17.5 C
Tirana
E mërkurë, 7 Maj, 2025

New York Times: Ky është libri më mirë i shekullit të 21-të

“Mikesha gjeniale” pushton New York Times. Romani i Elena Ferrantes kryeson renditjen e 100 librave më të mirë të shekullit të 21-të të hartuar nga gazeta amerikane. Ajo angazhoi për këtë mbi 100 grupe letrare që zgjodhën 10 vëllimet e tyre të preferuara të botuara nga 1 janari 2000 deri më sot. Dhe në vend të parë është vendosur historia e miqësisë mes Lenù dhe Lila.

Në këtë ndërmarrje morën pjesë edhe personalitete të tilla si Stephen King, Bonnie Garmus, Claudia Rankine, James Patterson, Sarah Jessica Parker, Karl Ove Knausgaard, Elin Hilderbrand, Thomas Chatterton Williams, Roxane Gay, Marlon James, Sarah MacLean, Min Jin Lee, Jonathan Lethem dhe Jenna Bush Hager. Ishin gjithsej 503 romancierë, poetë, eseistë, kritikët dhe dashamirës të tjerë të leximit, të cilëve iu besua kjo detyrë.

Vëllimi i parë i historisë napolitane kushtuar miqësisë mes protagonisteve Elena dhe Lila triumfoi si “një nga shembujt kryesorë të të ashtuquajturit autofiction, një kategori që do të dominonte letërsinë e shekullit të 21-të”, shkruan gazeta, sipas së cilës “të lexosh këtë roman të paharrueshëm pa shkurtesa është si të ngasësh një biçikletë mbi zhavorr: i ashpër, i rrëshqitshëm dhe irritues, të gjitha këto cilësi në të njëjtën kohë”.

Mikesha gjeniale - BukinistNga Ferrante (kërkesa e së cilës për të ruajtur anonimitetin u respektua nga NYTimes) ka edhe libra të tjerë në 100 më të mirët siç është “Historia e fëmijës së humbur” i publikuar në 2014, i vendosur në vendin e 80-të në renditje ndërsa në vendin e 92-të është vënë “Ditët e braktisjes”.

Siç dihet, Elena Ferrante është një pseudonim. Identiteti i saj u zbulua në vitin 2016-të nga një gazetar italian që publikoi një investigim në “Sole 24 Ore”, një publikim i njëkohshëm në SHBA në “New York Review of Books”, në Gjermani në “Frankfurter Allgemeine” dhe në Francë në “Mediapost”. Sipas tij, pas pseudonimit Elena Ferrante fshihet një përkthyese e quajtur Anita Rraja. Ajo nuk ka dalë asnjëherë publikisht dhe nuk ka folur kurrë për këtë. Librat e saj janë përkthyer edhe në shqip.

Libri i saj “Mikesha gjeniale” mundi “Ngrohtësia e Diejve të Largët” të fitueses së çmimit Pulitzer, Isabel Wilkinson për migrimin e madh të amerikanëve me ngjyrë nga Jugu në Veri dhe Perëndim midis viteve 1915 dhe 1970. Ky është konsideruar nga New York Times si “vepër e historisë më vitale dhe më të lexueshme në kujtesën e fundit”.

Në vendin e tretë, New York Times vendosi romanin historik “Salla e ujkut” nga Hilary Mantel, biografia e fiksionalizuar e ngritjes dhe rënies së Thomas Cromwell. Për të mbyllur 5 librat më të mirë të shekullit ndjekin “Bota e njohur” nga Edward P. Jones që flet për një ish-skllav në Virxhinia para Luftës Civile dhe “Korrigjimet” nga Jonathan Franzen.

PS bën lojën e Berishës duke nxjerr në pritë Altin Dumanin

Nga Ergys Mërtiri

Shfaqja e sotme në Parlament ishte një nga më të turpshmet e këtyre kohëve të fundit. PS-ja beri lojën e Berishës, duke ia nxjerrë në pritë djallëzisht Altin Dumanin, në mënyrë që lagojtë e tij ta sulmojnë me të gjithë histerinë e akuzave të tyre banale.

Si mund të ketë dialog me këtë lloj gjuhe?

Pikë së pari, Kryetari i SPAK-ut nuk është politikan që të përballet me akuza politike, aq më tepër me akuza që burojnë nga fantazia e një propagande që sajon komplote botërore nga më qesharaket. Ai nuk ka përgjigje për njerëz që diskutojnë nga premisa superiore e halucinacioneve të tyre konspirative të prodhuara për konsum partiak të një kategorie fare të ngushtë militantësh të verbër.

Nga ana tjetër, ai nuk mund t’iu përgjigjet akuzave që kërkojnë të flitet për çështje në hetim, pasi kjo nuk lejohet me ligj. Prokurori nuk mund të ofrojë informacion për çështje që janë në hetim. Ai madje duhet të hetojë ata që i nxjerrin të dhënat, jo më të flasë vetë për to.

Sigurisht, të gjithë në atë sallë e kanë të qartë këtë, por, në mënyrën më të paskrupullt, e kaluan gjithçka si normale. Njëra palë (deputetët e Berishës) bënte sikur këto ligje nuk ekzistojnë, kurse pala tjetër bënte sikur ishte në anën e Dumanit, por, me tolerancë ndaj kundërshtarëve politikë, në një kjo kur pasojat e kësaj “tolerance” binin mbi SPAK-un dhe jo mbi ata.

Vetëm në fund, kur shfaqja ish konsumuar prej gati tre orësh, maxhoranca e ktheu kasetën duke bërë si e indinjuar me degjerimin e seancës nga pala kundërshtare, e duke filluar të reagojë, çfarë bëri që të rikthehen shfaqjet bajate të përplasjeve të shtirura midis deputetëve të Berishës dhe drejtueses së seancës.

Në fakt, Dumani është sot një nga zyrtarët më me integritet dhe kjo nuk është e lehtë, në një vend të kapur si ky, ku qeveria ka nën kontroll çdo pushtet, madje edhe opozitën. Dumani i ka bërë qeverisë pakrahasimisht herë më shumë dëm se e gjithë opoizta në 12 vjet. Ai ka arrestuar apo vendosur nën hetim njerëzit më të afërt dhe më të rëndësishëm të Ramës duke i rrëzuar atij çdo alibi për të qendruar në pushtet. Shërbim më të madh se të sulmosh SPAK-un, nuk mund ti bësh kësaj qeverie.

Sulmet e sotme të opozitës ndaj Dumanit dhe pozicionimi i shtirur i maxhorancës në mbrojtje të tij, janë një teatër që kërkon të fabrikojë një gënjeshtër të madhe: Sikur Rama është në mbrojtje të SPAK-ut, ndërsa opozita në sulm ndaj tij. Kjo gënjeshtër shkon në favor të të dyja palëve: Berisha rrit delegjitimimin e SPAK-ut në sytë e militantëve të vet, ndërsa Rama prodhon një fabul që kërkon t’ia forcojë besueshmërinë në kushtet e rrënimit të plotë. Ai kërkon kështu të konfiskojë kredibilitetin që SPAK-u ka arritur në sytë e publikut, duke hetuar e arrestuar njerëzit e qeverisë.

Rama kërkon ta paraqesë realitetin sikur SPAK-u është krijesë e tij, dhe hetimet janë pasojë e vendosmërisë së tij për të luftuar korrupsionin edhe brenda rradhëve të tij, pa pyetur as për miqtë e afërt. Vetëm një opozitë e degjeneruar si kjo mund t’ia bënte këtë dhuratë Edi Ramës.

Në të vërtetë, të dyja palët janë kundër SPAK-ut. Rama po kërkon të ngrejë komisione për ti hequr kompetencat, ndërsa nuk pranon ti shtojë kapacitetet për të rritur numrin e hetimeve, e as zgjatjen e mandative në mënyrë që kjo punë e nisur të vijojë. Ndërkohë, të dyja palët bien dakort për një amnisti që shpëton nga duart e kësaj prokurorie 105 të akuzuar, siç bëri të ditur sot vetë Dumani.

SPAK-u është e vetmja shpresë që në këtë vend të ndryshojë diçka, është e vetmja mundësi që kjo klasë politike, ky sistem kapjeje, ky establishment i kalbur të hapë rrugë për të krijuar mundësitë të dalë diçka e re. Këtë shpresë duan ta vrasin të dyja palët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për ti dhënë vijimsi si llucës që ka mbajtur gjallë moçalishten e tyre 33 vjeçare.

Fyerjet publike? Dumani në Kuvend: S’kam reagim! Qëllimi i SPAK t’i japim fund pandëshkueshmërisë, për këtë po punojmë

Kreu i SPAK Altin Dumani ka raportuar ditën e sotme në Kuvend, ndërsa u është përgjigjur edhe deputetëve në lidhje me pyetjet e tyre për punën e Prokurorisë së Posaçme. Deputetja Flutura Açka pyeti kreun e SPAK në lidhje me sulmet ndaj tij nga politika. Dumani tha se nuk ka asnjë reagim për sulmet që bëhen ndaj tij. Dumani tha se SPAK u krijua për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për këtë po punon.

‘Shumë prokuror janë bërë objekt sulmesh personale familjare. Nuk kam asnjë reagim, kështu kam vlerësuar ti qasem fyerjeve në adresë time apo dhe sulmeve që më behën çdo ditë. Ajo që unë bëj është që të përpiqemi që të hetojmë çështje të suksesshëm duke u bazuar në ligj dhe në prova për ti demonstruar Kuvendit dhe gjithë të tjerëve që SPAK nuk po bën mrekulli, por po kryen detyrat e veta me qëllim përmbushjen e qëllimit për të cilin dhe u krijua që është dhënia fund pandëshkueshmërisë. Është e veshtrë është një betejë e përditshme, po përpiqemi me hapa të ngadaltë por e rëndësishme është ta arrijmë këtë.

Shënim/ Duhet bërë gjithçka që pazari Rama-Berisha të mos e pengojë të ardhmen e Shqipërisë

Pas pazarit për amnistinë, PS dhe deputetët e dalë me vota opozitare, u përpoqën me javë të tëra të fshihnin përmes mjegullnajës përpjekjet e tyre për të goditur SPAK-un.

Ditën e sotme, i rrethuar nga individë në konflikt interesi, sepse janë nën hetim nga SPAK, kreu i institucionit dëshmoi atë që kishte paralajmëruar PD e Bashës prej muajsh, se amnistita do të linte në burg ata që protestuan kundër korrupsionit të qeverisë dhe do të lironte të korruptuarit.

Kjo ishte prova gjenerale për atë që do të ndiqte pazarin e amnistisë, e cila vijoi me sabotimin e Reformës Zgjedhore, duke dështuar qëllimisht listat e hapura dhe votën e diasporës, dhe do të konkretizohet me komisionin kundër SPAK-ut, nga i cili fshihen si djalli temjanit.

Halli i përbashkët i Ramës dhe i Berishës po e çon Kuvendin e Shqipërisë në një përplasje frontale me interesat e qytetarëve, që presin drejtësi dhe një reformë të vërtetë zgjedhore.

Sot është e qartë se kush ka frikë nga drejtësia e kush jo. Se kush do lista të hapura e kush jo. Se kush do votën e emigrantëve e kush jo. Se kush kërkon ta mbaj vendin në këtë moçal korrupsioni dhe varfërie dhe kush kërkon një rrugë të re që siguron mirëqenie dhe mirëqeverisje.

PD e drejtuar nga Lulzim Basha dhe grupi i deputetëve që i qëndruan kanë qenë zëri i qytetarëve për listat e hapura dhe votën e diasporës, kanë qenë në krah të SPAK-ut për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe do vijojnë të bëjnë gjithçka që pazari i së vjetrës të mos pengojë të ardhmen e Shqipërisë.

Bardhi ‘shkarkohet’ nga Berisha dhe diskretitohet nga njerëzit pranë tij

Nga Bato Kosova

Pasi e kanë përdorur në luftën e brendshme në PD kundër Lulzim Bashës, Gazment Bardhin, duket po e flakin si limon të shtrydhur.

Duke iu referuar shprehjes së “tradhëtinë të gjithë e duan, por tradhëtarin s’e do askush”, Bardhi po vjel frytet e punës së vetë.

Ndonëse formalisht është kreu i grupit parlamentar të PD-së, një ditë më parë ka qenë vetë Sali Berisha që e ka njoftuar grupin demokrat për të qenë pjesëmarrës në seancën e sotme, për shkak të rëndësisë së madhe që ajo seancë kishte, duke qenë se në të do të raportonin krerët më të lartë të institucioneve të drejtësisë, përfshi edhe Altin Dumanin, kryeprokurorin e SPAK-ut.

Në mesazhin e tij shpërndarë deputetëve të PD-së, Berisha duket se e ka orientuar debatin e këtij grupi në sulmet ndaj SPAK, në kapjen dhe në mungesën e drejtësisë, e cila, sipas tij, është jo vetëm e kapur, por po përdoret si mashë nga Edi Rama.

Bashkimi në diversitet i përdorur së pari nga Bardhi, por edhe i konfirmuar më pas nga Berisha, nuk është gjë tjetër vetëm se një bashkim kaotik, pa ide të qarta dhe thjesht një përdorim për të marrë Berisha vulën dhe siglën e PD-së dhe më pas për ta përdorur këtë forcë politike si bunker kundër SPAK-ut dhe kundër drejtësisë, për hallin e tij personal.

Është e qartë se Gazment Bardhi ka ngrënë lugën e çorbës, mirëpo sërish ai ka frikë të sulmojë hapur SPAK-un me gjuhën dhe mënyrën që kërkon Berisha.

Kështu që Bardhi “shkarkohet” edhe nga të njoftuarit të grupit parlamentar të PD-së dhe shërben aty, vetëm si një lodër njëpërdorimshme.
Kjo skemë për të goditur Bardhin është shpërfaqur edhe mediatikisht. Portalet e drejtuara nga njerëz afër Berishës, mbanin tituj që e orientonin opinionin te mungesa e besimit që ish-kryeministri ka te Bardhi dhe te grupi i deputetëve, që ende nuk ka veshur bluzën “Free Berisha”. Pra, pas përdorimit, ka nisur larja e hesapeve ndaj dikutj që nuk i shërben më. Pas zgjedhjeve të 14 majit, kur Berisha kishte prekur fundin, Bardhi i zgjati dorën, duke i dhënë jetë një projektit të dështuar politik të Berishës.

Në mungesë të sulmeve nga Gazment Bardhi, Berisha përdor figura të mbaruara politikisht si Tritan Shehu për të sulmuar Altin Dumanin, apo figura si Luan Baçi për të sulmuar Gazment Bardhin sa herë që ky del nga vija që i ka përcaktuar Berisha.

Bashkimi në diversitet nuk ishte gjë tjetër vetëm se një reng i madh për demokratët, të cilëve iu hodh hi syve, sepse shqiptarët, me sa duket, e kanë të qartë bashkimin që prodhon Berisha me të tjerët kur bëhet bashkë./Alfapress.al

“Është krim intelektual dhe shumë kompleks”- Kreu i SPAK flet për hetimet për inceneratorët! Ja çfarë thotë Altin Dumani për abuzimet me fondet e IPARD

Kreu i SPAK, Altin Dumani thotë se hetimet me natyrë korruptive ku janë të përfshirë edhe zyrtarë të lartë janë shumë komplekse, duke iu referuar hetimeve për inceneratorët.

Si drejtues i SPAK, Dumani u shpreh se me aq sa e lejon ligji ka bërë përpjeke për të nxitur prokurorët për evadimin e çështjeve.

“Është një krim intelektual dhe intelektuali para se të kryejë krimit mundohet ta fshehë. Për cëshjen konkrete cështja është në hetim paraprak”, the nder te tjera Dumani.

Ndërsa sa i takon hetimeve për abuzimet me fondet e IPARD, edhe per kete kreu i Prokurorise se Posaçme u shpreh se është në hetim dhe nuk mund të japë detaje.

Bardhi: Pyetje tjetër ka të bëjë me disa kallëzime, i referohem hetimeve për inceneratorin e Tiranës. Kallëzimi jonë është dorëzuar në 2020, jemi në 2024 dhe nuk ka një përfundim të hetimeve. Në çfarë momenti ndodhen hetimet? A mund të na informoni çfarë po bëhet me këtë hetim?

Dumani: Dua të kuptojmë kush është roli i drejtuesit të SPAK. Nuk kam asnjë kompetencë në raport me hetimin e cështjeve penale. Drejtuesi i SPAK mund të ndërhyje me anë të një udhëzimi dhe e kam bërë në dy raste ku kam patur një mendim ndryshe. Çështjet e mbartura është një problematikë. Si drejtues i SPAK, me aq sa më lejon ligji kam bërë përpjeke për të nxitur prokurorët për evadimin e çështjeve. Si drejtues i kam ofruan ndihmën time duke shtuar një prokuror. Gjatë 2023 ka patur edhe çështje që kanë filluar të evadohet. Hetimi nuk është i thjeshtë sa prezantohet. Sidomos kur vjen puna për krime me natyre korruptive. Është një krim intelektual dhe intelektuali para se të kryejë krimit mundohet ta fshehë. Për cëshjen konkrete cështja është në hetim paraprak. Është në hetim dhe po hetohet. Çdo fakt i kallëzuar verifikohet. Është shumë kompleks. Vetëm prokurori që merret me çështjen e di sa kompleks është.

Bardhi: Ju keni marrë një raport nga zyra e OLAF për abuzimet me fondet e bujqësisë. Për shkak të abuzimeve fondet janë bllokuar nga BE në pritje të hetimeve. A mund të na thoni ka nisur hetim SPAK dhe a mendoni se do kemi rezultate të shpejta?

Dumani: Për fondet IPARD është në hetim dhe nuk do jap detaje. Cështja është në hetim sa i takon menaxhimit të fondeve. Po hetohet cdo ditë. Nuk mund të jap më shumë detaje.

Izraeli sulmon një xhami në Gaza, raportohet për 22 viktima! Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile: Goditja ndodhi në mes të namazit të drekës

Të paktën 22 persona raportohet se janë vrarë në një sulm në qytetin perëndimor të Gazës, ku është goditur një xhami e improvizuar në një kamp ku janë zhvendosur qindra banorë.

Shefi i dhomës së urgjencës së spitalit Al-Ahli, Dr. Amjad Elewa, tha për CNN se 20 burra u vranë në sulmin në xhaminë në kampin Al Shati, dhe dy burra të tjerë vdiqën të dielën në spital nga plagët e marra.

Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile të Gazës, Mahmoud Basal tha për CNN se bombardimi ndodhi në mes të namazit të drekës. Sa i përket të lënduarve në spitale, ai tha se janë raste të rënda dhe kërkohen operacione amputimi.

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut komentoi gjithashtu incidentin në  konferencën e saj ditore  të shtunën.

“IDF goditi një xhami të improvizuar brenda kampit të refugjatëve Ash Al Shati, në perëndim të qytetit të Gazës. Raportet tregojnë se për shkak se IDF-ja goditi menjëherë pas namazit të drekës, shumë njerëz ishin ende brenda ose afër xhamisë. IDF nuk ka bërë asnjë koment për incidentin deri më tani. Nuk kishte asnjë raport për një paralajmërim paraprak për asnjërin nga sulmet,” tha OKB OHCHR, duke iu referuar gjithashtu një  sulmi izraelit në një kamp zhvendosjeje në Gazën jugore, për të cilin Izraeli tha se kishte në shënjestër shefin ushtarak të Hamasit, i cili ishte një organizator i dyshuar i sulmit të 7 tetorit.

“Më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh”- Dëshmia e rrallë e të dënuarit politik: Njeriu më i urryer në historinë e burgjeve shqiptare, më qëndronte mbi krye dhe…

Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.

Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!

   Autori

                           SHKËLQIM ABAZI

                                                                  Vijon nga numri kaluar

                                                                              R E P S I

                                                               (Kampi i punës së detyruar)

Memuaristikë

Pa zënë të shtatëmbëdhjetat, më shtinë në burg, me akuzën absurde Për politikë. Ç’politikë dija unë?! Asgjë ose pothuaj, asgjë! Përjashto një gjë që të gjithë pa përjashtim e kishin të qartë: “Mjerë kush përgojonte figurën e njëshit, mjerë kush dyshonte në vërtetësinë e vijës marksiste-leniniste të Partisë, mjerë kush bënte shaka me shakanë e të Madhit, qoftë dhe pozitivisht. Mjerë të mjerët që binin në kthetrat e Sigurimit të Shtetit, se qumështi i nënës u dilte për hundësh”! Kujtova moshatarët e mi që ende loznin futboll e, kut e cingla, sokakëve me kalldrëm, ndërsa unë kokëqethuri, dergjesha qelive të errëta të Degëve Brendshme dhe më pas, m’u desh të shtyja ditë-netët, muajt dhe vitet në barangat prej pupuliti, mes pocaqillëkut e parazitëve, me çimkat pleshtat, morrat, minjtë; nën shfryrjet përbuzëse të policëve injorantë, me një numër pas kurrizit. Një ankth më ligështoi zemrën.

Vështroja rrethe-qark dhe shihja shumë burra të vjetër, që për nga mosha, mund të ishin etërit e mi, po edhe vërsnikë të gjyshit tim dhe pak, fare pak të rinj bashkëmoshatarë të mitë, po edhe ata të thinjur para kohe, atëherë ankthi më kthehej në makth të pa kapërdishëm e vrastar. Por ata burra zemërdhembshur e të zgjuar, përpiqeshin t’i zbusnin efektet negative të diferencës moshore, nëpërmjet trajtimit human që më rezervuan, sikur të isha i barabartë mes tyre. Kjo më stimuloi idenë, se isha edhe më i madh, nga ç’isha në fakt.

Praktikisht kalërova etapat, s’isha më shtatëmbëdhjetë, po njëqind e shtatëdhjetë vjeçar! Ndodhia e mësipërme, më përforcoi bindjen, se këta njerëz të dashur, meritonin respekt pa kufi. Në kushte privimi nga gjithçka materiale, ata bënë atë që s’do më shlyhej nga kujtesa, sa të jetë jeta. Edhe pse pata fatin t’iu mbijetoj burgjeve dhe më pas të festoj e përkujtoj, shumë data e ngjarje të veçanta në jetë, si; ditëlindje, fejesa, martesa, lindje fëmijësh, nipash dhe mbesash, gëzime të ndryshme në familje e në farefis, asnjëra s’i afrohet emocionalisht, për nga madhështia, thjeshtësia, vullneti i mirë, dashamirësia pa kushte, vendi ku ndodhi; kësaj ngjarje pa luks, mes mjerimit total dhe gjendjes së pazakontë.

Më qëlloi të festoja dyzetvjetorin, kur shpresa po rilindte, në momentet kulmore të luftës për ndryshimin e sistemeve politike; pesëdhjetë vjetorin, në kapërcyell të ndërrimit të shekujve, në liri politike, por me ngushticë ekonomike, mes njerëzve të mi më të afërt e më të dashur. Mbase, familjarët e ekzagjeruan paksa me festime, për të krijuar atmosferë romantike, më vunë para tortë me qirinj! Por gjithsesi ajo ditëlindje në burg, mbetet më origjinalja për nga spontaniteti, si u ideua dhe si u “sponsorizua”, prej atyre që s’kishin ç’të me dhuronin tjetër, veç zemrës e dashurisë atërore. Dhe m’i blatuan ato, pa kushte! Ju falenderoj, për jetë të jetës, o burra fisnikë!

Prova e zjarrit, ose banka e provës…!

I izoluar në birucat e kampit, po mbushja afër dy muaj. Me daltë e çekan, çaja betonin dhe suvatë e mureve të laboratorit. Gjatë kësaj periudhe, shumë koncepte mbi rendin dhe rregullat e jetës, ndryshuan. Ndryshoi edhe mentaliteti, lindën e po zhvilloheshin ide të reja. Në kushtet e mjedisit të ri, po kristalizohej një tjetër gjendje emocionale, që po farkëtonte një karakter të ri, me tipare më burrnore. Pasigurinë e ditëve të para, tashmë e kisha kapërcyer.

Ditë pas dite shtohej numri i të njohurve, që me dashamirësi më pranonin në rrethin e tyre. Me mbështetjen e miqve dhe këshillat e pashtershme të të njohurve të familjes, m’u rikthye besimi që më ish lëkundur tepër, në momentet e para. Edhe fizikisht ndihesha më mirë, muskujt m’u forcuan, duart s’më dhembnin si atëherë kur i mbështillja me straxhio; puna e çdoditshme me daltë e çekan, shtresëzoi mbi to një dermë të trashë kallosh. Shëndeti u përmirësua, zbehtësia bardhoshe e muajve të izolimit, si dhe ajo debolesa ngatharake e ditëve të fillimit, u kapërcyen njëherë e mirë. Mbase mjekimi i kujdesshëm i doktor Çitozit dhe ilaçet e Dilos së gjithë-gjindshëm, e dhanë efektin.

Falë vëmendjes së pareshtur të pleqve, çdoherë do kisha ushqim paksa më shumë se të tjerët. Pra, urinë e theva disi, edhe pse zgafella në stomak s’po mbushej që s’po mbushej. Avash avash po ambientohesha me rregullin e jetës në kamp, në një farë mase u përshtata me orarin e veprimeve. Natyrisht kjo s’u arrit përnjëherë, po ditë pas dite, javë pas jave. Monotoninë që më gërreu shpirtin, e kapërceva në biseda me të njohurit e rinj, nga të cilët dëgjoja të reja mjaft interesante. Po ç’histori s’dëgjoje atje! Nga më të zakonshmet, deri te më fantastiket po të guxoje t’i merrje si të mirëqena, të duhej të hyje nën lëkurën e protagonistëve, ngaqë shpesh shëmbëllenin me fantazitë e shfrenuara të “Njëmijë e një Netëve”. E para, më çudisnin ato që dëgjoja, po më shumë habitesha me i protagonistët. Shumë rrëfenja më dukeshin të pabesueshme, madje përralla që do ishte mrekulli e njëmendët, nëse do ndodhnin në jetën kruciale. Gjithsesi e dëgjoja me vëmendje tregimtarin.

Thoshte të vërteta? Tregonte sajesa? Një Zot e merrte vesh! I besoja apo jo? S’di ç’të them! Në atë farë mjedisi të deformuar, siç qenë burgjet komuniste, mund të lindnin vetëm mendime kontroverse, që si pasojë prodhonin efekte kontradiktore. Ndoshta këto pasoja, përjetonin këta tipa. Mos vallë edhe unë do katandissha në atë derexhe?! “O Zot, ruamë mendjen”! lutesha me shpirt. Por desh Zoti, do ambientohesha, vetë vendi do më mësonte t’i dalloja, të vërtetën nga sajesat. Nisa të studioj karakteret. Mandej në rrjedhën e kohës, do arrija të analizoja edhe ndryshimin që ndodhte në subkoshiencën e individit, në kushte izolimi të detyruar. Në logjikën time fëminore, u sëritën një mori pyetje: “Si lindnin dhe shtjelloheshin në brendësi të laboratorit njerëzor, proceset psikologjike de-natyrale? Si varionte përfytyrimi për ngjarjet, ku pleksej e vërteta me rrenën? Si përthyheshin në pasqyrën sinusoidale të imagjinatës, faktet duke marrë shpesh përmasa paranojake, që në kushte normale as mund te mendohen?

Si rritej ndenja e ekzistencializmit dhe dyzimi i personalitetit, te i ndryri brenda në kafaz? Pse liria shndërrohej në obsesion, dhe robi e dëshironte atë deri në kufijtë e marrëzisë?” Pra ishin një mori pyetje që kërkonin përgjigje. Natyrisht unë s’e zotëroja as aftësinë, as intelektin, t’iu jepja secilës shpjegimin korrespondues por, duke shfrytëzuar ndihmën e pakursyer te miqve të mi, një çik nga një çik, po ja arrija. Po bëhesha pak sociolog, pak psikolog, pak filozof.

Në kontakt me këta individë, duke dëgjuar historitë e tyre personale, arrija të përcaktoja në një farë mase edhe personalitetin e bashkëfolësit, të kuptoja mentalitetin, të analizoja me sa mundja, deformimin e karaktereve. Mbërrita të perceptoj se si mund të lindnin papritmas vetitë apo veset, si në një mendje malinje, zhvillohet mitomania, telepatia, narcizmi. Pra, mbërrita në deduksionin që dikush mjafton të vozitëte mbi flatrat e fantazisë së shfrenuar dhe ta vinte veten në epiqendër të universit; tjetri të mëtonte se vazhdonte fillin e jetës në të shkuarën, atje ku dikur ja kishin këputur dhe një tjetër ende, të fantazonte bukurinë iluzive e, këtë t’ja atribuonte vet-vetes; përfundimisht, individi me logjikë të shëndoshë, pësonte transformime thelbësore.

Por sa më tepër arrija të zhbiroja brenda labirintit psikologjik të laboratorit njerëzor, aq më shumë më çudiste fakti, se mjaftë nga këta tipa ëndërrimtarë, besonin përnjëmend se jetonin në atë realitet iluziv, për të cilin flisnin. Sa më e paarritshme e mundshmja, sa më i thellë hendeku i pakapërcyeshëm, që na ndante me realen, aq më shumë zhytej në i realitet, i çorodituri. Në këtë kaos të rrëmujshëm, vetëm realistët mund të ajgëtonin kthjellët. Ndaj, pikërisht ata, u bënë timonierët e orientimit. Lavdi Zotit, rasti e solli që miqtë e mi të moshuar, të ishin ndër më realistët në ato kushte. Me eksperiencë të gjatë, ata zotëronin aftësinë të ndanin mëdyshjen nga pasiguria, të gjykonin ngjarjet e faktet e përditshmërisë, pa pasione dhe me gjakftohtësi mahnitëse. Këto veti u rrekën t’i injektonin tek unë, edhe pse s’e patën fortë të lehtë. Me këtë e shpjegoj orientimin tim, pa dilema. Asnjëherë s’fluturova në labirintet fantazmagorike, kur mjaftë të rinj të moshës sime, endeshin pa synim dhe më pas zhgënjeheshin ligsht, nga realiteti i ashpër ku përplaseshim përditë.

Kush s’arriti të mirë-organizonte përballjen me vështirësitë, shpesh përfundonte, o mbi telat me gjemba, i grirë nga automatikët e ushtarëve, o ne pavijonin shtatëmbëdhjetë, pa shpresë kthjellimi. At Vaska më foli qartë, kur më shpjegonte filozofinë e mbijetesës: “Këtu, or bir, në këtë realitet zeheri, njeriu i zgjuar, duhet të orientohet e ta shoh të vërtetën në sy, sado e egër qoftë; të arsyetoi me gjakftohtësi mbi realitetin e frikshëm dhe në fund, të nxjerrë konkluzionin nevojshëm. Po a mundesh t’i mbyllësh sytë dhe t’i lësh fushë të lirë fantazisë? Natyrisht, mundesh! Fundja, askush s’të pengon të gjezdisësh imagjinatën, në krahët e lirisë! Ama, gjene do kthehesh këtu, brenda këtyre telave me gjemba, ku na kanë ndryrë forcërisht!

Fantazia është shpresa për njerëzimin! Por realizimi, në kushtet ku gjendemi, mbetet objektiv i perspektivës! Ce bre, e kush s’e dashkërka lirinë!? Të gjithë, pa dallim! Madje edhe unë plaku, dëshiroj ndonjëherë t’i hip Pegasit! Por, jo, or bir, gjithçka na e kanë kondicionuar brenda këtij qerthulli. Duam s’duam, këtu na zuri, këtu do t’a shijmë lëmin! Kur harron ku je dhe me kë ke të bësh, mund të kolovitesh për pak në mjegullnajën iluzore të botës ireale, po kjo zgjat fare pak, kur të të lërë Pegasi, do gjakosesh rëndë! Po, ore, do lëndoheshe në shpirt dhe plaga më të hidhur është e padukshmja. Mjerë kujt i vriten ëndërrta, ai është i humburi i të humburve! Plagët e epërme, lenë vraga të zemrës, që s’të shqiten për jetë”! – heshti një çast, puliti sytë pastaj vazhdoi: – “A e di kush e ndjen më thellë dhimbjen?! Ata që kanë humbur shpresën dhe motivin për jetën, ata që fluturojnë me presh nëpër ëndërrime fantazmagorike dhe të dërrmuar ligsht, zgjohen përtokë.

E pra, kush s’gjen dot forca t’i mbijetoj burgut, vritet. Po, po, vritet! Mbase jo fizikisht, po mendërisht apo moralisht. Fundja, e njëjta gjë është! Mandej, kërkon t’iu shpëtoj përgjithnjë halleve të kësaj dynjaje, dikush iu hidhet telave, një tjetër humb logjikën e, mbetet mumie e pavetëdijshme mbi dhe, të tjerë ende, humbin dinjitetin e katandisen, o spiunë, o imoralë! Por njeriu përpiqet të ngrihet, edhe në rëntë! I rrëzuari lufton të përmirësohet, me çdo mënyrë. Kujt i mungon kuraja dhe nisiativa e s’e arrin dot këtë, e vuan dhimbjen më thellë. Dobësinë morale, kërkon ta kompensoj, duke e injektuar te të tjerët, që të mos e ndjej braktisjen dhe inferioritetin. Ata e ndjejnë se janë të ndryshëm nga të shumtët, ndaj kërkojnë shokë. Këtë kënaqësi, ndjenin lebrozët e mesjetës së hershme, të ndryrë në karantina, sikur i lehtësonte ideja, që shihnin edhe të tjerët të infektuar si veten.

Komunizmi është një lloj epidemie, një gërbulë që ka zaptuar gjysmën e botës, që nëpërmjet doktrinës ideologjike, mëton të induktoj mendime subvencioniste e, të deformojë karakteret. Ndaj, gjithkujt i del detyrë, të luftoj kundër kësaj të keqeje, të ruaj të afërmin, po kur s’mundet, së paku të ruaj veten. Të këshilloj, bir, t’i ngulësh këmbët në tokë, se vetëm ashtu mund ta përballosh këtë virane jetë”! – “Or Vask, po ç’m’i bije gjatë, or mik! Thuaja çunit açik, bre, jo spiun, jo imoral, e pikë! – e ndërpreu xha Esherefi, që po gdhendte mbi një copë bushi, leksionin e gjatë të priftit. Pastaj, pa doreza, shtoi: – “Or mec, njitu kan mbledh turli mileti, pjesa ma e madhe janë burra zamani, por ka ene krunde për thinj. E pra, nga këto krunde, larg e tutje! Ndigjo axhën tëj, ba me t’zanë udhën, thyejua meçkat! E more vesh!? Nji kjo pra, asht filozofia e sotit! Për mbrapa, ka Allahu”!

Ndërkohë, isha afruar me patriotët e mi, vëllezërit Dyli. Ata ishin sa të ngjashëm, aq edhe të ndryshëm mes tyre. Rizai, më i moshuari, ishte shtatmadh, i qetë, i shtruar; arsyetonte çdo veprim dhe çdo fjalë e peshonte mirë, para se t’a shprehte. Për mençurinë e jashtëzakonshme, sidomos për logjikën e shëndoshë dhe racionale në gjykimin e fenomeneve dhe ngjarjeve të ndryshme, të gjithë e respektonin. Muharremi ish i kundërt; pak më i shkurtër në shtat, po më i mbushur, një kokoroç fytyrë-zeshkët, me nofulla të dala dhe hundështypur, si boksierët. Kokëshkëmb, tip koleriku, aty ndizej shpuzë, aty qetohej si dele. Mjerë kush në inat e sipër, i binte në dorë! Ish guximtar e sypatrembur, por shpesh e humbte logjikën dhe, si çdo trim i çartur, s’i llogariste pasojat.

Më qëlloi jo një herë, ta shihja si bishë të tërbuar, të çakërdisur, me sy të skuqur. Por kur qetohej, mund të luaje me të, si me një fëmijë të padjallëzuar. Ishte besnik e i gjindshëm, sakrifikonte për më të dobëtit dhe për ata që e konsideronte mik, apo mik të mikut. I urrente spiunët e imoralët, madje shpesh urrejtja i terte arsyen, saqë te secili prej tyre, shihte drurin e shtrembërt që prishte varricën dhe pa dallim, i quante: “shkaktarët kryesorë, për gjithë të këqijat në burgje”. Nëse Rizai kish trurin, Muharremi kishte hurin. Njeri jepte shenjën, tjetri bënte gjëmën! Si patriot nga i njëjti qytet, po më shumë si miq të babait tim, m’u bënë mbështetje morale e, fizike. Ndihesha mes tyre, si veshka mes dhjamit, njëri më furnizonte trurin me dije, tjetri zemrën me kurajë. Kur më provokoi spiuni, këta dy vëllezër, në bashkëpunim me pleqtë, planifikuan mbrojtjen time, pa më implikuar mua. Me këtë veprim u treguan të tjerëve, se gjendesha nën kujdesin e tyre, që të mos guxonte tjetërkush, të provonte të më provokonte.

Rizai më nxiste drejt librave, më jepte leksione morali e drejtësie; të kundërtën bënte Muharremi: “Jemi në xhungël këtu, or babuç, ligjin e bën luani! Kaprojtë janë të destinuar si ushqim për ujqit! E more vesh, apo jo”! – ngulmonte ai. “Kështu Muharrem”! – e qortonte vëllai i madh. – E more në qafë djalën, po e çon në birucë”! “Ri or ti, rri! Të gjithë, kemi bërë biruca! Eh, ç’na gjeti! Ja, ku jemi”! – kthehej Muharremi me vrull. – “Fundja, tani në fillim i nevojitet kjo, se e vonë, s’ia mban kujt t’i dalë para. Dëgjo vëllaçkon ti, pa s’të del keq”! dhe shkundte grushtet e mbledhur, si të kërcënonte ndonjë hije të padukshme. Të ngacmoi kush, mos prit, mbytja i pari, se po ndodhi ndryshe, ta la! Të kanë përfundi, pastaj hajde merre veten! Pa, po, edhe neve na ke krahë, s’të lemë vetëm ne, or babam! Lëre Rizanë, është për baba teqeje ai! Jemi në burg, or xhan, s’i dole zot vetes, të marrin zvarrë! Dëgjo vëllaçkon ti”! dhe kryqëzonte llërët, si për të thënë se ky muhabet ish i mbyllur.

Shprehjet; “dëgjo vllaçkon ti” dhe “babuç”, si dhe gjestin e kryqëzimit të krahëve, i përdorte shkak e pa shkak. Nën këtë siguri, po edhe i kriposur me yshtjet trimërore, mora zemër. ndërsa vetë mosha, m’i bënte më të lehta veprimet. As që e vrisja mendjen edhe për rrjedhojat. Sidoqoftë, ngjarja që do pasonte, i dha të drejtë Rremos, në një farë mënyre, vërtetoi se mësimet ala-Muharrem, nuk vanë dëm. Një ditë, mbeta vetëm brenda një aneksi në laborator, në gropën që më kishin piketuar të hapja. Qysh në sabah, nisëm punë me Maqon, njëri me kazëm, tjetri me lopatë, por mbas ndonjë ore, kolegun e thirri usta Gaqka, për ca punë të tjera, më profesionale. Mbeta vetëm.

Rëmija me kazëm qylyke, kur bëhej shumë material, e pastroja me lopatë. Gropa duhej hapur rreth dy metra thellësi, sepse siç më porositi ustai, aty do të groposnin dy shufra bronzi, për tokëzimin e pajisjeve laboratorike. Tabani ishte i ngjeshur, shtresat e zhurit të kalçifikuara si beton, s’i hante lopata belçe, kështu u detyrova të rëmija njëherë me byzylyk e, pastaj ta qëroja me lopatë. “Inshalla na del dhë i shkrifët”! – luti Maqua kur nisëm punën në mëngjes. – “Se po vazhdoi zhur deri në fund, do hamë dynjanë, do na dalë bytha një kut”!

– “Mos e vra mendjen, fundja s’u bë qameti, po s’e mbaruam sot, e mbyllim nesër! Se mos do na nxjerrin nga burgu, po e përfunduam më shpejt”! – ja ktheva me të qeshur. – “Ore, edhe të shoçë veshin pa pasqyrë, s’të nxjerrin nga burgu këta, e di mirë atë punë! Po, më porositi ustai, se do mbyllur sot, ngaqë na qenkan nisur ata nga Tirana”! Sa me kazëm, sa me lopatë, kisha avancuar mbi një metër e gjysëm thellë dhe vazhdoja të gërmoja ende. Në anë të gropës, naltohej një kukumale, sa me zor shihja matanë. Isha zhytur në të, doja ta përfundoja, qoftë edhe i vetëm. Kujtoja ditët dimërore aty brenda ndërtesës, kur shokët u kallkanosën në athëtimën e Repsit. Mandej doja të justifikoja edhe ustanë, që në një farë mënyre, qe treguar shpirt njeriu me mua; s’më binte në qafë, edhe kur s’e kryeja punën që më ngarkonte. Biles, më justifikonte edhe para policëve, e merrte mbi vete përgjegjësinë.

– “Kur të vijnë policët, ti mos u ndje”! – më porosiste ai. – “Për punën tënde, përgjigjem unë”! – “Po unë…”?! – e ndërprisja me shpoti. – “Or, po, a jam, apo s’jam brigadieri, bre”?! – “Po, ti je”! – pohoja me të qeshur. – “Dakord, bre, e more vesh? Ce ata të provokojnë, tine, po nuku di ç’t’ju thuash! Kurse unë i di të fshehtat e zanatit dhe ua kthej vet xhevapnë, nuku”! – e mbyllte këshillën. I zhytur në gropë gjer në fyt, dëgjova nga pas kurrizit një zë: – “Dre, dre, çfarë cope! Po, qenke si kukull”! Lashë lopatën dhe rrotullova qafën, të shihja. “Cilët mund të kenë hyrë, pa u ndjerë”?! – “Gjynah moj, të paskan shtënë aty”

Dikujt po i drejtoheshin në gjininë femërore, kjo më bëri të xhiroja kokën rreth e qark. Mendova se të nisurit nga Tirana, kishin mbërritur dhe mund të kishin me vete ndonjë femër. Normalisht kjo ishte e pabesueshme, sepse në ambiente burgu, s’lejonin të futeshin femra. “Po s’i dihet, ç’farë s’bënte vaki? Mund të jetë inxhiniere, laborante apo kushedi çfarë!” Kukumalja e dheut ndanë gropës, më pengonte të vëreja qartë. Gjithsesi, më kapi syri një të burgosur me kapele të bardhë e me mustaqe të prera spic, ala Raxh-Kapurçe. Ngaqë s’pashë tjetër, zura sërish lopatën e vazhdova të hedh dheun mbi kukumale. Në thellësi, shtresa sikur u bë pak më e shkrifët, u lehtësova disi.

Përfitova nga qylykja, ndaj e vërvita matanë. “Ti’ or bukurosh, na vrave a i vrarë”! Nuk i ktheva xhevap, po vazhdova të ngulja lopatën. “Folë mo, apo je memec”? – mustaqespici ala Raxh-Kapur, u qas ndanë ku isha zhytur unë. “Me mua e ke”?! – e pyeta, jo pa çudi. “Pse mo, sheh ndonjë tjetër këtu, ti”!? “Jo, s’mund të shoh, se jam këtu brenda”! “Po pse o, aty do rrish ti, a derëzi! Hajde, dil jashtë, se të ngre unë”! dhe ngriti dorën drejt meje, po në vend të dorës që i zgjata, më kapi për faqe, si të më ledhatonte siç përkëdhelet një fëmijë apo një femër. Mga dialekti duhej të ish lab, po fytyra s’më binte në hatër ta kisha ë ndonjëherë.

– “Dre-e-e, dre-e, po qenke yll fare, ti mo”! – dhe kaloi dorën në faqen e tij. – “Ik o bela, lërmë rehat në hallin që më ka zënë, këtu në këtë gropë të mallkuar”! – i fola si me shaka. Mendova se kisha të bëja me ndonjë të çekuilibruar mendërisht. Nga këta tipa, që nën efektin e depresionit, s’dinin ç’bënin, kishte me shumicë nëpër burgje. “Mjerani ky, do jetë i sëmurë psikik”! mendova dhe ngrita lopatën menjëherë. “Lëre lopatën, o! Hajde, mor këtu! Apo të futem aty, se më vdiqe”! – dhe  fërkonte organet gjenitale. Që nga thellësia ku gjendesha, e mata me sy. “Hej dreq, ç’më zuri belaja!” Ai, ish purpurosur në surrat, si speckë djegëse ose, i turpëruar apo i djersitur. Atëbotë s’dija ku ta klasifikoja këtë individ, ish krejtësisht i panjohur për mua. – “Hiqmu qafe, bela”! – iu ktheva sërish me të butë, sepse ende besoja se isha të bëja me një të marrë.

– “Or, po s’marrke pyka ti, a derëzi! Do bëhesh kurva ime, o”! – nisi të gulçonte. – “Sa të jem unë, s’të zë dot njeri tjetër! Pastaj me mua ja hedh burgut, mos më thënçin Sali Nela! E kam grurë me të gjithë unë, o kuçkë- ë”! – shtoi shpejt e shpejt me një frymë, pa më lenë kohë ta ndërprisja. – “Si the, si the? Sali Nela! – o Zot, ç’emër drithërues?! Ky emër më shtiu mornicat në gjithë shtatin. M’u rëngjeth sharra e kurrizit e flokët e ngjethur si gjemba drize, gati shpuan cohën e kapelës. Njeriu më i urryer në historinë e burgjeve shqiptare, më qëndronte mbi krye. Çdo i dënuar politik, kish dëgjuar të përfliteshin gojë më gojë, historitë e pista të këtij imorali, ndaj vetëm emri, të kallte krupën. Sigurisht dhe unë i kisha ndjerë bëmat e tij, po s’kisha patur rast ta njihja personalisht. Memorie.alNga Shkëlqim Abazi

Basha publikon videon e Dumanit për amnistinë: Thelbi i pazarit është që Rama të mbajë pushtetin, ndërsa Berisha të vijojë teatrin

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka publikuar një video nga deklarimi i kreut të SPAK, Altin Dumani ditën e sotme në Kuvend, ku shprehej se nga amnistia e votaur në parlament nga 117 deputetë, përfituan dhe të dënuar nga GJKKO.

Duke iu referuar kësaj, Basha thotë se kushdo që kishte një dyshim për pazarin Rama-Berisha kundër drejtësisë, tanimë e ka me fakte.

Në postimin e tij në facebok, ai më tej shkruan se pazari po vazhdon me sabotimin e reformës zgjedhore, me vulën dhe me goditjen e SPAK, që sipas Bashës e gjitha bëhet që Rama të rri në pushtet dhe Berisha të vazhdojë teatrin.

Postimi i plotë i Bashës:

Kushdo që kishte ndonjë dyshim për pazarin Rama-Berisha kundër drejtësisë, tanimë, i ka me fakte.

117 persona të dënuar ose në ndjekje penale për korrupsion nga SPAK/ GJKKO përfituan nga amnistia Rama-Berisha.
40 persona të dënuar për korrupsion u liruan.
65 të dënuar për korrupsion përfituan zbritje dënimi.
12 persona u përjashtuan nga ndjekja penale për korrupsion.

Pazari i nisur me amnistinë vazhdoi me sabotimin e Reformës Zgjedhore, me vulën dhe vijon me goditjen ndaj SPAK-ut.

Thelbi i marrëvshjes është që Rama të mbaj pushtetin, ndërsa Berisha të vijojë teatrin, gjasme, opozitar.

Dumani nxjerr zbuluar Manjën dhe Gaz Bardhin/ Ja sa të dënuar nga GJKKO përfituan nga amnistia

Gjatë raportit të tij në Kuvendin e Shqipërisë, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, duket se ka nxjerr zbuluar marrëveshjen e realizuar nëpërmjet Ulsi Manjës dhe Gazment Bardhit për amnistinë penale, të cilët u betuan dhe u stërbetuan se nuk do të përfitonte askush prej të dënuarve për korrupsion nga GJKKO-ja.

Edhe pse në atë periudhë, PD e drejtuar nga Basha shprehu shumë herë shqetësimin për atë marrëveshje si një goditje që i bëhej drejtësisë së re, SPAK dhe GJKKO, palët e përfshira në atë pazar e mohuan shumë herë një gjë të tillë.

Koha e solli sot, që kreu i institucionit të SPAK-ut, Altin Dumani, të hedhë dritë përfundimisht mbi atë marrëveshje dhe sa përfituan nga pazari Manja-Bardhi lidhur me amnistinë penale.

Gjatë fjalës së tij kreu i SPAK-ut, Dumani, u shpreh:

“Kuvendi i Republikës së Shqipërisë është në të drejtën e tij të miratojë amnistinë dhe kështu ka vepruar. Ajo që dua të them është që nga ky ligj kanë përfituar subjekte të cilët janë dënuar nga Gjykata e Posaçme. Për shembull, dyzet persona kanë përfituar përjashtimin nga dënimi, 65 persona kanë përfituar nga zbritja e dënimit, sipas nenit 5 të ligjit 33/04.”

Kjo deklaratë e Altin Dumanit i jep përfundimisht fund spekulimeve dhe nxjerr në pah të vërtetën e pazarit Manja-Bardhi, të cilët nëpërmjet votës për amnistinë penale synuan t’i çonin një mesazh kreut të SPAK dhe gjyqtarëve të GJKKO-së lidhur me të korruptuarit e të dyja palëve, që nëse prokuroria dhe gjykata i dënon, politika nëpërmjet pazarit dhe marrëveshjes i liron.