12.5 C
Tirana
E hënë, 12 Maj, 2025

BIRN: Në vend të investimeve, bashkitë fryjnë stafet me punëtorë

Numri i të punësuarve buxhetorë në njësitë e pushtetit vendor arriti në 37 mijë në vitin 2023, me një rritje me 12% kundrejt vitit 2019 dhe me rritje gati 90% në krahasim me vitin 2015.

Rritja dramatike e numrit të punonjësve në pushtetin vendor përgjatë dekadës së fundit vjen në një kohë kur popullsia faktike e pranishme në territorin e pothuajse të gjitha bashkive ka rënë, gjë që nënkupton nevojën për më pak punëtorë për të kryer shërbimet përkundrejt popullsisë së mbetur.

Të dhënat zyrtare të analizuara nga BIRN tregojnë se numri i të punësuarve në njësitë e qeverisjes vendore para reformës së vitit 2015 ishte vetëm 20 mijë ndërsa në vitin 2023 është rritur në 37 mijë. Arsyeja kryesore e reformës së vitit 2015 ishte që, përmes reduktimit të njësive të qeverisjes vendore nga 394 në 61, të mund të uleshin kostot administrative dhe të çliroheshin fonde në dispozicion të investimeve për rrugë, ujësjellësa apo kanalizime, apo për të krijuar sistemin e grumbullimit dhe përpunimit të mbeturinave, funksione këto kyçe të pushtetit vendor.

Pushteti vendor është administruar nga kryebashkiakë socialistë nga viti 2019 e deri në vitin 2023 në gjashtëdhjetë nga gjashtëdhjetë e një bashki, ku Shkodra ishte përjashtimi i vetëm. Mandati 2019-2023 u krijua pas refuzimit të opozitës kryesore për të marrë pjesë në zgjedhjet e vitit 2019, gjë që bëri që socialistët të kontrollonin jo vetëm kryetarët e bashkive por edhe shumicat dërrmuese të këshilleve bashkiake

Përgjatë këtij mandati, numri i të punësuarve në pushtetin vendor u rrit nga 33 mijë në 37 mijë ose me 13%. Në 50 nga 61 bashkitë e vendit mandati u shoqërua me rritje të numrit të të punësuarve, ndërkohë që supozohet se pushteti vendor ka nevojë të rrisë investimet për shërbimet publike bazë, ujësjellësa, kanalizime, rrugë rurale apo pastrim e gjelbërim.

Në trembëdhjetë bashki në fakt rritja e numrit të të punësuarve është në një masë jo më të madhe se sa 5% për katër vjet ndërsa në vetëm 11 bashki, numri i të punësuarve faktikë nuk u rrit ose pësoi rënie. Shumica e bashkive në të cilat numri u ul ose nuk u rrit në mënyrë domethënëse janë në fakt bashki të vogla për nga numri i popullsisë.

Numri i të punësuarve në nivel vendor në përgjithësi është vështirë që të gjendet dhe bashkitë vetë rrallëherë kanë nivelin e mjaftueshëm të transparencës për sa staf kanë dhe për çfarë shërben stafi që kanë apo se sa kushton mbajtja e këtyre punëtorëve. Për më tepër, përveç stafeve bashkiake, bashkitë kanë edhe kompani nën pronësi, të tilla si ujësjellësit, të cilat, duke qenë kompani më vete dhe jo agjenci buxhetore, kanë stafet përkatëse të papërfshira në këto shifra. Shifrat e vitit 2023 u publikuan në faqen në internet të Kuvendit të Shqipërisë si pjesë e projektligjit të Buxhetit Faktik.

Këto të dhëna janë publikuar rrallë nga Ministria e Financave gjatë viteve të shkuara kështu që nuk është e mundur të vërehet se në cilin vit specifikisht janë shtuar të punësuarit. Rrjedhimisht, të dhënat mbi numrin e të punësuarve buxhetorë në bashki disponohen vetëm për vitet 2018, 2019 dhe 2023.

Të punësuarit e sektorit publik në Shqipëri ndahen në “buxhetorë” dhe “jobuxhetorë”, ku në kategorinë e parë janë të punësuarit, paga e të cilëve mbulohet nga taksat që paguajnë qytetarët ndërsa në sektorin “jobuxhetorë” pëfshihen të punësuarit në kompanitë nën pronësinë publike, të cilët i marrin rrogat nga pagesat e qytetarëve dhe bizneseve në shkëmbim të shërbimeve apo mallrave të shitura nga këto kompani.

Ndarja gjithsesi nuk është e prerë sepse shumë nga kompanitë nën pronësi publike shpesh janë me humbje dhe subvencionohen nga buxhetet që paguhen përmes sistemit të taksimit. Kështu p.sh., kompanitë e futbollit janë në masë të subvencionuara nga buxhetet bashkiake pavarësisht se në teori janë kompani më vete e po kështu, ndërmarrjet e ujësjellësave marrin subvencionime, të cilat, teorikisht duhet të shërbejnë për të kryer investimet e nevojshme për furnizim me ujë pavarësisht se praktikisht përfundojnë për të paguar stafe të fryra.

Bashkia e Kamzës, e cila qeveriset nga Partia Socialiste që nga viti 2019, ka rritur numrin e të punësuarve me 70%, nga 643 vetë katër vjet më parë, në 1094 vetë në vitin 2023. Bashkia, e cila aktualisht i furnizon të 96 mijë banorët e saj me vetëm katër orë ujë dhe që, për furnizimin me ujë, furnizim për të cilin, tashmë prej disa vitesh nuk paguan koston te Ujësjellës Kanalizime Tiranë që shërben si furnitor me shumicë, dukshëm e ka parë më me prioritet që të shtojë numrin e rrogëtarëve në vend të investimeve për rritjen e cilësisë së furnizimit me ujë.

Bashkia Devoll renditet e dyta me një rritje të numrit të të punësuarve me 50% në krahasim me katër vjet më parë ndërsa bashkia e Vlorës, e cila, përgjatë dekadës së fundit ka humbur 20% të popullsisë dhe ku furnizimi me ujë i së cilës është tashmë famëkeq në të gjithë vendin dhe ku ndërmarrja e ujësjellësit ka akumuluar mbi 80 milionë euro borxhe, e ka parë të arsyeshme të shtojë të punësuarit me 34%. Aktualisht në këtë bashki marrin rrogën 1339 vetë.

Bashkia e Tiranës është bashkia më e madhe në vend për nga popullsia dhe këtu, numri i të punësuarve përgjatë katër viteve të fundit është rritur me 20%. Sot në këtë bashki punojnë 8112 vetë si punonjës buxhetorë. Në këtë shifër nuk përfshihen disa mijëra të tjerë që punojnë në kompani nën pronësinë e bashkisë, të cilët janë në kategorinë “jobuxhetorë”.

Elbasani dhe Berati janë nga të paktat bashki të mëdha të cilat, përgjatë katër viteve të fundit, nuk kanë njohur rritje domethënëse të të punësuarve buxhetorë.
Në nivel kombëtar, Tirana është bashkia me numrin më të madh të të punësuarve buxhetorë me 8112 vetë pasuar nga Durrësi me 1779 dhe Elbasani me 1412 punonjës. Bashkia e Pustecit është më e vogla me 83 punonjës ndërsa ajo e Libohovës ka 91 punonjës.

Krahasimi i numrit të të punësuarve buxhetorë të bashkive me nurmin e popullsisë rezidente të numëruar nga Censi 2023, tregon se bashkia e vogël e Fushë-Arrëzit në veri mban rekordin me 238 të punësuar për më pak se 5 mijë banorë. Në këtë bashki, pothuajse një në njëzet banorë është i punësuar në bashki. Nuk mbetet pas bashkia fqinje e Pukës ku janë të punësuar 294 vetë për pak më shumë se 6,200 banorë apo Pusteci, ku ka 83 të punësuar për 1,843 banorë.

Bashkia e Shkodrës, e cila gjatë mandatit 2019-2023 ka qenë e vetmja bashki nën kontrollin e opozitës, shënon rekordin pozitiv. Në këtë bashki me 102 mijë banorë, gjatë kësaj periudhe kishte 979 të punësuar buxhetorë ose më pak se 1 në çdo 100 banorë. Mesatarisht në nivel kombëtar bashkitë kanë 1.5 të punësuar buxhetorë për çdo 100 banorë.

Nurmi i të punësuarve në sektorin publik në tërësi është rritur në mënyrë dramatike gjatë dekadës së fundit për shkak se dukshëm qeveria ka tendencën të shtojë rrogëtarët në shkëmbim të votave, pavarësisht se popullsia e vendit ka pësuar rënie. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, sektori publik zë aktualisht 183 mijë të punësuar, me rritje prej 20 mijë punonjësish në krahasim me vitin 2016.

Numri i lartë i të punësuarve në sektorin publik dhe pagat që këta punonjës shtesë hanë nga buxheti i shtetit detyrimisht gërryejnë kapacitetet për investime publike, investime të cilat, në një situatë normale, do të ndihmonin vendin që jo vetëm të kishte shërbime publike më cilësore në furnizim me ujë, rrugë apo kanalizime, por do të ndihmonin në përshpejtimin e rritjes ekonomike të vendit.

Përkundër rritjes së numrit të të punësuarve në shtet, numri i popullsisë aktualisht banuese në Shqipëri ka rënë nga pak më shumë se 2.8 milionë banorë në vetëm 2.4 milionë mes viteve 2011 dhe 2023, gjë që, logjikisht do të kërkonte një ulje proporcionale në numrin e të punësuarve në sektorin publik./BIRN

Presidentja Osmani: Serbia dhe Rusia do të vazhdojnë të tentojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përsëriti akuzat se Serbia dhe Rusia po vazhdojnë të tentojnë që të destabilizojnë Kosovën, por edhe rajonin.

Osmani këtë deklaratë e bëri pasi mori pjesë në Samitin e katërt të Bashkësisë Politike Evropiane të mbajtur në Pallatin Blenheim, në Mbretërinë e Bashkuar.

“Kemi qenë në tryezën, me shumë liderë të tjerë, ku është diskutuar për mbrojtjen e demokracisë dhe luftimin e dezinformatave. Edhe pse shteti ynë nuk ka lejuar asnjëherë influencë ruse apo të forcave të tjera malinje, megjithatë përderisa shteti fqinj, Serbia, përdoret si satelit i Rusisë dhe përderisa edhe vetë fatkeqësisht i takon mentalitetit të shekullit të kaluar, ata do të vazhdojnë të tentojnë ta destabilizojnë jo vetëm shtetin tonë, por edhe gjithë rajonin dhe nëpërmjet kësaj gjithë kontinentin evropian”, tha Osmani.

Osmani, por edhe krerët e tjerë të institucioneve të Kosovës, kohëve të fundit kanë intensifikuar paralajmërimet e tyre se Rusia, përmes Serbisë, po synon të destabilizojë Kosovën.

Vetë Osmani në të kaluarën e ka quajtur Serbinë si “dorë të zgjatur të Rusisë”, e cila po përpiqet të luajë “lojërat e [presidentit rus, Vladimir] Putinit, duke hapur një front të ri ndaj Perëndimit”.

Presidentja Osmani tha se gjatë Samitit në Mbretërinë e Bashkuar u takua me liderë të shumtë evropianë, përfshirë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, me të cilët ka diskutuar për integrimin euroatlantik të Kosovës, për hapat e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, por edhe si të luftohet ndikimi rus.

Osmani e cilësoi Samitin e Bashkësisë Politike Evropiane si të rëndësishëm, edhe pse tha se nuk është samit formal në kontekstin e vendimmarrjes, por i rëndësishëm pasi në të morën pjesë 46 liderë evropianë.

Gjatë samitit, liderët kanë diskutuar për mbështetjen e Ukrainës, që po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia, migrimin, sigurinë energjetike dhe kërcënimin që paraqet Rusia.

Bashkësia Politike Evropiane është lancuar rreth dy vjet më parë.

Takimi i parë u zhvillua në Pragë në vitin 2022, kur Çekia kishte kryesimin e radhës së Bashkimit Evropian; i dyti në Kishinjev të Moldavisë në qershor të vitit 2023, ndërsa i treti në Granadë të Spanjës në tetor të vitit 2023.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesëmarrëse të rregullta në Bashkësinë Evropiane Politike, përfshirë Kosovën, pavarësisht se ky forum në të kaluarën u mbajt në dy shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës: Moldavi dhe Spanjë.

Idenë për krijimin e saj e ka përmendur i pari presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e pas tij edhe presidenti aktual i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Bashkësia Politike Evropiane nuk është një organizatë formale, por shërben si forum, ku së paku një herë në vit liderët e vendeve evropiane mblidhen dhe diskutojnë për çështje të interesit të përbashkët.

Kur ideja është përmendur për herë të parë, ka pasur edhe disa dyshime nëse kjo bashkësi do të shfrytëzohej si alternativë për zgjerimin e BE-së. Por, në BE kanë siguruar se Bashkësia Politike Evropiane, në asnjë mënyrë, nuk ka për qëllim ta zëvendësojë procesin e zgjerimit të BE-së, e as të bëjë gara me organizatat ekzistuese, strukturat apo proceset./REL

I njeh të gjithë yjet e rinj të Anglisë, ja kush është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e “tre luanëve”

Trajneri Li Karslei është në pozicionin më të favorshëm për të marrë drejtimin e përkohshëm të Anglisë, pas largimit të Garet Sauthgejt sipas “The Sun Sport”.

Ish-lojtari i Evertonit , i cili aktualisht është në krye të skuadrës U-21 të Anglisë, pritet të udhëheqë “Tre Luanët” në fushatën e tyre përgjatë Ligës së Kombeve, e cila fillon në shtator. Drejtuesit e Federatës Angleze të Futbollit janë simpatizant të mëdhenj të menaxherit të Njukasëll, Edi Hau, por mendojnë se Karslei është më i miri për të marrë drejtimin për ndeshjen e radhës kundër Republikës së Irlandës.

Një lëvizje e trajnerit ishullor do të pasqyronte të njëjtën tablo si emërimi i Sauthgejt në 2016, i cili u promovua nga “timonier” i U-21 në trajner të Anglisë, gjithashtu fillimisht në një bazë të përkohshme. Federata e “Tre Luanëve” ka konfirmuar se ata tashmë janë duke punuar për pasuesin në stolin e përfaqësueses dhe duan që pozicioni të zgjidhet deri para nisjes të Ligës së Kombeve, shtator.

Një numër kandidatësh janë lidhur me pozicionin vakant, duke përfshirë Graham Poter, Edi Hou, Tomas Tuhel dhe Jyrgen Klop. Sidoqoftë, “The Sun Sport” e kristalizon se “shahistët” në kategorinë e trajnerëve gjermanë si Tuhel dhe Klop nuk janë perspektiva realiste në këtë fazë.

Karslei, 50 vjeç, ka qenë në të rinjtë e Anglisë që nga viti 2018. Trajneri i lindur në Birmingam ishte fillimisht ndihmës menaxher i Anglisë U-21, përpara se të merrte skuadrën U20 dhe më pas të bëhej shefi U21 në 2021. Në vitin 2023, Anglia u përball me Spanjën në finalen e Kampionatit Evropian U-21 dhe arriti të fitonte 1-0. Tekniku në fjalë ka një rekord të jashtëzakonshëm si trajner i U-21, duke fituar 79 për qind të 29 ndeshjeve të tij në krye.

Kur Sauthgejt mori për herë të parë ekipin e Anglisë pas Sem Allerdais në 2016, fillimisht ishte vetëm në baza të përkohshme. Megjithatë, Garet pasi kaloi i pamposhtur në katër ndeshjet e tij të para me dy fitore dhe dy barazime, Federata e emëroi atë si menaxherin për të udhëhequr skuadrën përpara. Në fund, 53-vjeçari realizoi 102 ndeshje, ndërsa e vendosi Anglinë në turneun e tyre më të suksesshëm që nga viti 1966. Ai drejtoi Anglinë duke arritur në gjysmëfinalet e Kupës së Botës në 2018 dhe shkoi në finalet e Kampionatit Evropian për herë të parë në historinë e vendit. Megjithatë, pas tetë vitesh, Sauthgejt tha se besonte se ishte “koha për një ndryshim”.

Ushqimet e ngrira, zbuloni 6 mënyra për të lehtësuar gatimin tonë të përditshëm. Ja çfarë mund të ruani në frigorifer

Ritmet e shpejta të përditshmërisë dhe kërkesat e shtuara për gatime të shpejta dhe njëkohësisht të shijshme e ushqyese, të bëra pa shumë mund, kohë dhe para, na bëjnë të adoptojmë në rutinën tonë ushqimore taktika të zgjuara dhe mbi të gjitha plotësisht të zbatueshme të planifikimit të shtëpisë.

Një prej tyre është të kemi gjithmonë lëndë të parë cilësore në frigoriferin tonë që në çdo moment mund të na japin frymëzimin kulinar që na nevojitet për receta klasike dhe më të avancuara, së bashku me freskinë e stinës dhe thesaret e pastra të fshatit.

Por edhe nëse kemi vullnetin, disponimin, njohurinë për t’i ruajtur në kohë në frigoriferin tonë ato fruta dhe perime që janë për çdo sezon, në kulmin e prodhimit të tyre, sa të sigurt mund të jemi se ajo që shohim në ushqimore, dyqanit a mund të ruhet në frigoriferin tonë me të njëjtën lehtësi dhe efikasitet?

Pavarësisht se sa të sigurt jemi, ia vlen t’i hedhim një sy listës së mëposhtme të ushqimeve mund dhe duhet, nëse do të konsumohen pas një kohe, t’i ruani në raftet e ngrirësit.

Pra, ne e bëjmë frigoriferin tonë të “punojë” në avantazhin tonë, zgjasim jetën e përbërësve tanë të preferuar dhe mbi të gjitha kursejmë kohë, para dhe energji.

Këto janë lëndët e para më të njohura që të gjithë duhet t’i mbajmë në frigorifer, pasi ato përdoren jashtëzakonisht shpesh në kuzhinat e pothuajse çdo familjeje.

Perime të përziera

Pavarësisht nëse kemi kopshtin tonë me perime, pra me kalimin e kohës, i presim perimet kur të jenë pjekur, ose blejmë të ngrira të gatshme nga supermarketi, qese me lloje të ndryshme perimesh, veçanërisht jashtë sezonit, mund të bëjmë përzierjet tona në mënyrë që çdo herë që të jetë e nevojshme, t’i shtoni në supa, zierje, petë dhe madje edhe pjata me oriz ose enchiladas.

Sigurohemi që në këtë përzierje të ketë karrota dhe misër sepse i japin ngjyrë dhe shije çdo pjate dhe njëkohësisht “lidhen” shkëlqyeshëm me një mori perimesh të tjera (brokoli, fasule, bizele etj.).

Boronica, mjedra dhe qershitë

Boronicat, mjedrat dhe qershitë e ngrira sjellin verën në kuzhinën tonë, gjatë gjithë vitit. Megjithatë, pikërisht për shkak se tekstura e tyre ndryshon kur ruhen në ngrirje, ato përdoren më së miri në recetat që kërkojnë përpunimin e gatimit, p.sh. përzierjen e tyre në qull ose kos.

Qepët

Qofshin të thata apo të freskëta, qepët futen pothuajse çdo ditë në tenxhere, tigan, madje edhe në avullore apo fërgesë me ajër, kështu që duhet të kemi gjithmonë qese plastike të mbushura me qepë (dhe të mbyllura hermetike) në frigoriferin tonë.

Sekreti për të mos u shqetësuar sa herë që duam të përdorim një sasi të vogël ose të madhe prej tyre është që përpara se t’i ngrijmë, t’i kemi përgatitur dhe rrahur pak (duke tundur qesen) për t’u siguruar që të mos jenë ngjitur së bashku.

Pra, kur t’i nxjerrim nga ngrirja do të mund të përdorim saktësisht sasinë që na nevojitet çdo herë pa qenë nevoja të gatuajmë një masë të fortë dhe të ngrirë.

Peshku dhe prodhimet e detit

Pavarësisht nëse flasim për peshk të freskët, fileto peshku apo ushqim deti, ne mund të vendosim po aq me vend dhe me sukses ndonjë prej tyre (jo të gatuar) në frigoriferin tonë, duke konstatuar se në këtë mënyrë arrijmë ekonomi të shkëlqyer dhe në të njëjtën kohë, kemi ushqimet tona të preferuara të detit, pikërisht kur dhe ku kemi nevojë.

Bukë

E prerë në feta dhe e ruajtur në qese plastike të përshtatshme, buka futet në frigorifer me lehtësi dhe del sa herë që duam të plotësojmë me të tryezën. Do të konstatojmë se bëjmë një kursim të konsiderueshëm, duke konsumuar pikërisht sasinë që na nevojitet për rast dhe mbi të gjitha pa hedhur atë që ka mbetur apo atë që tashmë është ndenjur.

Pulë ose gjeldeti

Që mishi i pulës së freskët dhe gjelit të detit ruhen derisa të gatuhen në frigorifer, është një fakt i njohur. Dhe e vërteta është se, më vete, mund të jetë jashtëzakonisht funksionale dhe e dobishme në shpenzimet fikse të gatimit të një familjeje.

Por ajo që mund të shohim gjithashtu është se mishi i pulës gjithashtu futet në ngrirje, dhe akoma më mirë, në copa ose i grirë, në mënyrë që të mund të përdorim sasinë që duam çdo herë, në sanduiçet, omëletat apo sallatat tona dhe madje ka shije si ditën që e kemi gatuar. Ekonomi, komoditet dhe zero mbetje ushqimore në vetëm një lëvizje.

“Mbyllja e listave, pazari i radhës Rama-Berisha”, Basha me demokratët euroatlantikë në Vlorë: Të bëhemi gati për zgjedhje, programi ynë më i miri për bizneset dhe familjet

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me strukturat drejtuese të degës në Vlorë, ku është diskutuar për vijimin e aksionit politik dhe përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme.

Basha është shprehur se përmbyllja e evidentimit të kandidaturave për deputet është prioritare, sipas të cilit ekipi duhet të jetë gati sa më parë për t’u dhënë kohë qytetarëve të njihen me ta dhe për të përcjellë përmes tyre programin e prezantuar më 1 qershor.

“Talljet dhe fyerjet e Ramës me vlonjatët dëshmojnë se qeveria më e korruptuar në Europë s’ka çfarë jep më për qytetarët dhe bizneset, që pagujanë kostot e papërgjgjshmërisë politike dhe fiskale që shkakton varfëri dhe shpopullim. Programi ynë qeverisës, me taksën e sheshtë 9%, tatim fitimi 9%, tatim për të ardhuart personale 9%, dividendin me taksën e sheshtë 9% edhe për profesionet e lira, do t’i japë frymëmarrje ekonomisë duke siguruar mirëqenie për të gjithë. Programi i hartuar nga ekspertët më të mirë vendas e të huaj, do të përcillet në çdo qytet e fshat nga ekipi ynë, për t’iu dëshmuar qytetarëve se ne kemi një vizion të qartë për të dalë nga kriza aktuale, që e ka kthyer Shqipërinë në një çiflig për pak të përzgjedhur të kastës të vjetër politike dhe ekonomike. Prandaj e gjithë energjia jonë, e strukturave që kemi në Vlorë dhe anembanë vendit, duhet të shkojë te qytetarët, te komunikimi me ta, pa u penguar nga ata që duan ta mbajnë debatin te çështje që nuk kanë lidhje me hallet e shqiptarëve. Politika është shërbim ndaj njerëzve, jo vetëshërbim për politikanët, ndaj të merremi me alternativën që shqiptartët presin.” – Tha Basha.

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë u ndal në pazarin Rama- Berisha i cili nisi të zbatohet me dështimin e komisionit të reformës zgjedhore dhe vijoi me amnistinë, ku 117 subjekte të prokurorisë dhe gjykatës kundër krimit dhe korrupsionit përfituan prej saj.

Hapi i rradhës është bashkimi i votave Rama-Berisha kundër hapjes së listave në Parlament që është në vijim të marrëveshjes së hershme mes kryeministrit aktual dhe ish-kryeministrit, ajo e 2008-ës, që e ktheu vendin në një Republikë kryeministrore, në të cilën deputetët janë kasnecë pa identitet të kryetarëve dhe klientelës së tyre.

“Propozime tona për Reformën Zgjedhore fuqizojnë qytetarët dhe e kthejnë parlamentin në një institucion që i shërben atyre. Me lista të hapura 100%, me votën e diasporës, me barazinë e votë dhe votimin e numërimin elektronik, ne krjionim kushtet që dinjiteti i kuvendit të vendosej në vend, ndërsa vota e shqiptarëve merrte peshën që meriton, duke i rikthyer deputetët në përfaqësues të qytetarëve, e jo në kasnecë të kryetarëve dhe klientelës së tyre. Por Rama dhe Berisha nuk e duan këtë, prandaj bën çdo gjë për t’u kapur me thonjë pas marrëveshjes së tyre të 2008-ës, që ka shkatërruar parlamentarizmin dhe demokracinë e brishtë shqiptare. Kjo do kurorezohet me bashkimin e votave për mbylljen e listave dhe me përpjekjet që tu japin të drejt vote ne menyre te kontrolluar vetëm atyre shqiptar qe duan ata dhe te gjith atyre qe jetojnë jashte vebdit. Në tangon e tyre të vjetër, amnistia me të cilën liruan të korruptuarit dhe mbajtën në burg protestuesit kundër korrupsionit ishte vetëm stacioni i parë, që u ndoq nga ekzekutimi i komisionit të Reformës Zgjedhore, nga pazari i 11 qershorit për vulën, dhe do të vijojë me pazarin për mbylljen e listave e më vonë, me përpjekjen për t’i pamundësuar SPAK të hetojë politikanët dhe zyrtarët e korruptuar.
Sot fati i Shqipërisë po synohet të mbahet pëng nga halli i Edi Ramës dhe Sali Berishës. Përballë këtij pazari qëndrojmë ne dhe të gjitha forcat politike që nuk pajtohen me këtë teatër të shëmtuar 34 vjeçar. Sot është detyrë e çdo shqiptari të bashkohen kundër perpjekjeve per te ruajtur kete status quo sepse Shqipëria meriton më shumë”- vijoi Basha.

Problemi i Turizmit e ka emrin Edi Rama!

Nga Sidi Hasanaj

Mungesa e pushuesve larg pritshmërive në Jugun e vendit, ka sjellë debate të ndryshme për arsyet, dhe në këtë debat publik padiskutim që me forcën e tij mediatike është mbivendosur mbi çdo ekpert kryeministri Edi Rama.

Brenda formatit të tij, pak me një lehtësi dhe siguri prej fodulli, siç bën shpesh për çdo çështje jashtë ekspertizës së tij të limituar, (është thjeshtë piktor), dha një analizë “Haxhi Qamiliste” ku folklori, barcoletat me gjoksin e vlonjatëve dhe “analiza antropologjiste” e mentalitet vlonjat, shpjeguan arsyet e krizës së çmimeve të larta në bregdet dhe madje madje po me fodullëkun dhe lehtësinë e njeriut sipërfaqësorë dha dhe recetën: “Ulni çmimet”.

Në fakt Shqipëria jo rastësisht është klasifikuar si shteti me njohurinë financiare më të ulët në Europë, me qytetarët më të paformuar në edukim financiar… me shumë juristë, (shoqëri e konfliktit që duhen zgjidhur në gjyqe), me shumë gjithollogë si Edi Rama, por pak ekspertë financash dhe ekonomie.

Koncepti bazë, që mëson një student në ekonomi sa hyn në fakultet, është teoria e Kërkesës dhe Ofertës e cila përcakton çmimet.

Kërkesa e konsumatorit në treg përkufizohet si:
Sasia e një malli ose shërbimi që konsumatorët janë të gatshëm dhe në gjendje të blejnë me çmime të ndryshme gjatë një periudhe të caktuar.

Ligji i Kërkesës është se:
Kur çmimi i një malli ose shërbimi bie, sasia e kërkuar në përgjithësi rritet, dhe kur çmimi rritet, sasia e kërkuar përgjithësisht bie, ceteris paribus (të gjithë faktorët e tjerë janë të barabartë).

Së dyti , Oferta përkufizohet si:

Sasia e një malli ose shërbimi që prodhuesit janë të gatshëm dhe në gjendje ta shesin me çmime të ndryshme gjatë një periudhe të caktuar.

Ligji i ofertës thotë se kur çmimi i një malli ose shërbimi rritet, sasia e ofruar në përgjithësi rritet, dhe kur çmimi bie, sasia e ofruar në përgjithësi bie.

Mbi ligjin e Kërkesës dhe Ofertës ndodh dhe Ekuilibri i tregut ose Çmimi i tregut:

Çmimi me të cilin sasia e një malli të kërkuar nga konsumatorët është e barabartë me sasinë e ofruar nga prodhuesit.

Pra, mjafton njohuria bazike (që me sa duket Edi Ramës i mungon), që Çmimet e larta në Jug të cilat nuk përputhen me fuqinë blerëse të konsumatorëve, nuk është çështje barcaletash 5 lekëshe të kohës së tranzicionit me vlonjatë që rrahin gjoksin ose investitorë që makutëria ju ka errësuar logjikën.

Të gjithë ata që kanë investuar në bregdet së pari duan të fitojnë, më pas duan të fitojnë shumë.
Nuk mundet që për hir të grykësisë për të fituar shumë, të heqin dorë fare nga fitimi dhe të lënë investimet e tyre, (hotelet dhe restorantet), boshë!

Këtë logjikë e përqafon vetëm një “idiot i padobishëm por i dëmshëm” si Edi Rama.

Por përse janë atëherë të pa takuara niveli i çmimemeve në ekuilibër me kërkesën?

Unë do jap 5 arsyet e mija, por pa fodullëkun e të pasurit spektrin e të vërtetës absolute si Edi Rama. 1. Oligarkia dhe Pastrimi i Parave në Bregdet.

Në bregdetin Jonian është vrarë gara, paraja e Oligarkëve (jo e fituar nga tregu i lirë, por nga tenderat dhe korrupsioni) është konvertuar në hotele dhe resorte tepër luksoze, përtej logjikës së segmentit të konsumatorëve që ka Shqipëria (pra jo si rezultat i kërkesës, por si projekt për të pastruar paranë e fituar në tendera). Hotele pafund me kosto ndërtimi mesatarisht 1000-1500€ m2 (bashkë me mobilimin) të cilat e përsëris:

Nuk janë produkt i kërkesës për këtë shërbim, por projekt i dikujt që duhet të pastrojë paratë e fituara nga buxheti i shtetit.

Në këtë këndvështrim, investimet e Oligarkëve që zënë pjesën dërrmuese të m2 të bregdetit, kanë funksion primar sigurimin e pastrimit të parave, jo fitimin.

Pra, ata investojnë në hotele miliona euro të cilat me çmime dhomash (60-100€ nata) nuk e nxjerrin ROI kthimin e investimit as për 50 vjet. Qëllimi i oligarkëve madje nuk është ai, por kthimi në pasuri të paluajtshme prestigjoze në vendet më të rralla, në parave të tyre.

Si fituan si nuk fituan këto hotele, Oligarkët burimin e tyre e kanë te Edi Rama, te buxheti i shtetit!
E njëjta skemë ka ndodhur edhe me paratë e pista tl krimit të cilat investohen në prestanome të tjerë në Shqipëri.

2. Çmimet e lëndëve të para!

Faktorët që mund të zhvendosin kurbën e ofertës, përfshinë çmimet e inputeve dhe lëndëve të para, çmimet e mallrave të ndërlidhura.
Në Vlorë në hotele shërbehet qumësht i importit, bukë e mjellit të importit, vezë të kompanive të mëdha (s)konkurrojnë në treg oligopolësh me 2-3 kompani të mëdha që bashkarisht vendosin çmimet.

Pra që nga materialet e ndërtimit si Hekuri dhe çimento, te ushqimet bazë, nafta dhe çdo gjë tjetër grosistët i ka pjesë të Oligopoleve që nuk lejojnë garën e lirë ku të arrihet çmimi dhe cilësia më e mirë.
Kjo shpjegohet edhe me arsyen përse Shqipëria ka çmimin e karburantit më të shtrenjtë në Rajon dhe Europë, me cilësinë më të keqe.

Kjo është produkt i Edi Ramës, kontrolli politik i tij mbi shtresat e gjera të popullsisë është i lidhur me kontrollin ekonomik, dhe grosistët e mallrave në Shqipëri, (qoftë edhe ato të importit), duhet të jenë jo treg i lirë, por treg i kontrolluar nga një grusht njerëzish pranë Edi Ramës.
Kjo strukturë tregu sjell kontroll të Ramës mbi ekonominë, por sjell çmime të larta të imputeve dhe lëndës së parë të produkteve që shiten në Hotelet dhe Restorantet e Jugut!

3. Mungesa e një Plani Urbanistik për Jugun dhe masterplani ekonomik!

Në jug nuk ka një plan urbanistik sa lartësi dhe dëndësi lejohet të ndërtohet!
Dikush ndërton kullë në Lungomare, e dikush ngjitur tij një hotel 3 katësh.
Fuqia blerëse është e limituar, ose do blejë apartamente e vila, ose do të injektohet në pagesa për dhoma hotelesh.

Paralelisht nuk ecin dot bashkë, në një vend si i joni ku nuk jemi as Nice e as Monako.
Aq shumë kulla e resorte vilash që po ndërtohen në bregdet, po e asfiksojnë shërbimin hotelier!

4. Pritshmëria nga Paraja e Drogës!

Si një shiringë dopingu, çunat e Londrës dhe Amsterdamit, rritën fuqinë blerëse për disa vite me rradhë.

U ndërtua një segment turizmi mbi njerëz që shpenzonin 3-4 mijë€ në natë vetëm shampanjë.
Ky qe derivat i projektit të Kanabizimit (që më pas kaloi në Kokainizimi) të shtetit të Edi Ramës në 2017.

Për shumë arsye ajo klientelë sot po përfundon, dhe çmimet do duhet pak kohë të tregohen fleksibël për tju përshtatur fuqisë blerëse aktuale, ku Shqipëtarët kanë të ardhura mesatare sa 35% e vendeve tl BE!

5. E fundit është dhe procesi natyral i falimentit!

Jo çdo biznes është i suksesshëm, edhe në Miami dhe Mallorca ka hotele që falimentojnë nga keq administrimi. Edhe në Shqipëri nëse ka njerëz me aftësi dhe nuhatje të dobëta për biznes, dhe nuk kuptojnë çmimet e duhura për fuqinë blerës… do falimentojnë. Madje kjo është e shëndetshme për ekonominë, sepse skarton të paaftët dhe krijon hapësira të reja.

Si përfundim, në Shqipëri dora e “padukshme” e tregut, është zëvëndësuar me dorën e errët të Edi Ramës… pasojat dhe simptomat po i ndjejmë tashmë!

“Qytetarët duan ndryshimin dhe ne do t’ua mundësojmë atë”/ Mirela Karabina: Programi i demokratëve euroatlantikë është i besueshëm dhe i realizueshëm. Përballjen e kemi me Edi Ramën

E ftuar në Vizion Plus në 7pa5 me Alma Çelajn dhe Syrjan Rahova Zëdhënësja e PD- Demokratët Euratlantikë, Mirela Karabina, u shpreh se programi i prezantuar më 1 qershor nga Lulzim Basha dhe grupi i ekspertëve është i besueshëm dhe i realizueshëm.

Karabina u shpreh gjithashtu se dallimi mes demokratëve euroatlantikë dhe pjesës tjetër të politikës, është se të parët qëndrojnë te alternativa dhe argumenti, ndërsa të tjerët te fyerjet dhe sharjet.

“Programi ynë i prezantuar më 1 qershor 2024 nga profesionistë të fushave përkatëse, është një program i besueshëm dhe i testueshëm, është program që adreson problemet e qytetarëve.
Ky është dhe dallimi i politikëbërjes sonë ndryshe, përmes alternativës, argumentit, akteve politike, dhe jo përmes fyerjeve e sharjeve mes njërti-tjetrit.”
– u shpreh ajo.

Mirela Karabina u shpreh se beteja e këtij grupi politik është me Edi Ramën që okestron një qeveri e cila po shkon e gjitha para drejtësisë për vjedhje e korrupsion.

Më tej ajo ka folur edhe për situatën pas vendimit të 11 qershorit, ku u shpreh se Edi Rama ka grabitur vulën e PD-së.

Më poshtë pjesë nga biseda:

“Më 11 qershor kemi një vendim politik, Edi Rama ka grabitur vulën e PD-së.

Kryesia, Këshilli Kombëtar, Kolegji i Kryetarëv vendosën që të shterojmë hapat ligjorë drejt rekursit, kështu që ne vazhdojmë punën tonë para për qytetarët me qytetartët, me ata që votojnë dhe me ata 70% që refuzojnë votën sespe janë ë neveritur nga politikanët e korruptuar.

Qytetarët e duan ndryshimin dhe ne do dalim para tyre me integritetit, moral dhe ide konkrete.

Më 9 shtator 2021 Lulzim Basha ndau epokat dhe është misioni i Tij dhe formacionit tonë politik “Demokratët Euroatlantikë” që të vazhdojmë para për ta çuar vendin drejt zhvillimit perëndimor.

Ne jemi formacion politik që mbështesin Strukturën e Posaçme, nuk jemi pjesë e hetimeve por mbështetës i tyre, dhe ky është dallimi nga kjo klasë 34 vjeçare e korruptuar.

Kemi dëshmuar koherencë dhe qëndrueshmëri përmes akteve politike në shërbim të qytetarëve: lista të hapura, votim elektronik, Shqipëria një zonë zgjedhore, vota e diasporës, janë propozimet tona që u refuzuan nga PS dhe Rithemelimi të cilët dështuan qëllimisht Komisionin për Reformën Zgjedhore.” – përfundoi Karabina.

Reagim nga Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë: Lulzim Basha as nuk ka negociuar, as nuk ka kërkuar dhe as nuk negocion me Sali Berishën

Reagim nga Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë

Lulzim Basha as nuk ka negociuar, as nuk ka kërkuar të negociojë dhe as nuk negocion me Sali Berishen. Këto janë pretendime të rreme, të cilave u jepet jehonë nga gazetarë që me, apo padashje shndërrohen në përcjellës të mashtrimeve të zarave të Berishës dhe nuk marrin mundimin që, përpara se t’i servirin para qytetarëve, të pyesin edhe palën tjetër.

Një ndër to është edhe emisioni Top Talk, në Top Channel, nga gazetarja Juli Xhokaxhi, ku kjo e fundit e artikulonte një mashtrim të tillë.
Nëse gazetarja në fjalë nuk do të anullonte, nuk e dimë se me urdhër të kujt, intervistën me Bashën do t’i kishte marrë direkt të gjitha përgjigjet.

Por, nëse do të bënte sado pak rolin e gazetares do ta gjente një përgjigje të tillë në të gjitha emisionet e kolegëve të saj dhe në konferencën për shtyp.

Siç ka deklaruar Lulzim Basha vazhdimit, rrugët me Sali Berishën janë ndarë që më 9 shtatorin e 2021-shit. Çdo mashtrim, apo manipulim mediatik ka vetëm një qëllim: T’i shërbejnë pazarit të Sali Berishës dhe Edi Ramës.

Probleme në kriterin e rivlerësimit të pasurisë, KPA lë në fuqi shkarkimin e prokurorit Dorian Tafilaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e prokurorit Dorjan Tafilaj.

 

Ky vendim i KPA është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Kujtojmë se prokurori i Fierit u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi iu gjetën probleme në kriterin e rivlerësimit të pasurisë.

Njoftimi:

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 7/2024, datë 16.02.2024, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Dorjan Tafilaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 728, datë 28.12.2023.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 728, datë 28.12.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Dorjan Tafilaj.

– Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, më datë 18.07.2024, në Tiranë.

Denoncimi/ ‘Shko kastrohu’ ose paguaj: Pacientët me kancer vuajnë mungesën e barnave në QSUNT

Nga Ilda Hoxha/ Buxheti i vogël, korrupsioni dhe keqmenaxhimi i shtyjnë pacientët që vuajnë nga kanceri të bëjnë zgjedhje të vështira në Spitalin Onkologjik të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë.

 

E.B. me profesion mjeke, prej dy vitesh përplaset në dyert e spitalit onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë (QSUNT) së bashku me vjehrrin e saj 70 vjeç, i cili është diagnostikuar me kancer.

Edhe pse shërbimi shëndetësor ligjërisht është falas në Shqipëri për pensionistët, ajo thekson se janë të detyruar që t’i blejnë me para nga xhepi një barnat për për trajtimin e prostatës, duke paguar 300 euro për një injeksion çdo 3 muaj.

“Nuk e japin për persona mbi 70 vjeç, kemi urdhër nga Ministria thonë, por unë urdhrin nuk e pashë asnjëherë të shkruar,” shprehet ajo.

Kolegët e Onkologjikut i kanë ofruar si “zgjidhje” vjehrrit të saj kastrimin. Edhe pse kastrimi është një nga metodat e trajtimit të kancerit të prostatës, ajo insistoi se zgjidhja nuk i është dukur ‘aspak njerëzore’ duke marrë parasysh se mund të trajtohet dhe me medikamentin Goserelin.

“Nuk është normale që t’i thuash një burri 70 vjeç ‘shko kastrohu’,” tha ajo. “Kjo është skandaloze,” shtoi E.B., ndërsa theksoi se mjekët e Onkologjikut i thanë ‘çfarë problemi ka’?

Vështirësitë me të cilat po përballet mjekja dhe vjehrri i saj për të siguruar ilaçin nuk janë një rast i izoluar për pacientët e Spitalit Onkologjik.

Të dhënat e mbledhura nga Faktoje nëpërmjet një ankete online nga pacientë të këtij spitali tregojnë se 64% e tyre janë detyruar të paguajnë para nga xhepi për të blerë medikamentet e nevojshme për trajtimin e tumoreve.

Sipas Eglantina Bardhit, drejtuese e organizatës “Together for Life,” mungesa e barnave vjen si pasojë e korrupsionit dhe keqmenaxhimit të sistemit shëndetësor në Shqipëri.

“Fajtori kryesor është një sistem shëndetësor i keqfinancuar, “ tha ajo, ndërsa shtoi se fajtori i dytë janë institucionet përgjegjëse, Ministria e Shëndetësisë dhe drejtoritë e spitaleve që nuk menaxhojnë mirë ato pak para që kanë. Fajtori i tretë është korrupsioni i lartë që ndodh në sistemin shëndetësor”, theksoi Bardhi.

Shqipëria ka një buxhet të vogël për shëndetësinë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (GDP) dhe sipas drejtueses së “Together for Life” kjo reflektohet më pas në kujdesin jo të mirë shëndetësor që ofrohet për pacientët.

“Kështu nëse mund të marrin shërbimin e Onkologjisë, mund të them që prokurohen shumë pak barna,” tha Bardhi, ndërsa shtoi se “është një shërbim që kërkon miliona euro investim në medikamente.”

“Ne kemi më pak buxhet sa i takon shëndetësisë krahasuar me të gjitha vendet e rajonit, pra është diku te 3% e GDP-së”, shpjegoi Bardhi.

Mungesë investimesh

Sipas raportit vjetor të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor për vitin 2023 u shpenzuan 263 milionë euro për financim e spitaleve publike. Barrën kryesore e mban Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza me 169,608 pacientë. Megjithatë, jo të gjithë pacientët që trajtohen në QSUNT janë të kënaqur me shërbimin që ofrohet.

Nëna e Etmirës është diagnostikuar një vit më parë me një lloj kanceri të quajtur “Cholangiocarcinoma”, një nga llojet e rralla të kancerit. Gruaja është trajtuar 1 vit në spitalin Onkologjik në QSUNT ndërsa operacionin e ka kryer në Turqi.

“Në Shqipëri nuk e preknin me dorë”, tregoi Etmira, e cila edhe pse ankohet për kushtet dhe menaxhimin e spitalit, e quan veten me fat që nëna e saj kishte një mjeke të mirë dhe të gatshme për ta ndihmuar në çdo moment.

“Aty është tmerr për të gjetur edhe vende,” tha Etmira, duke nënvizuar që problemet fillojnë që me rojen tek dera. Për shkak se Spitali Onkologjik nuk ofron shërbimin e imuno-terapisë, Etmira tregoi se pas operacionit në Turqi u detyrua që nënën e saj ta dërgonte për të vijuar trajtimin në Itali.

Sipas raportit të vitit 2023 të Kontrollit të Lartë të Shtetit në Spitalin Onkologjik, për shkak të vonesave në prokurime është konstatuar një mungesë e agjentëve të kimioterapisë që shkonte nga 12 deri në 34 ditë – në kundërshtim me përshkrimin e recetës mjekësore.

Mjeku Ilir Alimehmeti theksoi se problematikat në Spitalin Onkologjik janë të shumta dhe të zgjatura në kohë. Sipas tij, vetë politika e centralizimit të të gjitha shërbimeve të specializuara onkologjike në një spital të vetëm bën që shërbimi të largohet nga qytetarët.

“Investimi i ulët në trajtimin e sëmundjeve tumorale, mungesa e burimeve njerëzore, mungesa e infrastrukturës, mungesa e medikamenteve të kimioterapisë, mungesa e pajisjeve të radioterapisë”, tha Alimehemti duke listuar problemet për Faktoje.

Para nën dorë

Në muajin qershor në Spitalin Onkologjik u zbulua se si një grup mjekësh, farmacistësh, por edhe drejtuesish të QSUNT-së bënin ‘pazare’ me jetët e të sëmurëve me kancer, duke shkaktuar reagime të forta publike.

Hetimet e Prokurorisë së Tiranës zbuluan se mjekët i detyronin pacientët e sëmurë më kancer të trajtoheshin në klinika private si dhe të blinin medikamente që kushtonin mijëra euro.

Sipas anketës të organizuar nga Faktoje nëpërmjet aplikacionit ‘Engaged Community Reporting’ (ECR), 64% e personave të pyetur – përfshirë pacientë aktual të Spitalit Onkologjik, ish-pacientë dhe familjarë të tyre, shprehen se kanë dhënë para nën dorë për stafin mjekësor, që kapin shifra mijëra euro.

Eglantina Bardhit shprehet se ky nuk është një fenomen i ri dhe fatkeqësisht nuk është i kufizuar vetëm në shërbimin e Spitalit Onkologjik.

“Kjo është një situatë e njohur, jo vetëm për shërbimin e Onkologjikut në QSUNT, por edhe në shërbime të tjera po aq jetike,” tha Bardhi, ndërsa shtoi se prej 15 vitesh i ka denoncuar këto fenomene me fakte dhe investigime.

“Kemi bërë edhe protesta në mbështetje të grave me kancer për ta denoncuar këtë fenomen”, shtoi ajo.

Mungesë komunikimi

Bashkëshorti i Rezarta Agollit ka punuar për dy dekada në administratën publike në Shqipëri, por pasi u diagnostikua me kancer një vit më parë trajtimin shëndetësor u detyrua ta merrte në Itali.

“Në Onkologjik ishte skandal,” kujtoi avokatja nga Tirana. “Nuk kishte absolutisht asnjë lloj komunikimi, doktorët nuk merreshin vesh me njëri-tjetrin dhe jo me të sëmurin”, shtoi ajo.

Sipas të dhënave të mbledhura nga anketa e Faktoje, me shumë se gjysma e pacientëve dhe ish-pacientëve të Spitalit Onkologjik shpreheshin ‘të pakënaqur’ ose ‘shumë të pakënaqur’ me komunikimin e mjekëve dhe stafit të spitalit.

Sipas Eglantina Bardhit, për ta adresuar një problem të tillë reforma në sistemin shëndetësor duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe duhet fillojë nga mbështetja buxhetore dhe zhdukja e korrupsionit.

“Duhet të ndryshojë edhe mënyra e trajtimit të bluzave të bardha,” tha ajo. “Ndryshimi i mentalitetit të pacientëve, të mos u japim para mjekëve”, shtoi Bardhi.

Mjeku Ilir Alimehmeti tha se sistemi është në një situatë krize dhe për të tejkaluar gjendjen e emergjencës nevojitet menjëherë krijimi i një grupi pune gjithëpërfshirës i përbërë nga ekspertët më të mirë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Ky grup ekspertësh sipas tij duhet të monitorojë dhe vlerësojë ecurinë e parandalimit, zbulimit të hershëm, trajtimit dhe të kujdesit paliativ të kancerit dhe njëkohësisht të krijojë, implementojë dhe mbikëqyrë planin afatshkurtër të përballimit me sëmundjet tumorale sipas rekomandimeve dhe objektivave të qëndrueshme të EU-së dhe OBSH-së./faktoje.al