22.5 C
Tirana
E enjte, 21 Gusht, 2025

SHBA-ja akuzon Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet e nëntorit: U krijua një skemë me vlerë 10 milionë dollarë…

Shtetet e Bashkuara kanë ngritur aktakuzë kundër dy menaxherëve të një televizioni shtetëror rus dhe e kanë akuzuar Kremlinin për kryerjen e një operacioni të fshehtë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA.

Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland, tha se televizioni RT, i njohur më parë si Rusia Sot, dhe dy menaxherët e tij me bazë në Moskë, e kanë orkestruar “një skemë në vlerë 10 milionë dollarë për të krijuar dhe shpërndarë përmbajtje te qytetarët amerikanë me mesazhe të fshehta të qeverisë ruse”.

Garland gjithashtu njoftoi se Departamenti amerikan i Drejtësisë i ka konfiskuar 32 domene interneti të përdorur nga aktorët rusë si pjesë e operacionit të dyshuar për të ushtruar ndikim.

Synimi i Moskës ishte ta siguronte një “rezultat të parapëlqyer” në garën presidenciale mes Donald Trumpit dhe Kamala Harrisit, tha ai.

“Njoftimi i sotëm tregon se sa larg shkojnë qeveritë e huaja për t’i minuar institucionet demokratike amerikane”, tha Departamenti amerikan i Shtetit në një njoftim.

DASH paralajmëroi se “këto qeveri të huaja duhet ta dinë gjithashtu se ne nuk do t’i tolerojmë aktorët e huaj dashakeq të ndërhyjnë qëllimshëm dhe t’i minojnë zgjedhjet e lira dhe të drejta”./REL

Moment historik në karrierë, Granit Xhaka nominohet për “Topin e Artë”

Mesfushori me origjinë shqiptare, Granit Xhaka është nominuar për çmimin prestigjioz të Topit të Artë! Një arritje e jashtëzakonshme për futbollistin i cili zhvilloi një sezon spektakolar me Bajern Leverkusen.

Kjo është hera e parë që Xhaka është pjesë e listës së kandidatëve për këtë çmim të rëndësishëm në futbollin ndërkombëtar.

Ceremonia e ndarjes së “Topit të Artë” do të mbahet më 28 tetor në Paris, ku do të mblidhen personalitete të njohura nga bota e futbollit për të nderuar më të mirët e vitit.

Këtë vit, disa lojtarë të tjerë janë gjithashtu në garë për çmimin, duke përfshirë Vinicius Zhunior i Real Madridit, Rodri i Mançester Sitit dhe Xhud Bellingham, që të gjithë janë konsideruar si favoritë për të fituar Topin e Artë.

Nomimi i Granit Xhakës është një dëshmi e suksesit të tij dhe ndikimit që ka pasur në fushë gjatë vitit të fundit, duke e bërë këtë një moment të veçantë për karrierën e tij dhe për tifozët e tij.

Graniti fitoi Bundesligën me Bajer Leverkusenin pa pësuar asnjë humbje, po ashtu shtoi DFB Pokal dhe Superkupën e Gjermanisë.

Duhen t’i konsumoni me shumë kujdes, zbuloni ushqimet që nuk janë aq të shëndetshme sa keni menduar

Për shumë njerëz, çështja e të ushqyerit të shëndetshëm është një prioritet në planifikimin e të ushqyerit të tyre të përditshëm dhe gjithashtu në zgjedhjen e produkteve të tyre nga raftet e supermarketeve.

Por, janë disa ushqime që deri më sot i konsideronim, pa asnjë pikë dyshimi absolutisht të shëndetshme, e që në të vërtetë nuk janë.

Këto janë ushqimet që pavarësisht shenjës pozitive që kanë fituar në ndërgjegjen ushqyese të konsumatorit mesatar, do të bënim mirë t’i fillonim t’i trajtonim me më shumë skepticizëm.

Ëmbëlsirat me kos

Në përgjithësi, nuk janë të paktë ata që besojnë se duke konsumuar një ëmbëlsirë me kos kanë marrë të gjithë lëndët ushqyese të nevojshme të kosit dhe në fakt pa u ngarkuar as me kalori apo yndyra të panevojshme.

Në fund të fundit, çfarë mund të jetë më tërheqëse se një kos me një shije të këndshme, një aromë të fortë frutash dhe një teksturë prej kadifeje? Megjithatë, nëse dikush lexon përbërësit e ëmbëlsirave të kosit në pjesën e pasme të paketimit, do të zbulojë se ka shumë të ngjarë që ky “kos” të përmbajë gjalpë qumështi, niseshte, fruktozë, xhelatinë, aromatizues dhe substanca të tjera me sheqer që degradojnë, në mënyrë ushqyese në raport me kosin klasik dhe në të njëjtën kohë përbëjnë profilin e një produkti “shpërthyes” në kalori.

Spreads me arra me çokollatë

Të gjitha përhapjet e arrave janë jashtëzakonisht të dobishme për shëndetin e përgjithshëm të trupit tonë. Por kur i marrim nga tregtia dhe nuk i bëjmë vetë dhe sidomos ato që përmbajnë çokollatë, shumë shpesh përfundojmë me opsione jo edhe aq të shëndetshme, me një përmbajtje të lartë sheqeri ose substanca të tjera ëmbëlsuese që mund të përmirësojnë shijen.

Pra, ne lexojmë gjithmonë etiketat dhe i kushtojmë vëmendje përqindjes së frutave (në mënyrë ideale zgjedhim ato që theksojnë se janë nga fruta natyrale 100% pure), shmangim, natyrisht, ato që janë të pasuruara me çokollatë dhe në fund i kushtojmë vëmendje çdo yndyre tjetër që mund të përmbahet si p.sh. në vaj palme.

Bare drithërash

Shumë prej nesh e kanë pyetur shpesh veten nëse shufrat e drithërave që zakonisht zgjedhim mes vakteve në zyrë apo mes aktiviteteve tona të përditshme janë një zakon i shëndetshëm, por që na ngarkon me kalori dhe yndyra të panevojshme.

E vërteta qëndron diku në mes. Ekspertët u thonë po shufrave të drithërave (ato këshillojnë që të jenë të bëra vetë) por me masë dhe pasi të kemi lexuar fillimisht përbërësit në paketimin e tyre.

Më konkretisht, për të cilësuar një bar si të shëndetshëm, ai duhet të jetë i pasur me fibra (gruri dhe tërshëra integrale janë një kombinim ideal ) dhe sigurisht me pak yndyrë, kripë dhe kalori (kujdes sepse rriten ndjeshëm me shtimi i arrave dhe mjaltit).

Sushi

Po, shijet aziatike janë të mrekullueshme dhe peshku është një ushqim i mrekullueshëm për trupin tonë, por kur shërbehet me oriz të bardhë dhe ky kombinim merret me salcë soje, atëherë karbohidratet e rafinuara rriten në qiell dhe po ashtu edhe nivelet e marrjes së natriumit.

Dhe siç e dini, shumë kripë është e dëmshme! Duhet t’i kushtojmë shumë rëndësi edhe peshkut, pasi toni dhe salmoni i freskët janë akuzuar shumë herë në të kaluarën për akumulim të metaleve të rënda për shkak të ndotjes së gjerë të deteve.

Një çetë kaçakësh/ Si u vodh tenderi 1 milionë euro i ilaçeve në ministrinë e Shëndetësisë

Teksa spitalet publike përballen me mungesën e ilaçeve dhe pacientët lihen pa kurim deri në vdekje me justifikimin e mungesës së parave, një çetë kusarësh në ministrinë e Shëndetësisë nuk ndalet nga asgjë. Rasti më i fundit është megatenderi 36 milionë euro për blerjen e ilaçeve, i ndarë në 115 lote.

Në datën 3 qershor ministria e Shëndetësisë zhvilloi procedurën për lotin 55 të këtij tenderi, i cili parashikonte blerjen e Iodinës me fond limit 1 milionë euro. Në këtë procedurë garuan tre kompani, por vetëm dy prej tyre paraqitën ofertë financiare. Oferta e parë ishte ajo e kompanisë Delta Pharma me vlerë 694 mijë euro, ndërsa ofertën e dytë e paraqiti kompania Edna Farma me 986 mijë euro.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në ministrinë e Shëndetësisë e skualifikoi ofertën më të ulët përmes dy artificave të paligjshme. Së pari duke u justifikuar se kompania nuk kishte paguar faturën 240 lekë të energjisë për muajin prill dhe së dyti duke shfrytëzuar një ngatërresë në dokumentacion. Si rezultat, KVO në ministrinë e Shendetësisë shpalli fituese ofertën e dytë, atë të Edna Farmës edhe pse ajo ishte 300 mijë euro më e lartë. Por ky ishte vetëm fillimi i një sage batërdie pa asnjë frikë nga ligji madje edhe organet eprore.

Shkelje e ligjit
Shpallja fituese e ofertës 300 mijë euro më të lartë u ankimua në Komisionin e Prokurimit Publik. Pasi shqyrtoi dokumentacionin, KPP i rrëzoi të dy arsyet e skualifikimit të ofertës më të ulët.

“Operatori ekonomik ankimues nuk ka patur detyrime të energjisë elektrike të maturura të papaguara dhe për më tepër detyrimet energjisë elektrike të muajit prill 2024 i ka paguar përpara afatit të maturimit,” thuhet në vendimin e KPP.

Përtej kësaj, Komisioni i Prokurimit e urdhëroi ministrinë e Shëndetësisë që të mos përdorë ngatërresën e dokumentacionit si preteks për të skualifikuar ofertën më të leverdisshme për qytetarët, por t’i kërkojë kompanisë që të ridorëzojë dokumentacionin e saktë, i cili ishte verifikuar në fazën e parë të tenderit si i tillë. Por as ky vendim nuk e ndali abuzimin.

“Komisioni i Prokurimit Publik gjykon se në këto kushte autoriteti kontraktor në momentin që konstaton se dokumentet e dorëzuara fizikisht nuk përputheshin me dokumentet e ngarkuara në SPE nga operatori ekonomik në momentin e ofertimit duhet ti kërkonte sqarime operatorit ekonomik “Delta-Pharma” SHPK lidhur me dokumentacionin e dorëzuar pranë autoritetit kontraktor,” thuhet në vendimin e KPP.

Me pak fjalë, KPP e përmbysi fituesin e tenderit duke shpallur fitues ofertën më të leverdishme për qytetarët, e cila i kursente 300 mijë euro buxhetit. Por pavarësisht vendimit, ministria e Shëndetësisë nuk kërkoi dorëzimin e dokumentacionit të saktë nga kompania që kishte ofertë më të mirë, por dy ditë më parë shpalli sërish fituese ofertën 300 mijë euro më të lartë, në kundërshtim me ligjin dhe vendimin e një organi më të lartë.

Një çetë kusarësh

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në tenderin 36 milionë euro për blerjen e ilaçeve është një trupë që përbëhet nga tre zyrtarë të ministrisë së Shëndetësisë. Kryetarja e tij quhet Matilda Shabani, një infermiere e cila më parë ka mbajtur pozicionin e drejtoreshës së programeve të zhvillimit të shëndetit dhe mbrojtjes sociale.

Pavarësisht se vendimi i KPP është i detyrueshëm për zbatim dhe nuk refuzohet nga asnjë autoritet kontraktor, zonja Shabani ka këmbëngulur deri në fund tek vlerësimi i saj duke shpallur fituese kompanië që do ajo, e cila u kushton qytetarëve 300 mijë euro më shtrenjtë. Ky është një rast identik i ngjashëm me tenderin për tunelin e Kardhiqit, për të cilin Sonila Qato vazhdon të endet në SPAK 5 vjet më pas.

Reforma në drejtësi dhe ngritja e Prokurorisë së Posaçme ngjalli për shumë qytetarë, madje edhe tek ata më skeptikët, shpresën se më në fund frika nga ligji do të dekurajonte abuzimet masive me paratë e qytetarëve. Por kjo shpresë po rrezikon të venitet me shpejtësi teksa kaçakët e komisioneve nëpër tendera abuzojnë haptazi me paranë publike në shkelje të ligjit duke qerasur dhe ndarë miliona euro në llogari private.

Fatkeqësisht, komisioni i Shabanit në ministrisë së Shëndetësisë nuk është i vetmi, pasi gjakderdhja financiare vazhdon me të njëjtin ritëm në çdo autoritet kontraktor.

BIRN: Zbulohen provat që lanë në qeli ish-ministrin Ilir Beqaj

Përgjimet e kryera nga SPAK në muajt mars dhe prill të vitit 2023 në kuadër të hetimit të kontratës koncesionare të check up-it, e ashtuquajtur “kontroll shëndetësor falas”, zbuluan skemën e dyshuar të korrupsionit dhe pastrimit të parave duke keqpërdorur fondet e programeve të ndihmës së Bashkimit Evropian, në krye të së cilës duket se qëndronte ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe miku i tij, Ermal Kurtulaj.

Në atë kohë Beqaj drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, detyra e së cilës ishte menaxhimi me efikasitet i fondeve të donatorëve, ndërsa Kurtulaj ishte koordinator i programit ‘EUSAIR Facility Point’ të financuar nga Bashkimi Evropian.

Kur ishte ministër, Beqaj nënshkroi një sërë kontratash koncesionare kontroverse në sektorin e shëndetësisë, dy prej të cilave, ajo e sterilizimit dhe check-up-it janë nën hetim.

Ai i’a doli t’u shmangej përgjegjësisë penale për vite me radhë për këto afera deri në mars 2024, kur SPAK përfundoi hetimet për kontratën e sterilizimit dhe i njoftoi akuzën e shpërdorimit të detyrës. Megjithatë, ishte dyshimet për abuzime me fondet e BE-së që do të dërgonin pas hekurave ish-ministrin socialist.

Beqaj u arrestua më 4 korrik me kërkesë të SPAK që e akuzon për korrupsion, shkelje të barazisë në tenderë në lidhje me disa procedura prokurimi të kryera nga SASPAC, si dhe fshehje apo mosdeklarim të pasurisë apo interesave private në restorantin Gzona, si dhe përdorimin e një automjeti.

Sekuestrimi i një kompjuteri në banesën e të hetuarit Ermal Kurtulaj, i dyshuar si bashkëpunëtor i ngushtë i Beqjas në abuzimin e fondeve të BE-së, u kthye në një ‘thesar’ provash për SPAK, për të vendosur nën akuzë dhe më vonë në pranga ish-ministrin e Shëndetësisë.

Sipas SPAK, Beqaj nuk ka deklaruar interesat pasurore në restorantin Gzona, që gjendet në rrugicën pedonale brenda sarajeve të familjes Toptani në qendër të Tiranës – zonë historike e rijetëzuar si një hapësirë tregtare për zejet e artizanit dhe kulinarisë.

Aktualisht restoranti Gzona është në pronësi të kompanisë “Albanian Food and Hospitality Lab”, e themeluar në janar të vitit 2019 nga bashkëshortja e ish-ministrit të Shëndetësisë, Adriana Beqaj dhe Arti Malaj.

Në mars 2019, Adriana Beqaj i fali 35% të aksioneve ortakut të saj Malaj dhe në janar 2020 i shiti atij edhe 15% të aksioneve të mbetura. Në vitin 2022, kompania u shit tek Eduard Curraj, administrator i një distributori të madh farmaceutik, Delta Pharma.

Megjithatë, nga analizimi përgjimeve, provave të administruara në kompjuterin e Kurtulajt në të cilat pasqyrohen bilancet e restorantit Gzona, dëshmive të personave nën hetim dhe atyre të dyshuar se kanë dijeni mbi ngjarjen, të krahasuara dhe më të dhënat bankare e të institucioneve tatimore, duket se një prej pronarëve fundorë të këtij aktiviteti është Ilir Beqaj, ndërsa bashkëpunëtori i tij Ermal Kurtulaj, shfaqet si ndihmësi i tij jo vetëm në punët e biznesit, por dhe të veprimtarisë politike.

Beqaj dhe Kurtulaj i kanë mohuar akuzat dhe kanë apeluar çështjen. Edhe pse ka ofruar garanci pasurore, Gjykata e Posaçme e Apelit e ka refuzuar kërkesën e ish-ministrit për tu liruar me kusht. Në paraburgim është mbajtur dhe bashkëpunëtori tij I ngushtë, Errmal Kurtulaj.

Përfaqësuesi ligjor i Ilir Beqajt, avokati Ermal Yzeiraj, i tha BIRN gjatë një bisede telefonike se në këtë fazë të hetimit ka detyrimin të mos japë qëndrim apo detaje lidhur me rrethanat e çështjes. Megjithatë, ai deklaroi se për të gjitha akuzat e ngritura kanë një përgjigje dhe se “mezi po presin të përballen me prokuroren e çështjes në gjykatë”.

Yzeiraj e cilësoi jo ligjore masën e sigurimit personal “Arrest në burg” të vendosur ndaj Beqajt duke e cilësuar të qëllimshme. Sipas tij, kjo u bë me qëllim për të penguar Beqajn në ‘betejën’ e tij për çështjen e sterilizimit dhe për të dëshmuar në komisionin parlamentar hetimor të ngritur për të hetuar atë dosje.

“Është dhe viktimë me qëllim për të krijuar statistika”, tha Yzeiraj dhe nënvizoi se dhe vetë gjykata thotë se ka zero korrupsion.

Ilir Beqaj investitor

Administrator i shoqërisë “Albanian Food and Hospitality Lab”, ka qenë fillimisht Elis Makaj, i cili më herët ka qenë punonjës i Delta Pharma-Al, në pronësi të Eduard Currajt, i cili e bleu në shtator të vitit 2022 restorantin Gzona. Sipas ekstraktit historik të shoqërisë, rezulton se me vendimin e tij, Curraj emëroi në nëntor të 2022-it si administrator Gazmend Prengën.

I pyetur në dhjetor të 2023-it si person që ka dijeni, Gazmend Prenga ka deklaruar para hetuesve se kishte rreth tre vjet e gjysmë që ishte punësuar në bar restorant Gzona, ku veç detyrës si administrator, ishte njëkohësisht kryekamarier. Ai ka pohuar se ishte punësuar aty nga Ermal Kurtulaj.

“Unë jam vendosur administrator nga shtetasi Ermal Kurtulaj. Në momentin që jam vendosur administrator Eduart Curraj ka qenë pronari i lokalit ndërsa më para nuk e di se kush ka qenë pronari pasi në atë periudhë unë kam qenë kamerier, nuk kam pasur kontakte me dokumentacionin”, ka shpjeguar Prenga duke shtuar se kontaktet në atë periudhë i kishte pasur me Elis Makajn, që ishte administratori.

Në vijim, Prenga ka shpjeguar se në dijeninë e tij, Kurtulaj ka mbajtur një rol menaxheri dhe se më saktë, ka pasur rol si ndërmjetës, i cili bënte intervistat e punonjësve, kishte lidhje me disa furnitorë dhe kishte pjesën e sistemeve kompjuterike.

Për Ilir Beqajn dhe bashkëshorten e tij, Prenga ka deklaruar se i njeh si klientë të lokalit që nga koha kur kishte filluar punën.

Dëshmia e Prengës vlerësohet prej Prokurorisë se mbështet të dhënat mbi kontrollin dhe zotërimin e restorantit Gzona nga Ermal Kurtulaj dhe Ilir Beqaj, të marra “së bashku me të dhënat e gjetura gjatë kontrollit të banesës dhe këqyrjes se dokumenteve të gjetura në kompjuterin personal të personit nën hetim Ermal Kurtulaj”.

Bazuar në pasqyrat financiare të kësaj shoqërie rezulton se janë kryer investime nga ortakët në vitin 2019, nga të cilat rreth 100 mijë euro dyshihet se janë injektuar në biznes nga ish-ministri i Shëndetësisë.

SPAK konstaton se nga provat e administruara duket se rezultojnë të dhëna mbi investime të kryera nga Ilir Beqaj, i cili dyshohet të ketë investuar në vitin 2019 shumat 21 mijë e 411 euro dhe 4.6 milionë lekë, si dhe se ka kryer pagesa në formën e shpenzimeve qira e të tjera, në drejtim të shoqërisë “Toptani” sh.p.k, në total në shumë 34 mijë e 783 euro.

Ndërkohë, Beqaj nuk i ka deklaruar në vitet 2019 dhe 2020 këto shpenzime dhe investime në ILDKPKI, sipas kërkesave të ligjit për deklarimin e pasurive nga ana e funksionarëve shtetërorë.

Po ashtu, nga të dhënat e administruara, janë krijuar dyshimet se Beqaj ka ruajtur interesa pasurore në këtë shoqëri edhe gjatë kohës së qenies së tij si drejtor i përgjithshëm i SASPAC-ut, pavarësisht se bashkëshortja e tij, shtetasja Adriana Beqaj, është larguar si ortake në mënyrë përfundimtare prej janarit të 2020-ës.

Këtë dyshim, prokuroria e mbështet në provat e siguruara gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Kurtulajt dhe konkretisht në të dhënat e gjetura në kompjuterin e tij.

Në aktet e paraqitura në gjykatë nga ana e SPAK, për kërkimet e caktimit të masave të sigurisë, parashtrohet se nga kqyrja e dokumenteve të gjetura në kompjuterin e Kurtulajt, ka rezultuar se ai administron dokumentacion dhe të dhëna mbi aktivitete në lidhje me punën, me aktivitetet politike si dhe bizneset familjare të Ilir Beqajt, që çmohet se dëshmon marrëdhënien e afërt të besimit dhe bashkëveprimit mes tyre.

Po ashtu, janë gjetur dokumente dhe prova që lidhen me veprimtarinë e restorant Gzona, të cilat tregojnë veprimtarinë e drejtpërdrejtë të Kurtulajt për administrimin e këtij subjekti, si dhe dëshmi për lidhjen e ngushtë të Ilir Beqajt me këtë veprimtari. Prokuroria vlerëson se të dhënat ngrenë dyshime se veprimatria e Kurtulajt është në funksion të interesave të Beqajt.

Konkretisht janë gjetur dhe sekuestruar faturë tatimore shitje e dhjetorit 2019 e Telekom Albania me blerës Ilir Beqaj për  një “Iphone 11 pro max 64 GB”, e firmosur nga Ermal Kurtulaj; formular pajtimi me kompaninë ONE nga Ilir Beqaj për dy numra telefonikë të lëvizshëm; kontratë për emetimin e kontratës së parapaguar e prillit 2022 në emër të Ilir Beqajt, lidhur me Credins Bank; faturë e Credins Bank në emër të Ilir Beqajt në korrik të vitit 2019 dhe urdhër xhirimi po në emër të tij; faturë tatimore shitje e ONE në shkurt të vitit 2022, në emër të Ilir Beqajt; një zarf i bardhë me mbishkrimin Credins Bank, brenda të cilit gjenden dy fletë me shënime për Ilir Beqaj dhe shkresa të bankës Credins.

Po ashtu janë gjetur të dhëna pë veprime financiare të bashkëshorte së ish-ministrit, Adriana Beqajt, si faturë mandat arkëtimi në Credins Bank në shtator të vitit 2020; mandate bankare për vitet 2016-2021, gjithsej 20 fletë; dy kontrata bankare në emër të saj, të tetorit 2016 për dy llogari rrjedhëse; dokumente nga ProCredit Bank dhe urdhër pagesa të ndryshme për Adriana Beqajn; certifikatë martese e nëntorit të vitit 2018 e Adriana dhe Ilir Beqaj, e të tjera dokumente.

Sipas prokurorisë rezulton një numër i konsiderueshëm dokumentesh me të dhëna mbi restorantin “Gzona”, prej krijimit të këtij aktiviteti, mbi investimet e realizuara mbi këtë restorant, përfshi ato të innjektuara nga Ilir Beqaj.

Të dhënat mbi xhirot ditore për vitet 2019-2022, shpenzimet e kryera nga Ilir Beqaj dhe Dorian Sadiku, një nga ortakët e shoqërisë “Delta Pharma” shp.k, janë regjistruar veçmas, me qëllim rakordimin më pas të tyre.

Nga këqyrja e dokumenteve në kompjuter, për investimin fillestar në këtë restorant, është konstatuar një dokument ‘exel’ me emërtimin ‘Gzona TOTAL’ dhe me datë të fundit të ruajtjes, 6 dhjetor 2019, ku janë gjetur të dhëna mbi investimet e Beqajt në vitin 2019.

Për të provuar nëse kanë qenë reale të dhënat e gjetura në kompjuterin e Kurtulajt, prokuroria i ka krahasuar me të dhënat sipas deklarimeve të kryera në organet tatimore nga subjekti ‘Albanian Food And Hospitality Lab’ (Gzona), për secilin nga furnitorët e evidentuar në këtë tabelë, si dhe me të dhënat bankare.

Po ashtu, është saktësuar data se kur restoranti ka filluar të gjenerojë të ardhura nga shitjet e kryera. Sipas libirit të shitjeve, janë pasqyruar shpenzime me të dhënat si në tabela, fakte që sipas prokurorisë tregojnë se të dhënat e gjetura në kompjuterin e Kurtulajt janë reale.

“Ka rezultuar se vlerat e deklaruara në librat e blerjes të subjektit ‘Albanian Food and Hospitality Lab’/Gzona, përputhen në pjesën më të madhe me vlerat e shënuara në tabelat e gjendura në dokumentin excel me emërtimin ‘Gzona TOTAL’, duke mbështetur në këtë mënyrë faktin se të dhënat e këtyre tabelave janë të vërteta dhe reale”, citohet në aktin e Gjykatës së Posaçme.

Sipas prokurorisë, në vijim të dhënat e tabelave të gjetura dhe ato të deklaruara në librat e shitjes janë krahasuar dhe me ato që rezultojnë nga lëvizjet bankare të kyera për llogari të bar restorantit Gzona, prej nga ka rezultuar se shoqëria e ka filluar aktivitetin shumë kohë më vonë nga krijimi i saj dhe për pasojë nuk ka pasur të ardhura te veta të realizuara nga shitja, për t’u investuar më pas.

Duke iu referuar raportit ndërmjet investimeve të kryera nga Eduart Curraj dhe Ilir Beqaj, prokuroria vlerëson se ka dyshim të arsyeshëm se ish-ministri zotëron interesa pasurore mbi bar restorantin Gzona, të paktën rreth 19.4 % të vlerës se investimit, pasi ka investuar në total 56 mijë e 194 euro dhe 4.6 milionë lekë, ndërsa pronari de juro, Eduard Curraj ka investuar 265 mijë euro dhe 15.6 milionë lekë, ose 80.6 % të investimit.

Të dhëna të tjera kompromentuese për Beqajn në këtë biznes, janë gjetur dhe gjatë kontrollit të ushtruar tek restorant Gzona. Nga verifikimi mandat arkëtimeve të ndryshme që përmbajnë të dhëna për veprime financiare të kryera nga i hetuari Ermal Kurtulaj, kanë rezultuar fakte mbi raportet dhe interesat e Ilir Beqajt në këtë shoqëri.

Sipas SPAK, të dhënat tregojnë se Beqaj ka vepruar nëpërmjet Ermal Kurtulajt.

Këto konkluzione janë mbështetur dhe në rezultatet e përgjimeve telefonike të kryera ndaj Kurtulajt, kqyrja e apartatit të telefonit celular të tij e të Ilir Beqajt dhe Gazmend Prengës. Vlerësohet se nga përgjimet rezulton se Kurtulaj ka qenë administratori faktik i restorantit Gzona, pasi ai ka shfaqur sjellje si i tillë me administratorin ligjor Gazmend Prenga dhe punonjësit e tjerë. Kjo, përforcohet dhe nga fakti se janë gjetur të dhëna që tregojnë se Ilir Beqaj i ka mbajtur komunikimet me punonjësit e këtij restoranti nëpërmjet Kurtulajt.

Nga përmbajtja e një bisede telefonike mes tyre Kurtulajt dhe Prengës, duket se ka lidhje me shënimet e gjetura në një bllok të sekuestruar gjatë kontrollit të ushtruar në restorant Gzona.

Po ashtu, nga këqyrja e të dhënave të aparatit të telefonit të Gazmend Prengës, janë gjetur të dhëna që dëshmojnë rolin e Beqajt si person që ka interesa të vetat pasurore mbi restorantin Gzona.

Në vijimësinë e komunikimeve të muajit të fundit dhjetor 2023, nga analizimi i bisedave të kryera nga Ermal Kurtulaj me Ilir Beqajn, nëpërmjet telefonit të shoferit të këtij të fundit, nga bisedat kuptohet se kanë folur për tu takuar në fund të vitit për rakordimet.

Takimi është dokumentuar me pamje flimike dhe sipas prokurorisë rezulton të ketë ndodhur vërtet ashtu si referojnë dhe komunikimet telefonike të përgjuara.

Të tjera fakte mbi qënien e Beqajt si ortak fakik në këtë biznes dëshmohen dhe nga komunikimet e kryera me punonjësit e restorantit të cilët duket se i raportojnë atij për largimet nga puna, pjesëmarrjet e tij në biseda me personelin e restorantit, si dhe komunikimi i Prengës me një ish-punonjës në këtë restorant.

“Po ashtu rezulton se edhe familjarët e personit nën hetim, bashkëshortja dhe vajza e tij, në komunikimet e tyre flasin për ‘Gzonën’ dhe për ndryshimet e bëra aty, fakte të cilat tregojnë për lidhjen e tyre me këtë restorant”, citohet në vendim e Gjykatë së Posaçme për masën e sigurisë ndaj Ilir Beqajt dhe të dyshuarave të tjerë.

“Në analizë të dokumenteve të ndodhura në kompjuterin e personit nën hetim Ermal Kurtulaj, dokumenteve (faturave e të tjera) të gjendura gjatë kontrolleve, si dhe nga komunikimet dhe bisedat si telefonike ashtu dhe të konstatuara në aparatet e telefonave celulare të sekuestruar dhe këqyrur, rezultojnë të dhëna të cilat lidhen me njëra tjetrën dhe tregojnë se personi nën hetim Ilir Beqaj është ortak faktik, pra ka interesa të drejtpërdrejta pasurore të vetat në restorantin ‘Gzona’ që nga fillimi i tij dhe në vijim.

Sipas prokurorisë, Beqaj nga viti 2020 e në vijim nuk ka deklaruar interesat pasurore të tij në vlerën e investimit me rreth 19.4 % tek restoranti Gzona.

Bazuar në aktet dhe shpjegimet e prokurorisë, edhe gjykata vlerëson se ka dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova se ai nuk ka deklaruar vlerën e investimit të tij në restorantin Gzona për vitin 2019 dhe 2020. Gjykata sjell në vëmendje se në vitin 2019, bashkëshortja e Beqajt ka deklaruar vetëm mbi kuotat e zotëruara prej saj në këtë subjekt, por jo vlerë investimi apo të çdo lloj tjetër kontributi.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme vlerëson se ka dyshim te arsyeshëm të bazuar në prova që Gzona mund të jetë pasuri e fshehur apo e padeklaruar e Beqajt.

Hetimi lidhur me deklarimin e pasurive dhe interesave private të Beqajt ka zbuluar dhe përdorimin e një automjeti të llojit Volswagen Touareg në mënyrë të vazhdueshme, pasuri që është në pronësi të Ermal Kurtulajt, me vlerë rreth 1.3 milionë lekë.

Këtë automjet që është blerë në shtator të vitit 2019 kur Beqaj ka qenë deputet, rezulton se ai e ka përdorur në mënyrë të vazhdueshme për lëvizjet e tij, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Nga hetimi ka rezultuar se me rregullimin e mjetit që përdoret nga Beqaj, merret Kurtulaj. Prokuroria ngre dyshime mbi pronësinë faktike të tij mbi këtë automjet, duke ngritur dyshime për fshehje të pronësisë, apo se minimalisht duhej deklaruar përdorimi.

Akuza për korrupsion pasiv ‘nuk provohet’

Sipas prokurorisë, rezultojnë të dhëna që krijojnë dyshime mbi mosdeklarim ose deklarim të rremë të pasurive dhe interesave private, nga personi nën hetim Ilir Beqaj në cilësinë e subjektit të deklarimit, për shkak të funksioneve që ka mbajtur. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe gjykata.

Ndërkohë, gjykata vlerëson se Prokuroria nuk ka arritur do të vërtetojë me provat e administruara deri tani se ka pasur korrupsion. Dyshimet e ngritura nga SPAK, se Beqaj dhe Kurtulaj kanë kryer korrupsion pasiv si pasojë e faturimit të shumave nga subjekti Gzona, pjesë e shërbimeve të prokuruara nga SASPAC, nuk janë gjetur të bazuara nga gjykata me argumentin se nuk ka fiktivitet për vlerat e paguara për shërbimet e kryera. Gjykata vlerëson se duhet të hetohet në drejtim të zbulimit të mekanizmit të kthimit të vlerave monetare në rastet e dyshuara të mashtrimit.

Nga ana tjetër gjykata vlerëson se ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova për kryerjen e veprave penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve ne tendera dhe ankande publike”, në bashkëpunim dhe “Mashtrimi”.

Për këtë të fundit, gjykata vlerëson se është e domosdoshme të shtrihet hetimi në drejtim të zbulimit të lidhjeve të personave në favor të të cilave kanë kaluar vlerat e parave me personat nën hetim, punonjës të SASPAC apo subjekte të lidhura me ta.

Në përfundim, gjykata ka gjetur të drejta kërkesat e prokurorisë për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj Ilir Beqajt dhe Ermal Kurtulajt.

Në arsyetimin për llojit të masës së sigurimit personal që duhet të caktohet ndaj Ilir Beqajt, gjykata vlerëson se në këtë rast, shkalla e nevojave të sigurimit të tij rezulton e lartë.

Kjo, referuar rrezikshmërisë së veprave penale për të cilat ai procedohet, kryerjes së të njëjtës vepër penale disa herë, dyshimin se ka kryer tre vepra penale dhe dy prej tyre të shtrira në kohë, në mënyrë të përsëritur dhe në bashkëpunim, duke abuzuar me funksionin publik.

“Gjykata vlerëson se është prezent një mekanizëm i shtrirë në kohë dhe i përsëritur, që dëshmon prezencën e një mendimi të konsoliduar dhe njëherësh dëshmon raportin e dobët e të hetuarit në respektimin e ligjit në raport me ushtrimin e funksionit publik qe ka mbajtur”, citohet në vendimin e gjykatës për ish-ministrin.

Në “Arrest në burg” është lënë dhe i hetuari Alfred Nikolla. Ndryshe nga prokuroria që kërkoi burg dhe për Gazmend Haxhinë dhe Elton Marinin, gjykata ka caktuar “Arrest në shtëpi”. Për Bledar Lekën dhe Bjona Ziajn për të cilët SPAK kërkoi “arrest në Shtëpi, është caktuar masa e sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur…”, ndërsa për të hetuarën Marinela Jazoj nuk është pranuar kërkesa për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”./BIRN/

Basha: Marrëveshja me Kurum si ajo e rafinerisë së Ballshit, skemë mashturese për zgjedhjet. Përpara drejtësisë çdo zyrtar i përfshirë në këtë skandal

Kryetari i PD-Demokratët Euroatlntikë, Lulzim Basha, e ka quajtur skemë mashtruese para zgjedhjeve marrëveshjen e kompanisë Kurum me kryebashkiakun e Elbasanit, Gledian Llatja. Basha tha se marrëveshja e sotme është ripërsëritje e skemës hileqare të uzinës së Ballshit, ku para zgjedhjeve u premtojnë punë, paga, mbështetje, por pas zgjedhjeve do t’i hedhin në rrugë.

Ai më tej thotë se po bëhet gjithçka për të mbuluar skandalin e mbetjeve toksike, ku deklaratat e qeveritarëve treguan se është vepruar si një organizatë kriminale, për të cilën SPAK duhet të hetojë.

Basha gjithashtu tha se duhet të marrë fund koha që të punësuarit pranë kompanisë të mostrajtohen si plaçkë lufte mes atyre që po përpiqen të fshehin përgjegjësitë për çfarë kanë bërë përgjatë këtyre viteve, skandalin e mbetjeve toksike dhe lojën e turpshme elektorale në kurriz të qytetarëve që luftojnë për mbijetesë.

Reagimi i plotë i Lulzim Bashës:

Për sa kohë do të jenë të punësuar punonjësit e Kurum?
Çfarë do të ndodhë me ta pas zgjedhjeve?
Këto janë pyetjet që kërkojnë përgjigje dhe garanci sot.
Ajo që u servir për mediat ishte e njëjtë me skemën mashtruese të pak viteve më parë, me punonjësit e rafinerisë së Ballshit.
Edhe atyre u premtuan në prag të zgjedhjeve – punë, paga, mbështetje, por pas zgjedhjeve i hodhën në rrugë.
Edhe pseudo negociatat e sotme mes Kurum dhe përfaqësuesve të Edi Ramës janë ripërsëritje e skemës hileqare të uzinës së Ballshit.
Një lojë elektorale me shëndetin dhe mirëqenien e të punësuarëve në atë sipërmarrje, qëllim i vetëm i të cilës është vota e tyre.
Nga ana tjetër po bëhet gjithçka për të mbuluar skandalin e mbetjeve toksike, ku deklaratat e qeveritarëve treguan se është vepruar si një organizatë kriminale, për të cilën SPAK duhet të hetojë.
Duhet të marrë fund koha kur qytetarët shihen si vota e më pas lihen në mëshirë të fatit.
Duhet të marrë fund koha, kur qeveria luan me bukën e gojës së shqiptarëve, vetëm e vetëm për të mbajtur pushtetin.
Që të punësuarit pranë kompanisë të mostrajtohen si plaçkë lufte mes atyre që po përpiqen të fshehin përgjegjësitë për çfarë kanë bërë përgjatë këtyre viteve, skandalin e mbetjeve toksike dhe lojën e turpshme elektorale në kurriz të qytetarëve që luftojnë për mbijetesë, institucionet e drejtësisë duhet të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të zbardhin me shpejtësi dhe rigorozitet këtë aferë çnjerëzore, që dëmton shëndetin, sigurinë dhe imazhin e Elbasanit dhe Shqipërisë duke nxjerrë përpara drejtësisë çdo zyrtar të lartë të përfshirë në këtë histori rrënqethëse.
Shqipëria meriton më shumë!

FOTO/ U inaugurua një muaj më parë, por sot kanë mbetur vetëm vidat. Hiqet memoriali për katër policët e vrarë nga Dritan Dajti në Durrës

Një muaj pasi u vendos, është hequr nga vendi memoriali i 4 policëve të vrarë nga Dritan Dajti në qytetin e Durrësit.

 

Rreth katër javë më parë në Durrës u inaugurua pllakata për 4 efektivët e rënë krye të detyrës më 7 gusht të vitit 2009.

Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feska dhe Saimir Duçkollari u përjetësuan në një nga rrugët kryesore të qytetit. Rruga në qytetin e Durrësit u riemërua si rruga “Dëshmorët e Kombit” në nderim të tyre, por sot, 4 shtator 2024, memoriali në nder të 4 policëve të operacionales është hequr.

memoriali-i-hequr

Vepra e skulptorit Ardian Pepa e realizuar nën kujdesin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nuk është më dhe aty kanë ngelur vetëm vidat, siç duket edhe në pamjet.

Megjithatë, burime të Policisë së Durrësit thonë për News24, se memoriali është larguar sepse i ishin liruar vidat, ndërsa nuk dihet ende se kur do të rivendoset pllakata përkujtimore e 4 policëve.

Efektivët e Njësisë Operacionale të Policisë së Shtetit, mbetën të vrarë në operacionin e 7 gushtit të vitit 2009, kur ndërhynë në zonën e plazhit për të arrestuar Dritan Dajtin, i cili ishte në kërkim për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo.

Në korrik të vitit 2014, Dritan Dajti u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndaj punonjësve të policisë Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj gjatë një operacioni për arrestimin e tij më 7 gusht të vitit 2009 në plazhin e Durrësit.

Dëshmia e rrallë e ish-operatorit të Kinostudios “Shqipëria e Re”: Kur erdhi Hrushovi u ngjita deri te avioni dhe kur u takua me Enverin i tha në vesh: “Sa të jem unë këtu, për Titon, mos…”

Jeta e tij i përngjan një mali që ka bazë, por dhe majë. Ai e arriti kulmin e tij, sepse Arkiva e filmit të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, mban qindra regjistrime të tij, dokumentarë e kino-zhurnale, ndeshje futbolli dhe reportazhe brenda dhe jashtë shtetit, histori të bujshme në vitet ’50 – ’70-të. Por preku dhe bazën, kur, nga operatori i parë për xhirimet e udhëheqjes, u dënua për agjitacion e propagandë e, vuajti dënimin, 6 vite në Spaç. Ky është Dhimitër Lala, 93 – vjeçari që sot rron me pension minatori e, askush nuk u kujtua për t’i dhënë një pension shtetëror të posaçëm këtij njeriu, që luftoi me armë në dorë për çlirimin e vendit, që në moshën 13-vjeçare, e gjithashtu që ka një kontribut të jashtëzakonshëm në themelimin e kinematografisë shqiptare dhe së fundmi, një njeriu që ka vuajtur në kampin e tmerrshëm të Spaçit, dhunën e egër të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia.

hrushovi enver hoxha

Në këtë intervistë ekskluzive për ne, Dhimitër Lala rrëfen historinë e jetës së tij dhe detajet shumë interesante e të pathëna më parë, për takimin e Enver Hoxhës me Hrushovin dhe ish-kryeministrit Mehmet Shehu, me homologun e tij, kinez, Çu En Lain.

Zoti Lala, ku dhe kur keni lindur?

Kam lindur në qytetin e Pogradecit, më 2 tetor 1931. Fëmijërinë e shkollimin e kam kaluar në këtë qytet të bukur buzë liqenit. Edhe më vonë, kur ika nga Pogradeci, kthehesha vazhdimisht. Lashë aty nënën, babanë, dy vëllezër e, dy motra.

Pse ikët nga Pogradeci?

Në fshat erdhi Brigada e IV-të Sulmuese dhe unë u bashkova me to, dola partizan. Morëm rrugën për të çliruar veriun e vendit e, më pas çliruam Tiranën.

Ju ishit fare i vogël në ato kohë, ishte e vështirë për ju?

Jo, përkundrazi, në atë kohë u bë si mode, që djem e vajza të vegjël, i’u bashkuan Lëvizjes Nacional-Çlirimtare. Për aftësi në luftë, mora “Medaljen e Trimërisë”, “Medaljen e Çlirimit” dhe “Medaljen e Kujtimit”. Pas lufte, ndoqa shkollën “Skënderbej” e isha nga nxënësit e parë, në shkollën ushtarake.

Në vitin 1949, ndoqa studimet e larta për oficer dhe u diplomova. Shërbeva pak vite si ushtarak në detyra të ndryshme, deri në nëntor të vitit 1953, e pastaj më kaluan në Kinostudion “Shqipëria e Re”.

Pse ju kaluan në Kinostudio?

Ushtria ka një gjë, që po të jesh karrierist, ecën, ndërsa unë, kisha më shumë lidhje me artin, e bëra luftë të madhe që u çmobilizova. Nuk kisha prirje për ushtarak, sepse duhej të ishe strikt, për të qenë i tillë, duhej të ishe i disiplinuar.

Po çfarë detyre ju dhanë në Kinostudio?

Fillimisht më lanë përgjegjës të kinemave dhe shumë shpejt, ndihmës operator. Artin e doja shumë, e ndjeja veten shumë mirë mes artistëve. Pata fat që të njihja e, sigurisht të më mësonte çdo gjë rreth kamerës, Hamdi Ferhatin, operatorin e parë shqiptar. Veç tij, një ndihmesë të madhe më dha dhe Mandi Koçi, apo siç njihej ndryshe; “Maku”, ish-fotografi i parë i Shtabit të Përgjithshëm të Enver Hoxhës gjatë periudhës së Luftës.

Kur e përdore kamerën për herë të parë?

Nuk e harroj ende atë moment, kur gjatë inaugurimit të argjinaturës së Gjadrit, në vitin 1956, Hamdi Ferhati më zgjati kamerën dhe më tha: “Filmo”! Po fluturoja nga gëzimi. Si asistent operator, punova dhe në filmin e parë artistik shqiptar, filmin e Hysen Hakanit; “Fëmijët e saj”. Më pas kalova te kronikat dhe dokumentarët.

Kur kaluar te dokumentarët?

Në vitin 1958, kalova përfundimisht te kronika e dokumentarët.

Ju pëlqente profesioni i ri?

Sigurisht shumë. I kam rënë kryq e tërthor Shqipërisë time e, nuk kam lënë cep të saj pa filmuar. Po kështu kam qenë prezent në shumë takime ndërkombëtare, ku kam filmuar dhjetëra personalitete të botës, që vizituan Shqipërinë në vitet ‘50-’60-të, nga Nikita Hrushovi, te Çu En Lai, si dhe shumë udhëtime jashtë shtetit, për të bërë dokumentarë, nga Kina në Irlandën e Veriut.

Na tregoni ndonjë detaj të udhëheqësit të asaj kohe, Enverit?

Ç’është e vërteta, unë isha shumë i shpejtë në xhirime dhe nuk i lodhja udhëheqësit, jo drita, jo prisni pak, ndaj ata më kishin të preferuarin e tyre. Enver Hoxha, më shihte me një sy shumë simpatik. Më kujtohet një here, kur kishim ndaluar në “Ujin e ftohtë”, në Tepelenë, për mëngjes. Ai ishte me Nexhmijen, bashkëshorten e tij. Unë isha duke xhiruar e, ai më thirri; “Dhimitër eja këtu, ulu ha me ne”.

Unë mbeta, e i thashë; “Jo, faleminderit shumë, sepse kam ngrënë”. Fati im në atë moment, erdhi Shefqet Peçi dhe ato u ngritën për ta takuar e, ai u ul me ta, ndërsa unë ika. Por Enveri ishte i vëmendshëm. Ai thirri komandant Muhamet Prodanin dhe i tha të merrte një letër dhe mbështolli të gjitha çfarë ishin mbi tryezë e, m’i solli mua për të ngrënë.

Po me personalitetet e huaja, ndonjë detaj nga bisedat “sekrete” të tyre me Enver Hoxhën?

Kur erdhi Hrushovi, unë isha i pari që pata kontakt, se u ngjita deri te avioni. Kur udhëheqësi sovjetik zbriti shkallët e, u takua me Enverin, i tha në vesh; “Sa të jem unë këtu, mos e zër me gojë Titon…”! Ndërsa po ju tregoj dhe një moment interesant, që më ka mbetur në mend. Kur isha në Kinë me Mehmet Shehun, unë si operator, hyja 10 minuta para në sallën e takimit e, bëja plane, kur dëgjoj Mehmetin që i thotë Çu En Lait:

“Neve, ata që tradhtojnë marksizëm- leninizmin, ia japin plumbin ballit…”! Ndërsa përgjigjja e udhëheqësit kinez më befasoi, ai ia ktheu; “Koka nuk është lakër, e kjo nuk është mënyra e duhur. Merrini ata që janë kundra, çojini në një vilë në fshat, jepini veprat e Maos dhe Enverit e, ata të lexojnë, e ndryshojnë mendim”.

Më treguat se në vitin 1971, nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, ju transferuan në Televizionin Shqiptar, pse?

Në atë kohë udhëheqja e lartë kërkonte që Televizionin, ta fuqizonin dhe kështu, mua, Endri Kekon e Kristaq Dhamon, na kaluan aty për të dhënë përvojën tonë. Kristaqi me Endrin u kthyen, ndërsa unë mbeta, deri në vitin 1974.

Do të kisha vijuar edhe më tej, sikur të mos më kapte “lapsi i kuq” i partisë, i cili në kuadër të arrestimeve në Radio-Televizionin Shqiptar, gjeti rastin të më shkarkojë nga puna. Në prill të vitit 1975, më përjashtuan dhe nga partia, ndërsa më 12 tetor 1976, më arrestuan.

Përse ju akuzuan?

Fillimisht, bëra 7 muaj hetuesi dhe më dënuan 6 vjet, për agjitacion e propagandë, vite, të cilat i bëra të plota.

Po burgu si ishte për ju?

Situata ishte shumë e vështirë. Spaçi ka qenë kampi më i tmerrshëm, pasi të burgosurit punonin në minierë, tetë orë. Unë s’kisha ndihmë nga familja, pasi ato gjashtë vite që vuajta aty, nuk më erdhi njeri për të më parë e, më duhej të punoja e të merrja ndonjë lekë, për të blerë ndonjë gjë në dyqan.

Keni takuar ndonjë person publik ato vite në Spaç?

Po, kam pasur Maks Velon, Spartak Ngjelën, Fatos Lubonjën…! Fatosi ka qenë trim i madh. Nuk pranonte të punonte në minierë e i thoshte; “Unë jam i dënuar politik, pse duhet të punoj”, ndërsa ata e rrihnin, e fusnin në birucë, por ai prap nuk dorëzohej.

Ju jeni shprehur se; në burg nuk kishte heronj, por spiunë e provokatorë, në fakt, si ishte situate atje?

Kur isha në Kaushin e Tiranës, (para se të më çonin në Spaç) ku kishte dhe të dënuar ordinerë, shihja ca fytyra të verdha të strukur, e pyeta njërin; “Çfarë kanë këta që rrinë kështu”? E ai më shpjegoi që; ose i dalin dëshmitar në gjyq ndonjërit ose, i rekrutojnë, për t’i lënë në qeli me të burgosur politikë, për t’i spiunuar”.

Dhe mua më ndodhi kështu. Para se të më çonin në Spaç, më lanë në birucë me një djalë të ri dhe unë, sa shkova e përshëndeta e, po i bëja muhabet, kur mu kujtua po ajo fytyrë e verdhë, e i thashë vetes: “Kujdes Dhimitër”.

E pyeta: “Për çfarë ke rënë në burg”? Ai më tha se e kishin burgosur, pse kishte dëgjuar Radio Londrën. Aty e kapa që po gënjente, se Radio “Zëri Amerikës” po që dëgjohej, por Radio-Londra, jo. Kur më thirrën për të shkuar te hetuesi, unë vesha këpucët dhe pashë dhe pozicionin ku i kishte vënë ai. Kur u ktheva, pashë që ato kishin lëvizur, nuk ishin më në të njëjtin vend, pra e kishin thirrur dhe atë.

Je rikthyer ndonjëherë në Spaç?

Po kam shkuar pas viteve ’90-të, me një fotograf, për të bërë një ekspozitë.

Me kë bënit shoqëri, kur vuanit dënimin atje?

Shoqëria duhej zgjedhur mirë aty, sepse 70 për qind, ishin të rekrutuar nga operativët dhe spiunonin. Ne ishim nja 4 vetë nga Tirana, që rrinim bashkë.

Po vitet pas burgut, si ishin?

Kur u lirova nga burgu, punova te uzina “Dajti”, punëtor, ngarkim shkarkimi, 3 vjet, prej aty në “Misto Mame”, po punëtor ngarkim-shkarkimi, deri sa në 1987, dola në pension.

I kërkuat ndihmë Enver Hoxhës, kur ju burgosën?

Jo, jo, jo…! As bëhet fjalë.

Po sot si jetoni, jeni mbi 90 vjeç?

Jetoj me pensionin tim. Unë marr pension minatori, se punova në Spaç e, më ka rënë 16 mijë lekë (të vjetra), në muaj.

Si është një ditë e juaja?

Po rri në shtëpi me gruan, shumicën e kohës. Ndonjëherë dal për kafe, me ndonjë shok. Një djalë e kam në Zvicër, ndërsa tjetri, më vdiq para disa vjetësh. Memorie.al

Po protestonte në Kopenhagë kundër luftës në Gaza, arrestohet aktivistja Greta Thunberg

Policia daneze ka arrestuar aktivisten mjedisore Greta Thunberg në Kopenhagë në një protestë kundër luftës në Gaza, tha një zëdhënës i grupit studentor që organizoi demonstratën.

 

Gjashtë persona u arrestuan të mërkurën në Universitetin e Kopenhagës pasi 20 persona bllokuan hyrjen e një ndërtese dhe tre hynë brenda, tha një zëdhënës i policisë.

Policia nuk pranoi të konfirmonte identitetin e ndonjë prej të arrestuarve, por një zëdhënës i Studentëve Kundër Okupimit tha se Thunberg, 21 vjeç, ishte një nga të arrestuarit.

Studentët që protestuan kundër pushtimit thanë në një deklaratë të postuar në Instagram se “ndërsa situata në Palestinë vetëm sa përkeqësohet, Universiteti i Kopenhagës vazhdon bashkëpunimin me institucionet akademike në Izrael. Ne po pushtojmë administratën qendrore të universitetit me një kërkesë: bojkot akademik tani.”

Protestuesit pro-palestinezë kanë ngritur kampe në universitete anembanë SHBA-së dhe Evropës që nga pranvera e kaluar për të protestuar kundër bombardimeve të Gazës nga Izraeli dhe pushtimit të territoreve palestineze.

Ndërprerje dhe luhatje të vazhdueshme tensioni/ Ankesat e banorëve në Tiranë: Fëmijët rrezikojnë të na bllokohen në ashensorë

Një nga zonat e njohura afër qendres së kryeqytetit prej tri ditesh vazhdon të përballet me problematika sa i përket furnizimit me energji elektrike.

 

Bëhet fjalë për banesat në rrugën “Panorama”, ku raportohet për luhatje dhe ndërprere të energjisë elektrike, gjendje e cila vijon prej tre ditësh.

Banorët ankohen se një situatë e tillë krijon rrezik për ta dhe kryesisht fëmijët, të cilët rrezikojnë në bllokohen në ashensorë.

Qytetarët të cilët jetojnë në këtë zonë, kanë raportuar gjithashtu se luhatja e tensionit dhe ndërprerja e energjisë, ka shkaktuar problematika të mëdha edhe në pajisjet elektroshtëpiake.