natyror të malit të Tomorrit zonë të mbrojtur në një sipërfaqe prej 24,7 mijë hektarë. Sipas VKM-së të miratuar nga qeveria e qendrës së djathtë e ish-kryeministrit Sali Berisha, kjo sipërfaqe përfshin komunat Roshnik, Vërtop, Bogovë, Gjerbës, Zhepë dhe Kushovë.
Në vitin 2014, qeveria ka miratuar një plan menaxhimi për Parkun Kombëtar të Tomorrit. Plani e përcakton biznesin e nxjerrjes së rasave të gurit si një kërcënim real që po i bëhet habitateve natyrore dhe veçorive gjeologjike të zonës.
“Është e domosdoshme mbyllja e guroreve të paligjshme (palicencuara), gërmimeve brenda zonës së parkut”, thuhet në dokumetin 150-faqësh.
Por megjithatë, sapo i ngjitesh malit, përpara syve shfaqen sipërfaqe të tëra të shkatërruara, makineri të rënda që gërryejnë skarpatet dhe punëtorë që me leva nxjerrin nga toka pllakat e gurit.
Zyrtarisht, askush nuk e di se sa të punësuar ka në bizneset e nxjerrjes së gurit në malin e Tomorrit, por megjithatë vendasit e rrumbullakosin numrin e tyre në rreth 150 syresh. Kur qasen, punëtorët nuk pranojnë të identifikohen me emër, pasi thonë se mund të humbin vendin e punës. Punojnë nga mëngjesi deri në mbrëmje për një rrogë mujore, që nuk i kalon 40 mijë lekë në muaj.
Rruga nacionale nga Poliçani deri në fshatin Novaj, në një gjatësi rreth 7 kilometra, është e mbipopulluar nga punishtet e përpunimit të gurit. Në kushtet e konfidencialitetit përfaqësues të këtij sektori i thanë BIRN se, janë 15 kompani që merren me nxjerrjen dhe përpunimin e pllakave të gurit. Çdo njëra prej tyre nxjerr nga 30 deri në 50 mijë metër kub gurë, i cili i përpunuar tregtohet me një çmim prej 30 eurosh për metër kub, i destinuar kryesisht për tregun e huaj.
Në Bashkinë e qytetit të Poliçanit nuk e dinë me saktësi se sa është numri i kompanive të licencuara, pasi përgjegjësia administrative për malin e Tomorrit është e paqartë. Për shkak të ndarjes së re administrative, Bashkia Poliçan është në një betejë burokratike me Bashkinë Skarapar, e duket se deri në verdiktin përfundimtar askush nuk mban përgjegjësi për çfarë ndodh në zonë e mbrojtur.
“Ne nuk e dimë sa kompani ushtrojnë aktivitet në malin e Tomorrit, pasi zona nuk administrohet nga ne”, thotë Anxhela Ibro, drejtoresha e marrëdhënieve me publikun në Bashkinë Poliçan.
Sipas dokumentave të siguruara nga BIRN janë 19 kompani që janë licencuar për të ushtruar aktivitetin të nxjerrjes dhe përpunimit të pllakave të gurit në malin e Tomorrit. Nuk është e qartë sa nga këto kompani operojnë në zonën e mbrojtur mjedisore.
Administratori Rajonal i Zonave të Mbrojtura në Berat, Fatos Nako, i tha BIRN që institucioni që ai drejton e ka të pamundur të monitorojë aktivitetin e këtyre kompanive.
“Nga informacionet tona vetëm 7 hektarë na rezulton se është dëmtuar nga ky biznes, por realisht ne nuk kemi informacion se si është gjendja reale, pasi dhe mundësitë tona për të kontrolluar terrenin që është shumë i vështitë, janë tejet të kufizuara”, tha Nako.
Mospasjen kontroll të plotë të zonës e pranon edhe kryeinspektori i Mjedisit dhe Pyjeve, Ergys Agasi, i cili shprehet se institucioni që ai drejton dhe ka për detyrë kontrollin e aktivitetit të kompanive private që kanë ndikim në mjedis ka një numër të kufizuar punonjësish.
“Aktualusht, në bazë të dokumentacioneve, vetëm 8 kompani po ushtrojnë aktivitetin e nxjerrjes dhe përpunimit të gurit, ndërkohë që duhet thënë se, deri më tani të gjitha kompanitë kanë qenë të licencuara për ushtrimin e këtij aktiviteti”, ai tha.
Sipas Agasit, ligji i vjetër i mjedist kishte penalitete shumë të ulëta për moszbatim të rregullave të vendosura në lejet mjedisore, duke i shtyrë kompanitë t’i shpërfillnin ato.
“Nga kontrollet që ne kemi ushtruar, këto kampani janë në rregull me të gjithë dokumetacionin, dhe pse asnjëra prej tyre, pasi kanë ndryshuar vend-gërmimin, nuk ka bërë rehabilitimin e zonës”, u shpreh ai.
Kryeinspektori shprehet se të gjitha kompanitë që nuk e kanë rehabilituar vend-gërmimin, kanë paguar në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore vlerën prej 2,5 milionë lekësh që parashikohet si penalitet.
“Në këto kushte, inspektorët tanë edhe kur konstatojnë dëme nuk janë në gjendje të veprojnë”, tha ai. “Për këtë arsye, unë kam kërkuar të gjitha kompanitë të pajisen me leje të re mjedisore, pasi ligji i ri parashikon shumë më shumë detyrime”, shtoi Agasi.
Guroret e “mermerit”, minierat e arit të malit të Tomorrit
Guroret e “mermerit” konsiderohen si minierat e arit të malit të Tomorrit. Një metër kub nga ky gur i bardhë, që vendasit e quajnë mermer, tregtohet me 500 euro. Një kompani nxjerr nga mali mesatarisht 4500 metra kub gurë të bardhë në vit.
Që të arrish vendndodhjen e këtyre guroreve duhet të lësh pas qytetin e Çorovodës, t’i biesh mes përmes grykës së Dërvenit dhe të udhëtosh për 10 kilometra në një rrugë që gjarpëron në shpatet e Tomorrit. Vendburimi quhet Mëlovë. Masa të mëdha guri të bardhë qëndrojnë stoqe anëve të rrugës në pritje të blerësit të radhës.
Përgjegjësi i sektorit të të ardhurave në Bashkinë e Skraparit, Sabri Alimadhi, i tha BIRN se, nga pesë kompanitë e licencuara për nxjerrjen e mermerit në vendburimin Mëlovë vetëm dy prej tyre ushtrojnë aktivitet. Në terren realiteti është krejt ndryshe.
Nexhip Xhaja, administratori i kompanisë Stone Prodution, i tha BIRN që duke përfshirë kompaninë e tij vendburimi shfrytëzohet nga katër kompani, të cilat blloqet e mëdha prej guri të nxjerrë nga mali i kanë depozituar në anë të rrugës për t’i tregtuar ato.
Impakti i guroreve në mjedis është gjëja e fundit që i shkon ndërmend Xhajes, kur diskuton për biznesin e nxjerrjes dhe përpunimit të gurit. Shqetësimi i tij kryesor është niveli i lartë i rentës minerare, por dhe informaliteti në këtë sektor.
Kryeinspektori i Mjedist, Agasi, nuk e përjashton mundësinë që mund të ketë aktivitet të palicencuar në vendburimin e Mëlovës.
“Puna e parë që ne kemi bërë është marrja e dokumentacionit të plotë për të gjitha kompanitë që veprojnë në këtë zonë”, u shpreh ai.
“Unë nuk e përjashtoj se për shkak të terrenit shumë të largët mund të ketë kompani që ushtrojnë ende aktivitet, por ne si inspektoriat po e ndjekim me prioritet këtë çështje”, shtoi Agasi.
E ndërsa institucionet e ngarkuara me ligj në mbrojtjen e mjedisit janë në fazën e rilicencimit të bizneseve të nxjerrjes dhe përpunimit të gurit në malin e Tomorrit, akorët e Shoqërise Civile shprehen që ky biznes po zhvillohet në mënyrë të pakontrolluar.
“Guroret në Parkun Kombëtar Tomorr kanë filluar që herët dhe tani janë shpërndarë dhe po e dëmtojnë atë sikundër dëmton mola drurin. Në zonën ku ato janë zhvilluar, kanë shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme ekosistemin, habitatet natyrore dhe peizazhin”, shprehet botanistja Ermelinda Mahmutaj.
“E keqja e madhe është se ky biznes po zgjerohet në mënyrë të pakontrolluar, duke u shtrirë brenda sipërfaqes së zonës së mbrojtur dhe duke e dëmtuar rëndë atë”, shtoi ajo.
Sipas Mahmutaj, zona më e mbishfrytëzuar në mënyrë të paligjshme është e ashtuquajtura faqja P e malit të Tomorrit, e ndodhur mbi qytetin e Poliçanit.
“Aktualisht, guroret kanë hyrë në brendesi të parkut, në zonat e kullotave alpine, të cilat në Tomorr janë të pasura në florë të rrezikuar dhe specie endemike të vendit”, tha Mahmutaj.
“Nuk dihet nëse ato kanë një leje mjedisore për të shfrytëzuar shkëmbinjtë e kullotave alpine të Parkut Kombëtar Tomorr, por edhe nëse e kanë, kjo është e pajustifikueshme për institucionet tona mjedisore”, përfundoi ajo.
Bale: Te Reali, pritshmëritë janë gjithmonë të larta
Pas dëmtimit të gjatë që e la jashtë fushe për disa javë, Gareth Bale është rikthyer te paraqitjet e tij të mira. Anësori nga Uellsi, i intervistuar së fundmi përshkruan dy sezonet e tij me Realin e Madridit, duke rrëfyer dhe momentin më emocionues. “Ky klub ka pritshmëri shumë të larta dhe jam shumë i lumtur që kam ardhur në këtë skuadër. Që kur kam ardhur këtu, kemi fituar 4 tituj, dhe rendimenti im është rritur së tepërmi. Fitorja e La Decima-s në sezonin tim të parë me fanellën e Realit të Madridit ishte e pabesueshme për mua. Nuk do t’i harroj kurrë festimet që u zhvilluan në qytet”, u shpreh Bale.
Në intervistën e tij, Gareth Bale nuk harroi të jepte një “asist” për Zinedine Zidane, duke votuar publikisht për qëndrimin e trajnerit në krye të Realit të Madridit. “Zidane në këto muaj ka treguar se është një trajner i shkëlqyer. Është një nder të drejtohesh nga një prej futbollistëve më të mirë të historisë, me të argëtohem shumë. Shpresoj që Zidane të qëndrojë sa më gjatë në drejtimin e kësaj skuadre”, tha ai.
Interi me Mançinin
Interi i së ardhmes do të vijojë të jetë me trajnerin aktual Roberto Mançini dhe sulmuesin Mauro Icardi. Këtë fakt e pohon drejtori sportiv i zikaltërve Piero Ausilio, i cili vlerëson punën e Mançinit dhe talentin e sulmuesit argjentinas. “Projekti jonë do të vazhdojë me Roberto Mançinin, i cili ka bërë një punë të mirë këtë sezon, gjithashtu pjesë e ekipit do të jenë dhe një pjesë e mirë e lojtarëve që kemi. Icardi është një sulmues i jashtëzakonshëm. Është vetëm 23-vjeç dhe ka arritur të shënojë 50 gola dhe nuk janë të shumtë ata futbollistë që arrin të tilla rezultate. Është kapiteni i skuadrës dhe rreth tij ne do të ndërtojmë Interin e së ardhmes”, tha Ausilio.
Në intervistën e dhënë drejtori sportiv Ausilio ishte i paqartë në lidhje me zërat që qarkullojnë për një rikthim të mundshëm të ish-presidentin Masimo Morati. “Nuk mund të jap një përgjigje për këtë çështje. Unë kam punuar me Moratin në të kalurën dhe mund të them se kemi pasur një bashkëpunim të kënaqshëm. Gjithashtu dhe me presidentin Thohir kemi një marrëdhënie shumë të mirë. E vetmja gjë që mund të them është se Thohir është në kërkim të bashkëpunëtorëve që mund t’i japin një ndihmë në aspektin ekonomik klubit”, tha ai.
Më tej, Ausilio shtoi se është i kënaqur me vendin e katërt që ka arritur Interi dhe se skuadra do të tentojnë deri në fund për të siguruar një biletë për në Champions League: “Para se të niste sezoni të gjithë mendonin se do të pozicionoheshim në vendin e 5 ose të 6, por në fakt nuk ndodhi kështu. Personalisht jam i kënaqur me vendin e katërt. Interi i këtij sezoni ka arritur të grumbullojë më shumë pikë se vitin e kaluar dhe kjo është diçka pozitive për ne. Përsa i përket Champions League, pavarësisht diferencës që kemi me Romën, ne do të përpiqemi të japim maksiumumin për të arritur vendin e tretë.
Me golin e shënuar në portën e Frosinones, Mauro Icardi arriti kuotën e 50 golave të shënuar me Interin. Një vazhdimësi fantastike, mbi të gjitha kur kujton që sulmuesi argjentinas i ka realizuar në 100 ndeshje. Mesatarja e Icardit, me 0,5 gola të shënuar për ndeshje është mbresëlënëse. Mbi të gjitha kur kujton se bomberi është vetëm 23-vjeçar. Sido që të jetë, mosha e re, nuk e ndalon Icardin t’i bashkangjitet emrave më të mëdhenj të historisë së klubit zikaltër. Madje, statistikat tregojnë se ai qëndron përpara lojtarëve legjendarë si Diego Milito apo Mazzola, të cilët kuotën e 50 golave e kanë arritur pas 110 ndeshjeve.
Me ecurinë e tij, Mauro Icardi është thuajse në të njëjtat nivele si Samuel Eto’o dhe Zlatan Ibrahimoviç. Kamerunasi arriti 50 gola të shënuar pas 98 ndeshjeve te zikaltërit, ndërsa suedezi pas 96 prezencave në fushë. Por, arritja e Icardi-t ka vlerë edhe për faktin se Interi nuk po përjeton ditët më të mira. “Një goditje, një vrasje” është kthyer në sloganin e sulmuesit. Një bomber i vërtetë, që detyrohet të shfrytëzojë maksimalisht rastet e pakta për gol të krijuara nga shokët e tij të ekipit. Interi nuk shkëlqeu as përballë Frosinones dhe në pjesën më të madhe të lojës, Icardi u detyrua të vraponte, pa u shërbyer me top. Por, në mundësinë e parë të krijuar, kapiteni i zikaltërve nuk gaboi, duke i dhuruar tri pikë me peshë të besuarve të Mançinit.
Gundogan, do të jetë blerja e parë e Guardiolës
Ilkay Gundogan do të jetë blerja e parë e verës për Manchester Cityn. Sipas shtypit anglez mesfushori i Borussias së Dortmundit pëlqehet shumë nga Pep Guardiola, i cila e ka të parin në listën e dëshirave të tij. “Sky Sports” raporton se, bisedimet janë në një fazë të avancuar, ndonëse diferenca mes ofertës se Citizens dhe kërkesës së verdhezinjve është 8.1 milioë paund, afërsisht 10 milionë euro. Klubi anglez është gati të shpenzojë 35 milionë euro për mesfushorin, ndërkohë që Dortmundi kërkon 45 milionë euro.
Guardiola, i cili do të marrë drejtimin e Manchester Cityt më 1 korrik, e sheh Gundoganin pjesë integrale të planeve të tij. Kontrata e turko-gjermanit me verdhezinjtë skadon në verë të 2017-ës, ndaj drejtuesit e Borussias do të jenë të detyruar të lëshojnë diçka nga kërkesat e tyre për të mos e humbur me parametër zero, sikurse ndodhi me Robert Lewandowskin rreth dy vite më parë.
Drejtori sportiv i Cityt, Txiki Begiristain, pati një takimin në Amsterdam me menaxherin e Gundogan, për të diskutuar rreth këtij transferimi, duke rënë dakord për një pagë vjetore që kap shifrën 6 milionë euro. Në fakt vetë trajneri i Dortmundit, Thomas Tuchel e pranoi muajin e kaluar se nuk është i bindur nëse lojtari do të qëndrojë në Signal Iduna Park.
Arsenali bën ofertën e parë për Granit Xhakën
Përparojnë bisedimet mes Arsenalit dhe Borussias së Moenchengladahut për shërbimet e mesfushorit shqiptar që përfaqëson Zvicrën, Granit Xhaka. Arsene Wenger ofron fillimisht 24 milionë paund për lojtarin, të cilin dëshiron ta ketë në dispozicion në përfundim të sezonit. Për momentin, klubi gjerman nuk ka kthyer përgjigje pozitive, pasi synon të përfitojë 32 milionë paund nga kartoni i Xhakës, gjithsesi “topçinjtë” besojnë se do të gjendet gjuha e përbashkët për mbylljen e marrëveshjes.
Granit Xhaka pritet të jetë blerja e tretë më e shtrenjtë në histori për Arsenalit, pas Mesut Ozil, që në vitin 2013 kushtoi plot 42 milionë paund dhe Alexis Sanchez që u kushtoi londinezëve 32 milionë paund. Blerja e një mesfushori qendre është kthyer në domosdoshmëri për Arsenalin, pasi në përfundin të sezonit pritet të largohen disa emra të rëndësishëm si Mathieu Flamini, Mikel Arteta dhe Tomas Rosicky.
Qeveria gjermane do të dyfishojë numrin e dëbimeve të refugjatëve
Landet gjermane do të rrisin në mënyrë të ndjeshme numrin e dëbimeve, thotë Ministri i zyrës së kancelares, Peter Altmeier. Për të lehtësuar këtë, Berlini do të mbyllë marrëveshje kthimi me shtete të tjera.
Koordinatori i qeverisë gjermane për refugjatët, Peter Altmaier u ka kërkuar landeve gjermane të dyfishojnë numrin e dëbimeve për azilkërkuesit, të cilëve iu është refuzuar kërkesa e azilit. Në vitin e kaluar ka pasur 37.220 persona të kthyer vullnetarisht. Numrin më të madh të të kthyerve e kanë përbërë personat nga Shqipëria, Kosova e Serbia. Ndërkohë 22.000 vetë janë dëbuar, ka thënë kreu i zyrës së kancelares, Altmeier për grupin mediatik, “Funke Mediengruppe”. Si kufi realist për vitin 2016, Altmeier ka vënë dyfishimin e këtyre shifrave. Politikani i CDU-së ka theksuar se “tani kërkohet veprimi i landeve.”
Aktualisht Zyra Federale për Migracionin e Azilin (BAMF) trajton 50.000 kërkesa në muaj, më shumë se një e treta e kërkesave refuzohen. “Ne duhet të kujdesemi që të rritet dukshëm numri i të kthyerve,” thotë Altmeier.
“Më mirë se pritej”
Ministri i kancelarisë, Altmeier ka lëvduar marrëveshjen me Turqinë. Ujdia me Turqinë për kthimin e refugjatëve funksionon më mirë se ç’e prisnim të gjithë. „Qëllimi ynë ishte dhe është të reduktojmë dukshëm numrin e refugjatëve“, thotë Altmeier. „Kjo duket se po ka sukses.“
Kancelarja gjermane, Angela Merkel mbështet aktualisht arritjen e ujdie me Libinë. „Tani kemi para nesh detyrën të arrijmë të bëjmë një bashkëpunim të tillë edhe me Libinë“, tha kryetarja e partisë kristiandemokrate, CDU, para të deleguarve të landit Berlin. Për të mbrojtur kufijtë e jashtëm të BE-së nuk ka rrugë tjetër më të mirë se marrëveshje me shtetet fqinjë. „Prej disa ditësh kemi një qeveri uniteti që më në fund ka mbërritur në Tripoli“, ka thënë Merkel duke iu referuar kështu qeverisë së përkohshme të ndërmjetësuar me ndihmën e OKB-së, në vendin e goditur nga lufta civile.
„Dhe nga fakti nëse do ia dalim të bëjmë një marrëveshje të arsyeshme me Libinë, varet edhe kontrollimi i itinerarit përmes Italisë, ashtu siç kemi bërë me Turqinë“, thotë ajo. Në Libi sundon kaosi që nga rrëzimi i diktatorit, Muamar al-Gadafi para pesë vjetësh. Për shkak të afërsisë me Italinë, ky vend është kthyer në stacion të ndërmjetëm për shumë afrikanë dhe arabë që duan të vijnë në Europë.
Ndihmë në vendet origjinë
Muajt e fundit Gjermania dhe BE ia kanë dalë të ndihmojnë Turqinë, Jordaninë dhe Libanin në furnizimin e kujdesin e refugjatëve. „Më mirë është të ndihmojmë njerëzit për një jetë të durueshme pranë vendlindjes, se sa të vijnë të gjithë këtu ku na duhet bëjmë të gjithë punën e integrimit”, ka thënë Merkel. Nga ana tjetër ajo ka premtuar ndihmë për vendet afrikanoveriore në mënyrë që të rinjtë ta shohin perspektivën e jetës në këto vende.
Ndërkohë Gjermania dhe Afganistani kanë shënuar progres në drejtim të një marrëveshje pranimi të të kthyerve. Një projektmarrëveshje do t’i ofrohet ambasadës gjermane në Kabul javën e ardhshme, ka thënë ministri afgan për Refugjatët, Said Hussain Alemi Balkhi, agjencisë gjermane të lajmeve, dpa. Propozimin gjerman pala afgane e ka në dorë që prej një muaji. Priten së shpejti bisedime, por deri atëherë Afganistani nuk do të pranojë kthimin e refugjatëve afganë. Sipas ministrit afgan, marrëveshja parashikon të mos dëbohen „gratë, fëmijët, të moshuarit dhe afganët e sëmurë.“ Nga burime të tjera mësohet se Afganistani dëshiron që Gjermania të ndërtojë apartamente për refugjatët e kthyer, ose t’u mundësojë atyre një kualifikim më parë në Gjermani.