21.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Shkëlqimi dhe rënia e drejtorëve të Bashkisë së Tiranës

Pas disa vitesh në krye të dikastereve publike një grup drejtorësh të Bashkisë Tiranë u shfaqën si investitorë dhe sipërmarrës të suksesshëm në ndërtim e turizëm. Prokuroria e Posaçme dyshon se suksesi i tyre buron nga një skemë abuzive me tenderat.

Drejtorët dyshohet se ushqyen me punë publikë një kompani fiktive, paratë e përfituara prej së cilës i investuan gjetkë. Deri më sot SPAK-u ka proceduar penalisht të paktën gjashtë drejtorë: Redi Molla – ish-drejtor i UKT-së, Mariglen Qato – ish-drejtor i IMT-së, Taulant Tusha – ish-drejtor i Punëve Publike, Eglantina Zere – ish-drejtore e Tirana Parkingut, Enton Punavija – ish-drejtor i Transportit, Deborah Keçi – ish-drejtore e Klubit Sportiv Tirana.

Gjykata e Posaçme miratoi në mars të këtij viti tre masa sigurie “arrest me burg” për  Mollën, Tushën,  Qaton, dhe gjashtë masa të tjera sigurie “detyrim paraqitje” për zyrtarë të tjerë të përfshirë në këtë aferë.

Në njoftimin e SPAK-ut thuhet se Redi Molla dhe Mariglen Qato përgjatë kohës që ushtronin funksionin e drejtorit kanë shpallur fitues shoqërinë “5D Konstruksion” sh.p.k. në 11 tendera nga viti 2016 deri në 2020. SPAK-u ka prova se kjo shoqëri zotërohej nga 3 persona të cilët ishin ortakë fiktivë, ndërsa ortakët e vërtetë dhe pronarët ishin “drejtorët”.

Pas arrestimit të zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj u distancua nga aktiviteti i ish-drejtorëve me të cilët ka bashkëpunuar prej nëntë vitesh. Në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, Veliaj sqaroi se ai nuk ka marrë kurrë asnjë përfitim nga tenderat për të cilët akuzohen ish-bashkëpunëtorët dhe se nuk e ka shkelur ligjin asnjëherë.

Të akuzuarit janë pjesë e dosjes për të cilën SPAK-u ka nisur hetimet në prill 2023 për veprat penale “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike” dhe “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe kallëzimit që opozita bëri një muaj më pas, në maj 2023. Të dy procedimet penale u bashkuan në një procedim penal të vetëm, të numërtuar me nr.75 viti 2023.

Një Bukëpjekës Pronar I “5D”
Credit: shteg.org

Një furrë buke buzë rrugës “Fatmir Haxhiu” në Tiranë prej vitesh është ndalesë për shumicën e qytetarëve që presin urbanin në stacionin e “Rrugës së Elbasanit”. Mjeshtëria e prodhimeve të këtij biznesi familjar përfshin përvojën e bukëpjekësve të vjetër Vjollca dhe Muhamet Petriti, vajzës dhe dhëndrit të tyre.

Por përtej vetratës me prodhime brumi, familja Petriti duket se mbante fshehur një sipërmarrje paralele me të ardhura të shumëfishta.

Ishte 11 marsi i vitit 2021 kur mes fluksit të blerësve u shfaq Nestor Muhametllari. Ai kërkoi të takonte Metin, sikurse e thërrasin shkurt bukëpjekësin.Të dy kishin “punë në bankë”. Nestori  pak ditë më parë i kishte dhënë Metit një sasi parash për blerjen e një kompanie. Meti duhej t’i tërhiqte dhe t’ia kthente sërish mikut të tij.

Këto transaksione janë pjesë e një skeme të cilën SPAK-u dyshon se përfshiu dhëndrin e Metit, Alfred Qato, vëllanë e tij Mariglen Qato, ish-drejtor ky në Bashkinë e Tiranës, kolegun e tij Redi Molla dhe disa zyrtarë të tjerë.

Hetimet zbuluan se bukëpjekësi Muhamet ishte prej katër vitesh pronar i kompanisë “5D” e cila – deri në mars të vitit 2021 – kur ky ia kaloi Nestor Muhametllarit, gëzoi sukses duke fituar 24 tendera publikë me vlerë prej rreth 1.5 miliardë lekësh (13 milionë euro).

Por ky sukses ekonomik nuk ndryshoi asgjë në jetën e Metit. Pavarësisht se ishte për katër vite pronar i kompanisë, ai vijoi punën si bukëpjekës me pagë minimale në biznesin e familjes.

Të dhënat bankare tregojnë se në tre vite (2019-2021), Meti mori rreth 34 milionë lekë (rreth 300 mijë euro) të ardhura si dividend nga kompania “5D”. Megjithatë, prokuroria është e bindur se ai nuk përfitoi asnjë pjesë prej këtyre parave pasi i tërhoqi për llogari të vëllait të dhëndrit dhe miqtë e tij.

Kryqëzimi i të dhënave të gjetura nga dokumentet e kompanisë dhe punonjësve të saj kanë nxitur prokurorinë të thellojë dyshimet sipas së cilave ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë, Qato e Molla, ishin pronarët e vërtetë të kompanisë dhe Meti u përdor për të nxjerrë fitimet për llogari të tyre.

Bisedat e zbardhura nga prokuroria mes Nestorit dhe dhëndrit të Metit, Alfred Qato, treguan se megjithëse në letra Nestori ishte vartës i Metit, ai nuk kishte asnjë komunikim me të, madje nuk i kishte as numrin e telefonit.

Ndryshe me dy ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë, Qato dhe Molla – nga shtatori 2019 deri në qershor 2023 – Nestori numëroi mbi 1,500 thirrje telefonike me një mesatare prej të paktën një telefonate në ditë.

Më 29 mars 2024, SPAK-u arrestoi dy ish-drejtorët duke i akuzuar për “korrupsion” dhe “fshehje pasurie”. Paralelisht u ngrit akuza për shkelje të barazisë në tendera për gjashtë ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë Tiranë, mes të cilëve dhe për ish-drejtorin e Drejtorisë së Punëve Publike Taulant Tusha, i cili qe arrestuar në gusht 2023 për shkelje në lidhje me koncesionarin e menaxhimit të mbetjeve të Tiranës.

Por Gjykata e Posaçme Apelit nuk u pajtua me cilësimet e veprës penale që SPAK-u i bëri veprimtarisë së dyshuar kriminale të dy ish-drejtorëve Qato e Molla. Në vendimin e 3 majit 2024, të disponuar nga SHTEG-u, në të cilin gjykata shqyrtoi apelimet e masave të sigurisë, ajo vlerësoi se ata duhet të procedoheshin penalisht për grup të strukturuar kriminal, përvetësim pasurie publike, pastrim parash dhe evazion fiskal.

Krijimi dhe ngritja e “5D”-së

Kompania “5D” u krijua në janar të vitit 2016 nga një mik i vëllezërve Qato, i quajtur Eduard Meta, elektricist, i cili vijoi punët private dhe u shkëput shpejt nga sipërmarrja.

Për gjashtë vite, deri në nëntor 2022, “5D” do të shpallej fituese në të paktën 32 tenderë publikë me mbi 2.8 miliardë lekë (27 milionë euro) vlerë totale investimi. Në hetimet paraprake, SPAK-u ka gjetur shkelje në thuajse gjysmën e këtyre tenderave.

“5D” në shumicën e rasteve nuk plotësonte kushtet për të marrë pjesë në garë. Sidoqoftë, ajo shpallej fituese si bashkim operatorësh me kompani të tjera. Pjesa kryesore e tenderave jepej nga Bashkia Tiranë, institucion ky në të cilin Qato dhe Molla kishin kontakte të forta, siç dëshmojnë lidhjet me ish-drejtuesit: Taulant Tusha i Punëve Publike, Enton Punavija i Transportit apo Eglantina Zere e Tirana Parkingut.

Nga 32 tendera ku u shpall fitues “5D”, 27 ishin në bashkëpunim me 20 kompani të tjera. Ajo bashkëpunoi më së shumti me “Kola Invest” (7 raste) me pronarë sipërmarrësit Jani dhe Sofokli Kola, si dhe “Rroku Guest” (4 raste) që zotërohet nga Vera Gega, bashkëshorte e Rrok Gegës, i dënuar për skemë mashtrimi me faturat tatimore.

Por “5D” pati bashkëpunime dhe me kompani të mëdha për nga volumi i punëve publike, si: “Fusha” apo “Mane TCI” i sipërmarrësve të njohur Shkëlqim Fusha e Samir Mane.

Gjykata e Posaçme e Apelit ka konstatuar se në hetimet paraprake SPAK-u nuk verifikoi nëse kompanitë që bashkëpunuan me “5D”-në kishin pasur apo jo dijeni se çfarë përfaqësonte kjo sipërmarrje. Gjithashtu, nuk kishte vlerësim paraprak nëse edhe ato mund të konsideroheshin në aktivitet kriminal si “5D”.

Pesë tenderat ku “5D” mori pjesë e vetme në garë patën një vlerë relativisht të ulët investimi prej vetëm 88 milionë lekësh (850 mijë euro). Nga këto, tenderi me vlerën më të madhe ishte ai për ndërtimin e një shëtitoreje me korsi biçikletash në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë gjatë vitit 2021.

SPAK-u dyshon se paratë e fituara nga tenderat publikë prej “5D”-së u nxorën më pas nga kompania për të ushqyer si kapitale investimi sipërmarrje të tjera. Dyshohet gjithashtu se një pjesë e xhiros u nxor jashtë sistemit bankar përmes skemës së pagesave për punë fiktike.

Hetimet tregojnë se “5D” u regjistrua si biznes pak javë përpara se Mariglen Qato dhe shoku i tij, Redi Molla, të emëroheshin drejtues në Ujësjellës Kanalizimet Tiranë (UKT).

Molla u emërua drejtor i Përgjithshëm në shkurt 2016, ndërsa Qato, drejtor i Departamentit Mbështetës mesin e muajit mars. Të dy qenë njohur gjatë kohës që punonin në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik në Bashkinë Tiranë.

Pa bërë gjashtë muaj nga krijimi, në maj të vitit 2016, “5D” fitoi tenderin e parë, pikërisht nga UKT. Ajo u shpall fituese në bashkëpunim me kompaninë “Kola Invest” për ndërtimin e një depoje uji, megjithëse nuk plotësonte kushtet.

Në komisionin e vlerësimit të ofertave ishte Mariglen Qato, Durim Mustafa dhe Manjola Bunguri, kjo e fundit më vonë do të punësohej në “5D”, ndërsa Mustafa do të përfshihej në marrëdhënie sipërmarrjeje me një ish-drejtor tjetër për ndërtimin e një hoteli në jug. I njëjti komision do ta shpallte fituese kompaninë e kamufluar në të paktën dy tendera të tjerë për ndërtim rrjeti ujësjellësi dhe rikonstruksion kolektori.

Tenderat e parë ishin në vlera relativisht të vogla, 5-14 milionë lekë, dhe “5D” u fut në bashkëpunim me “Kola Invest” dhe “Rej” të Luan Kaprit, kushëri i ish-kryebashkiakut të Pogradecit Eduart Kapri. SPAK-u ka vënë re se në këto tendera pjesa kryesore e punimeve merrej përsipër nga kompanitë bashkëpunëtore, jo nga “5D”.

Përvoja duket se nxiti ndryshime. Kompania ishte ngritur, por tashmë duhej riorganizuar për një tjetër nivel. Në vitin 2018 sipërmarrja i kaloi për 100 lekë Muhamet Petritit, vjehrrit të vëllait të Mariglen Qatos. Ndërkohë, administrator u vu Nestor Muhametllari, mik i Redi Mollës. Të dy qenë njohur kur punonin në kompaninë “Gener 2” në vitet 2013-2015.

Pas ndryshimeve, ku secili nga drejtorët duket se vendosi njerëz të afërt në drejtimin e kompanisë, brenda muajit gusht 2018, “5D” u shpall fitues nga UKT në tre tendera të tjerë. Në dy prej këtyre tenderave, kompania sërish ishte në bashkëpunim me “Kola Invest”. Vlerat e tyre ishin deri katër herë më të larta se të mëparshmet.

Pesë ditë pas tenderit të fundit në UKT, më 25 gusht 2018, Mariglen Qato u zhvendos me detyrë duke kaluar drejtor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tiranë.

Por do të ishte viti 2019 ai që do të sillte horizonte të reja. “5D” u shpall fituese në katër bashkëpunime me “Rroku Guest”, dy prej të cilave në Bashkinë Shkodër. Si e vetme fitoi një tender në UKT dhe dy tendera të tjerë nga “Tirana Parking”. Në dy nga këta tendera SPAK-u ka gjetur shkelje ndërsa në njërin prej tyre anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave ishin ish-drejtorët Taulant Tusha dhe Enton Punavija. Ndërkohë, vendimtare në tenderat e “Tirana Parking” dyshohet të ketë qenë ndërhyrja e ish-drejtoreshës Eglantina Zere.

Gjatë kësaj periudhe në llogarinë e Muhamet Petritit alokohen mbi 34 milionë lekë të ardhura si fitim dividendi, të cilat ai i nxjerr nga banka duke kryer tërheqje të njëpasnjëshme deri në tetorin e vitit 2020. Prokuroria dyshon se këto para iu kaluan Qatos dhe Mollës.

Në vitin 2020 Molla largohet nga UKT duke kaluar drejtues i një kompanie publike ndërtimi të ngritur nga Bashkia Tiranë të quajtur “Tirana DC”. Megjithatë, kjo nuk i zbehu sukseset e “5D”-së, përkundrazi.

Në mars 2021, përmes një shitjeje fiktive, “5D” i kaloi në zotërim mikut të Mollës, Nestor Muhametllarit. Mbetet e paqartë nëse me largimin e Muhamet Petritit përfunduan interesat apo lidhjet e Qatos me “5D”-në.

Pasi mori në zotërim kuotat e Muhamet Petritit në kompani, Muhametllari tërhoqi dividendin e pashpërndarë për vitet e shkuara në vlerë 31.5 milionë lekë (rreth 300 mijë euro). Prokuroria dyshon se këto para iu kaluan Mollës.

Pas këtyre lëvizjeve “5D” zgjeroi kapacitetin duke u shpallur fituese në 8 tendera gjatë vitit 2021, katër prej tyre tenderave ishin nga programi i rindërtimit ku parashikohej shembja e 22 pallateve dhe ndërtimi i dy shkollave 9-vjeçare “Dritas” dhe “Hasan Vogli”.

Shembja e pallateve në periferi të Tiranës u shoqërua me akuza të forta nga opozita për manipulime me vlerësimet teknike pas së cilave, sipas opozitës, fshiheshin synime klienteliste ndërtimi.

Pikërisht në këtë periudhë “5D” u hodh në sektorin e ndërtimit duke marrë lejen e parë për zhvillimin e një pallati 9-katësh në zonën e Yzberishtit në Tiranë. Për dy vite me radhë, deri në vitin 2023, “5D” do të merrte edhe tre leje të tjera ndërtimi në kryeqytet.

Aktualisht, prej 9 korrikut 2024, “5D” dhe projektet e saj janë vënë nën sekuestro nën dyshimin se kompania u përdor për përvetësim fondesh dhe pastrim parash.

Nga tenderat tek investimet strategjike

Investime Strategjike
Credit: shteg.org

Në shtator 2020 pesë sipërmarrës u bënë bashkë në një grup investimi për të ndërtuar një hotel 16-katësh pranë portit të Durrësit. Me 87 milionë lekë (700 mijë euro) kapital themeltar, ata morën përsipër ngritjen e një hoteli luksoz, i cili parashikonte 15 milionë euro vlerë investimi.

Mirëpo grupi duket se fsheh pas një skemë të dyshimtë qarkullimi dhe investimi parash. Hetimet e SPAK-ut kanë nxitur dyshime të arsyeshme sipas të cilave një pjesë e kapitalit themeltar të grupit investitor erdhi nga paratë që u nxorën nga kompania “5D”, gjë e cila ka arsyetuar masën e sekuestros së një pjese të aksioneve vendosur më 9 korrik 2024.

Ajo që shton dyshimet e SPAK-ut, është fakti se projekti i hotelit i ishte besuar për t’u ndërtuar kompanisë “5D”, duke mbajtur kështu një cikël të mbyllur. Lidhjet mes personave të përfshirë dhe bisedat e zbardhura mes ish-punonjësve të kompanisë rëndojnë më tej pozitat.

Në këtë rast, përveç lidhjeve me ish-drejtorët Redi Molla e Mariglen Qato, në horizont del dhe një tjetër ish-drejtor i Bashkisë Tiranë, Elvin Tivari, si dhe sipërmarrësi i njohur, Gazmend Haxhia, i cili aktualisht është nën hetim si përfitues nga skema e shpërdorimit të fondeve të Bashkimit Evropian për të cilat po hetohet ish-ministri Ilir Beqaj.

Më 4 shtator 2020, Gazmend Haxhia, Selim Molla dhe kushërinjtë Dritan Kadiu dhe Elvin e Bledar Tivari firmosën për nismën që u quajt “Mediterranean Investment Group”. Përveç Bledar Tivarit, katër të tjerët u angazhuan në këtë sipërmarrje pas emrave të kompanive të tyre – “Landways International” Haxhia, “Restur” Molla, “Daktur” Kadiu dhe “Etitur” Tivari.

Molla, Kadiu e Tivari i kishin themeluar kompanitë me 100 lekë kapital themeltar vetëm tre ditë më përpara, më 1 shtator 2020. “Daktur” dhe “Etitur” kishin seli hotel “Lidon”, që zotërohet nga Dritan Kadiu. Ky hotel, te rruga “Aleksandër Goga”, pranë “Rotondos Bizantine” në Durrës, u bë gjithashtu seli e grupit të investimit “Mediterranean”.

Një muaj pasi formuan grupin e investimit, ata kishin gati projektin e hotelit, ndërsa një vit më vonë firmosën marrëveshje bashkëpunimi për të sjellë në Durrës një markë të njohur të hotelerisë ndërkombëtare. Marrëveshja e veshi hotelin me emrin “Crown Plaza” duke kaluar në hije investitorët e dyshimtë shqiptarë.

Selim Molla, asokohe 72 vjeç, pa histori sipërmarrjeje nxori nga xhepi 20 milionë lekë (168 mijë euro) për të garantuar 24% të aksioneve të grupit. I ndjeri, ishte baba i Redi Mollës, i cili ia la trashëgim kompaninë “Restur” dhe kuotat në grupin “Mediterranean Investment” pas ndarjes nga jeta në dhjetor 2023.

SPAK-u dyshon se paratë erdhën nga tërheqjet e dividendit të “5D”-së nga Nestor Muhametllari dhe Muhamet Petriti për llogari të ish-drejtorit të UKT-së, Redi Molla, dhe mikut të tij, gjithashtu ish-drejtor pranë Bashkisë Tiranë, Mariglen Qato.

Ortaku i Mollës te hoteli në Durrës, ish-vartësi i tij, Elvin Tivari, ka një angazhim të njohur mes administratës publike si drejtor i Departamentit të Shitjeve në UKT dhe sipërmarrjes në tregtinë e kafes, pijeve dhe mallrave me akcizë.

Në vitin 2018, edhe pse ishte drejtues në UKT, kompania e tij “Gourmet & CO”, fitoi tender për furnizimin e Bashkisë Tiranë me ujë të ambalazhuar.

Biznesi në turizëm ka ecur vaj për ish-drejtorin e UKT-së Tivari. Ai ka gjetur mundësi të investojë në një tjetër hotel në Dhërmi dhe madje të sigurojë leje për zgjerimin e tij vetëm pak vite pas hapjes.

Tivari rezulton ortak në hotelin luksoz “La Brisa” në Dhërmi me Fatos Malajn, vëllanë e kryetarit socialist të Bashkisë Mat, Agron Malaj. Ky biznes është regjistruar në vitin 2022 me kapital themeltar 1.5 milionë euro, nga ku 600 mijë euro janë investuar si kontribut i Tivarit.

Por ky bashkëpunim në sipërmarrje me ish-drejtorin e UKT-së, e ka një zanafillë.

Malaj zotëron kompaninë e themeluar nga vëllai i tij “Global Security”, e cila rezulton ndër përfitueset kryesore nga tenderimet e institucioneve publike sa i takon sigurisë.

Në vitin 2017 “Global Security” përfitoi 84 milionë lekë (ose 840 mijë euro) nga tre kontrata shërbimi me negocim direkt prej UKT-së për roje fizike apo roje deposh uji. UKT drejtohej asokohe nga Redi Molla dhe vartës i tij ishte pikërisht Tivari.

Në periudhën 2017-2021 “Global Security” rezulton përfituese edhe në 13 kontrata të tjera për ruajtje, të dhëna nga Bashkia Tiranë për një total prej 3.6 miliardë lekësh (ose ndryshe 36 milionë euro)./shteg.org

Që Edi Rama të bjerë nga pushteti!

Nga Namir Lapardhaja

Sot nuk ka asnjë dilemë se me këtë gjendje ku ndodhet opozita, me një Parti Demokratike të marrë peng nga një familje dhe për hallin e një personi, me një shumësi figurash politike që përveç servilizmit dhe hallit të karriges së deputetit nuk rrezatojnë asgjë tjetër, është thuajse e pamundur që rrotacioni i pushtetit të ndodhë.
Paradoksalisht Edi Rama është më i korruptuar se dje, është më i konsumuar, me afera korruptive më të mëdha gjatë qeverisjes së tij, ndërkohë që opozita është më e dobët.
Koha ka treguar se nuk mjafton konsumimi i kundërshtarit dhe korrupsioni i madh në radhët e qeverisë, që opozita të ngrihet dhe të shndërrohet në alternativë.
Ndryshimi i pushtetit nuk mund të vijë nga ‘egërsia’ e ligjërimit të Berishës nga Ballkoni i katit të 8-të dhe pastaj nga pazari me pushtetin për të mbajtur gjendjen të pandryshuar.
Që ndryshimi të ndodhë, që Edi Rama të bjerë, që vendi të ketë të domosdoshme një qeveri tjetër, duhet që opozita të rregullohet, të shpëtojë nga pengmarrja, të krijojë një fizionomi të re, një ligjërim të ri, larg figurave të së shkuarës dhe në partneritet të plotë me aleatët euroatlantikë.
Që ndryshimi të ndodhë dhe që Edi Rama të bjerë nga pushteti, opozita duhet të japë një alternativë politike me figura që nuk luftojnë kundër drejtësisë dhe SPAK-ut, por janë pasqyra ndryshe e një qeverie të dështuar dhe korruptuar si kjo e Edi Ramës.
Që ndryshimi të ndodhë dhe që Edi Rama të bjerë nga pushteti, opozita, së pari, duhet të fitojë betejën me veten, duke gjetur forca që elementët pozitivë të mbizotërojnë ata negativë, që të ndershmit të triumfojnë mbi të korruptuarit, që progresistët të mundin promovuesit e regresit, që euro-atlantikët të triumfojnë mbi mendësinë bizantine.
Kjo PD me në krye Sali Berishën, që nuk mund të jetë zgjidhës i halleve të opozitës për sa kohë që i është bërë asaj halli më i madh mbi shpinë, shfaqet sot më e lodhur se kurrë, më e përçarë se asnjëherë tjetër dhe më e vjetëruar se vetë e vjetra.
Është ky mjerim dhe kjo situatë e sotme e opozitës, ajo që e mban Edi Ramën në pushtet.
Dhe përderisa demokratët të mos e kuptojnë një gjë të tillë, thjesht do të besojnë alibinë e radhës nga Ballkoni Anti SPAK: Pushteti na vodhi votat i ndihmuar edhe nga tradhtarët e jashtëm dhe të brendshëm në radhët tona.

Si të jesh i djathtë

Nga Roger Scruton

Kontratat janë paradigma të detyrimeve të vetëzgjedhura- detyrime që nuk janë imponuar apo urdhëruar, por të ndërmarra lirisht. Kur ligji është themeluar mbi një kontratë sociale, atëherë bindja ndaj tij është thjesht ana tjetër e zgjedhjes së lirë.

Qeniet njerëzore në gjendjen e tyre të dhënë zotërojnë vetinë e oikofilisë: dashurinë për oikosin, që do të thotë jo vetëm shtëpinë, por njerëzit që janë në të dhe ngulimet rreth e rrotull që pajisin shtëpinë me konturin kohëgjatë dhe buzëqeshjen e vazhdueshme

Qytetari komunist duhet të ishte homo oeconomicu-i perfekt, i motivuar nga interesi i tij racional për të çuar përpara një qëllim që nuk ishte i askujt.

Duke nisur nga shtëpia

Të dish çfarë të bësh në shoqëri me të tjerët, çfarë të thuash, çfarë të ndjesh-këto janë gjëra që ne kërkojmë duke u zhytur në shoqëri. Ato nuk mund të mësohen duke i specifikuar por vetëm me ozmozë; personi që nuk i ka fituar këto gjëra përshkruhet si injorant. Ndarjet e ditës, caktimi i detyrave në familje, rutina e shkollës, një ekip ose një lojë, liturgjia e kishës, njësitë e peshave dhe të masave të përdorura në punët e përditshme, veshjet që zgjidhen për këtë apo për atë nevojë sociale: të gjitha këto mishërojnë njohuri të heshtur sociale pa të cilën shoqëritë tona do të shembeshin. Ka shembuj më afër zemrës së politikës gjithashtu: Kurora Britanike, përfshirë një shumësi rolesh dhe zyrash modeste; common law-ja që evoluon nga rrjedha e qëndrueshme e precedentëve; procedurat parlamentare dhe kongresuale me prerogativat dhe formalitetet e tyre. Filozofët politikë të Iluminizmit duke nisur nga Hobbes-i dhe Locke-u dhe duke mbërritur terk John Rawls dhe ndjekësit e tij sot kanë gjetur rrënjët e rendit politik dhe motivin e detyrimit politik në një kontratë sociale- një marrëveshje, të qartë apo të kuptuyar, për të qenë i kufizuar nga parime për të cilat të gjithë qytetarët e arsyeshëm mund të bien dakord. Ndonëse kontratat sociale ekzistojnë në shumë forma parimi i tyre bazë u bë i njohur nga Hobbes-i me pohimin se nuk mund të ketë detyrim mbi ndonjë njeri përveç kur ky detyrim lind nga ndonjë lloj akti që ai vetë kryen.1 Detyrimet e mia janë krijime të miat, të cilave iu binden sepse i kam zgjedhur me lirinë time. Kur ti dhe unë shkëmbejmë premtime, kontrata që lind është e pranuar lirisht dhe çdo thyerje e saj nuk shkakton dhunë vetëm dhe thjesht mbi tjetrin por edhe ty vetë, përderisa ajo është mohim i një zgjidhjeje racionale të mirëthemeltë. Në qoftë se ne mund ta interpretojmë detyrimin tonë ndaj shtetit në modelin e kontratës, atëherë ne e kemi justifikuar atë në terma, të cilët të gjitha qeniet njerëzore duhet t’i pranojnë. Kontratat janë paradigma të detyrimeve të vetëzgjedhura- detyrime që nuk janë imponuar apo urdhëruar, por të ndërmarra lirisht. Kur ligji është themeluar mbi një kontratë sociale atëherë bindja ndaj tij është thjesht ana tjetër e zgjedhjes së lirë. Liria dhe bindja janë dy anë të së njëjtës gjë. Një kontratë e tillë i drejtohet Homo oeconomicus-it abstrakt dhe universal, i cili vjen në botë pa lidhje, pa “konceptin e të mirës” siç thotë Rawls-i dhe me asgjë tjetër veç vetë interesit të tij racional për ta udhëhequr. Por shoqëritë njerëzore për nga natyra e tyre janë përjashtuese, ndërtojnë privilegje dhe përfitime që iu ofrohen vetëm të brendshmit dhe që nuk mund t’iu jepen lirisht të gjithëve pa sakrifikuar besimin mbi të cilin varet harmonia sociale. Kontrata sociale fillon nga një eksperiment mendimi në të cilin një grup njerëzish mblidhen bashkë për të vendosur për të ardhmen e tyre të përbashkët. Por në qoftë se ata janë në një pozicion për të vendosur mbi të ardhmen e tyre të përbashkët, kjo ndodh sepse ata e kanë një të tillë: sepse ata e pranojnë përbashkësinë dhe varësinë e ndërsjelltë, që e bën të detyrueshme për ta të vendosin se si do të qeverisen nën një juridiksion të përbashkët në një territor të përbashkët. Shkurt, kontrata sociale kërkon një marrëdhënie anëtarësie. Teoricienët e kontratës sociale shkruajnë sikur ajo presupozon vetëm vetën e parë njëjës të zgjedhjes së lirë racionale. Në fakt, ajo presupozon një vetë parë shumës në të cilën kufijtë e të përkiturit hamendësohen. Edhe në rastin amerikan madje, në të cilin u mor një vendim për të miratuar një kushtetutë dhe ndërtuar një juridiksion ab initio, është megjithatë e vërtetë se një vetë e parë shumës u përfshi në ngjizjen e saj. Kjo është pranuar edhe në dokumentin vetë. “Ne, populli…” Cili popull? Cilët ne; ne që thuajse i përkasim, lidhja historike e të cilit duhet të kopjohet në ligj. Ne mund ti japim kuptim kontratës sociale vetëm mbi hamendësimin e një parakontrate të tillë “ne”. Cili do të përfshihet në kontratë?Dhe pse? Dhe çfarë bëjmë ne me dikë që zgjedh të rrijë jashtë? Përgjigja e qartë është se themeluesit e rendit të ri social i thuajse përkasin të përbashkëtës: ata gati e kanë imagjinuar veten si një komunitet, përmes procesit të gjatë të ndërveprimit social që iu mundëson njerëzve të përcaktojnë cili do të marrë pjesë në të ardhmen e tyre dhe cili jo. Për më tepër kontrata sociale ka kuptim vetëm në qoftë se brezat e ardhshëm përfshihen në të. Qëllimi është ndërtimi i një shoqërie jetëgjatë. Kësisoj në një moment të caktuar aty lind një rrjet detyrimesh jo kontraktuale që lidh fëmijët me prindërit dhe prindërit me fëmijët dhe kjo bën të mundur duam apo nuk duam ne që brenda një brezi shoqëria të përballet me anëtarë jo votues, të vdekur dhe të palindur, që do të mbështeten mbi diçka tjetër se sa mbi një kontratë mes të gjallëve në qoftë se të drejtat e tyre do të respektohen dhe dashuria e tyre të meritohet. Edhe kur aty lind, si në Amerikë, një ide mbi “nacionalitetin zgjedhor ku të porsa ardhurit mund të zgjedhin ti përkasin, ajo që zgjidhet nuk është saktësisht një kontratë por një lidhje anëtarësie detyrimet dhe privilegjet e të cilës tejkalojnë gjithçka që mund të kornizohet në një marrëveshje të zhbëshme. Nuk mund të ketë një shoqëri pa këtë përvojë anëtarësie. Sepse është kjo ajo që më mundëson të shoh interesat dhe nevojat e të huajve si shqetësime të miat; kjo më mundëson të pranoj autoritetin e vendimeve dhe ligjeve të cilave duhet ti bindem ndonëse, ato nuk janë drejtpërdrejt në interesin tim; kjo më jep
kriterin për të dalluar ata që kanë të drejtë të përfitojnë nga sakrificat që anëtarësia ime kërkon nga unë nga ata që futen në mënyrë tinëzare aty. Po të heqësh përvojën e anëtarësisë, themeli i kontratës sociale zhduket: detyrimet morale bëhen të përkohshme, të turbullta dhe të zhbëshme dhe ideja se dikush mund të thirret të japë jetën për një grup të huajsh fillon të kufizohet me absurdin. Për më tepër, pa përvojën e anëtarësisë, i vdekuri do të mbesë pa të drejta, dhe i palinduri, rojtarët metafizikë të të cilit janë të vdekurit, do të privohet nga trashëgimia e tyre . Në qoftë se “kontrata midis të gjallëve” nuk do të përpilohet në mënyrë të tillë që i vdekuri dhe i palinduri të jenë pjesë e saj ajo do të bëhet kontratë për të zotëruar burimet e tokës në përfitim të banorëve të saj të përkohshëm. Filozofët e kontratës sociale, si John Rawls, janë të vetëdijshëm për këtë problem;2 por për mendimin tim ata arritën të zbulojnë motivet që do t’i udhëhiqnin njerëzit e zakonshëm të nënshkruajnë një kontratë sociale që i përhap detyrimet e tyre në një të ardhme të largët. Kritikët e shoqërive perëndimore nuk hezitojnë të tregojnë se shpërdorimi i burimeve është saktësisht ajo që ndodh përderisa vizioni kontraktual i shoqërisë fiton terren mbi përvojën e anëtarësisë, që e bën atë të mundur.3 Ne mund ta shohim shoqërinë si të themeluar mbi një kontratë vetëm në qoftë se ne i mendojmë anëtarët e saj të aftë për zgjedhjen e lirë dhe të përgjegjshme që kërkon kontrata sociale. Por vetëm në rrethana të caktuara qeniet njerëzore sillen si zgjedhës racionalë të aftë të ndërmarrin detyrime, të nderojnë premtime dhe të jenë të prirur kah përgjegjësia ndaj njëri tjetrit. Në trajektoren e kërkimit të kësaj sjelljeje ndaj të tjerëve , njerëzit përftojnë detyrime të një lloji tjetër- detyrime ndaj prindërve, familjes, vendit dhe komunitetit, mbi të gjitha detyrime ndaj atyre që kanë qenë të varur për edukimin pa të cilin kafsha njerëzore nuk mund të zhvillohet dhe të bëhet qenie njerëzore. Këto detyrime nuk janë detyrime drejtësie, si ato që lindin nga marrëveshjet e lojëra të të rriturve. Romakët i njihnin ato si detyrime nga mëshira (pietas), që do të thotë se ato burojnë mirësia natyrale ndaj asaj që është dhënë, një mirësi të cilën ne në mënyrë spontane ua dedikojmë zotave. Sot ne mëdyshemi t’u japim detyrimeve të tilla një mbështetje teologjike të kësollojtë ndonëse është e rëndësishme të shohim se për besimtarët fetarë, detyrimet e pazgjedhura nuk janë vetëm jetike për ndërtimin nga poshtë të rendit shoqëror kohëgjatë, por gjithashtu të zbritura nga Zoti. Qeniet njerëzore në gjendjen e tyre të dhënë zotërojnë vetinë e oikofilisë: dashurinë për oikosin, që do të thotë jo vetëm shtëpinë por njerëzit që janë në të dhe ngulimet rreth e rrotull që pajisin shtëpinë me konturin kohëgjatë dhe buzëqeshjen e vazhdueshme.4 Oikos është vendi i cili nuk është thjesht i imi dhe i yti, por i yni. Ai është skena e ndërtuar vetën e parë shumës të politikës, lokusin, njëherazi i imagjinuar dhe real, ku “ndodh gjithçka”. Virtyte si të qenit nikoqir dhe vetë sakrifica zakoni i ofrimit dhe marrjes së respektit, sensi i përgjegjësisë- të gjitha këto aspekte të gjendjes njerëzore që na formësojnë ne si rojtarë dhe mbikëqyrës të trashëgimisë sonë të përbashkët- lindin përmes rritjes sonë si persona duke krijuar ishuj vlerash në detin e çmimit. Për të përftuar këto virtyte ne duhet të kufizojmë “arsyen instrumentale” që qeveris jetën e Homo oeconomicus. Ne duhet ta mbështesim dashurinë dhe dëshirën tonë në gjëra tek të cilat ne shohim më shumë vlera të brendshme se sa vlera instrumentale kështu që përdorja e mjeteve nga ne rri pushim në vend të qëllimeve. Kjo është ajo që duam të themi me ngulim: vendosja e oikos tek oikonomia. Dhe ky është konservatorizmi, kjo është e djathta. 5 Njerëzit ngulen duke marrë një vetë të parë shumës- një vend, një komunitet dhe një mënyrë jetese që është e “jona”. Nevoja për këtë “ne” nuk pranohet nga internacionalistët, nga revolucionarët socialistë apo nga intelektualë të martuar vizionin e pakohë dhe paatdhe të Iluminizmit për komunitetin ideal. Por është fakt dhe në të vërtetë fakti parësor nga i cili nis çdo politikë dhe çdo komunitet. George Orwell e vuri në dukje këtë gjatë luftës së dytë botërore. Mosbesnikëria e inteligjencës së majtë ishte për Orwell-in gjithnjë e më dukshme dhe gjithnjë e më tronditëse kur vendoset pranë “ne-së” këmbëngulëse të njerëzve të thjeshtë. Dhe zgjedhja e vërtetë politike për të cilën Orwell nuk kishte asnjë hezitim, ishte nëse duhet ti bashkoheshe intelektualëve në punën e tyre shkatërruese apo të qëndroje me njerëzit e thjeshtë në mbrojtje të vendit të tyre në orën e nevojës. Ka dy mënyra me të cilën mund të shfaqet veta e parë shumës: ajo mund të shfaqet përmes një qëllimi të përbashkët ose mund të shfaqet përmes mungesës së një qëllimi të përbashkët. Gjërat e paqëllimta nuk janë domosdoshmërisht gjëra të papërdorshme dhe gjërat e papërdorshme nuk janë gjëra pa vlerë. Marrim për shembull miqësinë. Miqtë vlerësohen për hir të qenit miq; dhe përfitimet e miqësisë nuk janë ajo që ne vlerësojmë por produkte të gjërave që ne vlerësojmë, të arritshme vetëm nga personi që nuk është në ndjekje të tyre. Në jetën njerëzore gjërat e paqëllimta
si miqësia hyjnë tmerrësisht në punë, janë shumë të përdorshme; ato janë qëllime jo mjete, vende përmbushjeje dhe kthimi në shtëpi, synimi i çdo pelegrinazhi. Pa to qëllimet tona pa vlerë dhe boshe. Mësimi i historisë së kohëve të fundit, për mua, është se rregullimet e qëllimshme prishen ndërsa qëllimi zbehet, ndërsa rregullimet e paqëllimta zgjasin. Ne e pamë këtë gjë qartësisht në Europën komuniste. Në të gjitha vendet nën kontrollin sovjetik, partia ishte jashtë ligjit, pa personalitet ligjor dhe nuk jepet llogari para qytetarëve apo anëtarëve. Ajo ishte formësuar nga qëllimi për të drejtuar, që ishte krijimi i një shoqërie të re sipas parimeve socialiste duke shfuqizuar gjithçka që qëndronte në rrugën e tyre. Gjithçka mbi politikën justifikohej në terma të rendit të ri socialist drejt të cilit shoqëria po ecte në mënyrë të pandalshme, partia udhëhiqte në krye dhe shërbimi sekret fshikullonte me kamzhikun pas. Nuk lejohej të ekzistonte asnjë institucion që nuk ishte nën kontrollin e partisë, me vetëm një përjashtim, kishën katolike polake që kishte e aftë të negocionte terma të veçantë për veten e saj- një përjashtim që u provua fatal për eksperimentin komunist kur një prift polak u zgjodh papë. Bamirësitë ishin të paligjshme dhe nuk kishte asnjë mënyrë me anë të së cilës individë privatë mund të zotëronin pasuri për përdorim të përbashkët . Shoqëria ishte instrumentalizuar e tëra në ndjekje të një qëllimi të vetëm thelbësor si “ndërtimi i socializmit”. Të gjitha shoqatat mbaheshin bashkë nga një zinxhir komandimi lart-poshtë i partisë. Qytetari komunist duhet të ishte homo oeconomicu-i perfekt i motivuar nga interesi i tij racional për të çuar përpara një qëllim që nuk ishte i askujt. Për zhgënjimin e autoriteteve, megjithatë, njerëzit formuan miqësi; ata mblidheshin bashkë për të lexuar, për të studiuar, për të bërë muzikë. Dhe madje në qoftë se policia sekrete akoma vigjilente nga koha në kohë iu prishte takimet, është fakt se përmes këtyre takimeve jeta e shoqërisë ripërtërinte veten.

*Fragment nga libri “Si të jesh i djathtë”, i filozofit të njohur britanik Roger Scruton

Protesta në autostradën Thumanë-Kashar, Sabah Sheta: Pavarësisht provokimeve të policisë, nuk do tërhiqemi derisa Kruja të çlirohet nga izolimi

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë dega Krujë, Sabah Sheta, ka reaguar për protestën e sotme në autostradën Thumanë-Kashar. Sheta shprehet se pavarësisht provokimeve të policisë, ata nuk do të tërhiqen derisa kërkesat e tyre të përmbushen.

Ai më tej thotë se çdo formë presioni ndaj banorëve nuk do të funksionojë pasi sipas tij, ndaj krutanëve është bërë një padrejtësi e cila duhet korrigjuar dhe e drejta të shkojë në vend.

Postimi i plotë i Sabah Sheta:

Policia të mos provokojë protestuesit, nuk do tërhiqemi derisa të clirohet Kruja nga izolimi i rrugës Thumanë Kashar

Protesta e qytetarëve të Bashkisë Krujë për tu cliruar nga izolimi që na bën rruga Thumanë Kashar nuk do të ketë të ndalur. Cdo formë presioni ndaj banorëve me mënyrat nga më të ultat nuk do të funksionojë.

Jam dhe do të jem në mbështetje të fortë për hapjen e kësaj rruge derisa kjo të ndodh pasi ndaj krutanëve është bërë një padrejtësi e cila duhet korrigjuar dhe e drejta të shkojë në vend.
Një apel kam ndaj strukturave të Policisë së Shtetitit që janë garante të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike që të mos provokojnë banorët pasi do të jenë ata përgjegjësit në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.

Banorët e Krujës po përdorin mjetet demokratike proteste për një të drejtë të mohuar nga qeveria dhe koncesionari i rrugës. Asnjë hap pas nuk do të ketë. Sa më shpejt të plotësohet kërkesa më mirë do jetë.
Vazhdojmë të protestojmë deri në realizimin e kërkesës për hapjen e rrugës dhe garantoj vëllezërit e mi krutanë që unë do të jem me ta deri në fund.

“Moska duhet të hyjë në një proces negocimi”/ Zyrtari i lartë ukrainas tregon arsyen: Ja pse pushtuan rajonin rus të Kurskut

Ndihmësi i lartë i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se detyrimi i Rusisë për të negociata për kushtet e Ukrainës është një nga objektivat e inkursionit ukrainas në Rusi.

“Ukraina nuk është e interesuar të pushtojë territoret ruse”, shpjegon Mykhailo Podolyak në një deklaratë në mediat sociale.

“Por nëse po flasim për negociata të mundshme – theksoj potencialin – do të duhet ta vendosim Rusinë në tavolinën e kundërt. Sipas kushteve tona”, shtoi Podolyak.

“Në rajonin e Kurskut, ne mund të shohim qartë se si mjeti ushtarak po përdoret objektivisht për të bindur Rusinë të hyjë në një proces të drejtë negocimi”, theksoi ai.

Podolyak pranon se inkursioni do të ndikojë gjithashtu në opinionin publik sepse “rusët padyshim ishin të frikësuar, ata janë të tronditur,” nga aftësia e forcave të Ukrainës për të hyrë në territorin rus.

Arrihet akordi, Kumbulla lë Romën. Ja ku do të huazohet mbrojtësi i Kombëtares

Vijojnë lëvizjet në shtëpinë e Romës. Largimi i radhës është ai i Marash Kumbullës.

Klubi verdhekuq ka gjetur marrëveshjen me Espanyol për të huazuar një sezon mbrojtësin e Kombëtares shqiptare. Sot, po mbyllen edhe detajet e fundit të kësaj lëvizje dhe Kumbullën do ta shohim në La Liga sezonin e ri.

“Espanyol ka rënë dakord për marrëveshje huazimi për të nënshkruar me Marash Kumbulla si qendërmbrojtës i ri nga AS Roma. Detaji i fundit u rendit sot pasi Kumbulla lë Romën me efekt të menjëhershëm”, shkruan gazetari sportiv italian, Fabrizio Romano.

Çfarë është apnea e gjumit dhe cilat janë simptomat?

Apnea e gjumit është një çrregullim i gjumit, por mund të shkaktojë komplikime serioze të shëndetit.

Ky çrregullim bën që frymëmarrja juaj të ndalet mënyrë të përsëritur dhe të rifillojë kur jeni në gjumë.

Çfarë është saktësisht apnea e gjumit?

Ka shumë lloje të ndryshme, por më e zakonshmja është apnea obstruktive e gjumit. Kjo ndodh kur muskujt e fytit relaksohen me ndërprerje dhe bllokojnë rrugët e frymëmarrjes teksa flini gjumë.

Cilat janë simptomat?

Ka një sërë simptomash të ndryshme që lidhen me apnenë e gjumit, por disa nga më të dukshmet janë gërhitja me zë të lartë dhe zgjimet e papritura të shoqëruara me gulçimi dhe mbytja.

Djersitja gjatë natës, dhimbja e kokës në mëngjes, presioni i lartë i gjakut dhe ulja e dëshirës seksuale janë gjithashtu shenja të mëdha treguese.

Nëse vëreni se po përjetoni ndryshime të humorit, si depresioni ose nervozizmi, ose keni vështirësi të përqendroheni, duhet të bëni një vizitë tek mjeku.

Simptomat e apneas së gjumit ndodhin kryesisht gjatë kohës që flini.

Ato përfshijnë:

-vështirësi në frymëmarrje
-gulçim, gërhitje ose mbytje
-zgjim i shpeshtë
-gërhitje me zë të lartë

Gjatë ditës, ju gjithashtu mund të:

-ndjeheni shumë të lodhur
-keni vështirësi të përqendrohen
-keni luhatje të humorit
-keni dhimbje koke kur zgjoheni

Cilat janë disa nga shkaqet?

Shkaku kryesor që mund të ndikojë në apnenë e gjumit janë rezervat shtesë të yndyrës rreth rrugëve të frymëmarrjes.

Ata që kanë shumë yndyrë rreth fytyrës dhe qafës mund të jenë në rrezik më të lartë të zhvillimit të apnesë së gjumit.

Obeziteti shpesh shoqërohet me apnenë e gjumit, pasi indi i butë shtesë mund të shkaktojë bllokimin e rrugëve të frymëmarrjes, gjë duke shkaktuar vështirësi në frymëmarrje.

Nëse diagnostikoheni me këtë sëmundje, atëherë do të duhet të bëni disa ndryshime në stilin e jetës si humbja e peshës, kufizimi i konsumit të alkoolit dhe ndalimi i pirjes së duhanit.

Si të trajtoni apnenë e gjumit?

Apnea e gjumit nuk ka nevojë për trajtim nëse është e lehtë. Por nëse kjo ndikon në gjumin dhe shëndetin tuaj, ekzistojnë disa metoda të ndryshme.

Ato përfshijnë vendosjen e një rripi të thjeshtë neopreni që përshtatet nën mjekër për të ripozicionuar nofullën dhe trajtim që përdor stimulimin e nervit hipoglosal.

Gjithashtu mund t’i nënshtroheni një operacioni në rrugët e sipërme të frymëmarrjes për të hequr indet nga rrugët e frymëmarrjes.

Trajtimi më popullor, i cili është shumë efektiv, është përdorimi i një pajisjeje të presionit të vazhdueshëm pozitiv të rrugëve ajrore (CPAP). Kjo është një maskë që përshtatet mbi gojë dhe hundë, dhe mban hapur rrugët e frymëmarrjes gjatë kohës që jeni në gjumë.

Mbyll pushimet verore dhe nis luftën politike, apo thjesht u shkëput për pak ditë nga malet dhe lumenjtë

Ngjitjet nëpër male nuk e kishin qetësuar Ilir Metën. Mbledhjen e parë të Kryesisë së Partisë së Lirisë e zhvilloi me tone të ngritura, ku inatet ndaj ish-drejtuesve nuk i kishin kaluar aspak.

“Kupola drejtuese ishte e shitur”, tha Meta. Arsyeja që e kishte nervozuar Metën ishte mosnjohja e firmës si president të partisë nga një bankë e niveli të dytë në vend, që për të ishte e orkestruar nga rivalët politike për të bllokuar veprimtarinë ekonomike. “Ishte e organizuar për të bllokuar partinë”, tha ai.

Dhe rival politik nuk ka vetëm Edi Ramën, por edhe ish-bashkëpunëtorët e ngushtë politikë, ky të dyja palët si sheh ne sinkron kundër tij. “Nuk të shpëtojnë dot ish-laraskat e LSI”.

Duke përplasur dorën pas çdo fjale, dhe krejt surprizë, Meta foli edhe për euroatlanizëm, duke lënë të kuptohet se marrëdhëniet me shtetet perëndimore nuk janë në ditën më të mirë. “Jemi parti patriotike, kemi mbaru me euroatlantikët”, tha ai.

Me këtë mbledhje, Partia e Lirisë nisi zyrtarisht sezonin e ripolitik, duke mbyllur edhe pushimet verore përpara kolegëve të tjerë socialiste demokratë. (Ervin Koçi)

Shkelen afatet/ Ku ngeci projekti i Urës mbi Bunë?

Prej më shumë se dy vitesh, Shqipëria dhe Mali i Zi, kanë planifikuar të ndërtojnë së bashku një urë mbi lumin Buna, e cila do të lidhë Ulqinin – komunën më jugore të Malit të Zi dhe vendpushimin e Velipojës në Shqipëri. Vepra duhet të përfundonte në gusht të këtij viti, por verifikimet e Faktoje tregojnë se afatet janë shkelur. Projekti i urës mbi Bunë me vlerë 20 milionë euro do të nis zbatimin në fund të këtij viti, ose fillimvitin e ardhshëm.

Dy vite më parë, gjatë një takimi të nismës Ballkani i Hapur në Ohër, kryeministri shqiptar Edi Rama e njohu kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviç me projektin 3D të urës mbi lumin Buna, një ide e hedhur më herët nga Abazoviç që parashikon të lidh Velipojën me Ulqinin.

Projekti u konkretizua në një Marrëveshje Bilaterale mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, më 27 shkurt 2023 në Podgoricë. Në mbledhjen e dytë të përbashkët mes dy qeverive, Edi Rama dhe Dritan Abazoviç nënshkruan Deklaratën e Përbashkët dhe Marrëveshjen Bilaterale për ndërtimin e urës në lumin Buna me vlerë 20 milionë euro.

Projekt-idea mbi urën që do të lidhë Velipojën me Ulqinin ishte përgatitur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Projekti teknik i urës, përgatitja e buxhetit, lejet e ndërtimit duhet të përfundonin deri në shkurt të vitit 2023, për t’i hapur rrugën punimeve në terren. Si afat për përfundimin e veprës planifikohej gushti i këtij viti.

Koha tregoi që afati i premtuar për përfundimin e veprës u shkel. Nga verifikimet e Faktoje rezulton se për veprën që planifikohej të inagurohej këtë muaj, nuk kanë nisur ende punimet në terren.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit thotë se punimet për projektin pritet të fillojnë në fund të këtij viti, ose në fillim të vitit 2025.

‘Kohëzgjatja e zbatimit për këtë projekt është parashikuar të jetë 24 muaj. Si rrjedhojë, punimet pritet të përfundojnë në fund të vitit 2026 ose fillim të 2027-ës.‘ thotë FSHZH, pa dhënë arsye për shkeljen e afatit.

Paralelisht me ndërtimin e urës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën të ditur se do të hapet edhe pika e përbashkët e kalimit kufitar, e cila do të bëjë të mundur aksesin e këtij investimi nga qytetarët.

Turizmi kërkon vepra

Ndërtimi i urës mbi Bunë dhe lidhja e dy qendrave të mëdha turistike, do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në Shqipëri, tha për Faktoje Kryetari i Shoqatës së Turizmit, Zak Topuzi.

“Është ndihmë shumë e madhe për turizmin shqiptar, edhe për ata që duan të shkojnë në Mal të Zi. Dhe jo vetëm thjesht për turizmin shqiptar, sepse do të jetë një urë lidhëse e mirë edhe për turistët shqiptarë të Kosovës që vijnë nga diaspora dhe bëjnë turizëm në Shqipëri.” – shprehet ai duke shtuar se ndërtimi i kësaj vepre duhet të nisë sa më parë, për këtë arsye:

“Me lirimin e vizave për Kosovën ne rrezikojmë pasi atyre u është hapur një rrugë shumë interesante për të shkuar në Greqi. Prandaj ndërtimi i kësaj ure që krijon lehtësi dhe shkurton distancën na ndihmon në një moment si ky, ndaj duhet bërë sa më parë. Jo thjesht të mbetet një projekt.”- argumenton Kryetari i Shoqatës së Turizmit.

Projekti

“Ura mbi Bunë”, është një projekt i bërë gati për zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili do të bashkëfinancohet nga dy qeveritë, duke shkurtuar distancën mes Velipojës dhe Ulqinit nga 73 km në 300 m.

Sipas projektit, ura mbi lumin Buna do të lidhë fshatin Pulaj të Velipojës dhe Cveti Nikoliqin në Mal të Zi, në territorin e Komunës së Ulqinit.

Ura e projektuar është kompozitë me trarë çeliku dhe soletë beton arme, rreth 300 metër e gjatë me një gjerësi prej 17 metra linearë, me dy trotuare dhe korsi biçikletash në të dy krahët e urës, dy korsi kalimi për makina me gjerësi rreth 5.25 metra secila.

Lartësia mesatare e urës në raport me nivelin më të lartë të ujit do të jetë rreth 10 metra për të mos ndërhyrë në qarkullimin lumor.

I gjithë projekti do të kushtojë 20 milionë euro dhe ndërtimi do të zgjasë rreth dy vite.

Esmeralda Topi/ Faktoje.al

Protestuesit përplasen me policë në aksin Kashar-Thumanë: Po na provokojnë

Banorët e Fushë-Krujës, Krujës dhe Thumanës janë duke zhvilluar protestën e gjashtë, ku kërkojnë të kenë akses hyrje-dalje në këtë aks të rëndësishëm për lëvizjen e tyre të përditshme.

Ashtu si në protestat e kaluara edhe sot duket se nuk mungoi përplasja e banorëve të zonës me efektivët e policisë.

Një protestues ka akuzuar policinë se po godasin në mënyrë provokative protestuesit.

‘Këta madje të vrasin, po popullin shqiptar kurrë s’e mposhtin. Vriteni frikën ju para se t’ua marrë pushteti. Godasin në mënyrë provokative protestuesit. Të gjithë t’i bashkohen protestës’, u shpreh një protestues.

‘Mund të paguajmë edhe vetë, vetëm të kemi zgjidhje dhe rikthim në normalitet. Nuk mund dot t’i penalizosh gjithë këta banorë, mirë që për bizneseve s’u bie ndërmend, por të paktën të na japin rrugë’, theksoi një biznesmen.