20.5 C
Tirana
E premte, 4 Korrik, 2025

Zgjedhjet e 11 Majit, ja ku pritet të votojë drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha

Në një njoftim zyrtar të shpërndarë për mediat, bëhet e ditur se drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, do të ushtrojë të drejtën e tij për të votuar të dielën në mëngjes në Njësinë Administrative nr. 8.

Sipas njoftimit, Basha do të votojë në orën 08:30, pranë Çerdhes nr. 13, në Njësinë Administrative nr. 8, rruga Demir Gashi, në Tiranë.

Koalicioni Euroatlantik, i drejtuar nga Basha, ka qenë aktiv gjatë këtyre muajve me një fushatë model, duke theksuar rëndësinë e votës së lirë dhe pjesëmarrjes masive të qytetarëve.

Koalicioni Euroatlantik letër KQZ: Merrni masa të na vini në dispozicion pamjet filmike të procesit të numërimit pas përfundimit të tij

Koalicioni Euroatlantik i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që t’i vërë në dispozicion materialet filmike të procesit të numërimit pas përfundimit të tij.

Koalicioni Euroatlantik në kërkesën e tij shpreh angazhimin të ofrojë gjithë mbështetjen që në përputhje me ligjin, të mbrohet integriteti i votës së lirë dhe vullneti i qytetarëve.

KEA po kështu përmes një letre i ka kërkuar edhe SPAK-ut të mbikqyrë këtë proces dhe të veprojë menjëherë për këdo që synon të tjetërsojë vullnetin e qytetarëve.

Këkesa e plotë e Koalicionit Euroatlantik për KQZ:

Nr: __Prot

Tiranë, më 4/05/2025

Lënda: Kërkesë për vëmendje të shtuar dhe për pajisjen me materialet filmike të numërimit të votave

Drejtuar: z. Ilirjan Celibashi

Komisioner, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

I nderuar z, Komisioner

Në mbështetje të një proces zgjedhor transparent dhe në përputhje të plotë me ligjin, dhe nisur nga problematika e verejtur në zgjedhjet e vitit 2021, ju drejtohemi me kërkesën për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për orientimin e KZAZ-ve dhe grupeve të numërimit të votave, në mënyrë që leximi i votave të kryhet me saktësi.

Gjithashtu, në shërbim të transparencës, kërkojmë që të merrni të gjitha masat që Koalicioni Euroatlantik të pajiset me materialet filmike të procesit të numërimit nga çdo GNV menjëherë pas përfundimit të këtij procesi.

Koalicioni Euroatlantikështë i angazhuar të ofrojë gjithë mbështetjen e tij, që në përputhje me ligjin, të mbrohet integriteti i votës së lirë dhe vullneti i qytetarëve.

Endri Hasa

Kryetar

‘Refuzohet’ heshtja zgjedhore/ Arrestohen 4 zyrtarë të Partisë Socialiste në Elbasan

Teksa subjektet politike kanë rënë në heshtje zgjedhore, mesditën e sotme prokuroria e Elbasanit dhe SPAK, ka nisur një operacion duke kryer një valë arrestimesh në këtë qytet.

Bëhet fjalë për zyrtarë të Partisë Socialiste që janë përfshirë në veprimtari kriminale, kryesisht në “Shpërdorim të detyrës” dhe “Korrupsionit zgjedhor” dhe ndërtimit pa leje.

Janë lëshuar 4 masa arresti ku për momentin dy janë ekzekutuar dhe dy të tjerë vijojnë të kërkohen nga policia.

Prokuroria thotë se të ndaluarit janë punonjës të IMT në Bashkinë e Belshit si dhe është ngritur akuzë për ndërtim të paligjshëm ndaj firmës së asfaltimit. Dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Video u denoncua në rrjetin social Facebook nga kandidati i PD, Dritan Cani për firmën e asfaltimit “Vëllezërit Hysa”.

Njoftimi i Prokurorisë:

Dyshime se lejuan shtrimin e rrugëve në Belsh në funksion të fushatës elektorale, Prokuroria Elbasan ndalon 4 persona

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr. 446 të vitit 2025 për veprën penale të “Shpërdorim detyre”, “Përdorimi i funksionitpublik për veprimtari politike ose zgjedhore”, “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Moskallëzim i krimit” të parashikuar nga nenet 248, 328/a/4, 199/a/3 dhe 300 i K.Penal,

Në datë 05.05.2025, ora 08:30, nga këqyrja në rrjetin social “Facebook”,është shfaqur postim “Asfalt elektoral në Belsh”, në video dallohet një kamion me mbishkrimin “V. H.” dhe mbrapa saj një mjet që shtron asfalt. Në këmbë gjendet kandidati i një koalicioni zgjedhor shtetasi D.C. Ky shtetas në video mes të tjerash relaton se: “I bëj thirrje Kryetarit të Bashkisë Belsh, që pse shtrohet ky asfalt tani, një javë para zgjedhjeve”.

Në kuadër të këtij procedimi janë kryer disa veprime hetimore si kqyrja e vendit të ngjarjes, kqyrja dhe sekuestrimi i dokumentacionit mbi punimet në rrugë (praktika e mbajtur nga ana e Bashkisë Belsh dhe nga subjekti “V.H” shpk), administrim i deklarimeve të personave që kanë dijeni rreth veprës penale.

Në tërësi të veprimeve hetimore të kryera deri në këto momente, rezulton se ka dyshime të arsyeshme që punonjës të IMT Bashkia Belsh kanë kryer veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, pasi me mosveprimet e tyre kanë lejuar që subjekti “V.H” shpk të shtrojnë pa projekt rrugë të brendshme në qytetin e Belshit, të dyshuara të kryera në funksion të fushatës elektorale për zgjedhjet e datës 11.05.2025.

Nga ana e subjektit “V.H.” shpk është kryer vepra penale e “Ndërtimit të paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 i Kodit Penal.

Sa me sipër në datë 10.05.2025 nga Prokurori i çështjes është urdhëruar ndalimi i të dyshuarve për një krim shtetasve F.M., L.H., Dh.K. dhe B.H.

India dhe Pakistani dakordësohen për armëpushim pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA! Trump: Urime të dyja vendeve

India dhe Pakistani kanë arritur të shtunën marrëveshje për armëpushim, pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, për t’i dhënë fund përleshjeve mes vete.

 

Ka javë që këto dy vende fqinje – të armatosura me armë bërthamore – kanë shkëmbyer zjarr ndaj njëri-tjetrit, pas një sulmi vdekjeprurës ndaj turistëve muajin e kaluar për të cilin India e fajësoi Pakistanin.

Këto ishin përleshjet më të mëdha mes tyre ndër dekada dhe shkaktuan dhjetëra viktima civile në të dyja palët.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ishte i pari që njoftoi për arritjen e armëpushimit mes Indisë dhe Pakistanit, duke thënë se ato pajtohen për armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm.

“Urime të dyja vendeve për përdorimin e arsyes së shëndoshë dhe inteligjencës së madhe. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!” shkroi Trump në Truth Social.

Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, tha se Pakistani dhe India kanë rënë dakord për një armëpushim të “plotë” dhe “jo të pjesshëm”, duke shtuar se rreth dhjetëra vende ishin përfshirë në diplomacinë që e bëri të mundur këtë marrëveshje.

Disa orë para marrëveshjes, Pakistani e ka nisur një operacion ushtarak kundër Indisë, pasi e akuzoi atë për sulme raketore në drejtim të tri bazave ajrore pakistaneze mbrëmjen e së premtes. Kjo lëvizje shënon përshkallëzim tjetër të madh të tensioneve mes dy fqinjëve të armatosur me armë bërthamore.

Burime të sigurisë pakistaneze i thanë Radios Mashaal se operacioni mban emrin e koduar “Bunyanun Marsoos”, një fjalë arabe e marrë nga një varg i Kuranit që do të thotë “shtyllë e fortë”.

Ndërkohë, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, thirri një mbledhje urgjente të Autoritetit të Komandës Kombëtare për të shtunën. Ky autoritet, ndër të tjera, merret me çështjen e armëve bërthamore.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, bisedoi me shefin e ushtrisë pakistaneze, gjeneralin Asim Munir, dhe i bëri thirrje të dyja palëve që të gjejnë mënyra për ta shtensionuar situatën.

Rubio gjithashtu ofroi ndihmën e SHBA-së për të nisur bisedime konstruktive në mënyrë që të shmangen konfliktet e ardhshme, tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Tammy Bruce.

Shërbimi i Forcave të Armatosura të Pakistanit për Marrëdhënie me Publikun (ISPR) tha se është shkatërruar një depo ku India ruante raketat BrahMos. Ushtria tha se ka goditur edhe disa lokacione të tjera, përfshirë aeroportin ushtarak Pathankot dhe bazën ajrore Udhampur. Gjithashtu, theksoi se ka hedhur raketa Fatah 1 ndaj këtyre dy bazave indiane.

Ushtria indiane e quajti të papranueshëm operacionin e Pakistanit.

“Përshkallëzimi i hapur nga Pakistani me sulme me dronë dhe municione të tjera vazhdon përgjatë kufirit tonë perëndimor. Në një nga këto incidente, sot rreth orës 5 të mëngjesit, u panë disa dronë të armatosur mbi Khasa Cantt, Amritsar”, tha ushtria indiane në rrjetin X.

“Dronët armiqësorë u shkatërruan menjëherë nga njësitë tona të mbrojtjes ajrore”, tha ajo.

Burime të sigurisë pakistaneze pretenduan gjithashtu se ishte kryer një sulm i sinkronizuar kibernetik dhe se energjia elektrike në disa qytete ishte ndërprerë.

Të njëjtat burime, që folën në kushte anonimiteti, shtuan se pala pakistaneze ka vendosur se, nëse India kryen sulme të tjera, do të goditen autostradat në Indi.

Pakistani tha më herët se raketat, të lëshuara nga India, kishin rënë në disa lokacione të ndryshme në territorin pakistanez.

Njëra nga raketat goditi bazën ajrore Noor Khan në qytetin Raëalpindi. Kjo bazë është selia e ushtrisë dhe ndodhet më pak se 30 kilometra nga ndërtesat kyçe si Shtëpia Presidenciale, Parlamenti dhe rezidenca e kryeministrit në kryeqytetin Islamabad.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, menjëherë pas sulmeve të mbrëmjes së 9 majit, drejtori i përgjithshëm i ISPR-së, gjeneral Ahmad Sharif, tha se ishte penguar një sulm i Indisë që kishte si objektiv bazën ajrore Noor Khan.

Ai shtoi se dy raketa të tjera ishin lëshuar drejt bazave të tjera ajrore – Murid dhe Shorkot. Sharif pretendoi gjithashtu se India kishte lëshuar disa raketa edhe në Afganistan.

Tensionet mes dy fuqive bërthamore janë rritur ndjeshëm që pas një sulmi më 22 prill në një zonë turistike në Kashmirin e kontrolluar nga India, ku mbetën të vrarë 26 civilë, kryesisht turistë hindu nga India.

Qeveria e Indisë fajësoi Pakistanin për mbështetjen e këtij sulmi, por Islamabadi e ka mohuar përfshirjen.

India dhe Pakistani, të cilët fituan pavarësinë nga Britania në vitin 1947, kanë zhvilluar tri luftëra të plota në vitet 1948, 1965 dhe 1971, si dhe një konflikt të kufizuar në vitin 1999.

Çështja kryesore mbetet lugina e Kashmirit, të cilën India e konsideron pjesë të pandashme, ndërsa Pakistani e sheh si “çështje të papërfunduar të ndarjes” të nënkontinentit indian.

Kashmiri është i ndarë mes tri vendeve me armë bërthamore. India kontrollon rreth 45 për qind të tij, Pakistani rreth 35 për qind, dhe Kina – pas një lufte të shkurtër me Indinë në vitin 1962 – mban 20 për qind./rel

Shembet masivi i dheut në Gramsh, zë poshtë dy punëtorë! Një prej tyre humb jetën, tjetri raportohet i zhdukur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e Holtës në Bashkinë e Gramshit ku një masiv gjigand dheu është shembur në afërsi të një kanali që dërgon ujë në një hidrocentral.

Arkive

Për pasojë dy punëtorë të një kompanie që ndërton hidrocentralin përfunduan poshtë masivit të dheut.

Një prej punëtorëve është nxjerrë i pajetë, ndërsa ende nuk dihet fati i punëtori tjetër.

Policia dhe disa autoambulanca pas njoftimit të marrë kanë shkuar në zonën ku ndodhi tragjedia.

Ngjarja raportohet se ka ndodhur gjatë kohës që po punohej për hapjen e kanalit të veprës marrëse të ujit për hidrocentralin.

“Nga sektori i Emergjencave Civile te bashkise Gramsh njoftohemi per nje ngjarje te ndodhur ne fshatin Hotolisht, në Holtë në Njësinë Administrative Porocan.

Behet fjale per humbjen e jetes se nje personi por per shkak te renies se nje masivi dheu nga ndertimi i diges se nje Heci. Dyshohet per persona te demtuar. Drejt vendngjarjes jane nisur forcat e MZSH Gramsh, autoambulanca, mjete e punonjes te bashkise. Jemi ne ndjekje te situates”, informoi Prefektura Elbasan.

Triumfi kundër Bolonjës, sulmuesi i Milanit: Fitore që jep moral, tani të marrim Kupën e Italisë

Sulmuesi Santiago Gimenez është shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes mes Milanit dhe Bolonjës. Meksikani ka thënë se kuqezinjtë shkojnë me moral në finalen e Kupës, ndaj një rivali që ka bërë shumë mirë.

 

“Jam i lumtur për golat, por mbi të gjitha për fitoren e skuadrës. Duhet të vazhdojmë kështu. E dimë që kemi bërë gabime në fillimin e sezonit, por skuadra ka punuar mirë dhe ka gjetur ekuilibrat e duhur. Kemi një shans të artë që të fitojmë Kupën e Italisë për pak ditë dhe do të rikuperohemi ashtu siç duhet. Sulmi? Nuk ka rëndësi kush luan. Rëndësi ka Milani dhe të gjithë lojtarët japin gjithçka në fushë. Sot shënova unë, ndeshjet e tjera kanë shënuar të tjerët. Ne jemi këtu vetëm për të mirën e skuadrës. Tifozët po na mbështesin, pavarësisht momentit jo shumë pozitiv që kishim në kampionat”, ka thënë sulmuesi.

Krimet zgjedhore/ Prokurorët e SPAK “zbarkojnë” në 12 Qarqet e vendit, ja sa janë caktuar në zonat e “nxehta”! Shoqërohen nga agjentë të BKH-së!

Prokurorët e SPAK kanë “zbarkuar” në 12 Qarqet e vendit që në orët e para të mëngjesit të sotëm.

 

Në qarqet që mund të konsiderohen si zona të nxehta për krimin zgjedhor, siç janë Fieri, Elbasani, Durrësi, Shkodra, Lezha, janë caktuar nga dy prokurorë.

Ndërsa në kryeqytet raportohet se janë cakuar 3 prokurorë të posaçëm.

Prokurorët e SPAK raportohet se shoqërohen nga agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Baret nuk mbajnë më, nisin rritjen e çmimit të kafesë, 4.7% më shumë në prill

Kafeja, zakoni i preferuar i Shqiptarëve, po rrezikon të kthehet në produkt luksi më rritjen e shpejtë të çmimeve. Të dhënat mbi inflacionin treguan se çmimi i kafesë dhe kakaos pësoi rritje vjetore me 4.7 për qind në prill. Ky ishte niveli më i lartë i rritjes që nga shkurti i vitit 2022.

Çmimet e kafesë kanë pësuar rritje më të fortë në zonat më të frekuentuara të Tiranës, ku një filxhan kafe ka kaluar të 120 lekë, ndërsa në periferi çmimi mesatar ka arritur në 80-100 lekë muajin e fundit nga 70 lekë që ishin në fillim të vitit.

Arsyeja kryesore lidhet me rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe në anën tjetër rritja e konsumit nga turistët.

Çmimet e kafesë janë rritur më shpejtësi në tregjet globale sidomos vitin e fundit prej uljes së prodhimit në Brazil.  Gjithashtu rritja e kostove të transportit pas pandemisë  ndikoi negativisht çmimet me pakicë në Shqipëri.

Situata u përkeqësua më tej gjatë 2024 kur furnizimet nga Afrika Perëndimore u tkurrën për shkak të kushteve ekstreme të motit dhe sëmundjes që përfshinë bimët e kafesë dhe kakaos. Efekti i çmimeve të larta po reflektohet me ngadalë në tregjet shqiptare me pakicë.

Në vitet 2016-2019 pati rënie të çmimeve të kafesë më pakicë në vendin tonë me rreth 1,5% për shkak të tepricës së prodhimit botëror, si dhe konkurrencës së madhe në tregun vendas.

Gjatë 2020-2021 çmimet nisën të rriten nga problemet logjistike që krijoi pandemia me transportin dhe zinxhirët e furnizimit.

Një kilogram kafe u importua në mars 2025 me 693 lekë  kilogrami me rritje 19% nga marsi 2024 ku një kilogram kafe u importua me çmim 582 lekë.

Me herët në janar Shoqata e Bareve dhe Restoranteve referoi se baret janë vënë në vështirësi që nga viti i vitin e kaluar për shkak se çmimet e kafesë dhe kakaos dy produktet bazë që shiten më shumë janë rritur ndjeshëm vitin e fundit. Shoqata lajmëroi  të çmimeve në pakicë në mars- prill me 10-30 lekë për një filxhan kafe.

Për shkak të konkurrencës së lartë të bar-kafeve nuk është reflektuar e gjithë rritja e çmimeve të importit tek filxhani i pakicës. Mirëpo rritja e përgjithshme e kostove (pagat, etj) bashkë me rritjen e çmimeve të importit nuk mund të mbajë më çmimin e kafesë në nivelin aktual në një mesatare 70-150 lekë sipas zonave.

Kafeja nuk është vetëm një produkt konsumi në vendin tonë, por përfaqëson stil jetese të shqiptarëve, dita e të cilëve nuk konceptohet pa kaluar disa kohë në baret për ta shijuar atë. Konsumi i kafesë sidomos në ambientet jashtë shtëpisë është arsye pse Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të barëve dhe restoranteve në Europë.

Vitin e ardhshëm pritet të ketë stabilizim të çmimeve nga rritja e prodhimit të ri të kafes në Brazil dhe zgjerimi i sipërfaqeve të kakaos në Nigeri Kamerun, por rreziku i motit ekstrem mbetet i lartë./Monitor

Ngërçi politik/ Albin Kurti pas propozimit të LDK-së: Duam qeveri normale, jo tranzicioni! Zgjedhjet mund të përsëriten, por…

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka folur për herë të parë mbi zhvillimet politike dhe ngërçin në Kuvend pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të shtunën, Kurti e ka refuzuar idenë e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për qeveri tranzicionale, por ka thënë se është i interesuar për qeveri normale.

 

Kurti ka thënë se i dërgoi ftesë të dytë për bashkëpunim LDK-së pas deklaratave të disa deputetëve të kësaj partie se duhet të ketë marrëveshje politike. Kryeministri në detyrë ka pritur që ta ketë më lehtë koalicionin me LDK-në pas reformave që janë bërë këto katër vjet nga qeverisja e LVV-së.

“Për ta ndihmuar daljen nga kjo bllokadë siç e dini i ftova kryetarët e partive PDK-së e LDK-së, por ky i dyti refuzoi të vijë, ndonëse disa deputetë të LDK-së thanë se duhet të ketë marrëveshje politike. Për këtë e shkrova edhe një letër tjetër për koalicion LVV-LDK, por edhe ajo u refuzua. LDK më 2020 bëri koalicion me ne, tash pas reformave do të duhej ta kishte më të lehtë.  Ndoshta rruga e re ka preferenca tjera. Ne duam qeveri normale jo të përkohshme e as të tranzicionit e as të opozitës. Dorën në zemër ky togfjalëshi është paradoksal, sepse opozita është opozitë se duhet të jete opozitë e qeverisë”, ka thënë Kurti.

Për moskonstituimin e Kuvendit për të 13-tën herë, Kurti ka këmbëngulur se nuk ka krizë institucionale, por vakum kushtetues. Sipas tij, institucionet tjera funksionojnë normalisht dhe vetëm Kuvendi i ri nuk është konstituuar, për shkak se Kushtetuta nuk parashikon qartë çfarë ndodh kur kandidati për kryetar nuk merr 61 vota.

“Kuvendi nuk konstituohet nga fituesi, qoftë ai absolut apo relativ. Por meqë jemi fitues, na takon pozita e kryetarit. Kuvendi është përgjegjësi e të gjithëve”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se partia e tij nuk ka bllokuar procesin, pasi ka propozuar kandidaten Albulena Haxhiu dhe ka votuar për të. Sipas Kurtit, disa deputetë opozitarë që më herët votonin kundër propozimit të VV-së, tani po bojkotojnë votimin krejtësisht për të penguar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit. Kurti konfirmoi se nuk e kanë ndërmend ta ndërrojnë Haxhiun si emër për ta marrë drejtimin e Kuvendit – pavarësisht se PDK-ja e AAK-ja janë shprehur të gatshme të votojnë emra të tjerë.

“Bllokimi vjen nga ata që votojnë kundër apo bojkotojnë votimin. Ne nuk jemi bllokues, por votues. Të tjerët le t’i ruajnë propozimet e tyre për kur t’ju vijë radha – ne do t’i respektojmë ato”, shtoi ai.

Kurti tutje u shpreh se rezultati i zgjedhjeve nuk mund të ndryshohet, edhe nëse ato përsëriten – përveç se mund ta rrisin Vetëvendosjen.

“Zgjedhjet mund të përsëriten, por rezultati jo vetëm që mund të ripërsëritet, por edhe të thellohet për Vetëvendosjen”, deklaroi ai.

Kurti ka thënë se ndonëse votohet shpesh në mënyrë të fshehtë në Kuvend, deputetët opozitarë nuk po përkrahin këtë mënyrë votimi edhe për zgjedhjen e Haxhiut si kryeparlamentare.

“Mbi 60 deputetë nuk po marrin pjesë në votim, gjë që po bllokon konstituimin e Kuvendit. Kjo është përgjegjësi e të gjithëve, jo vetëm e koalicionit fitues”, ka thënë Kurti, duke theksuar se fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi dhe pastaj të formohet qeveria – jo anasjelltas.

“Kosova ka qeveri, ka ministra, ka kryeministër në detyrë – por nuk ka Kuvend funksional. Le ta bëjmë këtë sa më parë, pa vonesa”, ka potencuar Kurti.

Gjatë fjalimit, kryeministri në detyrë goditi LDK-në, duke i përmendur “bartjen e njerëzve me autobusë nga qyteti në qytet” gjatë fushatës zgjedhore.

“42.3 për qind është votë e pastër popullore, votë e sinqertë qytetare, pa asnjë borxh ndaj askujt, as për asgjë. Nuk i kemi borxh asnjë emri të përveçëm, asnjë grupi të posaçëm e i kemi borxh popullit të Kosovës. Për këtë fitore është bërë shumë punë. Pa përdorur autobusë e transportim të njerëzve nga qyteti në qytet, pa falsifikime, pa manipulime, pa mashtrime e pa vetëmashtrime. Kjo nuk do të ishte e mundur pa angazhimin e paepur të aktivistëve tanë”, ka deklaruar Kurti./Kohanet

SPAK dhe BKH zhvillojnë sërish takime në Elbasan, diskutime mbi problematikat dhe denoncimet për zgjedhjet e 11 majit

Strukturat e drejtësisë dhe hetimit vijojnë përpjekjet për të garantuar një proces zgjedhor të ndershëm dhe të pandikuar nga elementë kriminalë.

Përfaqësues të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë zhvilluar sërish një vizitë pune mëngjesin e kësaj të shtune në qytetin e Elbasanit ku janë takuar me Drejtuesin e Prokurorisë Kreshnik Ajazi dhe Drejtorin e Policisë Vendore Fatmir Hoxha.

Fokusi i takimit kanë qenë shqetësimet dhe denoncimet në rritje që lidhen me zgjedhjet të 11 majit.

Burime pranë takimit konfirmojnë se janë diskutuar masat konkrete që po merren për të parandaluar dhe ndëshkuar çfarëdo përpjekje për manipulim të votës, përfshirë blerjen e votave, presionin ndaj votuesve, dhe përdorimin e burimeve shtetërore në funksion të fushatës elektorale.

Përfaqësuesit e SPAK dhe BKH kanë kërkuar angazhim maksimal nga institucionet lokale të drejtësisë dhe rendit, me qëllim rritjen e monitorimit në terren, sidomos në zonat e identifikuara si të ndjeshme.

Ata kanë theksuar se çdo kallëzim apo indicie që lidhet me krime zgjedhore do të trajtohet me përparësi dhe në mënyrë të paanshme.

Gjithashtu është theksuar rëndësia e krijimit të një klime besimi për qytetarët që dëshirojnë të raportojnë parregullsi, duke garantuar mbrojtjen e tyre dhe trajtimin konfidencial të informacionit

Kjo është vizita e dytë e SPAK dhe BKH në Elbasan në prag të zgjedhjeve, duke e kthyer këtë qark në një nga pikat me vëmendje të veçantë për shkak të historikut të përfshirjes së elementëve të krimit të organizuar në procese zgjedhore të mëparshme.

Autoritetet kanë theksuar se do të ketë zero tolerancë ndaj çdo shkeljeje të ligjit elektoral, dhe kanë garantuar se veprimet penale do të ndiqen me shpejtësi dhe vendosmëri.