29.5 C
Tirana
E mërkurë, 20 Gusht, 2025

Skenari/ Djali vrau babanë me armë zjarri, më pas e hodhi në pus. E kishte denoncuar në polici të zhdukur

Të tjera detaje janë zbardhur nga krimi i rëndë në Durrës, ku djali vrau me armë zjarri babanë e tij, Enver Balla, më pas trupin e tij e hodhi në një pus.  

 

Për të fshehur krimin e rëndë, djali i viktimës e kishte denoncuar babanë si të zhdukur. Ngjarje e cila u referua edhe nga policia.

“Në Komisariatin e Policisë Durrës ka kallëzuar shtetasi E. B., banues në fshatin Shënavlash, se më datë 13.08.2024, është larguar nga banesa, babai i tij, shtetasi E. B., 62 vjeç. Vijon puna për gjetjen e 62-vjeçari”, thuhet në njoftimin e policisë.

Pas hetimeve është arritur të zbardhet ngjarja, ndërsa historia duket se  duket sikur përsëritet me ngjarjen tragjike të 10 shkurtit po në Shënavlash të Durrësit, ku 3 fëmijët vranë babanë Pëllumb Metën.

Policia po vijon punën për kapjen e autorit të krimit.

Kaq afër, e kaq larg! Pak bashkëpunim Shqipëri-Bosnjë dhe Hercegovinë

Mungesa e vazhdueshme e vullnetit politik për të nxitur bashkëpunimin ndërmjet Bosnjë e Hercegovinës dhe Shqipërisë është dëshmi zhgënjyese e mundësive të humbura për përfitim të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor.

Timuri, një i ri 26-vjeçar nga Sarajeva, studion gjuhë dhe letërsi dhe i pëlqen të udhëtojë dhe të eksplorojë botën. Një të mërkurë në një ditë me diell ai vendosi të bëjë një udhëtim të gjatë me autobus nga Sarajeva në Tiranë. Rreth orës 8 të mëngjesit ai nisi udhëtimin e tij që zgjat mbi dhjetë orë me një mini-furgon. Ndalesa e parë Podgorica.

“Nuk ka linjë direkte autobusi nga Sarajeva për në Tiranë. Fillimisht duhet të shkosh në Podgoricë, të ndërrosh autobus atje dhe pastaj të arrish në Tiranë”, shpjegon Timuri. “Duhet të përmend që autobusi nga Sarajeva në Podgoricë ishte një nga më të këqinjtë që kam qenë ndonjëherë. Në fakt, nuk ishte as autobus; ishte një automjet për rreth njëzet vetë, një furgon për transportimin e paligjshëm të migrantëve që ulin poshtë kokën kur kalojnë kufin…” shton ai duke qeshur.

Heqja e tarifave roaming

Për të arritur në Podgoricë autobusi kalon kufirin shtetëror mbi lumin Tara për të arritur në pikën kufitare Šćepan Polje dhe hyrë në Malin e Zi. Ishte padyshim rruga më e keqe që kam udhëtuar ndonjëherë, dhe ai kufi është aq i papërshtatshëm, ato kontejnerë, një katastrofë”, shton Timuri. Në mesditë Timuri mbërriti në Podgoricë, ku pret dy orë për të vazhduar rrugën me autobusin për Tiranë.

“Duhet të them se heqja e tarifave të roaming-ut midis vendeve të Ballkanit Perëndimor e bën këtë udhëtim më të lehtë”, thotë Timuri.

Në vitin 2019 vendet e Ballkanit Perëndimor, ndër to dhe Bosnjë dhe Hercegovinën dhe Shqipëria, nënshkruan në Beograd një marrëveshje për heqjen e tarifave të roaming-ut. “Më parë, pa heqjen e roaming-ut pritja ishte e komplikuar, se nuk kishe as internet,” thotë Timuri.

Në orën katër pasdite, autobusi për në Tiranë mbërriti për të marrë pasagjerët e tij në Podgoricë. “Ai autobus ishte shumë më i mirë; ishte një lidhje e shkëlqyer. Udhëtimi ishte i shpejtë, pjesa më e lehtë e udhëtimit,” tregon Timuri duke psherëtirë. Pas tri orësh autobusi nga Podgorica mbërriti në Tiranë.

Edhe pse se distanca rrugore midis Sarajevës dhe Tiranës është pak më shumë se 300 km udhëtimi i Timurit me linja të rregullta autobusi zgjati 10 deri në 11 orë.

Rrugëtimi i Timurit nga Sarajeva për në Tiranë nxjerr në pah marrëdhëniet midis dy vendeve të Ballkanit, të cilat janë kaq afër, por edhe kaq larg. Odiseja e tij nënvizon thirrjen urgjente për përmirësime rrugore dhe forcimin e lidhjeve diplomatike të zgjeruara për të lehtësuar udhëtimin midis Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Shqipërisë.

Pak bashkëpunim Shqipëri-Bosnjë dhe Hercegovinë

Dëshmi tjetër e mungesës së lidhjeve mes këtyre vendeve është edhe mungesa e një ambasade të Republikës së Shqipërisë në Sarajevë, sikurse edhe e një ambasade të Bosnje dhe Hercegovinës në Tiranë. Megjithë këmbënguljen dhe pyetjet dërguar në Ministrinë e Jashtme të Bosnjes dhe atë të Shqipërisë lidhur me mungesën e shkëmbimit të abasadave, asnjëra nuk ishin të gatshme të përgjigjen.

Si historikisht ashtu edhe sot ka një mungesë bashkëpunimi ekonomik, tregtar, diplomatik, kulturor dhe ndërshtetëror midis këtyre dy vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Lema Balaj, shqiptare e rritur në Bosnjë dhe Hercegovinë, u shpërngul në Shqipëri në vitin 2008 për punë, por familja e saj vazhdon të jetojë në Bosnje. Ajo ka tre vëllezër që jetojnë dhe punojnë në Tuzla dhe një motër që jeton në Gradačac, prandaj mban lidhje të ngushta me Bosnjen, dhe shkon shpesh për vizitë Tuzlë. Përveç përsëritjes së ankesave për të cilat tregoi Timurit, ajo shton se ka një problem tjetër: profilizimi etnik në kufi.

Lema, e cila ka edhe pasaportën boshnjake edhe atë shqiptare, ka përjetuar personalisht pabarazi gjatë udhëtimeve mes dy shteteve. Kur kalon kufijtë me pasaportën e Bosnjës, ajo nuk ka probleme, por me pasaportën shqiptare, shpesh është përballur me kontrolle të imtësishme të automjetit dhe me pyetje.

“Vetëm të pasurit një pasaportë shqiptare është i mjaftueshëm për të ngjallur dyshime në çdo pikë kontrolli, duke shkaktuar kontrolle të mëtejshme. Fatkeqësisht ky është realiteti për shqiptarët” – shpjegon ajo.

Shqiptarët në Bosnjë dhe Hercegovinë 

Prania e shqiptarëve në Bosnjë është e hershme. Regjistrimet datojnë që nga periudha osmane. Shumë shqiptarë kanë migruar në Bosnjë, veçanërisht në kohën e Jugosllavisë së Parë dhe të Dytë për shkak të kushteve të vështira të jetesës në vendet e tyre të origjinës si Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Tradicionalisht ata janë vendosur kryesisht në qendra urbane. Në Sarajevë jeton numri më i madh i shqiptarëve.

Numri i shqiptarëve në Bosnjë ka ndryshuar ndër vite. Të dhënat më të fundit lidhur me numrin e shqiptarëve në Bosnjë dhe Hercegovinë i takojnë vitit 2015, të marra nga një raport i Këshillit të Pakicave Kombëtare të Bosnje dhe Hercegovinës. Në bazë të këtij raporti në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës banojnë rreth 10,000 shqiptarë. Një prani të ‘pazakontë’ shqiptarësh ka në Republikën Srpska. Megjithatë këto statistika nuk konfirmohen nga autoritetet, dhe janë të dhëna të ofruara nga organizatat joqeveritare shqiptare.

Sanadin Voloder, gazetar nga Mostari, hulumtimi i të cilit fokusohet tek kultura shqiptare dhe marrëdhëniet midis dy vendeve, thekson problemet e të dhënave nga regjistrimi i fundit në Bosnjë: “Shqiptarët janë të vetëdijshëm për situatën politike dhe atmosferën në Bosnjë dhe Hercegovinë, kështu që ata u deklaruan si boshnjakë në regjistrimin e fundit,” shpjegoi Voloder. Sot nuk ka të dhëna të sakta për numrin e shqiptarëve në Bosnje dhe Hercegovinë, por “mund të flasim për rreth 25.000 shqiptarë në Bosnje dhe Hercegovinë,” përfundoi gazetari. “Ne nuk mund të shohim asnjë ndryshim mes nesh dhe shqiptarëve, përveç emrave dhe mbiemrave të tyre,” komenton Voloder, duke theksuar integrimin natyror të komunitetit shqiptar në shoqërinë boshnjake.

Njerëzit e marrin vesh që jam shqiptar vetëm nga emri

Një tjetër shqiptar Abi Muhtari, erdhi nga Maqedonia e Veriut në Sarajevë në moshën dy-vjeçare dhe sot ka shtetësinë boshnjake, maqedonase dhe zviceriane. “Unë jam shqiptar, por atdheu im është Bosnja dhe Hercegovina,” shpjegon Muhtari. Duke kujtuar me një buzëqeshje në fytyrë fëmijërinë e tij në Sarajevë, ku ende jeton, ai thotë: “Ne kurrë nuk kemi përjetuar diskriminim; faktikisht, nuk ndryshojmë nga popullsia shumicë. Njerëzit e dinë që jam shqiptar vetëm kur dëgjojnë emrin tim, dhe edhe në këtë rast kjo nuk ndryshon asgjë.”

Përmes prizmit të të tjerëve

“Shqiptarët dhe boshnjakët mund të jenë dy kombet e vetme në Ballkan që kanë kaq shumë ngjashmëri dhe megjithatë dinë kaq pak për njëri-tjetrin. Shumica e asaj që dinë për njëri-tjetrin është përmes prizmit të të tjerëve,” shpjegoi Ramadan Ramadani, analist në institutin “Nisma” në Maqedoninë e Veriut. Gjatë historisë Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria kanë pasur dy fate krejtësisht të ndryshme. Bosnja e sotme ishte pjesë e Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë, ndërsa Shqipëria ishte vetë Republikë Socialiste.

“Më kujtohen të moshuarit tanë që fantazonin për Shqipërinë dhe e shihnin Hoxhën si hero, sepse nuk e dinin se çfarë po ndodhte me të vërtetë,” thotë Muhtari. Edhe sot, situata nuk është më e mirë. “Si shqiptar, nuk e njoh Shqipërinë, kështu që si mund të pres që dikush tjetër, p.sh. një boshnjak, ta njohë atë?”

Disa qindra kilometra udhëtim ndajnë Sarajevën nga Tirana dhe pse janë vende afër, ato mbeten në një masë të madhe të panjohura për njëra-tjetrën. “Prania e hershme e boshnjakëve nga periudha e vonshme osmane në një territor ku sot është Shqipëria dhe bashkëjetesa e miliona boshnjakëve dhe shqiptarëve në të njëjtin shtet, pra në ish-Jugosllavi, mund të jetë një trashëgimi e gjallë e bashkëjetesës dhe një bazë për t’u njohur më mirë,” përfundoi Ramadani.

Boshnjakët në Shqipëri 

Gjatë pushtimit austro-hungarez të Bosnje dhe Hercegovinës në vitin 1878 mbi 160,000 myslimanë boshnjakë u zhvendosën nga vendbanimet e tyre duke kërkuar strehim në vendet fqinje si Maqedonia e Veriut, Kosova, Turqia dhe Shqipëria. Në Shqipëri ata njihen si “muhaxhirë”, që do të thotë “refugjatë” në turqisht. Në Shqipëri ata u vendosën kryesisht midis Durrësit dhe Tiranës, veçanërisht në Shijak, duke u bërë pjesë integrale e peizazhit kulturor të Shqipërisë. Pavarësisht integrimit pakica boshnjake ruan gjuhën e saj.

Boshnjakët njihen si pakicë me miratimin e Ligjit për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Shqipëri në vitin 2017. Por ndërsa për pakicat e tjera, si grekët, maqedonasit, malazezët, arumunët, romët dhe egjiptianët ballkanikë, ekzistojnë të dhëna, informacioni për boshnjakët është i pakët. Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT) nuk ka të dhëna për boshnjakët, por sipas Fikret Klarić, President i shoqatës ‘Zambak’ të boshnjako-shqiptarëve në Shqipëri, vlerësohet se në rrethin e Durrësit jetojnë rreth 7.000 boshnjako-shqiptarë.

Identitet i ndërlikuar

Historia e Lema Balajs përfshin strukturën komplekse të identiteteve dhe të përvojave në Ballkan. E lindur në vitin 1984 në Serbi, ajo vjen nga një familje shqiptare me origjinë nga Prizreni. Familja e saj emigroi duke kërkuar strehim dhe mundësi në ish-Jugosllavi, duke u vendosur përfundimisht në Bosnje në vitin 1988, ku hapi një furrë buke.

Shpërthimi i luftës në vitin 1992 i detyroi ata të largoheshin në Shqipëri para se të ktheheshin në Kosovë dhe më pas përsëri në Bosnje në vitin 1999. Gjatë këtyre trazirave, furra e familjes simbolizonte qëndrueshmërinë. Megjithëse ajo identifikohet me krenari si shqiptare, rritja e saj në Bosnje thekson natyrën komplekse të identitetit etnik dhe kombëtar në një rajon të karakterizuar nga diversiteti dhe ndarjet.

E rritur në Bosnje Lema gjithmonë fliste gjuhën boshnjake, përveç gjuhës së saj amtare, pra dialektin shqiptar që fliste familja e saj. Duke reflektuar për sfidat me të cilat përballeshin shqiptarët në integrimin me komunitetin më të gjerë për shkak të lidhjes së tyre të fortë me rrënjët dhe traditat e tyre ajo kujton se “shqiptarët përpiqeshin të qëndronin bashkë, duke ruajtur trashëgiminë tonë kulturore në vend që të përziheshin me shoqërinë boshnjake”.

Megjithatë, përvoja personale e Lemës ishte e ndryshme, pasi ajo vazhdoi shkollen e lartë, një rrugë e pazakontë për gratë shqiptare gjatë asaj periudhe. Duke kujtuar vitet e saj shkollore, ajo shton: “kur u regjistrova në shkollë të mesme dhe në universitet, kur thosha emrin, të gjithë më pyesnin “nga je?” dhe kur thosha që jam shqiptare ata habiteshin që isha duke studiuar”.

Pavarësisht lidhjes së saj të thellë me identitetin shqiptar, ajo nuk e mohon faktin se pas shpërnguljës në Shqipëri në vitin 2008, ajo është ndjerë më afer identitetit të saj boshnjak.

“Kur erdha në Shqipëri për herë të parë në vitin 2008 aplikova në një kompani boshnjake që kërkonte staf në Shqipëri dhe më pranuan, sepse kisha shkruar në CV se dija gjuhën shqipe. Por kur arrita këtu, kuptova që nuk dija gjuhën shqipe, dija vetëm dialektin e fshatit tim dhe të gjitha studimet e mia i kisha bërë në gjuhën boshnjake dhe serbe, kurrë nuk kisha studiuar në shqip. M’u desh pak kohë për të ndryshuar dialektin dhe për t’u mësuar me gjuhën shqipe.”

Përveç pengesës gjuhësore, ajo thekson vështirësinë e integrimit në shoqërinë shqiptare, pavarësisht origjinës së saj shqiptare. “Në fakt, kur erdha në Shqipëri për herë të parë, nuk mundesha të integrohesha me shqiptarët, dhe kishte familje serbe që jetonin dhe punonin në Shqipëri dhe isha më afër tyre se shqiptarëve, sepse mentaliteti im, mënyra se si jam rritur, ushqimi që kam ngrënë, muzika që kam dëgjuar përshtatej me ta,” shpjegon Lema.

Qendra kulturore shqiptare 

Me dëshirën për njohje të ndërsjellë midis shqiptarëve dhe boshnjakëve, si dhe të gjithë boshnjakëve dhe hercegovinëve, një grup intelektualësh, akademikësh, biznesmenësh dhe aktivistësh me origjinë shqiptare në Sarajevë, janë bashkuar për të forcuar marrëdhëniet dhe për të nxitur mirëkuptimin e ndersjelltë midis këtyre popujve që janë kaq të afërt, por edhe kaq të larget. Ndër ta është Abi Muhtari, nismëtar për hapjen e Qendrës Kulturore Shqiptare në qendër të Sarajevës.

Që nga hapja e saj, një vit më parë, Qendra Kulturore Shqiptare nuk ka pasur shumë mundësi të lulëzojë, por qëllimi i saj është “njohja më e mirë e shqiptarëve dhe boshnjakëve, boshnjakëve dhe hercegovinëve përmes kulturës,” shpjegoi Muhtari. Mungesa e vazhdueshme e vullnetit politik për të promovuar bashkëpunimin midis Bosnjës dhe Shqipërisë është një dëshmi zhgënjyese e mundësive të humbura për përparim dhe përfitim të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor. /DW

Situatë alarmante në Elbasan! Digjet fabrika e plastikës, punonjësit ikin me vrap

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë ambientet brenda perimetrit ku operon kompania Kurum në Elbasan këtë të mërkurë. Zjarri ka marrë përmasa të frikshme dhe vatra e zjarrit rrezikon të përhapet, ndërsa disa nga punonjësit janë larguar me vrap

Gazetarja e Euronews Albania, Edlira Xherri në një raportim direkt nga vendngjarja tha se një punonjëse ka konfirmuar se çdo gjë po digjet por për fat të mirë nuk ka dëme në njerëz.

“Ka edhe njerëz të tjerë, të cilët janë brenda ambienteve të fabrikës së Kurumit. Janë parë lëvizje gjatë gjithë kohës. Ka qytetarë dhe njerëz të tjerë që janë duke dalë nga fabrika. Zjarri është në brendaësi të fabrikës së Kurumit”,-tha gazetarja.

Gazetarja shtoi se në zonën ku ajo ndodhet, ndodnëse është shumë afër zjarrit, nuk ka as punonjës policie për të ruajtur perimetrin e sigurisë dhe as punonjës të zjarrfikëses.

Parashikimi analistit, Rama-Berisha aksion politik kundër SPAK-ut dhe KLSH-së

Në fillimsezonin e emisionit Top Story të moderatores Grida Duma, analisti Arjan Curri tha që dy do të jenë çështjet e paktit Rama-Berisha. Së pari t’i tregojë SPAK-ut se janë në dorën e Komisionit Xhafa si “Komisioni i së vërtetës”, dhe së dyti të shkrijnë KLSH-në si një organ i pavarur që po u nxjerrë probleme palëve me denoncimet e aferave korruptive.

Arjan Curri e tha troç se bashkëpunimi i mazhorancës me opozitën në të gjithë jetën politike të tyre nuk kanë përfaqësuar interesat e publikut, apo elektoratit.

Demokracia është bjerur falë autokracikësë së kryetarëve të partive në vitin 2008. Pabesia e politikës shqiptare si akt ndaj partnerëve perëndimorë është një tipar kryesor i kryetarëve të mazhorancave në politikën shqiptare.

Rama sapo ishte ndarë nga takimi me përfaqësuesen e Amerikës në Tiranë Nancy VanHorne dhe pas shpine kishte “thikën” kundër SPAK-ut dhe KLSH-së. Shkurt kur përfaqësuesja amerikane kërkonte forcimin e institucioneve të pavarura dhe mbajtjen larg duarve të politikës ndaj tyre.

Të flasësh si properëndimor nëpër forume ndërkombëtare dhe si një udhëheqës rajonal është truk i vjetër i kryeministrit Rama.

Po të jesh me këmbë në tokë, shikojeni korrupsionin galopant në Shqipëri si një aleancë antiperëndimore dhe lexojini mirë buxhetet për institucionet e Sigurisë Kombëtare.

Krimi i frikshëm i mafias shqiptare kudo në botë po tregon gjithnjë e më shumë se sa e lidhur është me politikën. Ndaj në vend që të krijohet një opinon i shëndoshë për luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, bëhet e kundërta.

Çdo lëvizje me komisione që bien erë kundra-reformë. Komisionet antiperëndimore i shërbejnë dobësimit dhe demoralizimit të institucioneve të pavarura.

Rezil deputetë!

Nga Mirela Karabina

Më 18 Dhjetor 2021 deputetët e PD-së i thanë demokratëve të Zgjedhim të Ardhmen.
Po sot?!
Domethënë mandatin e quajnë “personal”, dhe bëjnë çfarë duan këta, paradë mode madje se punë hiç, dhe ne rrimë dhe i mbështesim, dhe i votojmë, këta as duan ta dinë fare, fare.
As skuqen, e as zverdhen po veç përdridhen!

Shumë mirë do bëjnë qytetarët mos i votojnë më, në majë të hundës ia kanë sjellë me pallavrat e tyre dhe dëmim e madh.

“Kur e mendoj se çdo bëhet kur të dalin listat e deputetëve”/ Ironizon gazetarja e njohur: E kam adhuruar që në ditën e parë mendimin ndryshe në PD

Nëpërmjet një statusi në profilin e saj në rrjetin social facebook, gazetarja e njohur Desasa Metaj ka ironizuar bashkimin e PD rreth Berishës, duke evokuar rastin e fundit të sulmit ndaj Gazment Bardhit vetëm se ai nuk ka kërkuar në parlament mjaftueshëm lirimin e Berishës.
Metaj ironizon se e ka adhuruar që ditën e parë respektimin e mendimit ndryshe në PD, ndërsa shprehet se kur të dali lista e deputetëve, do shohim çudira të tjera.

Më poshtë postimi:

Pra të bashkuarit në diversitet sapo morën kritikat e para pse sot në parlament nuk kanë përmendur lirimin e kryetarit të PD. E kam adhuruar që ditën e parë respektimin e mendimit ndryshe në PD. Por kur mendoj se ç’do bëhet kur të dalin listat e deputetëve….

Fitim Zekthi: Për të kuptuar se çfarë është një protestë popullore, duhet të shohim rastin e…

Analisti Fitim Zekthi shkruan se për të të kuptuar se çfarë do të thotë protestë popullore, duhet të shohim protestën e pak ditëve më parë në Izrael kundër luftës në Gaza dhe ndalimit të kësaj lufte në mënyrë të menjëhershme.
Që një protestë të quhet popullore, duhet të dalin si në rastin e Izraelit, ku gati 2/3 e popullsisë kanë vërshuar në rrugë ose ka ë protestuar në mënyra të ndryshme.

Më poshtë postimi i plotë:

Per te kuptuar se cfare eshte nje proteste popullore kunder qeverise duhet te shohim rastin e djeshem ne Izrael. Ne mbremje ne rruget e e Tel Abiv ishin 300 mije njerez sipas Jerusalem Post,,Al Jazeera, CNN, Haaretz etj. Rreth 800 mije punonjes ne Izrael nderprene punen duke shuar per gjithe diten pjesen kryesore te ekonomise se vendit. Aeroporti Ben Gurion ne te cilin zbresin gati 20 milione njerez ne vit u mbyll. Tev Aviv ka rreth 500 mije banore, gati sa gjysma e Tiranes me rrethinat. Pra ka dale ne proteste gati dy te tretat e banoreve.

“Hetuesi më kërkoi të pranoja se ishim për likuidimin fizik të Enver Hoxhës”- Letra e mikut të ngushtë të “Heroit të Popullit”: Maketi ra poshtë dhe nuk u vërtetua…

Nga Dashnor Kaloçi

Grupi Operativ Special që u krijua menjëherë pas arrestimit të ish-Ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehut, në mesin e muajit tetor të vitit 1982, në krye të të cilit ishte zv/ministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, dhe si vartës të tij kishte Enver Zenelin e Hasan Ulqinakun, ndërmjet masave të tjera, siç ishin; studimi dhe analiza e një numër të madh dosjesh arkivore, që i përkisnin një periudhe të gjatë kohe, (1945-1982), u bëri thirrje dhe u kërkoi edhe disave prej ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes së PPSh-së dhe ish-kuadrove të lartë drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, oficerëve të Sigurimit të Shtetit, etj., që të jepnin me shkrim, ato që ata dinin, apo kishin dyshime, lidhur me “veprimtarinë armiqësore”, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, apo dhe personave të tjerë, me të cilët ata i kishte lidhur puna apo jo, gjatë periudhës që ata kishin shërbyer pranë asaj ministrie, apo në Degët e Brendshme në rrethe, në sektorin e Zbulimit Politik, pranë përfaqësive tona diplomatike të akredituara në shtete të ndryshme të botës, etj.

Ndër ish-funksionarët e lartë të PPSh-së dhe kuadrot drejtuese e oficerët e Sigurimit të Shtetit, etj., që iu përgjigjën kësaj thirrje, duke dhënë dëshmitë e tyre me shkrim pranë Grupit Operativ Special, ishin: Liri Belishova, (ish-anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së për propagandë, artin dhe kulturën), Nesti Kerenxhi, (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Punëve të Brendshme), Xhule Çiraku (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Rexhep Kolli (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Zija Kambo (ish-gjeneral-major dhe komandant i Gadrdës së Republikës), Zoi Themeli (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Nevzat Haznedari, (ish-gjeneral-major dhe Kryetari i Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme), Hekuran Pobrati (ish-kolonel dhe oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit), Feti Smokthina (ish-kolonel dhe Komandant i Gardës së Republikës), Zylfi Saliu (ish-kolonel, oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit, kryetar Dege të Brendshme në disa rrethe, e deputet i Kuvendit Popullor), Lelo Sinaj, (ish-oficer madhor dhe Drejtor i Sigurimit të Shtetit), Halil Zeneli (ish-kolonel i Sigurimit dhe kryetar Dege të Brendshme në disa rrethe), Ilo Manushi (oficer madhor dhe shefi Drejtorisë së Kuadrit të Ministrisë së Brendshme), Xhemal Bejto Fasllia, (ish-oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme), Ibrahim Kubati (ish-kuadër i lartë, i dënuar me burg politik, së bashku me të vëllanë, Ali Kubati, ish-nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, shok dhe miq të ngushtë të Myslym Ketës), Mark Dodani (ish-nënkolonel dhe oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit), etj., etj.

Nga letrat në fjalë të dërguara në adresë të Grupit Operativ Special pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo personalisht ministrit Hekuran Isai, në vitet 1982-1983, në numrat e kaluar, kemi publikuar letrat e Liri Belishovës, Hekuran Pobratit dhe Mark Dodanit, në këtë shkrim, kemi përzgjedhur për botim, letrën e Ibrahim Kubatit, drejtuar Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, (degës së Sigurimit), e cila mban datën 19 nëntor të vitit 1982, pak ditëve pasi ai ishte liruar nga burgu i Spaçit, (me amnistinë që u dha asokohe nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë), ku ai vuante dënimin që nga viti 1980, si i burgosur politik.

Ibrahim Kubati, me profesion agronom dhe i diplomuar në Bullgari, prej disa vitesh kishte shërbyer si drejtor i rezervateve të gjuetisë në disa rrethe të vendit, ku shkonte udhëheqja e lartë e PPSh-së për gjueti, (Dajt, Kune-Vain. Velipojë, Divjakë, Elbasan, Librazhd, Karaburun, Korçë, etj.) dhe ai njihej edhe si njeri i afërt i Kadri Hazbiut, e cili e merrte shpesh me vete kur shkonte për gjueti. Ibrahimi ishte arrestuar (në vitin 1980) si pjesë e një “grupi armiqësor”, ku bënin pjesë edhe i vëllai i tij, Ali Kubati (ish-nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tiranës), Bardhyl Mano, ose siç njihej ndryshe si; Lola Mano (ish-funksionar i lartë me disa detyra shtetërore), Edip Ohri, (ish-kolonel, komandant i Aviacionit Luftarak të Shqipërisë dhe deputet në Kuvendin Popullor), Sabri Pilkati (ish-prokuror dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës), Shyqëri Këllezi, (djali i xhaxhajt të Abdyl Këllezit, ish-shoqërues personal i Enver Hoxhës gjatë Luftës dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Hekurudhave),të cilët u dënuan me vite të gjata burgu politik.

Të gjithë pjesëtarët e këtij “grupi armiqësor”, përveç miqësisë së ngushtë me njëri tjetrin, kishin edhe lidhje krushqie (Sabri Pilkati, kishte për grua motrën e Myslym Ketës, Edip Ohri, kishte për grua, motrën e Ali dhe Ibrahim Kubatit, kurse Myslym Keta, kishte për grua, motrën e Bardhyl Manos), kishin qenë edhe shokët dhe miqtë më të ngushtë të Myslym Ketës, (“Hero i Popullit”), që nga periudha e Luftës, si pjesëtarë të njësiteve guerile të Tiranës e formacioneve partizane, miqësi të cilën e kishin ruajtur edhe pas vdekjes “aksidentale” të tij (në 1966), duke e vazhduar atë, deri ditën që u arrestuan. Në këtë grup shokësh, bënin pjesë edhe kolonel Adnan Qatipi dhe Safet Kurti, (ish-pjesëtarë të njësiteve guerile me Myslym Ketën) të cilët nuk u arrestuan si të tjerët, (gjë e cila, edhe për shkak të intrigave të Sigurimit, bëri që të hidheshin hije dyshimi mbi ta), por patën dhe ata probleme, duke u shkarkuar nga detyrat që kishin, apo duke i nxjerrë në pension, (Safet Kurti), ende pa mbushur 50 vjeç!

Siç do të shohim edhe nga letra në fjalë e Ibrahim Kubatit, gjatë procesit hetimor, hetuesit kanë insistuar që ai, të pranonte akuzën, ku thuhej se ata, pjesëtarët e atij grupi, në biseda mes tyre dhe me të tjerë, shprehshin se; Myslym Keta nuk kishte vdekur aksidentalisht, por atë e kishte eliminuar Sigurimi i Shtetit, pasi udhëheqja e lartë, kishte shumë frikë nga ai. Kjo gjë, e cila është përfolur nën zë edhe gjatë periudhës së regjimit komunist, bëhet e ditur edhe nga ish-oficeri i lartë i Sigurimit të Shtetit, nënkolonel Mark Dodani, në letrën që ai i’a dërgon ministrit Hekuran Isai në vitin 1982, ku ai tregon se; në vitin 1965, e kishte thirrur zv/ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral-major, Rexhep Kolli, (që njëkohësisht ishte dhe Drejtori Sigurimit të Shtetit), i cili i kishte ngarkuar si detyrë, që ai (Marku), të vriste Myslym Ketën, pasi Lymi kishte kaluar në tradhti e donte të arratisej nga Shqipëria.

Për atë gjë, Rexhep Kolli i kishte treguar Markut edhe urdhrin me shkrim, të firmosur nga ministri i Mbrojtjes, gjeneral-leitnant Beqir Balluku dhe ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Kadri Hazbiu. Ndërsa me këto u njohëm në tre shkrimet e kaluara nga letra e Mark Dodanit, lidhur me bisedat e shokëve dhe miqve më të më ngushtë të Myslym Ketës, (Edip Ohri, Bardhyl Mano, Sabri Pilkati dhe Ibrahim e Ali Kubati), si dhe për ato që u kërkonte hetuesia atyre, etj., na njeh letra e Ibrahim Kubatit, (që publikohet për herë të parë nga Memorie.al), e cila mendojmë se hedh dritë mbi misterin e vdekjes së “Heroit të Popullit”, Myslym Keta, një nga ngjarjet më të përfolura që nga viti 1966, por bën të ditura edhe raportet e marrëdhëniet që kishin pjesëtarët e atij grupi me njëri tjetrin!

DOKUMENTI ARKIVOR ME LETRËN E IBRAHIM KUBATIT, I SAPO LIRUAR NGA BURGU I SPAÇIT ME AMNISTINË E VITIT 1982, DËRGUAR MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME, HEKURAN ISAI

MBI DISA ÇËSHTJE QË KANË TË BËJNË ME PROCESIN HETIMOR KUNDËR MEJE DHE PERSONAVE TË TJERË QË LIDHEN ME MUA

Do të mundohem të jem racional dhe konçiz në të shkrojtur, megjithëse kam frikë se s’do të arrij plotësisht këtë objektiv.

Kam kohë që bluaj në vetë vete, për të shprehur atë që ndjej dhe mendoj, por e kam patur të pa mundur. U mundova në hetuesi të veproj në këtë mënyrë, por nuk më vajti mbarë, po kështu dhe në periudhën e vuajtjes së dënimit. Fjalimi i shokut Enver para zgjedhësve, më dha impulse të forta, me sqaroi pikëpyetjet që më ishin grumbulluar në kokën time dhe me forcoi bindjen, për ta materializuar vendimin e marrë nga unë, për t’ju drejtuar vetëm Partisë.

Dy takimet e bëra me ju dhe lirimi i parakohshëm imi, ndryshuan gjërat e po më detyrojnë që t’ju drejtohem juve, me bindjen që mund të hedh dritë mbi disa çështje të ngutshme, e shumë të rëndësishme për Partinë. Di të dalloj “personalen” nga të “përgjithshmen”. Me hallet personale nuk jam mirë, bilanci është negativ. Një nënë që më vdiq (ose “ma vranë”), pesë shkurorëzime, tre të burgosur, përjashtime nga Partia, ç’rregullime familjare e tjera e, mbi të gjitha, brenga e madhe e një “ish-armiku”, i parë nga të tjerët, e pse jo dhe vrasja e ndërgjegjes për gabimet e bëra nga unë, si para ashtu edhe pas arrestimit (në hetuesi).

Këto gjëra i shkruajta për të sqaruar situatën dhe jo për t’u shfajësuar dhe kërkuar lëmoshë. Kam marrë një vendim të prerë për ta filluar jetën nga e para, për të përfituar vetëm nga e “përgjithshmja” (për të cilën do të flas më poshtë). Me që ra fjala, dua të bëj një sqarim: ai shoku juaj (që nuk ja di emrin dhe mund të jetë edhe eprori i juaj), që takova në Spaç, më bëri një aluzion, nëse jam mirë apo jo nga mentë! Tani unë jam mësuar të mbaj në kurriz shumë gjëra, kështu që edhe atë fyerje e gëlltita. Po mundohem tash e tutje, ta përmbaj veten, por them se kushdo që të ishte në vendin tim, të kalonte ato peripeci edhe mund të shmangej. Çështë e vërteta, kam emocione, madje dhe të forta, kështu pata dhe me ju që ishit personat e parë të lirë që shikoja.

Përsa i takon “të përgjithshmes”, ajo ishte jo vetëm e ndritur por hyjnore e na i ka mbushur zemrat me hare dhe optimizëm. Ajo më takon edhe mua dhe fëmijëve të mi e, s’ka forcë të ma mohojë. Unë atë e ndjej në shpirt, e shikoj tek njerëzit e për çudi e pashë edhe tek shumë të burgosur në Spaç dhe rrugës kur u liruam, si thirrnin e brohorisnin me emrin e udhëheqësit në gojë. S’dua të bëj agjitacion a reklama, por Enver Hoxha, është bërë atribut i Partisë dhe i popullit dhe kjo do të thotë shumë.

Para se të filloj në çështjet e hetuesisë, do të bëj një sqarim e, do të shpreh një mendim timin, që mund të jetë edhe i gabuar. Kur shikohesh nga unë për të shfaqur mendimet e sugjerimet rreth hetuesisë, Kristoforit, unë çuditesha, mbasi të gjitha problemet i kisha sqaruar dhe aty nuk ishin një apo dy hetues, por gjashtë, që vepronin kolektivisht dhe që dinin gjithçka.

E dyta gjatë periudhës që qëndrova në “stash” pata shumë provokim të stilit të Kristoforit dhe e ndjeja që s’mund të bëja asgjë. Pata edhe pas arrestimit të Kristoforit. Pastaj, Kristoforin e dija njeri të Partisë dhe së fundi nuk kisha krijuar bindje, që gjithçka shkonte në destinacion.

Në Spaç të burgosurit, pëshpëritnin që; shoku Enver ka thënë, se deri tani unë kam vënë gishtin në këto punë, por tani do të vej dorën. Fjalimin para zgjedhësve e dëgjova dhe e lexova disa herë, kështu që kam formuar bindjen, t’ju drejtohem njëlloj si edhe Partisë. Po filloj nga çështja:

  1. Problemi kyç i hetuesisë për mua, ka qenë çështja e Lym Ketës. Nuk e mbaj mend me saktësi, çfarë kam firmosur për këtë punë, por di të them se insistohej në fillim (që orën e parë të hetuesisë) të thonja se (unë dhe Bardhyli), pohonim se Sigurimi e kishte vrarë Myslym Ketën, ndër të tjera, se ai paraqiste rrezik për udhëheqjen, si trim që ishte.

E vërteta ishte ndryshe. Bardhyli kishte dyshuar se, mos e kishin vrarë Myslymin (mbasi ai dinte gjithçka për të), bile e kishte verifikuar problemin në vend, nëpërmjet Vito Koçit dhe i kishte rezultuar aksident i thjeshtë. Edhe Bardhyli, nuk e kishte këtë mendim. Por Kristofori me Bashkim Asllanin, kërkonin pikërisht këtë gjë.

Kam deponuar se Bardhyli thonte në atë kohë, që udhëheqësi nuk i bëri vizitë në rastin e vdekjes, familjes. As Mehmet Shehu jo. Por ky i fundit, i qëndroi afër familjes, i dërgonte makinën e vet, më duket se i lidhi edhe kredinë, për ndërtimin e shtëpisë. Vizitë i ka bërë vetëm Kadri Hazbiu, i cili e mbante veten shok të tij dhe që ndodhej afër. Më kujtohet se në qeli me mua, ndodhej dhe një tjetër, që quhej Hasan. Ndër provokimet që më bënte shpesh herë, përmendte Myslym Ketën, që sikur të ishte gjallë, ai do ta bënte kërdinë, në mbrojtje të Beqir Ballukut, etj, etj.

Një herë i thashë hetuesit tim, një fjalë që kisha dëgjuar nga im vëlla, e më duket se ishte thënë nga Babë Myslimi: “Ç’kini me Myslym Ketën, ai ka qenë trim, por si ai ka patur me dhjetëra e qindra Tirana” dhe shtova nga vetja, se po fryhet shumë figura e tij. I thashë të gjitha këto, se më është krijuar bindja se figura e Myslym Ketës, është sajuar, deformuar nga tradhtarët, si Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, për ta përdorur për qëllimet e tyre djallëzore.

Në hetuesi, kam deponuar gjithashtu, se dija nga Bardhyli, se ai dhe shokët e tij, dyshonin për tim vëlla, Aliun, se mos i kishte denoncuar tek Kadriu; por ishin qetësuar më vonë, pikërisht kur ishte kthyer nga Gjermania dhe u kishte thënë fjalë jo të mirë, në adresë të Safet Kurtit, thënë nga Kadri Hazbiu.

Fjalët e Kadri Hazbiut për Safetin, nuk më kujtohen tamam, por pak a shumë, ishin këto; pse e mbani afër, ai s’është shok i mirë, etj. Këto fjalë Bardhyli i interpretonte, si mesazh i Kadriut, për t’u ruajtur nga Safeti, sepse sipas tij, Safeti e kishte paditur Myslym Ketën.

Unë e kam njohur dhe takuar dy herë Kadri Hazbiun, kur më merrte me detyrat e gjuetisë dhe të rezervateve të gjuetisë, në Kune dhe Vain. Di mirë që gjuante dhe mbante afër vëllanë tim, si dhe Bardhylin (Mano), etj., (për vëllanë tim, nuk e shtoj pyetjen, se këtë çështje, do ta trajtoj më vonë).

Kadri Hazbiu, i njihte pikëpamjet e Bardhylit, Sabriut (Pilkatit), që prej kohësh, nga Asllan Haka. Atëherë përse i mbante afër këta njerëz, përse rrokesh me Bardhylin, por kështu edhe Mehmet Shehu, që gjuante me Bardhylin? Përse pastaj, në momentin e volitshëm prej tyre, i linçuan, d.m.th., i hodhën në orbitë, për të plotësuar qëllimet e tyre?!

  1. Mbasi u vërtetua se unë nuk isha agjent i bullgarëve, u kalua në organizatën kundër-revolucionare. Më thanë se unë nuk e dija këtë, por ata më kishin futur mua dhe unë duhesh të ndihmoja patjetër. Jeta e shokut Enver ishte në rrezik dhe unë duhet të isha më i shqetësuar, të vrisja mendjen, të kujtoja çdo detaj e t’i ndihmoja. E në këtë periudhë, më trajtuan si shok e më bindën se Bardhyli, është agjent i UDB-së. Unë me timen kujtoja gjithçka, bëja supozime, përmendja emra, etj., etj. Njëherë në mbrëmje vonë, Kristofori (Mërtiro) dhe Bashkimi (Asllani), më thirrën shumë të tronditur, që t’i ndihmoja seriozisht, për të vërtetuar se Bardhyli, është agjent. Vura re se gjithçka ishte e inskenuar, ata prapëseprapë, ishin shumë të shqetësuar në këtë pikë.

Pastaj u kalua në maketin e organizatës kundër-revolucionare. Maketin e ndërtoi Bashkimi (Asllani), gjatë një nate të tërë me mua. Unë e shkruaja dhe po të ishte e vërtete ajo, do të vërtetoheshin, ndryshe unë s’kisha pse të kisha frikë. Maketi përmbante në formë tezash, qëllimet kryesore të organizatës, që synonte likuidimin e udhëheqjes e të shokut Enver, me të gjitha mënyrat, me armë, helm, etj. Zëvendësimin e pushtetit tonë me atë revizionist, e gjëra të tjera që nuk më kujtohen. Por maketi ra poshtë e nuk u vërtetua.

Me sa më kujtohet rreth maketit, u bë fjalë prapë për Myslym Ketën, Bardhylin dhe Edipin (Ohrin). Maketi m’u la ta mbaja unë në dhomë të izolimit dhe unë i pata vënë pikëpyetje të gjithave, gjë që e nxeh dhe e zemëron shumë Bashkimin. Në maket, përmendeshin të gjitha emrat e familjes time, për të cilat do të flas më vonë. Me gjithë se maketi ra poshtë, më kujtohet që shprehje të caktuara të tij, u futën në proçes-verbalet e tjera, si dhe pjesëmarrja ime, e Bardhylit, e Edipit, aktivisht për përmbysjen e pushtetit popullor.

  1. Në proçes-verbalet e mbajtura dhe deri diku në gjyq, vihesh theksi vetëm në thënie që cënonin figurën e udhëheqësit dhe u lanë pa vënë thëniet, drejtuar kundër Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, e tjerë. Si dhe kam shpjeguar edhe në hetuesi, Edip Ohri fliste keq për Mehmet Shehun, e gjithçka ja atribuonte atij.

Në atë kohë, unë këtë ja u shpjegova hetuesve dhe i thashë se kjo ka lidhje me faktin se Edipi, ka shkuar keq me Mehmetin e, sidomos me te vëllanë, Duro Shehun, që ishte sekretar Partie për Aviacionin. Atë e hoqën, ndërsa Edipi donte të punonte pa rrogë, bile për këtë, kishte ndërmend ose donte t’i drejtohesh edhe shokut Hysni (nuk më kujtohet a ju drejtua apo jo).

Po kështu Edip Ohri fliste keq dhe për oficerët e Sigurimit, Kadri Hazbiun, dhe kjo i nevrikosi më shumë hetuesit (Bashkimin) se thëniet e tjera. Ai thonte se; organet e Sigurimit, do të japin llogari, se nuk qenë ato që zbuluan grupet puçiste, sabotatorët e tjerë, por qe udhëheqësi. Hetuesia u ndal shumë në problemin e caktimit të fushës së Aviacionit në Zadrimë, duke më pyetur mua, si e dija këtë problem, pse kundërshton Edipi që të bëhesh në Mallakastër, apo gjetkë! Unë mezi e kuptoja këtë çështje dhe i thashë se këtë, e ka sqaruar shoku Enver. Megjithëse këtij problemi i vunë shumë rëndësi, me sa më kujtohet, nuk u pasqyrua në proçeset e mbajtura.

  1. Gjatë gjithë proçesit të hetuesisë, insistohesh për rolin e Myslim Ketës. Unë kam dëgjuar një histori prej Bardhylit, se si Myslim Keta, duke gjuajtur një herë në varkë, kishte mbetur varka në derdhjen e një lumi në det, ishin bllokuar disa orë, deri sa i kishin shpëtuar shokët e kufirit. Por këtë histori, e kisha harruar. Bashkimi kërkonte nga unë, që të pranoja se kjo ka qenë tentativë arratisjeje.

Bile ngulte këmbë, që Myslimi dhe Bardhyli, kishin hartuar planin, për të tentuar mbi jetën e udhëheqësit kryesor dhe për t’u arratisur. Sigurisht dhe ky variant nuk u vërtetua. Pastaj kërkonin me insistim, që të deklaroja, se Bardhyli ka dashur të arratisesh. Unë i thosha se kam dëgjuar që donin të dilnin për turizëm me Myslim Ketën, e vetëm kaq.

I thosha se Bardhyli, është aventurier në kuptimin e qejfeve, por jo për arratisje. Për këtë pikë, ka insistuar shumë Kristofori, Bashkimi, dhe hetuesi i vëllait (më duket se quhet Zaçe), bile më thonin se, nuk jam i sinqertë, mbasi im vëlla, ka pranuar që Bardhyli donte të arratisej. Kjo pikë ka zgjatur shumë, sa që hetuesi i vëllait tim, më solli një dorëshkrim nga vëllai, në prezencë të Bashkimit dhe më tha: “A e njeh shkrimin e vëllait”? dhe më tha të lexoja në një rresht, ku me të vërtet, dallohej fjala arratisje.

  1. Kur mora fletë padijen, u trondita shumë dhe kërkova të takohesha me hetuesin tim. Me vjen Reshat Velaj (Leskaj) dhe hetues Marku. Unë i thashë se akt-padija, ose fletë-akuza, është shumë e fortë dhe përmban gjera të paqena. Reshati në prani të Markut, më këshilloi që të ngrihem pa frikë, e të them një thënie të Sabriut (Pilkatit), shënuar në fletë-padi, ku thuhesh: “Se ne, kemi qenë për likuidimin fizik të udhëheqësit”.

Unë u tmerrova, ndërsa ai qeshi dhe më përcolli. Më duket se të nesërmen, më thirri Kristofori, atij i thashë se unë se them këtë shprehje të Sabriut, se s’është e vërtetë. Ai më tha se ajo shprehja, ka kuptim figurativ dhe në asnjë mënyrë, të mos e themi, sepse Reshati, ma kishte thënë gabim.

Më tha se ndarja në grupe, është e tillë. Që grupi i parë ka dënime më të rënda, ndërsa për grupin e dytë, ku isha edhe unë, dënimet zbritnin. Unë kujtova në moment, që në grupin e parë kisha vëllain, heshti dhe ndërroi bisedë. Kështu Bashkimi më kishte thënë, se do të dënohesha 5 vjet. Pas gjyqit, unë bëra apelim për ulje dënimi.

Menjëherë pas kësaj, më thirri Kristofori dhe Reshati urgjentisht. Reshati na la vetëm dhe ai, d.m.th., Kristofori, më tha se; pse bëre apelim dhe se ç’kisha shkruar? Ja shpjegova, por vura re se u qetësua shumë dhe tha se; dënimi im, mund të kthehet në kondiconel, shumë kollaj.

6. Gjatë hetuesisë, kishte insistim edhe për Miço Kallamatën, i cili ishte anëtar partie i nëntorit 1941. Reshat Leskaj, në prani të Bashkimit, e më duket edhe të Markut (hetues i Ministrisë), foli për këngën e “200 Petritave”, e cila tashti duhesh hequr. Na bëri përshtypje dhe i pash me habi.

Kaloi shumë kohë dhe Miçua nuk u arrestua! Atëhere, në një takim ku ishte Reshati, Bashkimi, e më duket edhe Marku, ju drejtova dhe u thashë se: “Çdo të bëni me këngën e 200 Petritëve?! Reshati u nxeh dhe tregoi një histori për një të pandehur, që kishte lexuar diçka në tavolinë tek hetuesi dhe e kishte pyetur këtë më vonë, por nuk i piu ujë. Memorie.al

Putin takon Vulin, Moska: Situata e tensionuar në Ballkan na shqetëson

Situata e tensionuar në Ballkanin Perëndimor do të jetë temë e bisedimeve mes presidentit rus Vladimir Putin dhe zëvendëskryeministrit serb Aleksandër Vulin këtë të mërkurë. Këtë e tha për gazetarët zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ai kujtoi se “Vulin, i cili ka vizituar Federatën Ruse disa herë, është përgjegjës në qeverinë serbe, për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe në emër të Vuçiç.

Zëvendëskryeministri i Serbisë do të diskutojë çështjet aktuale me presidentin rus dhe gjithçka që lidhet me situatën në Ballkan. Ajo është ende objekt i shqetësimit tonë të thellë.

“Putin dhe Vulin do të takohen në vazhdën e Forumit Ekonomik Lindor në Vladivostok. Takimi i paralajmëruar është kritikuar nga Bashkimi Europian”, tha Peskov.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Brukseli tha se një hap i tillë nuk është në përputhje me vlerat e bllokut e as me procesin e anëtarësimit në të.

“Bashkimi Evropian ka qenë tejet I qartë me partnerët: marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të të Rusisë kundër Ukrainës”, thuhet në reagimin e BE.

Kryeministri serb Millosh Vuçeviç replikoi se nuk ka asgjë të tmerrshme tek fakti që Vulin do të takojë Putinin. Teksa kujtoi se nuk I kanë ndërprerë asnjëherë marrëdhëniet diplomatike me Moskën, ai u shpreh se Beogradi nuk inkurajon as luftën e as shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës.

Detaje nga dosja, gazetari Hoxha paralajmëron: Zhvillime të mëdha do të trondisin ndjeshëm skenën politike…

Vjeshta që sapo ka trokitur mund të sjellë një stuhi në politikën shqiptare, pasi Artan Hoxha, gazetari i njohur për investigimet e tij të thella, paralajmëron zhvillime të mëdha që do të tronditin ndjeshëm skenën politike.

Sipas Hoxhës, Prokuroria e Posaçme (SPAK) është në përgatitje për një seri aksionesh të bujshme, duke përfshirë arrestime të nivelit të lartë që prekin figura kyçe të politikës shqiptare.

Në një intervistë për Euronews, Hoxha zbërthen dosjet që po shqyrtohen dhe hedh dritë mbi ndodhitë e pritshme që do të ndodhin deri në fund të shkurtit 2025.

Ky është një moment vendimtar për drejtësinë në Shqipëri dhe zhvillimet që priten do të jenë vendimtare për të ardhmen e të akuzuarve dhe për transparencën e institucioneve të vendit.

Kjo batuta e shtatorit ngelet e ish-prokurorit Adriatik Llalla, i cili vazhdimisht thoshte në shtator do të ndodhin gjëra të reja dhe në fund në shtator ai iku vetë në këtë histori. Nuk është dhe aq e lehtë ta demontosh këtë kalçifikim që ka elita politike e këtij vendi. Ne sot kemi një elitë politike shumë të pasur, asnjëherë nuk e kemi patur e nuk e kemi menduar. Dhe ky është një problem shumë i madh. Ne kemi politikan sot shumë më të pasur dhe se biznesmenët më të mëdhenj të vendit. E prandaj është krijuar dhe SPAK-u, për të goditur dy kahet kryesore që kontrollojnë paranë në këtë vend. Pikërisht politika dhe bota e krimit. Ne sot kemi politikan të cilët janë më të pasur dhe se biznesmenët vetë.

Dhe ky është bërë problem. Kemi politikan që janë kaq të aftë, kanë kaq shumë asete, burime njerëzore dhe mbi të gjitha burime ekonomike, të aftë të destabilizojnë vendin. Të krijojnë vazhdimisht kriza në këtë vend dhe ne po e shohim. Të mbajnë peng njërën forcë politike apo tjetrën forcë dhe ne po e shohim këtë gjë. Nga buron e gjitha kjo? Nga fuqia ekonomike. Po nuk ke fuqi ekonomike, ke dalë nga loja. Dhe krijimi i këtij potenciali ekonomik që kanë ata, kjo i bën ata të ulën dhe herë pas herë të bëjnë edhe marrëveshje. Detyra e SPAK-ut që kur u krijua u nda në dy pjesë. Pjesa që do të godas korrupsionin politik dhe pjesa që do të godasë krimin e organizuar. Gjëja ndërmes është biznesi që lidh të dyja palët sepse ajo merr paranë e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe e legalizon. Drejtësinë nuk e bën SPAK-u, e bën Gjykata. Dhe ne ende nuk kemi parë një betejë ligjore, duke filluar që nga çështja e zotit Berisha, ai kundërshtoi vendimin e Gjykatës, po të ishte paraqitur mund të fitonte lirinë por mund të ndodh si zoti Beqaj që u paraqit dhe në burg përfundoi. Sot ndodhemi para kësaj situate, se a ka SPAK-u nëpër dosje nëpër duar?

Po, dhe shumë të rëndësishme. Por sidomos në nivelin politik dhe pritshmëria është atje. Po të shikosh lëvizjet e muajve të fundit, duket sikur marrëveshjet apo tolerimet që i ka bërë opozita-mazhorancës, i bashkon një pikë, neutralizimi apo kufizimi i SPAK-ut. Ky është një vit i cili kulmon me zgjedhjet e pranverës së vitit të ardhshëm, e si e tillë SPAK-u është shumë i rëndësishëm, të paktën deri nga fund muaji shkurt i vitit tjetër, SPAK-u do të jetë shumë i rëndësishëm për të pastruar sa më shumë të jetë e mundur procesin e ardhshëm zgjedhor.

Çështja e 21 Janarit do të ketë hetime, Prokuroria ka bërë një plan veprimi. SPAK-u dhe BKH-ja, besoj se do të veprojnë menjëherë duke thirrur personat që duhet të ishin thirrur e nuk janë thirrur deri tani. Nga ajo që di deri tani, besoj që aty do të thirren personazhet më të rëndësishëm politik në vend. Ndrea Prendi, dëshminë që ka dhënë në SPAK, herën e kaluar nuk ka qenë për 21 Janarin. Është një çështje që do ta shohim në vijim e sipër.

Është një çështje e cila kulmon dhe me fushatën zgjedhore, prandaj do të kemi disa zhvillime që jo rastësisht do t’i mbivendosen edhe zhvillimeve politike në vend, sepse kemi një fushatë elektorale që nuk ka ndodhur asnjëherë në Shqipëri, me një forcë politike që kërkon një mandat të katërt dhe me një opozitë që ka ardhur nga një krizë e jashtëzakonshme. Opozitës i duhet të ri ngrihet në këmbë dhe të përballojë edhe krizën në radhët e saj por të përballoj edhe kundërshtarin për të bërë një ndryshim politik. Nga e gjithë tabloja që bëra, do të ketë zhvillime që do të duket një dimër edhe më i nxehtë se vera”, tha Artan Hoxha.