35.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Si po ndryshon tregu i automjeteve në Shqipëri, trefishohen importet nga Koreja e Jugut! Pse vendi aziatik po dominon

Koreja e Jugut është kthyer në vendin e dytë nga ku Shqipëria importon makina të përdorura duke lënë pas Gjermaninë apo Zvicrën.

 

Të dhënat zyrtare tregojnë se 17.4 për qind e mjeteve që u importuan gjatë janar-korrik 2024 i takojnë këtij vendi me një rritje të dukshme me janar-korrik 2023 kur zinin 7 për qind të totalit.

Në numër mjetet e importuara nga Koreja e Jugut janë rritur me më shumë se 3 herë ku nga rreth 2956 tashmë kanë arritur në 10.6 mijë mjete. Tendenca rritëse e importeve nga Koreja vihet re qartësisht edhe e sy të lirë nga një numër i shtuar i agjencive importuese por edhe reklamave të sponsorizuara në rrjete sociale të tyre.

I vetmi vend që ende kryeson importet duke lënë pas Korenë është Italia nga ku importet kanë një peshë 18.2 për qind, ose 11.1 mijë automjete në janar-korrik. Në vend të tretë vjen Gjermania me 17.2 % (10.5 mijë mjete) dhe më pas me radhë Zvicra me 9.1%, SHBA me 6.7%, Kina me 5.7% (shiko grafikun: Importet e automjeteve, sipas shteteve, 7 mujori).

Pse Koreja e Jugut po dominon tregun

Tendenca e importeve nga Koreja e Jugut duket se ka pas në pamje të parë një tendencë globale të stimulimit të mjeteve miqësore me mjedisin. Politikat qeveritare nxisin përdorimin e mjeteve sa më të reja dhe kryesisht ato elektrike ose hibride. Kjo ka bërë që përdorimi i mjeteve me djegie të eliminohet me ritme të shpejta, duke nxitur shitjen e tyre.

Makina e përdorura nga Koreja vijnë me një çmim dukshëm më ekonomik sesa ato të Europës që skeptikët e cilësojnë se vjen si efekt i standardeve më pak strikte të mjeteve sesa ato në BE kurse një tjetër argument është kostoja më e lirë e krahut të punës.

Pavarësisht dilemave duket se importet nga Koreja e Jugut mbeten tejet aktive dhe çmimet e leverdishme po nxisin shqiptarët të orientohen gjithmonë e më shumë drejt tyre. Mënyrat e blerjes janë dy: ose duke porositur online dhe duke i paguar agjencisë tarifën e inspektimit dhe transportit ose duke blerë direkt nga agjencitë një mjet të siguruar prej tyre.

Sipas mediave koreane, ka një rritje të ndjeshme të eksporteve të makinave të përdorura. “Dërgesat dalëse të makinave të pasagjerëve të përdorura arritën në 4.44 miliardë dollarë në vitin 2023, duke u rritur me 66 për qind nga një vit më parë, sipas të dhënave të përpiluara nga Shoqata e Eksportit të Makinave të Përdorura të Koresë. Për sa i përket njësive të shitura, shifra arriti në 555,549, duke u rritur me 68 për qind gjatë periudhës.

Makinat me benzinë ​​zënë pjesën më të madhe prej 67,5 për qind, të ndjekura nga makinat me naftë me 30,3 për qind dhe modelet hibride me 1,3 për qind. Eksportet e makinave hibride arritën gjithashtu një rekord të ri, me eksportet e tyre që u rritën 82 për qind në krahasim me vitin 2023 në 124.2 milionë dollarë”, shkruan Korea Times.

Të dhënat zyrtare

Mjetet e regjistruara për herë të parë në vend të blera qoftë përmes importuesve apo koncesionarëve shënuan rritje edhe në korrik. Të dhënat e publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor tregojnë se muaji i shtatë i vitit shënoi edhe rekordin në raport me muajt paraardhës. “Korrik 2024, rekord shifrash të mjeteve të regjistruara për herë të parë për vitin 2024, prej 10,724 regjistrimesh! 34 për qind më shumë regjistrime krahasuar me Korrik 2023.

Rreth 24% regjistrime krahasuar me Dhjetor 2023, i cili ka qenë muaji më i mirë i 5 viteve të fundit” nënvizohet në publikimin e DPSHTRR. Sipas të dhënave periudha Janar-Korrik 2024 numëron 61,081 regjistrime ndër të cilat 83% e totalit janë autovetura. Kjo shënon 117% më shumë regjistrime krahasuar me Janar-Korrik 2019 dhe 45% më shumë krahasuar me Janar-Korrik 2023. DPSHTRR vëren se regjistrimet e mjeteve për herë të parë kanë ndikuar në rinovimin e flotës në vend pasi një pjesë e mirë e tyre janë të gjeneratës së fundit.

“Rinovohet flota me 10,610 mjete të gjeneratës së fundit , 0-3 vite: 174% më shumë regjistrime krahasuar me Janar-Korrik 2019 dhe 66% më shumë regjistrime krahasuar me Janar-Korrik 2023.

Si muaji më i mirë i vitit 2024 dhe i periudhës 2019-2024 për regjistrimet për herë të parë të mjeteve, DPSHTRR udhëzon të gjithë drejtuesit e rinj të mjeteve dhe ata ekzistues: Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor; Kryeni kontrollet periodike të mjetit; Përpara se të importoni një mjet, kryeni “Verifikimin e Kategorisë Mjedisore”” nënvizon DPSHTRR. /Monitor

imf

 

“Shfrytëzuan problemet e tij me varësinë për t’u pasuruar”- Vdekja e yllit të “Friends” nga mbidoza, 5 persona nën akuzë, mes tyre dy mjekë dhe asistenti personal! Çfarë u zbulua nga SMS-të

Prokurori amerikan Martin Estrada njoftoi ngritjen e akuzave ndaj pesë personave lidhur me vdekjen e aktorit të njohur Matthew Perry, pas mbidozës me ketaminë vitin e kaluar. Në mesin e të akuzuarve janë ndihmësi personal i ish yllit të serialit “Friends” dhe dy mjekë.

 

Zoti Estrada e bëri njoftimin për akuzat të enjten duke thënë se mjekët kishin siguruar për zotin Perry një sasi të madhe ketamine dhe madje kishin këmbyer disa mesazhe ku diskutonin se sa mund të ishte i gatshëm të paguante ish ylli i serialit “Friends”.

“Këta të pandehur shfrytëzuan problemet me varësinë të zotit Perry për t’u pasuruar. Ata e dinin se ajo që po bënin ishte e gabuar”, tha prokurori.

Aktori Perry vdiq në tetor të vitit të kaluar për shkak të mbidozës me ketaminë dhe mori disa injeksione në ditën kur vdiq nga ndihmësi i tij personal.

Dy nga personat, mes tyre edhe një nga mjekët e akuzuar, janë arrestuar, tha prokurori Estrada. Dy nga të pandehurit, përfshirë ndihmësi i zotit Perry, pranuan fajësinë për akuzat dhe një person i tretë ka rënë dakord që të pranojë fajësinë.

Matthew Perry1

Prokurori tha se të pandehurit shëmbyen mesazhe menjëherë pas vdekjes së aktorit, duke përmendur ketaminën si shkakun e vdekjes.

Zoti Estrada tha se ata u përpoqën të mbulonin përfshirjen e tyre në furnizimin e zotit Perry me ketaminë, në anestetik i fuqishëm që në disa raste është përdorur për trajtimin e dhimbjeve kronike dhe depresionit.

Policia e Los Anxhelosit tha në maj se po punon së basku me agjencinë amerikane për barnat dhe agjencinë e inspektimit të postës amerikane për të hetuar arsyet pse 54-vjeçari kishte në organizëm sasi kaq të madhe të ilaçeve që përdoren për anestezi.

Aktori u gjet përmbys në vaskën e tij më 28 tetor dhe mjekët e parë që arritën në vend të ngjarjes e shpallën atë të vdekur menjëherë.

Autopsia e tij e publikuar në dhjetor, zbuloi se sasia e ketaminës në gjakun e tij ishte e njëjtë me sasinë e përdorur për anestezi të përgjithshme gjatë operacionit.

Numri i përdoruesve të ilaçit që është në përdorim prej dekadash, është rritur viteve të fundit. Ai përdoret për trajtimin e depresionit, ankthit dhe dhimbjeve. Persona të afërt me aktorin Perry u thanë hetuesve të mjekësisë ligjore se ai po i nënshtrohej terapisë me infuzion me ketaminë.

Por hetuesit thanë se trajtimi i fundit i zotit Perry një javë e gjysmë para se të ndërronte jetë, nuk arsyeton nivelet e larta të ketaminës në gjakun e tij. Zakonisht ilaçi pastrohet nga organizmi brenda disa orësh. Të paktën dy mjekë po e trajtonin zotin Perry, një psikiatër dhe një anesteziolog që shërbeu si mjeku i tij i kujdesit parësor, thuhet në raportin e e mjeksësisë ligjore. Në shtëpinë e tij nuk ishte gjetur drogë apo ndonjë mjet i paligjshëm.

Ketamina ishte renditur si shkaku kryesor i vdekjes, ndërsa rasti u cilësua si aksident pa hedhur dyshime për ndonjë krim të mundshëm, thuhet në raport. Mbytja në ujin e vaskës dhe çështje të tjera mjekësore ishin faktorë kontribues, tha ekipi i mjekësisë ligjore.

Aktori Perry luftonte prej vitesh me varësinë nga substancat, që nga koha kur luane rolin e Chandler Bingut në serialin “Friends”, periudhë kur ai u u bë një nga yjet më të mëdhenj televizivë të gjeneratës së tij së bashku me aktorët Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer për 10 sezone, nga viti 1994 deri më 2004./VOA

Kronologjia e krimit/ Dëshmitë kontradiktore për vrasjen e Egli Progës, zbardhet dosja hetimore! Prokuroria nuk hap dot telefonin e viktimës, ja arsyetimi

Në vazhdën e hedhjes së akuzave ndaj njëratjetrës për vrasjen e Egli Progës, policia, prokuroria dhe gjykata kanë vijuar sërish betejën.

Dje, gjykata publikoi vendimin, bashkë me argumentimin gjyqësor ndaj kërkesës së bërë nga prokurorja e çështjes për ndryshimin e klasifikimit të veprës penale nga vrasje me dashje në vrasje nga pakujdesia. Gjykata pranon se nuk e kundërshtoi kërkesën e prokurores, ashtu siç prokuroria dy ditë më parë bëri me dije se ndryshimi i akuzës erdhi nga materiali që kishte referuar Policia e Pogradecit për ngjarjen e rëndë të vrasjes së Eglantin Progës pasditen e 10 gushtit në qytetin e Pogradecit.

Në vendimin e gjykatës ka detaje të shumta, që nga këqyrja paraprake e kufomës deri te dëshmitë e autorit të vrasjes. Gjykata thotë se autori i krimit, i cili sipas gjykatës dhe prokurorisë nuk ka pasur qëllim të vriste Progën, rezulton i padënuar më parë. Por ditën e djeshme, mediat lokale bënë me dije se në fakt ai është prangosur të paktën 4 herë dhe për akuza edhe të rënda, deri edhe në kundërshtim të forcave të rendit.

Por ajo që bie në sy në vendimin prej 17 faqesh të Gjykatës së Korçës është fakti se Denis Meçe në dëshminë e tij ka treguar se i ndjeri ishte aq shumë i pirë sa e ka thërritur jashtë që t’i jepte një shpullë dhe të përmendej që të mos shante më atë dhe dy shokët e tij në tavolinë, duke lënë të kuptohet se autori nuk ka qenë i dehur. Më pas vijon në të njëjtin rrëfim se isha i pirë dhe u largova nga vendi i ngjarjes dhe fjeta në makinë në rrugë. Më poshtë sjellim fakte dëshmi dhe arsyetim gjyqësor në lidhje me gjithçka ndodhi në trekëndëshin e drejtësisë për vrasjen brutale të Eglantin Pogës!

VENDIMI I GJYKATËS

Prokuroria kërkoi masë arresti me burg për Denis Meçen për “vrasje nga pakujdesia” dhe 3 me “detyrim paraqitjeje” për “moskallëzim krimi”, për pronarin e lokalit Voltan Shkulaku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe. Prokuroria e Korçës e dorëzoi dosjen për masë sigurie ndaj 4 të dyshuarve më 12 gusht 2024 (ngjarja ndodhi mbrëmjen e 10 gushtit) në Pogradec.

Në dosje theksohet se ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 të 10 gushtit (e shtunë), në lagjen nr. 2 të Pogradecit, vendi i quajtur “Agjensia”, te rreth-rrotullimi dhe përballë lokal “Stropcka”, që është në pronësi të Voltan Shkulaku. Në aktet e para të hetimit përcaktohet se Eglantin Proga, 42 vjeç, nga fshati Trebinjë, është gjetur i shtrirë dhe pa ndjenja në rrugë dhe më pas vdiq në spital. Nga këqyrja e lokalit të Shkulakut nuk janë vënë re çrregullime në ambientet e brendshme dhe të jashtme. U gjet një kartëpecetë e bardhë me njolla si të gjakut, 1,9 metra nga lokali dhe buzë trotuarit.

Në një nga tavolinat e brendshme të lokalit u gjet një çantë e zezë dore lëkure, me mbishkrimin “Polo”, kuti duhani, cigare e dredhur, celular “Samsung” me ekran të krisur, portofol, dokument bankar, filtra me mbishkrim “Ocb”, sipas procesverbalit hetimor në pronësi të viktimës Eglantin Proga. Celulari sipas hetimit kërkon kodin e hyrjes. Nga këqyrja e viktimës nuk u gjetën kocka të dëmtuara, por në ballë ka hematomë, në pjesën e hundës gjithashtu dhe në mollëz ka gërvishtje. Çarje dhe gjak nga syri i majtë dhe që përfundonte në pjesën e veshit.

Gjak dhe çarje në buzën e poshtme, me diametër 1 cm. Dëmtime në vesh, bërryl, në sup dhe buzën e sipërme dhe në pjesën e gjurit gjithashtu një dëmtim 4 cm. Gjithashtu edhe shenjat e elektrodave gjatë përpjekjeve të mjekëve për elektroshok që ta mbanin në jetë (por që nuk përcaktohen ende se nga kanë ardhur dhe pritet ekspertiza e detajuar mjeko-ligjore).

Nga kontrolli fizik rezultoi se u gjetën dy karta bankare, portofol, 2 karta anëtarësie të Partisë Socialiste në emër të tij dhe bashkëshortes, një letër e vjetër me shënime (ende e papërcaktuar) dhe shuma lekësh e valute, 8700 lekë dhe 5 euro në xhepin e djathtë. Në portofol u gjetën 2 prerje 2000 lekëshe. Gjithashtu në portofol u gjet edhe leja e drejtimit të automjetit.

DËSHMIA E PRONARIT

Pronari i lokalit, Voltan Shkulaku, ka dhënë dëshmi për Policinë duke thënë se viktima që e njihte edhe si Igli i Nazmiut (Eglantin Proga), ka hyrë në lokal rreth orës 19:00 dhe dukej se kishte konsumuar alkool edhe te lokali i tij që ka në pronësi. Ka porositur një birrë dhe u ul në tavolinën ku ndodhej shoku i pronarit Andi Shkulaku.

Kur ka shkuar të pastronte banakun, sipas tij, Igli ishte futur në tualet. Më tej nuk mbante mend nëse viktima ishte ulur përsëri apo kishte dalë nga lokali, por kishte dëgjuar zëra të lartë për ndihmë dhe i hutuar ka dalë me një bidon uji. Shkulaku ka rrëfyer se është përpjekur t’i japë ndihmën e parë Iglit të Nazmiut, pasi s’ia dinte mbiemrin dhe i ka hapur gojën për t’i nxjerrë gjuhën.

Pronari i lokalit thotë se kamera e lokalit nuk regjistronte dhe se filmonte vetëm një moment dhe asgjë tjetër. “Igli nuk është zënë me njeri aty sa isha unë. Më tha se ishte i mërzitur dhe se do e mbyllte lokalin”, – ka qenë dëshmia e pronarit në bisedën e shkurtër me viktimën.

KUSHËRIRI I VIKTIMËS

-Kushëriri i viktimës, Ardian Bego, ka dhënë dëshminë e tij para grupit hetimor, ku ka shpjeguar se në mbrëmje ka shkuar te një dyqan veglash ndërtimi dhe rreth orës 18:45 ka parë një person që goditi me grusht në fytyrë një tjetër, i cili u rrëzua në asfalt. Distanca ishte 50 metra. Bego tha se pronari i dyqanit i kishte thënë se personi i rrëzuar ishte Eglantin Proga, kushëriri im. Pashë pronarin e lokalit që doli dhe po i jepte ndihmën e parë.

Shkova dhe pashë se Egli ishte pa ndjenja dhe kërkova që ta çonim me makinë të rastit në spital. Erdhi ambulanca dhe pashë se aty ai s’po jepte shenja jete. Mjekët më thanë se edhe pas goditjeve me elektroshok ai nuk dha shenja jete. Mjekët më konfirmuan se Egli ndërroi jetë dhe njoftova familjen. Bego thotë se viktima kishte lokalin e tij 30 metra nga vendi i ngjarjes. Ardian Bego ka dhënë shpjegime edhe nëse identifikoi autorin e goditjes me grusht, por tha se nuk kishte arritur ta fiksonte, sepse s’e pa ngjarjen nga fillimi. Por ai përmend një emër personi si Klodi, që mund ta kishte parë konfliktin.

“Atij iu luta që me makinën e tij të çonim Eglin në spital, por ai nuk pranoi”, – ka dëshmuar kushëriri i viktimës. Ardian Bego dëshmon se nuk kishte dijeni që kushëriri i tij të kishte ndonjë konflikt dhe se në vendngjarje ka fiksuar dhe njohur vetëm pronarin e lokalit, që thirrej Voli.

DËSHMIA E AUTORIT

-I dyshuari Denis Meçe gjithashtu ka dhënë dëshmi se kishte zbritur në qytet dhe ishte takuar pasdite me mikun e tij Klodi Guçe, teksa aty ishte ulur edhe personi me emrin Arjan, taksixhi që bënte rrugë jashtë vendit. “Pimë për gati 3 orë dhe biseduam për gjëra të ndryshme, kryesisht udhëtimet. Aty pashë se një person që e njoh si fytyrë por jo emrin, (Eglantin Proga), hyri në lokalin “Stropcka” dhe përshëndeti tavolinën tonë. Ai hyri brenda, në ishim jashtë. Në një moment më mbaruan cigaret dhe i kërkova pronarit të lokalit një, por ky (Egli), më tha “ja se ta dredh unë një”. Për respekt ia mora. Por sa ktheva kurrizin për të dalë ky më shau “ta q… racën”.

Nuk ia vura re dhe dola jashtë dhe u ula në tavolinë. Ky vazhdonte të shante me të njëjtat fjalë. Madje edhe shokun tim Klodi, duke i përmendur emrin e të ëmës. Në këtë situatë, i thashë “ore çfarë ke që shan”, por ai vazhdonte dhe në këtë moment i kam thënë “hajde dalim pak jashtë”. Ai m’u përgjigj “po hajde, çfarë do më bësh, do më hash k…in!”. Unë kam dashur t’i fus një shpullë që ta qetësoja, por sa ngrita dorën ai u rrëzua dhe nuk u ngrit më. Mua nuk mu besua dhe u largova i frikësuar”.

Më tej, Meçe ka shpjeguar se ai kishte pirë gjithë ditën dhe madje viktima gjithashtu ishte i dehur. Kishte shkuar në Buçimas ku kishte fjetur në makinë për shkak të gjendjes së dehur dhe më pas kishte telefonuar avokatin e tij, që i ka shpjeguar se personi kishte ndërruar jetë. -I dyshuari Denis Meçe rrëfen se pasi mori vesh fatalitetin, i ka thënë avokatit që ta merrte dhe të shkonin në Polici për të dhënë deklarime.

“Nuk kam pasur për qëllim që të kishte atë pasojë apo t’i bëja keq. Nuk kam pasur asnjë konflikt me të dhe desha vetëm ta trembja pasi ishte shumë i dehur dhe mezi e mbanin këmbët”, – ka thënë i dyshuari. Meçe mohon që të ketë përdorur sende të forta apo të kishte persona të tjerë të përfshirë, ose që ta kishte goditur me grusht.

“I kërkoj falje familjes së viktimës, jam i tronditur dhe rënduar psikologjikisht. Nuk kisha atë qëllim dhe me vjen keq, ndihem i penduar, por isha shumë i dehur”, – ka rrëfyer ndër të tjera i dyshuari.

Nga reduktimi i ankthit e stresit deri tek përmirësimi i qarkullimit të gjakut, cila është erëza ‘magjike’ që gjen përdorim të gjerë në kuzhinë

Rozmarina ka gjetur aplikim të gjerë ndër shekuj në mjekësinë tradicionale të kulturave dhe popujve.

Përdorimi i bimës aromatike u parashikua për të trajtuar çrregullimet gastrointestinale dhe neurologjike, për të forcuar sistemin imunitar, për të lehtësuar stresin dhe për të siguruar trupin me një mori lëndësh ushqyese, duke përfshirë komponimet fitokimike që kontribuojnë në shëndetin e mirë të syve dhe mëlçisë, minerale (kalcium, hekur, mangan) dhe shumë vitamina B (B5, B1, B2 ose riboflavin, folate, B3 ose niacinë) si dhe A dhe C.

Shëndeti i trurit: Rozmarina përmirëson funksionet e trurit si performanca njohëse, kujtesa, vigjilenca dhe përqendrimi. Këto veti janë përdorur prej shekujsh tashmë përmes aromaterapisë, ndërsa studimet moderne i kanë nxjerrë në pah këto përfitime. Hulumtimet kanë gjetur përmirësim të funksionit njohës brenda 20 minutave nga thithja e vajit esencial të rozmarinës.

Efekti kundër ankthit: Zierjet me gjethet e saj dhe vajin esencial të rozmarinës lehtësojnë lodhjen nervore, ankthin kronik, ndërkohë që përmirësojnë humorin dhe gjumin.

Vetitë antiseptike: Ekstrakti i bimës aromatike ka veti antifungale, antivirale dhe antibakteriale falë përmbajtjes së tij të acidit karnozik dhe rosmarinik. Konsumimi i tij, nga ana tjetër, është lidhur përmes hulumtimeve me një rrezik më të ulët të infeksionit dhe forcimin e sistemit imunitar.

Qarkullimi i gjakut: Elementet anti-inflamatore dhe anti-inflamatore që forcojnë sistemin imunitar dhe stimulojnë qarkullimin e gjakut janë të pasura me rozmarinë.

Lëkura dhe flokët: Lëndët ushqyese të tij mbrojnë qelizat e lëkurës nga efektet e rrezatimit diellor dhe radikaleve të lira dhe nxisin prodhimin e kolagjenit. Vaji i rozmarinës është i famshëm për forcimin e skalpit të kokës duke nxitur rritjen e flokëve dhe duke mbrojtur kundër zbokthit dhe lëkurës së thatë.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë/ Zbulohet data e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje

Data e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për mbajtjen e zgjedhjeve është 2 shkurti.

Lëvizja Vetëvendosje e ka mbajtur të fshehtë propozimin e saj për datën e zgjedhjeve, teksa partitë e tjera politike kishin dhënë nga një datë.

Tri partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, patën deklaruar si datë 26 janarin. E, shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, që është edhe kryetare e Alternativës, si më të favorshme i pati dhënë 9 dhe 16 shkurtin.

Presidentja Vjosa Osmani të enjten ka thënë se të premten është dita e fundit kur partitë mund të shpalosin pikëpamjet e tyre për datën e zgjedhjeve, e se në fund do të jetë diskrecion i Presidencës që ta zgjedhë datën më të përshtatshme.

“Të them sinqerisht nuk ka dallime një javë më shumë, një javë më pak, nuk besoj që bënë ndonjë diferencë të madhe edhe për partitë politike që marrin pjesë në zgjedhje”, pati thënë ajo.

Kush është kompania që i ka mbyllur gojën gjithë shtetit?

Skandali ndërkombëtar me mbetjet toksike që Shqipëria i nisi Tajlandës po nxjerr në pah edhe një tjetër skandal më të rëndë. Atë të rënies totale të shtetit dhe korruptimit vertikal të të gjitha institucioneve që ligji i ngarkon për sigurinë kombëtare.

Së pari, administrata portuale. Porti i Durrësit është tashmë një skenë e madhe krimi. Autoritetet tajlandeze dhe rrjeti i Bazelit kanë konfirmuar zyrtarisht se Shqipëria nuk ka autorizuar zyrtarisht eksport mbetjesh. Kjo shtron pyetjen, si u ngarkuan në mes të ditës dy anije të mëdha në Portin e Durrësit pa patur autorizim për eksport?

Mjafton vetëm ky fakt, që e gjithë administrata drejtuese e Portit të Durrësit të vihet nën hetim. Pirro Vengu, ministri i ri i mbrojtjes, veç kontratës 12 milionë euro të konsulencës me Royal Haskoning duhet të përgjigjet në SPAK, më së pari për skandalin e mbetjeve. Sepse ky skandal konfirmoi për të disatën herë se kufijtë e Shqipërisë nuk janë të sigurtë dhe përderisa dalin mbetje të rrezikshme në eksport, ashtu edhe hyjnë në import.

Ironia e madhe në këtë rast, qëndron në faktin se Vengu u promovua dhe nëse më parë kishte shndërruar në han pa porta Portin e Durrësit, tani mund të shndërrojë të gjithë kufijtë e Shqipërisë. Një drejtor që ngre traun e Portit për të lejuar tregti kriminale mbetjesh, nuk ka pse të ngurrojë të fikë radarët e kufirit për trafik kokaine dhe armësh si ministër Mbrojtje. Dhe të mendosh që këta personazhe ftojnë edhe NATO-n të bëhej pjesë e porteve të tyre të trafikut.

Institucioni dytë nën akuzë është, administrata doganore. Kjo nuk është hera e parë që doganat shqiptare kapen gafil në skandal me ngarkesa të paligjshme. Pak kohë më parë nën presionin e shërbimeve të vendeve partnere dogana u detyrua të kthejë mbrapsht një nga ngarkesë të paligjshme karburanti nga Libia, që ishte nën sanksion ndërkombëtar.

Gent Gazheli, drejtori i përgjithshëm i doganave duhet të sqarojë edhe ky në SPAK me çfarë deklarate eksporti janë nisur dy anijet me mbetjet e rrezikshme. Cfarë është shkruar mbi ato deklarata dhe si janë bërë procedura ligjore të kontrollit.

Megjithatë kjo nuk është thjesht një çështje drejtorësh apo doganierësh të korruptuar . Skandali më i madh është rënia totale e shtetit.

Autoritetet tajlandeze, rrjeti i Bazelit dhe mediat më të mëdha ndërkombëtare kanë dy javë që përpiqen të gjejnë se kush është kompania eksportuese e mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria. Por Shqipëria nuk e tregon.

Pra në Shqipëri ekzistoka një kompani private, e cila i mbylli sytë Pirro Vengut, taposi gojën e Gent Gazhelit dhe i ka futur shkopin në gojë të gjithë shtetit. Ky është skandali i vërtetë, sepse e akuzon Shqipërinë si shtet mafioz të përfshirë në trafik ndërkombëtar.

Një shtet i vjedhur dhe një qeveri e “etur” për para, ku po shkon Shqipëria vallë?

Nga Spartak Ngjela

Pyetja më thelbësore që duhet bërë herë pas here, është: Ku po shkojmë? Kafka na tha në romanin e tij Procesi, kot lodheni, se jeni të akuzuar.

Të gjithë jemi nën një akuzë. Por nuk ka rëndësi se nga kush: nga, shteti apo nga një kundërshtari yt. Akuza është akuzë se jemi në një ekonomi tregu. Apo akuzohesh nga e dashura?

Konflikti vijon, sepse ministri do para, kryeministri do para, kurse pështjellimi shoqërisë kërkon punë dhe rroga të larta, që të varfëritë të dalin nga varfëria…

Gjithsesi varfëria kombëtare në Shqipëri kuptohet se ka krijuar konflikte të brendshme shoqërore, inate, ndarje familjare, grindje fisesh, emigracion masiv dhe një qeveri që nuk po bën asgjë.

Pse, a nuk e keni parë që askund nuk ka harmoni. Në treg ka konkurrencë, por ligji nuk ekziston. Domethëne që ka vjedhje jo konkurrencë.

Në punën ku paguhesh, ti ke një shef që ka frikën e konkurrencës me ty, se ti je me i aftë dhe mund t’i zësh vendin. Por, vendi i tij merr si page një mijë euro më tepër se ti.

Këtu fillon akuza kundër teje, si intrigë që thuret ngadalë, me zë të ulët e vesh më vesh…

Dhe jeta vijon, se edhe ajo konkurrencë është.

Prandaj edhe shefi yt e ka parë që ti mund ta rrezosh, dhe prandaj fillon intrigën. Dhe ti rri në ankth brenda pyetjes: çfarë duhet të bëj? Kurse ai vijon të të shohë si armik. Se ti je me i aftë. Por, drejtori i përgjithshëm i ndërmarrjeve të mëdha ekonomike, është në kontratë korruptive me qeverinë: ministrat japin licenca ose leje të fuqishme shfrytëzimi apo ndërtimi, ndërsa kapitali i paguan si korrupsion…

Kjo është arsyeja që gjithkush është në rrezik dhe rreziku ndihet për ditë e më shumë. Dhe shefi nuk të flet. Por shefi vijon intrigën, dhe ti s’e kupton, por që je brenda kësaj loje, se nuk po punon për shtetin dhe shoqërinë, por për korrupsionin si lidhje e shefit tënd me një ministër, në funksion të fitimit të parasë.

Të gjithë mendojnë për të grabitur shtetin dhe shoqërinë, dhe janë brenda pyetjes së drejtorëve kundrejt ministrit që u qëndron ftohtë: mos do para ky maskara?!

Dhe gjendja vijon po kështu.

Kurse…

Gruaja e tij, Ana, një zonjë shumë e bukur dhe vetëm 31 vjeç i thotë burrit të saj se ajo është mërzitur, por burri nuk e pyet më tej se nuk di çfarë të thotë. Në fakt, asaj i ka kërkuar një ministri që ajo të shkoja me ministrinë e tij si drejtore finance. Dhe prandaj…

Ana qesh gjatë gjithë ditës, por me mend thotë: ç’janë këta katundarë që po na drejtojnë, dhe tallet me ministrin. E ka si hobi që, për nivelin e lartë që ka dhe për bukurinë mahnitëse në Tiranë, do të tallet me humor. Dhe nuk i thotë ministrit as po e as jo.

Kurse ministri, erdhi një çast dhe më në fund ia tha troç: po nuk erdhe me mua, burrin që e ke drejtor qendror do ta pushoj.

Por Ana, për nivelin e vet të lartë në intelekt e në dije, iu pergjigj:

– Si mund të shtrihem unë dhe të puth një budalla si puna jote. Pushoje burrin, por ka dhe sipër teje nga ata që vuajnë për mua. Dhe unë jam një grua hakmarrëse.

Dhe ministrit iu mor fryma, dhe u ngrit e iku.

Të nesërmen, burrin e saj ai e ngriti në rangun e drejtorit të përgjithshëm.

Dhe Ana, e gëzuar, i tha të shoqit kur ky i dha lajmin: i dashur, unë e prisja këtë emërim.

800 ton mbetje të rrezikshme rrezikojnë të kthehen në Shqipëri ndërsa heshtja është reagimi i vetëm i Ministrisë së Mjedisit. Ja pyetjet pa përgjigje për Mirela Kumbaron

Kontejnerët e nisur nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën, që dyshohet se janë të mbushur me mbetje të rrezikshme, do të kthehen sërish në Shqipëri- ky lajm i publikuar nga media ka kaluar pa vëmendjen që meriton një rrezik i këtij përmasave për shëndetin e qytetarëve.

“Bloomberg” raportoi për këtë rast se pas denoncimeve të bëra nga organizata ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit, kompania Maersk ka vendosur të kthejë dy anijet që mendohet se janë të ngarkuara me rreth 800 tonë mbetje industriale nga Shqipëria.

Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë? A rrezikojmë të na kthehen pas mbeturina të dëmshme?

Fakt është se 800 ton pluhur nga furra elektrike u ngarkuan në portin e Durrësit në muajin korrik dhe kishin si destinacion final Tajlandën. Pluhuri nga furrat, që kërkon trajtim, është një produkt mbeturinash të rrezikshme që zakonisht vjen nga riciklimi i hekurit të përdorur dhe përmban okside metalesh toksike si kadmiumi dhe kromi, të cilat janë të dëmshme për shëndetin dhe mjedisin

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit është organi kompetent që jep autorizimin për eksport të mbetjeve të rrezikshme për qëllim asgjësimi ose rikuperimi dhe të mbetjeve jo të rrezikshme që destinohen për qëllim asgjësimi. Kjo pasi të jetë marrë pëlqimi me shkrim nga autoriteti/et kompetent/e i destinacionit dhe/ose i transitit.

Në rastin e eksportit të mbetjeve për qëllime asgjësimi, asgjësuesi njofton ministrinë për marrjen nga ana e tij në kohën e duhur të mbetjeve në fjalë për kryerjen e asgjësimit, siç specifikohet në dokumentin e njoftimit dhe dokumentet e lëvizjes, sipas anekseve 1 dhe 2, të këtij vendimi, për çdo transfertë. Në qoftë se ministria nuk merr njoftimin brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike nga data e daljes nga pika doganore e Republikës së Shqipërisë, njofton me shkrim autoritetin përkatës të vendit të importit.

Pa dashur të hamendësojmë dhe spekulojmë për një çështje kaq delikate, si fillim po i drejtojmë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit (si organi përgjegjës) disa pyetje thelbësore:

1. A ka pajisur Titullari i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit me Autorizim subjekt për eksport mbetjesh për Thailand??
2. Cili është subjekti që ka dorëzuar kërkesën për eksport tëmbetjeve të rrezikshme??
3. A është plotësuar saktësisht kodet e mbetjeve sipas katalogut të Bazelit dhe kodi të Nomeklaturës Doganore?
4. Cili Ekspert mjedisi i licensuar ka specifikuar origjinën e mbetjeve në kërkesën e subjektit?
5. Transporti a është kryer më subjekt me Certifikatë ADR – së?
6. Kontrata e firmosur ka qenë në përputhje me kodet e mbetjeve dhe sasisë së kërkuar nga subjekti?
7. Pika fokale e përcaktuar nga MTM – ja, a ka njoftuar tëgjithë vëndet e kalimit tranzit dhe vendit importues? Nëse Po vendosjen në dispozicion përgjigjet apo ka qenë një Fake e lajmit të publikuar??
8. Në rast kthimi të këtyre mbetjeve të rrezikshme si do të trajtohen ligjërish (Import/ Trajtim si dhe ku depozitohen??)
9. A është njoftuar zyrtarisht Drejtoria e Përgjithshme e Doganës nga MTM për eksportin e mbetjeve ose anasjelltas, si detyrim i pikës 36 të VKM – së Nr. 641, , datë 1.10.2014 “Për miratimin e rregullave për eksportin e mbetjeve’

Më poshtë gjeni të plotë legjislacionin mbi të cilin duhet që Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit të sqarojë publikun për rrezikun e mbetjeve që mund të kthehen në Portin e Durrësit.

Në zbatim të kërkesave së pikës 7, të VKM – së Nr. 641, , datë1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullavepër eksportin e mbetjeve dhe kalimin tranzit të mbetjeve jo tërrezikshme e të mbetjeve inerte”, të ndryshuar personi fizik dhejuridik i cili eksportojë mbetje të rrezikshme duhet të dorëzojë nëMTM dokumentacionin si vijon:
“a) Kërkesën, në të cilën shprehen e përcaktohen qartë:
i. të dhënat e personit fizik/tregtarit apo të personit juridik (NIPT, Leje mjedisore të Tipit III-1 A/B dhe Licencën III/2-B e cila duhet të jetë në përputhje me kërkesat e Lejës së Mjedisit;

ii. një përshkrim i mbetjeve që do të eksportohen, ku të përcaktohen:
– lloji i mbetjeve, sipas kodit tarifor;
– Lloji i mbetjeve sipas Katalogut të mbetjeve (VKM nr. 402/2020);
– Kodi sipas Konventës së Bazelit;
– Sasia, e cila duhet të jetë në përputhje me sasinë e përcaktuar në kontratën e lidhur ndërmjet palëve dhe me pikën 5 të formularit, sipas aneksit 1, bashkëlidhur këtij vendimi;
iii. vendi i origjinës së mbetjeve, vendi i destinacionit final të mbetjeve dhe vendet e kalimit tranzit;
iv. mjetet e transportit të mbetjeve të rrezikshme, të pajisura me certifikatën e miratimit të mjetit, sipas ADR-së, në zbatim të ligjit nr. 118/2012, “Për transportin e mallrave të rrezikshme”, nëse këto mbetje përfshihen në aneksin A të ADR-së;
v. mënyra e paketimit dhe/ose ambalazhimit dhe etiketimit të mbetjeve.”.
“d) Kopjen e noterizuar të përkthimit në gjuhën shqipe, të kontratës së lidhur ndërmjet personit fizik/tregtarit apo personit juridik që eksporton dhe atij që merr në dorëzim mbetjet për menaxhimin e integruar të tyre. Kontrata të jetë efektive që nga data e aplikimit për autorizimin për eksport deri në përfundim të vlefshmërisë së autorizimit, për të gjithë kohëzgjatjen e transfertave të mbetjeve. Në kontratën e lidhur ndërmjet palëve të përcaktohet sasia e mbetjeve që do të eksportohet.”.
“dh) Formularin e plotësuar, sipas aneksit 1, bashkëlidhur këtij vendimi, në të cilin tregohet edhe sasia e mbetjeve për t’u eksportuar, siç përcaktohet në kontratën sipas parashikimit në shkronjën “d”, të kësaj pike. Formulari duhet të përmbajë, në hapësirat përkatëse, firmën e vulën origjinale të personit fizik/tregtarit apo të administratorit të personit juridik.”.
“e) Faturën e garancisë financiare apo të sigurimit ekuivalent, sipas përcaktimit në pikën 20, të këtij vendimi. Garancia duhet jetë efektive për të gjithë kohëzgjatjen e transfertave.”
ë)Faturën (mandat-arkëtimi) që provon se ka paguar tarifën e shërbimit në llogarinë bankare të Ministrisë, në shumën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë, e cila është e pakthyeshme.

Me plotësimin e dokumentacionit nga subjekti Fizik/Juridik:

Ministria njofton në rrugë zyrtare autoritetin kompetent të destinacionit dhe autoritetin/et kompetent/e të transitit në momentin e marrjes së kërkesës për eksport të mbetjeve sipas pikës 7, të këtij vendimi. (Pika fokale e përcaktuar nga MTM)

Njoftimi bëhet në formë shkresore dhe një kopje e skanuar i dërgohet edhe në rrugë elektronike autoritetit kompetent të destinacionit dhe autoritetit/eve të transitit./vna.al

BE-ja kritikon Serbinë për bashkëpunimin me Rusinë: Ne jemi të qartë me partnerët, raportet me Moskën nuk mund të jenë normale…

Bashkimi Evropian i tha Serbisë se mbajtja e raporteve me Rusinë në kohën kur Moska po vazhdon agresionin kundër Ukrainës nuk është në përputhje me vlerat e bllokut dhe procesin e anëtarësimit.

Ky reagim i Brukselit pason një takim mes zëvendëskryeministrit serb, Aleksadnar Vulin, me zyrtarët e Kremlinit në Moskë dhe pretendimeve për bashkëpunim të inteligjencës me Rusinë.

“BE-ja ka qenë e qartë me partnerët tanë: raportet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës së paprovokuara dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës”, tha blloku evropian në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë më 15 gusht.

Nga BE-ja thanë po ashtu se “duam që të gjitha shtetet kandidate t’i konsiderojmë si partnere të besueshme evropiane me parime të përbashkëta, vlera, siguri dhe prosperitet”.

Vulin, sipas njoftimit të Qeverisë së Serbisë, ka falënderuar strukturat ruse të sigurisë për “paralajmërimin lidhur me planifikimin e trazirave masive dhe një tentim grushtshteti” në Serbi.

Me sekretarin e Këshillit të Sigurisë të Rusisë, Sergei Shoigu, në Moskë Vulin diskutoi për “pjesëmarrjen aktive të forcave të huaja në nxitjen artificiale të tensioneve”.

Qeveria serbe e përshkroi protestën kundër mihjes së litiumit si “përpjekje për grushtshtet”. Në javët e fundit, dhjetëra mijëra persona kanë protestuar në Beograd dhe qytete të tjera serbe.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka akuzuar shtetet perëndimore se qëndrojnë prapa protestave.

Më 11 gusht, para protestës në Beograd, Vuçiq po ashtu deklaroi se paralajmërimet nga shërbimet ruse thoshin se në Serbi “po planifikohen trazira masive, me qëllimin kryesor grushtshtetin dhe rrëzimin e udhëheqjes së shtetit”. Kjo protestë kaloi pa incidente të mëdha./REL

Lacio ka nevojë për hapësirë, Hysaj rrezikon të bëhet “spektator me pagesë” te bardhekaltrit

Rrugët e klubit të Lacios me të Elseid Hysajt duhet të ndahen gjatë kësaj vere, përkundrazi mbrojtësi i Kombëtares rrezikon që të mbetet tërësisht jashtë skuadrës bardhekaltër.

Mediat italiane bëjnë të ditur se Lacio do të mundohet që të largojë lojtarë që nuk janë pjesë e planeve, sidomos sa i përket atyre mbi 21-vjeçare në 25-shen që mund të regjistrojë në kampionat. Për momentin kjo listë është e mbushur dhe nuk ka vend për afrimet e reja që t’i regjistrojë dhe shihet largimi i Hysajt si zgjidhje.

Problemi është se asnjë klub nuk merr përsipër të paguajë rrogën prej 2,8 milionë eurosh që Hysaj do të përfitojë në vitin që i ka mbetur në kontratë te Lacio. Në këto rrethana, klubi duhet ta dëmshpërblejë dhe ta lejojë të largohet si futbollist i lirë, ose mund të bëjë edhe veprimin tjetër, të nxjerrjes së Hysajt nga lista e futbollistëve të regjistruar për kampionatin.

Kësisoj, Hysaj do të mbetej një “spektator me pagesë” te Lacio, pasi do të vazhdonte të paguhej gjatë gjithë sezonit nga bardhekaltrit, por nuk do të mund të aktivizohej me ta. Një situatë që padyshim do të shkatërronte vazhdimin e karrierës së mbrojtësit 30-vjeçar që tashmë duhet të ngutet të gjejë një sistemim të ri.