Me Luis Enriquen edhe pas vitit 2017-të. Te Barcelona nuk dëshirojnë të privohen nga trajneri i tyre dhe po punojnë që t’i rinovojnë edhe për disa sezone të tjera kontratën, 45-vjeçarit nga Gijoni që në vetëm pak kohë ka arritur suksese të mëdha nën drejtimin e Barcës. Kontrata aktuale e Luis Enriques me klubin blaugrana skadon në verën e vitit 2017-të, por te Barcelona as që e mendojnë largimin e asturianit dhe janë gati ta blindojnë atë. Për të kuptuar që drejtuesit katalanas duan të zgjasin marrëveshjen aktuale me Luis Enriquen ka mjaftuar një deklaratë, e numrit 2 të Barcës, Jordi Mestre, i cili në një intervistë për mediat spanjolle u shpreh se klubi ka në plan t’i ofrojë rinvovimin Luis Enriques, që sezonin e kaluar fitoi plot 5 trofe me Barcelonën.
Edhe në këtë sezon me ish-trajnerin e Romës dhe Celta Vigos në drejtim, blaugranat po ecin me hapa të frikshëm, pasi përveçse kryesojnë La Liga me 9 pikë avantazh ndaj Atleticos ndjekëse, kanë siguruar edhe pjesëmarrjen në çerekfinalet e Champions League dhe finalen e Kupës së Mbretit. Në fakt konfirmimi i Luis Enriques edhe për sezonet që do të vinë nuk ishte vendosur asnjëherë në diskutim, dhe rinovimi i trajnerit spanjoll me Barcelonën është vetëm çështje kohe.
Ndërkohë, Riyad Mahrez, është lojtari që i nevojitet Barcelonës. Nëse Leicester City i Claudio Rainieri-it po shkëlqen në Premier League, përveç Jamie Vardy-it, merita të jashtëzakonshme ka edhe futbollisti i përfaqësues algjeriane, që sëfundmi po përflitet si një përforcim i mundshëm i Barcelonës. Me 16 gola dhe 10 asiste në 30 ndeshje të kampionatit anglez, Mahrez është padiskutim vlera e shtuar e Dhelprave siç njihet ndryshe klubi i Leicester-it. Për tia sugjeruar 25-vjeçarin e lindur në Francë drejtuesve katalanas, ka menduar një legjendë e Barcelonës si Xavi Hernandez, i cili në një intervistë nga Katari i largët ka nënvizuar se Mahrez do t’i bënte shumë punë skuadrës blaugrana.
36-vjeçari spanjoll aktualisht pjesë e skuadrës së Al Saad është shprehur se nuk e kishte ndjekur më parë me vëmendje të madhe lojtarin e përfaqësueses algjeriane por sëfundmi ka mbetur i mahnitur nga paraqitjet e tij dhe nga ecuria e skuadrës së Ranieri-it. “Mahrez është një futbollist shumë i fortë deklaroi Xavi. Me atë që po bën për klubin e tij aktual, ai po tregon që është një lojtar i madh. Riyad mund të luajë shumë mirë edhe te klub i madh si Barcelona”. Me këtë fjalë vlerësuese ish- mesfushori i Barcës përfundoi deklaratat e tij në lidhje me Mahrez. Kur këshillat vijnë nga një futbollist si Xavi Hernandez ato duhet marrë në konsideratë.
Luis Enrique rinovon me Barcelonën?
Qetësohen te Napoli, dëmtimi i Hysajt nuk është serioz
Pas alarmit fillestar, te Napoli u rikthye qetësia. Dëmtimi i Elseid Hysajt, në miqësoren që Shqipëria luajti në Vienë përballë Austrisë nuk është serioz. Mbrojtësi kuqezi pësoi një goditje në kavilje në minutat e para të sfidës, ku edhe pse imazhet treguan se dhimbja ishte e madhe, ai ishte në gjendje të luante, madje qëndroi gjatë gjithë 90 minutëshit në fushë. Për shkak të lëndimit, Hysaj u largua përpara kohe nga grumbullimi i Kombëtares. Stafi kuqezi i dha leje shkodranit të rikthehej në Napoli, për të vijuar vizita të specializuara mjekësore, duke mos rrezikuar me aktivizimin e tij në ndeshjen me Luksemburgun.
Lajmi për dëmtimin e Hysaj fillimisht shkaktoi panik te Napoli. Klubi, stafi teknik i trajnerit Sarri, por edhe mediat dhanë alarmin se problemet e mbrojtësit në kavilje mund të ndikonin në ambicien e skuadrës drejt titullit kampion në Itali. Por, në pritje të kontrolleve të specializuara, që do të zbulojë shkallën e dëmtimit dhe ku do të përcaktohet ekzaktësisht afati për kalimin e lëndimit, te Napoli janë optimistë. Bëhet fjalë vetëm për një goditje në kavilje dhe asgjë më e rëndë. Elseid Hysaj pritet të vijojë rregullisht stërvitjen me pjesën tjetër të ekipit.
Trajneri Maurizio Sarri shpreson të rikuperojë mbrojtësin shqiptar për sfidën me Udinesen, por ndërkohë do të vlerësojë edhe alternativat për aktivizimin e Maggio-s ose kalimin e Koulibaly-t në krahun e djathtë.
Gotze: Dua të luaj sërish për Klopp
Mario Gotze kërkon transferimin te Liverpool. Sipas asaj që publikohet në median britanike, mesfushori i përfaqësueses gjermane nuk po ndihet mirë te Bayern Munchen dhe u ka shprehur miqve të tij më të afërt dëshirën për t’u vënë sërish nën urdhrat e Jurgen Klopp.
Mario Gotze u largua nga Borussia Dortmund për te Bayern Munchen në verën e vitit 2013, për 29 milionë paund, ndërkohë që një vit më vonë shënoi golin që i dha titullin botëror Gjermanisë, në finalen me Argjentinën. Megjithatë, kjo nuk i garantoi atij vendin e titullarit të padiskutueshëm te Bayerni.
Përkundrazi, me kalimin e kohës, aktivizimi i tij te skuadra bavareze është reduktuar ndjeshëm. Në këtë sezon, Gotze ka luajtur vetëm 7 ndeshje në Bundesligë me Bayernin, 3 nga të cilat i ka nisur si zëvendësues.
Kjo është edhe arsyeja, që ai po kërkon largimin nga kampionët e Gjermanisë dhe tashmë ka zhvilluar bisedimet e para me trajnerin Klopp.
Gotze ka edhe një vit kontratë me Bayern Munchen, por largimi i tij nuk është i pamundur. Te Liverpool kërkojnë ta shfrytëzojnë këtë situatë delikate të tij, madje te “The Reds” është rritur ndjeshëm besimi se mund ta sjellin atë në “Anfield Road” për 15 apo 20 milionë paund.
Morata drejt Dortmundit
E ardhmja e Alvaro Moratas varet krejtësisht nga Reali i Madridit dhe këtë e ka të qartë vetë sulmuesi spanjoll dhe drejtuesit e Juventusit.
Merkatoja e kësaj vere mund të jetë mundësia e fundit për skuadrën madrilene që të shfrytëzojë klauzolën e nënshkruar me bardhezinjtë për Moratan, duke qenë se në dy merkatot e 2017-s, ndaj tyre ekziston një vendim i FIFA-s që i penalizon.
Kjo ka bërë që në mediat sportive të qarkullojnë skenare të ndryshme, ku më i fundit përfshin në këtë mes edhe gjermanët e Borusias së Dortmundit.
Sipas Bild, Reali do të shfrytëzojë klauzolën që i jep të drejtën të blejë Moratan për ta dërguar më pas në Dortmund, së bashku me një shumë të caktuar parashë në këmbim të Aubameyang. Megjithatë, deri më tani gjithçka është në kuadër të thashethemeve mediatike, por sa më shumë ditë kalojnë aq më i fortë bëhet presioni i vetë sulmuesit ndaj Juventusit dhe Realit për të mësuar të ardhmen e tij.
Skandali, si manipuloi Veliaj me shëndetin e policeve bashkiake
Erion Veliaj nxitoi të shpërndante me shpejtësi të madhe dje në mediat pranë, lajmin se protestuesit kishin dhunuar tre police femra të Policisë Bashkiake. E teksa bashkë me lajmin shpërndau edhe foto tre, policet shfaqeshin të shtrira në barrelat e spitalit teksa merrnin ndihmën e shpejtë mjekësore.
Inskenimin e ulët të Erion Velisë dhe manipulimin e tij në spital me shëndetin e policeve bashkiake! Fotot flasin vet!
“Zoti Berisha shihni si gënjen Erjon Velija për shëndetin e policis bashkiake.
Shihni dy fotot në momente të ndryshme një para se të vinte Erjoni e një pas”.
Polici bandit i Veliajt, i dënuar për grabitje me armë në 2004
Inspektori Dritan Hardhia, i cilësuar nga Veliaj si “heroi” i Bashkisë së Tiranës, rezulton të jetë një person me të shkuar kriminale. Ai u bë i njohur gjatë protestës së Shoqërisë Civile kundër ndërtimit të Parkut të Lojërave, ku u shfaq si viktimë e dhunës së protestuesve. Dritan Hardhia prentendoi se më 6 mars u godit me lopatë në kraharor nga një vajzë protestuese, ndërkohë që u vizitua nga Veliaj në Spitalin e QSUT.
“Dritani është realisht një aktivist i Shoqërisë Civile dhe ky është njeriu që realisht e nderon qytetin. Ky është një aktivist i vërtetë. Sot, pamë një protestë që mund të ishte realisht një protestë e Shoqërisë Civile dhe s’kishte arsye për një protestë të dhunshme”, deklaroi atëherë Veliaj, duke e cilësuar si një polic shembullor. Por e shkuara problematike e Hardhisë tregon të kundërtën. Në vitin 2004, ai rezulton të ketë kryer një grabitje me armë në zonën e Fushës së Aviacionit në Tiranë. Ai është arrestuar nga policia për veprën penale të vjedhjes me dhunë dhe në bashkëpunim.
Grabitja nga Hardhia është publikuar në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit në atë kohë. “Përfundojnë në prangat e policisë 2 grabitës dhe shoqërohen 2 të tjerë. Një qytetar, me iniciale P.N., ishte ndaluar nga persona të armatosur me automatik, duke e kërcënuar që t’u jepte të gjithë paratë dhe sendet me vlerë që posedonte. Ai u qe përgjigjur negativisht kërkesave të tyre, por pak sekonda më pas e pa veten pre e dhunës së tyre. Viktima P.N. lajmëroi menjëherë policinë për t’i ardhur në ndihmë. Pas një aksioni të rrufeshëm, u bë i mundur arrestimi i 2 prej tyre, Dritan Hardhija, 25 vjeç dhe Roland Dervishi, 18 vjeç”, thuhej në njoftimin e Policisë së Shtetit në atë kohë.
Pasioni i tij për armët dhe dhunën shihen edhe në fotot e publikuara sëfundmi nga mediat. Por telashet e kaluara për Dritanin nuk mbarojnë me kaq. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë rezultojnë 2 padi penale ndaj Dritan Hardhisë për dhunë në familje dhe detyrimin për pension ndaj djalit të vet. Në të dy rastet, denoncuesja është bashkëshortja e Inspektorit të Bashkisë, Rezarta Hardhia.
Padia e parë është bërë në vitin 2005, me akuzën e “Rrahjes”. Në vendimin e Gjykatës shihet se Hardhia rezulton të jetë i dënuar më përpara, ndërkohë që bashkëshortja nuk është paraqitur në seancën gjyqësore për shkaqe që nuk dihen. Për këtë mosprezencë, Prokuroria kërkon pushimin e çështjes, kërkesë kjo e plotësuar nga Gjykata.
Pas këtij vendimi, Rezarta Hardhia kërkon divorcin për bashkëshortin dhunues. Padia e dytë është regjistruar në vitin 2008, dhe ka të bëjë me akuzën ndaj inspektorit Hardhia për “detyrimin e pensionit ushqimor” ndaj djalit të tij, Valentino Hardhia. Edhe në këtë rast, Gjykata pushon çështjen për shkak të tërheqjes nga ankimimi të bashkëshortes Rezarta (Kamberi) Hardhia.
Fundjavën që lamë pas, Dritan Hardhia është rikthyer sërish në skenë. Ky inspektor “shembullor” është akuzuar nga Shoqëria Civile për dhunë të ushtruar ndaj tyre. Sipas “Qytetarët për Parkun”, Hardhia ka qëlluar me shkelma në bark protestuesen Rezearta Çaushaj, e cila u dërgua me ambulancë të shtunën në Spitalin e Traumës për të marrë mjekimin e nevojshëm.
Për t’u maskuar, polici bandit Dritan Hardhia është zhveshur nga uniforma dhe i veshur civil ka ushtruar detyrën e funksionarit të Bashkisë së Tiranës. Ai ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve tek Parku i Liqenit, ku si pasojë e dhunës një aktiviste e Shoërisë Civile përfundoi në spital. Mes qytetarëve të dhunuar ka qenë edhe një adoleshent rreth 15 vjeç, i cili është dhunaur dhe shtrirë në tokë nga policia. Ndërkohë, disa qytetarë u dërguan me ambulancë në spital pasi humbën ndjenjat nga dhuna e policisë. Dritan Hardhia është standardi i vendosur nga kryebashkiaku Erion Veliaj për të prezantuar Policinë Bashkiake.
Policia tentoi të arrestonte edhe protestuesit e plagosur rëndë
Policia ka tentuar të shoqërojë protestuesit edhe pse ndodheshin në ambulancë dhe paraqisnin probleme shëndetësore. Deputetja demokrate, Albana Vokshi publikoi një foto në të cilën dëshmohej se si dy protestues që po merrnin ndihmë mjekësore të ambulancë po tërhiqeshin nga policia me qëllim shoqërimin e tyre në komisariat.
“Burrëri?? Kjo është ambulancë e Urgjencës së Tiranës, dy qytetarë pa ndjenja (Behari dhe Tonini). Brenda ambulancës, gjashtë policë që me urdhër të Ramës donin t’i shoqëronin edhe ashtu pa ndjenja në Komisariat. I shoqërova Beharin dhe Toninin në QSUT për të marrë ndihmën mjekësore… por pas largimit tim, QSUT u rrethua me policë të cilët e hoqën Beharin nga mjekimi dhe e shoqëruan në Komisariatin Nr. 4”, tha Vokshi. Deputeti i Partisë Demokratike, Alban Zeneli deklaroi dje se ajo që po ndodh në Tiranë është e paprecedent, duke akuzuar policinë për dhunë. Ai deklaroi se njerëz të veshur me uniformë policie dhunojnë qytetarë të Tiranës. “Ajo që po ndodh përpara Drejtorisë së Policisë në Tiranë është e paprecedent në një vend normal.
Kryetari Basha ka ardhur këtu për të kërkuar informacion. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Ajo që ndodh në Tiranë është e papranueshme në një vend si ne. Ligji i të fortit mbizotëron këtu. Ajo që ndodhi në lokal ishte dhunë e njerëzve me uniformë. Ne nuk i dimë se kë kanë shoqëruar dhe ku janë ata. Bandat me uniformë policie, vrasin, grabisin dhe dhunojnë qytetarët”, tha deputeti demokrat. Ai mohoi që deputeti demokrat, Gent Strazimiri të ketë pasur armë me vete gjatë protestës. “Nuk e besoj të ketë pasur. Ne si deputetë jemi atje për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve për të protestuar të lirë. Ai vend i përket qytetarëve të Tiranës. Policia po shkel. Unë kam parë me sytë e mi veprime të Policisë Bashkiake të marrin zvarrë qytetarë të lirë. Kjo është e papranueshme”. Sekretari organizativ i PD, Enno Bozdo tha se policia me urdhër të Kryeministrit Rama ka ushtruar dhunë dhe ka keqtrajtuar qytetarët e Tiranës. Ai tha se nga njëra anë Bashkia po ndërton pa leje, ndërsa qytetarët burgosen për një tullë.
“Denoncojmë dhunën e paskrupullt dhe keqtrajtimin politik që policia me urdhër të Edi Ramës po bën ndaj qytetarëve të Tiranës. Ndërtimi atje është konfirmuar që së paku 2 javët e para ka qenë pa leje ndërtimi dhe pa leje mjedisore. Ata që e kanë masakruar Parkun e Tiranës janë ata shkaktarët e vërtetë të revoltës së qytetarëve të Tiranës, kur shohin se u prishet hapësira e vetme. Në fund të këtij ndërtimi nuk do të ketë më park, por disa pemë”, tha Bozdo.
Terrorizëm shtetëror ndaj opozitës dhe qytetarëve
Qytetarë, protestues e përfaqësues të Partisë Demokratike u përballën dje me dhunën dhe terrorin shtetëror të urdhëruar nga Rama. Ndonëse zona ku po betonizohet parku ishte blinduar me urdhër të Ramës përmes 1800 policëve nga Reparti i Shqiponjave, Forcave Speciale dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë protestuesit kanë arritur të rrëzojnë gardhin prej hekuri të kantierit të ndërtimit. Pavarësisht kordonit të ngjeshur policor, ata kanë arritur të futen brenda rrethimit.
Protestuesit kanë zgjedhur të vendosin çadra brenda rrethimit për këndin e lojërave, me qëllim ndërprerjen e punimeve.
Në këtë moment policët nga Reparti i Shqiponjave, Forcave Speciale dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë u përplasën me protestuesit, ndërsa tentuan t’i nxirrnin ata nga kantieri i ndërtimit duke ushtruar dhunë fizike ndaj protestuesve. Në protestë janë goditur fizikisht përfaqësues të Partisë Demokratike Nard Olli, Ridvan Bode, Edi Paloka. Këshilltari i djathtë në Bashkinë e Tiranë, Leonard Olli, tha se, “jam goditur në këmbë, s’di me çfarë më qëlluan”. Kreu i Grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, tha se protesta te liqeni, tregon se qytetarët janë “para dëshmisë së një shteti policor”. Një prej protestuesve të djeshëm, Frida ka deklaruar se është dhunuar nga policia dhe jo vetëm sot. “Nuk është hera e parë që marrim pjesë në protestë. Nuk do të jetë e fundit. U gjendëm përballë efektivëve të policisë, pavarësisht se parmbrëmë ushtruan dhunë, kemi fraktura në trup, sot qëlluan sërish drejt meje. Policia në vend t’i mbrojë qytetarët, ushtron dhunë ndaj tyre. Më kanë qëlluar me grusht. Ne nuk jemi aq të aftë t’i kundërshtojmë”, tha ajo. Pas përleshjes dhe dhunës fizike të ushtruar ndaj protestuesve, forcat policore nisën një operacion masiv në arrestimin e protestuesve duke vepruar njëlloj sikur të ishin në një aksion në kapjen e kriminelëve. Forcat policore të maskuar dhe të armatosur nisën të arrestonin protestuesit e madje të futeshin edhe në lokalet aty pranë ku ndodhi protesta, duke vepruar sikur po kapte “kriminelët” në kushtet e flagrancës. Policia nisi të arrestonte qytetarë protestues, të rinj të FRPD, si dhe ish-deputetin demokrat Ndriçim Babasi. Menjëherë protestuesit e tjerë janë drejtuar për nga Drejtoria e Policisë Tiranë, duke rrethuar godinën, ndërsa kanë protestuar me orë të tëra atje duke kërkuar lirimin e protestuesve. Protestës së qytetarëve para Drejtorisë së Policisë iu bashkua edhe kreu i PD, Lulzim Basha, si dhe përfaqësues të tjerë të PD. Deputeti Gert Bogdani i ndodhur para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, aty ku janë shoqëruar pas protestës opozitare dhjetëra aktivistë dhe mbështetës të PD-së tha se, PD-ja do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore pas kësaj që ndodhi. Ai tha se policia dëshmoi dje se nuk ishte e shtetit, por e krimit. “Pati përplasje me policinë e krimit, me protestues e qytetarë të thjeshtë. Jemi për lirimin e tyre të menjëhershëm. Babasi dhe disa aktivistë u rrëmbyën nga policia që ka funksionuar si bandë kriminale. Erdhi FNSH, trupa më e lartë e Tahirit erdhi të mbronte betonin. Kryebashkiaku ndërton pa leje dhe mbrohet nga FNSH e Tahirit. Qytetarët janë brenda ndërsa kriminelët jashtë. Ne nuk protestuam për një kënd lojërash, por ndërtimi i tij i hap rrugën ndërtimit të disa pallateve”.
Nis mbjellja masive e drogës në Krujë me garanci 1,5 milionë euro
Nisin mbjelljet massive të drogës në Krujë. “Qytetari dixhital denoncon: Mbjelljet masive të drogës në Krujë si bashkëpunim i pushtetarëve, banditëve dhe çunave të krimit që pasurohen bashkërisht me drogën që mbjellin”, shkruan ish-Kryeministri Berisha në Facebook. Më tej Berisha shkruan se, qytetari informon gjithashtu se për zonën ku po mbillet malli është vënë garanci prej 1,5 milionë euro.
Ish-kryeministri Berisha ka publikuar të plotë mesazhin e qytetarit për skandalin e mbjelljes së drogës nga trafikantët në bashkëpunim me pushtetarët. “Mirë mbrëma respekte, katër fadroma të mëdha kanë ardhur në Malësinë e Krujës te ish-Komuna Noje të Krujës për hapjen e terreneve për mbjelljen e hashashit. Kurse për hapjen e gropave janë kontaktuar fadromistë nga Fushë-Kruja ku marrin 30 mijë lekë për një gropë dhe si kapar 5 milionë lekë të vjetra në dorë, kurse punëtorët marrin 30 mijë lekë në ditë.
Flitet që për zonën ku do të mbillet hashashi është dhënë garanci 1.5 milionë euro. Kurse për Komunën ish-Nikël është dhënë garanci dhe në fshatrat Zezë, Verion, Greps, Bura, Mukje, Kurcaj vazhdon puna për hapjen e gropave. Njerëzit mblidhen në lokalet e rrugës e paguajnë garancitë në euro. Kurse njerëzit e dyshimtë që lëvizin në ato zona ndalohen e pyeten kush je, ku shkon, etj., ai polic që hap gojën transferohet në Kalimash, Tepelenë, Korçë etj.
Për mbjelljen e hashashit garancia është e plotë nga strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunimin me ish-dhe kontigjentin kriminal. Kjo situatë është edhe në fshatrat Thumanë, Derven, Gramez. Këto zona ngjajnë me fshatrat kolumbiane ku përveç manisë për të përfituar lekë ka dhe frikë se ai që nuk paguan kërcënohet me burg ose me gjoba të tmerrshme nga sekserët që kontrollojnë zonën dhe japin garanci”, shkruan qytetari nga Kruja.
Në Bashkinë e Krujës, kryetari Artur Bushi, i njohur për të kaluarën e tij të errët të lidhur ngushtë me trafikun e drogës në Itali, vend ku edhe është dënuar, i ka hapur shtegun trafikantëve dhe njerëzve të tij për të mbjellë masivisht kanabis. Mbjellja me kanabis në fshatrat e Krujës bëhet nga njerëzit e Bushit me bekimin e Ramës. Bandat e trafikut po e zhvillojnë lirshëm aktivitetet e tyre kriminale të mbjelljes dhe trafikut të drogës, duke patur mbështetjen e pushtetit në çdo hap të tyre.
Një ditë më parë ish-Kryeministri Berisha publikoi një lajm ku denoncohej shefi i komisariatit të policisë së Vlorës i cili ka disa parcela me kanabis. Shefi i komisariatit të policisë së Vlorës po hap toka për të mbjellë kanabis. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha në një mesazh të ardhur në adresë të tij nga një qytetar. “Shqipëria kanabiste po mbillet! Qytetari dixhital denoncon: Arat e kanabisit të shefit të komisariatit të Vlorës në fshatin Romës!”, shkruan Berisha në Facebook.
Z. Berisha. Në fshatin Romës të Vlorës në vendin e quajtur Trubull, shefi komisariatit Behar Caka po hap toka duke prishur pyllin për të kultivuar kanabis. Në këtë aksion ka futur përsëri Artur Dobicin. Me respekt një polic”, i shkruan qytetari Berishës.
Protestuesit u rrëmbyen nga njerëz me maska dhe u shoqëruan në polici
Kryetari i Grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka akuzoi dje mënyrën shtazarake se si u arrestuan dhe u shoqëruan në polici protestuesit, ku mes tyre ndodhej edhe ish-deputeti demokrat, Ndriçim Babasi. “Ne kemi edhe pamjet filmike, se si janë rrëmbyer nga njerëz me maska, se nuk mund të jetë policia ajo që rrëmben qytetarët nëpër klube. Janë rrëmbyer dhe janë sjellë në polici mes tyre edhe ish-deputeti Babasi. Momentalisht janë në Drejtorinë e Policisë. Janë marrë në mënyrë shtazarake. Kreu i PD-së është këtu, jemi të paktën 10 deputetë, duam të dimë gjendjen e tyre shëndetësore. Me ç’të drejtë janë ndaluar, kur protesta është e drejtë e qytetarëve. Këtu duhet të ishte Edi Rama, Erion Veliaj. Na thonë prisni drejtorin, i cili është fshehur s’e di se ku. Nuk ka pse të presim drejtorin, duam të shohim të shoqëruarit, sipas ligjit. Jemi bllokuar, aty kanë nxjerrë forca speciale për të penguar deputetët. Duam t’i shohim sepse sipas informacioneve tona janë keqtrajtuar dhe ne kemi detyrën të interesohemi për ta. Ne do të hyjmë, përndryshe këtu do të mblidhet gjithë PD-ja dhe pastaj të hidhen përpjetë”, deklaroi Paloka. Më herët po në një deklaratë për mediat, Paloka tha se sot Shqipëria është para dëshmisë së një shteti inekzistent, të një shteti të padrejtësisë, i cili dënon, burgos, të pafajshëm që s’kanë të paguajnë energjinë elektrike, që duan të rregullojnë pullazin e shtëpisë, por ndërkohë vë me qindra forca policie në mbrojtje të atyre që po e shkelin ligjin hapur dhe përditë. “Duhet të kenë parasysh të gjithë qytetarët shqiptarë dhe këta policë që janë këtu, detyrimin e kanë përballë Kushtetutës dhe Kushtetuta u thotë qartazi se edhe policia, edhe polici më i thjeshtë dhe jo vetëm shefat e tyre duhet të zbatojnë ligjin dhe jo urdhrat e paligjshëm, përndryshe do të përgjigjen një më një, kokë më kokë për shkeljet e ligjit, atëherë kur ligji të vendoset”, tha ai. Paloka tha se ky është akti më skandaloz që tregon se si shteti shkel ligjin me vetëdije të plotë dhe dhunon qytetarët e tij. “Sot e them edhe një herë, jemi para faktit që tregon se këtu nuk ka shtet, ka një shtet të padrejtësisë, i cili dhunon qytetarët e tij në të gjitha format. Me një Kryeministër, i cili urdhëron dhunimin e qytetarëve të thjeshtë dhe mbron me shtet dhe me polici oligarkinë kriminale që po drejton sot këtë vend. Ky është vetëm një shembull, e dëgjuat të gjithë kryetarin e Bashkisë kur tha se, këtu nuk do të hidhet asnjë metër beton, nuk do të pritet asnjë pemë, shihni sot se ç’po ndodh. Është rrethuar dhe po mbrohet betoni i Edi Ramës. Ndërkohë, që Kryeministri i pari, kryetari i Bashkisë i dyti, duhej të ishin sot përpara Prokurorisë për këtë shkelje të rëndë. Askush nuk përgjigjet për shkeljen e ligjit, kur këtë e bën Edi Rama dhe Erion Veliaj, përkundrazi vihet represioni shtetëror kundër qytetarëve, të cilët kërkojnë të mbrojnë të drejtat e tyre”, tha Paloka. Ai rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të PD ndaj të drejtës së qytetarëve për të protestuar dhe për të kërkuar të drejtat e tyre. “Edhe një herë i them këtyre policëve, të cilët janë aty në mbrojtje të krimit dhe nuk janë në mbrojtje të ligjit, sot janë në mbrojtje të atyre që po shkelin ligjin dhe do të përgjigjen një më një ata që japin urdhër edhe këta vetë. Qytetarët kërkojnë të drejtën e tyre dhe nuk mund t’i ndalojë askush. Ne jemi këtu në mbështetje të shoqërisë civile, qytetarëve, që kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe absolutisht do të jemi në çdo rast, jo vetëm si deputetë të Partisë Demokratike, si opozitë, në mbështetje të çdo akti që mbron interesat e qytetarëve. Ata që dalin kundër interesave, të jeni të bindur që në mos sot nesër do të mbajnë përgjegjësi, një më një”, u shpreh kreu i Grupit parlamentar demokrat Paloka. Ai theksoi se protesta vazhdon të jetë e shoqërisë civile dhe PD do ta mbështesë. “Ne nuk kemi skenar. Ne nuk shesim çdo akt që ata e quajnë të arsyeshme dhe logjike, por e rëndësishme është që jemi në krahun e ligjit, ata që keni përballë janë në mbrojtje të shkeljes së ligjit”, tha ndër të tjera Paloka.