18.5 C
Tirana
E diel, 11 Maj, 2025

Denoncimi/ ‘Shko kastrohu’ ose paguaj: Pacientët me kancer vuajnë mungesën e barnave në QSUNT

Nga Ilda Hoxha/ Buxheti i vogël, korrupsioni dhe keqmenaxhimi i shtyjnë pacientët që vuajnë nga kanceri të bëjnë zgjedhje të vështira në Spitalin Onkologjik të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë.

 

E.B. me profesion mjeke, prej dy vitesh përplaset në dyert e spitalit onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë (QSUNT) së bashku me vjehrrin e saj 70 vjeç, i cili është diagnostikuar me kancer.

Edhe pse shërbimi shëndetësor ligjërisht është falas në Shqipëri për pensionistët, ajo thekson se janë të detyruar që t’i blejnë me para nga xhepi një barnat për për trajtimin e prostatës, duke paguar 300 euro për një injeksion çdo 3 muaj.

“Nuk e japin për persona mbi 70 vjeç, kemi urdhër nga Ministria thonë, por unë urdhrin nuk e pashë asnjëherë të shkruar,” shprehet ajo.

Kolegët e Onkologjikut i kanë ofruar si “zgjidhje” vjehrrit të saj kastrimin. Edhe pse kastrimi është një nga metodat e trajtimit të kancerit të prostatës, ajo insistoi se zgjidhja nuk i është dukur ‘aspak njerëzore’ duke marrë parasysh se mund të trajtohet dhe me medikamentin Goserelin.

“Nuk është normale që t’i thuash një burri 70 vjeç ‘shko kastrohu’,” tha ajo. “Kjo është skandaloze,” shtoi E.B., ndërsa theksoi se mjekët e Onkologjikut i thanë ‘çfarë problemi ka’?

Vështirësitë me të cilat po përballet mjekja dhe vjehrri i saj për të siguruar ilaçin nuk janë një rast i izoluar për pacientët e Spitalit Onkologjik.

Të dhënat e mbledhura nga Faktoje nëpërmjet një ankete online nga pacientë të këtij spitali tregojnë se 64% e tyre janë detyruar të paguajnë para nga xhepi për të blerë medikamentet e nevojshme për trajtimin e tumoreve.

Sipas Eglantina Bardhit, drejtuese e organizatës “Together for Life,” mungesa e barnave vjen si pasojë e korrupsionit dhe keqmenaxhimit të sistemit shëndetësor në Shqipëri.

“Fajtori kryesor është një sistem shëndetësor i keqfinancuar, “ tha ajo, ndërsa shtoi se fajtori i dytë janë institucionet përgjegjëse, Ministria e Shëndetësisë dhe drejtoritë e spitaleve që nuk menaxhojnë mirë ato pak para që kanë. Fajtori i tretë është korrupsioni i lartë që ndodh në sistemin shëndetësor”, theksoi Bardhi.

Shqipëria ka një buxhet të vogël për shëndetësinë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (GDP) dhe sipas drejtueses së “Together for Life” kjo reflektohet më pas në kujdesin jo të mirë shëndetësor që ofrohet për pacientët.

“Kështu nëse mund të marrin shërbimin e Onkologjisë, mund të them që prokurohen shumë pak barna,” tha Bardhi, ndërsa shtoi se “është një shërbim që kërkon miliona euro investim në medikamente.”

“Ne kemi më pak buxhet sa i takon shëndetësisë krahasuar me të gjitha vendet e rajonit, pra është diku te 3% e GDP-së”, shpjegoi Bardhi.

Mungesë investimesh

Sipas raportit vjetor të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor për vitin 2023 u shpenzuan 263 milionë euro për financim e spitaleve publike. Barrën kryesore e mban Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza me 169,608 pacientë. Megjithatë, jo të gjithë pacientët që trajtohen në QSUNT janë të kënaqur me shërbimin që ofrohet.

Nëna e Etmirës është diagnostikuar një vit më parë me një lloj kanceri të quajtur “Cholangiocarcinoma”, një nga llojet e rralla të kancerit. Gruaja është trajtuar 1 vit në spitalin Onkologjik në QSUNT ndërsa operacionin e ka kryer në Turqi.

“Në Shqipëri nuk e preknin me dorë”, tregoi Etmira, e cila edhe pse ankohet për kushtet dhe menaxhimin e spitalit, e quan veten me fat që nëna e saj kishte një mjeke të mirë dhe të gatshme për ta ndihmuar në çdo moment.

“Aty është tmerr për të gjetur edhe vende,” tha Etmira, duke nënvizuar që problemet fillojnë që me rojen tek dera. Për shkak se Spitali Onkologjik nuk ofron shërbimin e imuno-terapisë, Etmira tregoi se pas operacionit në Turqi u detyrua që nënën e saj ta dërgonte për të vijuar trajtimin në Itali.

Sipas raportit të vitit 2023 të Kontrollit të Lartë të Shtetit në Spitalin Onkologjik, për shkak të vonesave në prokurime është konstatuar një mungesë e agjentëve të kimioterapisë që shkonte nga 12 deri në 34 ditë – në kundërshtim me përshkrimin e recetës mjekësore.

Mjeku Ilir Alimehmeti theksoi se problematikat në Spitalin Onkologjik janë të shumta dhe të zgjatura në kohë. Sipas tij, vetë politika e centralizimit të të gjitha shërbimeve të specializuara onkologjike në një spital të vetëm bën që shërbimi të largohet nga qytetarët.

“Investimi i ulët në trajtimin e sëmundjeve tumorale, mungesa e burimeve njerëzore, mungesa e infrastrukturës, mungesa e medikamenteve të kimioterapisë, mungesa e pajisjeve të radioterapisë”, tha Alimehemti duke listuar problemet për Faktoje.

Para nën dorë

Në muajin qershor në Spitalin Onkologjik u zbulua se si një grup mjekësh, farmacistësh, por edhe drejtuesish të QSUNT-së bënin ‘pazare’ me jetët e të sëmurëve me kancer, duke shkaktuar reagime të forta publike.

Hetimet e Prokurorisë së Tiranës zbuluan se mjekët i detyronin pacientët e sëmurë më kancer të trajtoheshin në klinika private si dhe të blinin medikamente që kushtonin mijëra euro.

Sipas anketës të organizuar nga Faktoje nëpërmjet aplikacionit ‘Engaged Community Reporting’ (ECR), 64% e personave të pyetur – përfshirë pacientë aktual të Spitalit Onkologjik, ish-pacientë dhe familjarë të tyre, shprehen se kanë dhënë para nën dorë për stafin mjekësor, që kapin shifra mijëra euro.

Eglantina Bardhit shprehet se ky nuk është një fenomen i ri dhe fatkeqësisht nuk është i kufizuar vetëm në shërbimin e Spitalit Onkologjik.

“Kjo është një situatë e njohur, jo vetëm për shërbimin e Onkologjikut në QSUNT, por edhe në shërbime të tjera po aq jetike,” tha Bardhi, ndërsa shtoi se prej 15 vitesh i ka denoncuar këto fenomene me fakte dhe investigime.

“Kemi bërë edhe protesta në mbështetje të grave me kancer për ta denoncuar këtë fenomen”, shtoi ajo.

Mungesë komunikimi

Bashkëshorti i Rezarta Agollit ka punuar për dy dekada në administratën publike në Shqipëri, por pasi u diagnostikua me kancer një vit më parë trajtimin shëndetësor u detyrua ta merrte në Itali.

“Në Onkologjik ishte skandal,” kujtoi avokatja nga Tirana. “Nuk kishte absolutisht asnjë lloj komunikimi, doktorët nuk merreshin vesh me njëri-tjetrin dhe jo me të sëmurin”, shtoi ajo.

Sipas të dhënave të mbledhura nga anketa e Faktoje, me shumë se gjysma e pacientëve dhe ish-pacientëve të Spitalit Onkologjik shpreheshin ‘të pakënaqur’ ose ‘shumë të pakënaqur’ me komunikimin e mjekëve dhe stafit të spitalit.

Sipas Eglantina Bardhit, për ta adresuar një problem të tillë reforma në sistemin shëndetësor duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe duhet fillojë nga mbështetja buxhetore dhe zhdukja e korrupsionit.

“Duhet të ndryshojë edhe mënyra e trajtimit të bluzave të bardha,” tha ajo. “Ndryshimi i mentalitetit të pacientëve, të mos u japim para mjekëve”, shtoi Bardhi.

Mjeku Ilir Alimehmeti tha se sistemi është në një situatë krize dhe për të tejkaluar gjendjen e emergjencës nevojitet menjëherë krijimi i një grupi pune gjithëpërfshirës i përbërë nga ekspertët më të mirë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Ky grup ekspertësh sipas tij duhet të monitorojë dhe vlerësojë ecurinë e parandalimit, zbulimit të hershëm, trajtimit dhe të kujdesit paliativ të kancerit dhe njëkohësisht të krijojë, implementojë dhe mbikëqyrë planin afatshkurtër të përballimit me sëmundjet tumorale sipas rekomandimeve dhe objektivave të qëndrueshme të EU-së dhe OBSH-së./faktoje.al

Agjencia e Inteligjencës Financiare: Nga investimi në biznese, tek pasuritë e paluajtshme, ja si i pastrojnë paratë zyrtarët e korruptuar

Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF), në Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit 2024-2030, jep një informacion mbi mekanizmat e përdorur nga personat e ekspozuar politikisht për pastrimin e parave të përfituara nëpërmjet veprave penale të korrupsionit apo shpërdorimit të detyrës.

 

Sipas AIF, këta persona pas përfundimit të detyrës apo funksionit publik kryejnë investime në vlera të larta në një biznese, pa një burim të qartë të ardhurave. Një formë tjetër e pastrimit të parave është edhe deklarimi i fitimeve të larta të menjëhershme nga bizneset e zotëruar nga ish- persona të ekspozuar politikisht.

Një fenomen tjetër i vërejtur nga AIF është qarkullim fondesh të larta në llogaritë individuale deklarohen si të ardhura nga biznesi, por që janë të pajustifikuara nga të ardhurat e biznesit.

Një tipologji tjetër e konstatuar nga AIF është vendosja fillestare e administratorëve ose përfaqësuesve ligjor, por edhe e ortakëve të personave juridikë pa të dhëna për aktivitet kriminal, por dukshëm pa përgatitje të duhur në kulturë ekonomike apo arsimore për të zotëruar ose zhvilluar aktivitete të tilla tregtare, që zotërohen de facto nga persona të ekspozuar politikisht dhe që më pas kalohen në emër të tyre. Një pjesë e këtyre shoqërive, në raste sporadike, janë të përfshira në fushën e prokurimeve publike.

Një segment i rëndësishëm i pastrimit të parave të korrpusionit ngelen pasuritë e paluajtshme. AIF vëren se këta individë kryejnë investime në pasuri të paluajtshme mbas mbarimit të detyrës pa një burim të qartë të ardhurave, ose kryejnë investime në pasuri të paluajtshme me çmime të deklaruara që qëndrojnë poshtë vlerës së tregut.

Për sa i përket subjekteve të tjera, AIF vlerëson se individët rezidentë vazhdojnë të jenë grupi më i madh i subjekteve të përfshira në aktivitete me potencial pastrimin e parave.

Skenarët e rrezikut më të lartë që lidhen me individët janë blerja e pasurive me burim të panjohur apo të pajustifikuar; përfitimi i transfertave të shpeshta dhe në vlera të vogla nga individë pa një lidhje të qartë mes tyre; depozitimi në llogari bankare të shumave cash me burim të panjohur; blerje pasurish të paluajtshme nën vlerë dhe rivlerësim brenda një kohe të shkurtër; veprime financiare (përfshi depozitim, transferta, investim në pasuri të paluajtshme apo të luajtshme) nga persona të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale; investim në vlerë të lartë në pasuri të paluajtshme nëpërmjet përdorimit të personave të tretë.

Për individët jo rezidentë, skenarët kryesorë të lidhur me pastrimin e parave janë krijimi dhe regjistrimi i subjekteve juridike rezidentë dhe përdorimi i llogarive të tyre bankare për marrjen apo dërgimin e transfertave nga/drejt juridiksioneve të ndryshme pa një lidhje të qartë me objektin e veprimtarisë të shoqërisë, me dyshime të lidhura kryesisht me evazionin fiskal; realizimi i investimeve, kryesisht në pasuri të paluajtshme, pa një burim të qartë të ardhurave.

Personat juridikë rezidentë, sipas AIF, vazhdojnë të përfaqësojnë numrin e dytë më të madh të subjekteve të përfshirë në aktivitetin e mundshëm të pastrimit të parave, kryesisht me burim të ardhurash nga krime në fushën tatimore, mashtrimi, krimi i organizuar, korrupsioni. Skenarët kryesorë përfshijnë:

vendosjen e fondeve me origjinë të panjohur në qarkullimin real tregtar;

-investimin në pasuri të paluajtshme në emër të shoqërisë ekzistuese të zotëruar nga persona të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale në vlera të pajustifikuara me burime të ligjshme;

-përfitimin e transfertave të larta në llogari biznesi të personit të dyshuar si i përfshirë në veprimtari kriminale nga shoqëri pa një lidhje të qartë mes shërbimit ose mallit të ofruar dhe pagesës;

-përfshirjen e një individi të vetëm në disa subjekte të cilat kanë të njëjtin objekt veprimtari apo të njëjtën adresë dhe kryerja e transaksione pa një lidhje të qartë midis palëve të transaksionit;

-transferta të dyshimta të përfituara në llogari të një shoqërie, që nuk ka aktivitet të mirëfilltë ekonomik;

-përdorimi i subjekteve juridike për përfitimin e transfertave nga jashtë nëpërmjet mashtrimit ku pjesa dërmuese e fondeve kanalizohen jashtë vendit dhe një pjesë tërhiqen cash.

Ndeshja Shqipëri-Kroaci zgjidhet nga UEFA si një nga 10 sfidat më të bukura të Euro 2024…

Jehona e finaleve të Kampionatit Europian “Gjermani 2024” vazhdon ende edhe pas përfundimit të saj mbrëmjen e 14 korrikut.

UEFA ka përzgjedhur së fundmi 10 ndeshjet më të spikatura të finaleve të EURO 2024 dhe mes tyre është edhe takimi i grupit B mes Shqipërisë dhe Kroacisë, që përfundoi me rezultatin 2-2.

Sipas UEFA-s, këto janë ndeshjet me intensitet më të lartë loje, spektakël, raste, gola të bukur, përmbysje rezultati dhe gola të shënuar në minutat e fundit.

Ndeshja Shqipëri – Kroaci konsiderohet nga UEFA si një nga sfidat më të bukura të këtij Europiani. Në këtë duel ballkanik, Qazim Laçi kaloi fillimisht në avantazh kuqezinjtë në minutën e 11-të, ndërsa kroatët barazuan rezultatin me Kramariç në minutën e 74-t. Në të 76-tën, Klaus Gjasula shënoi një autogol, ndërsa në minutën e 5-të të kohës shtesë ishte po djaloshi kuqezi ai i cili realizoi golin e barazimit.

Ndër sfidat e tjera të përzgjedhura nga UEFA janë edhe Gjermani-Skoci (5:1), Turqi-Gjeorgji (3:1), Kroaci-Itali (1:1), Holandë- Austri (2:3), Spanjë-Gjeorgji (4:1), Austri-Turqi (1:2), Gjermani-Spanjë (1:2), Spanjë-Francë (2:1), Holandë-Angli (1:2).

Për këto 10 takime, UEFA ka hapur dhe një sondazh, ku të gjithë futbolldashësit mund të votojnë ndeshjen e tyre të preferuar.

Ju mund të votoni duke klikuar në këtë link: 10 ndeshjet më të bukura të EURO 2024. Kush ishte e preferuara juaj? 

Kryeministri i Britanisë paralajmëron: Kërcënimi nga Rusia ekziston për të gjithë Evropën! Ka ardhur koha që…

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer ka deklaruar se “kërcënimi nga Rusia ekziston për të gjithë Evropën”.

 

Në fjalimin e tij hapës në samitin e Komunitetit Politik Evropian, ai ka thënë se “shumë kanë parë sulme ndaj demokracisë sonë”, duke përfshirë aeroplanët ushtarakë që hyjnë në hapësirën tonë ajrore dhe anijet që patrullojnë bregdetin tonë”, raporton BBC.

Ai ka deklaruar se është koha që e gjithë Evropa të bëjë më shumë dhe të “qëndrojë së bashku” për “të ruajë kufijtë e Evropës”.

“Për paqen dhe sigurinë, për prosperitetin dhe të gjithë njerëzit tanë – ne kemi treguar në G7, ku ne përdorim asetet e Rusisë për të siguruar që ata të paguajnë për dëmin e shkaktuar dhe për të reduktuar varësinë tonë kolektive nga gazi rus”, tha kryeministri britanik.

Basha uron Ursula Von Der Leyen për rizgjedhjen e saj si Presidente e KE

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka uruar Ursula Von Der Leyen për zgjedhjen e saj për herë të dytë në krye të Komisionit Europian. Me anë të një postimi në X, Basha shkruan se udhëheqja e fortë, vizioni dhe vendosmëria e saj janë përbërës që nevojiten për të çuar përpara familjen evropiane me bindje dhe besim në momente vendimtare për të ardhmen e kontinentit dhe botës.

Postimi i plotë i Bashës:

Urime Ursula Von Der Leyen për këtë mandat të dytë të merituar. Udhëheqja e fortë, vizioni dhe vendosmëria e saj janë përbërës që nevojiten për të çuar përpara familjen evropiane me bindje dhe besim në momente vendimtare për të ardhmen e kontinentit dhe botës. Vlerat që qëndrojnë në themel të familjes së madhe PPE janë busulla që e mban këtë Union të madh dhe të bashkuar në rrugën e duhur. Ne si shqiptarë ndihemi pjesë e kësaj familjeje të madhe vlerash dhe do të bëjmë gjithçka për t’u bërë pjesë e saj, me besim se do të gjejmë mentorin dhe avokatin e duhur në udhëheqjen e Von Der Leyen dhe PPE.

U vendos në regjimin “41 bis”, GJKKO rrëzon kërkesën e të dënuarit me burgim të përjetshëm (EMRI)

GJKKO ka rrëzuar kërkesën e të dënuarit me burgim të përjetshëm, Nikollin Topalli për të anuluar vendimin e ministrit të Drejtësisë që e futi atë në regjmini e posaçëm “41bis”.

Kundër këtij vendimi, thote GJKKO mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve.

Nikolin Topalli u vendos në regjimin e posaçëm në maj të këtij viti. Ai është i dënuar me burgim të përjetshëm pasi është shpallur  fajtor për vrasjen e Gjok Ndoc Ndreka, 37 vjeç, banues në fshatin Gramsh. Ngjarja ndodhi në vitin 2001 për motive pronësie, ku mbeti i plagosur dhe vëllai i viktimës.

Topalli u shpall fajtor për veprën penale “Vrasje me dashje në rrethana cilësuese; Armëmbajtje pa leje” parashikuar sipas neni. 79/dh,278/2 të Kodit Penal.

Vendimi:

  1. Kërkuesi Nikolin Topalli më datë 16.05.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Anullimin e urdhërit të Ministrit të Drejtësisë nr. 284 datë 09.05.2024, “Për vendosjen në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë të të burgosurit Nikolin Topalli”.
  2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112 dhe 471 e vijues të Kodit të Procedurës Penale dhe nenin 17 të Ligjit nr. 81/2020, datë 25.06.2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, me vendimin Nr. 295, datë 18.07.2024, vendosi:
  3. Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit (të dënuarit) Nikolin Topalli.
  4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi.

Tiranë, më datë 18.07.2024

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizua

Historia e rrallë në burgun e Repsit: Kur komandanti i kampit e urdhëroi të lidhte një plak, kapter Mark ‘gjigandi’, iu kthye me fjalët që rrallë ndonjë xhelat i ka nxjerrë nga goja…

Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.

Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!

Autori

                                                                                                   SHKËLQIM ABAZI

                                                                         R E P S I

                                                       (Kampi i punës së detyruar)

                       Memuaristikë

Ngrita sytë andej nga duhet të binte qielli dhe shtova: “Të falem, o Zot i Madh”! Mbas lutjes, u plasa si pulë e lagur në një kënd të birucës. E falenderoj me respekt të veçantë Mark “mustakuqin”, po besoj s’do jem i vetmi; me mijra të burgosur të tjerë, në rrjedhën e viteve, e njohën atë dhe të ngjashmit me të. Edhe pse të pakët në numër, ata kanë mbetur të kujtesën tonë, si etalon i policit të ndershëm dhe i mirditorit hallexhi. Me atë polic, po edhe me ca të tjerë, ruajta raporte mirëkuptimi, me sa mund të ketë të tilla, mes xhelatit dhe viktimës. Dua të them, se policë si ai, ishin të rrallë; ata kryenin detyrën pa abuzuar, dinin të ndanin ligjin nga teprimet. Gjithsesi në kampin e Spaçit, në zonën e dytë, kam patur rast të njoh dhe më pas, një të tillë.

Mbas dy vjetësh, në minierat e piritit, fati do më piqte me një tjetër Mark. Kur komandanti i kampit Çelo Arrëza, e urdhëroi të lidhte një plak që e ndëshkonin për mosrealizim norme, Mark “gjigandi”, iu kthye me fjalët që rrallë ndonjë xhelat i ka nxjerrë nga goja: “Or shoq, a don me e vra?! E vras me kobure, po sun e lidh një burr të pa armatosun, për ma tepri, të vjetën”! Dhe kur komandanti i shfreu: “Të urdhëroj!” Ai ja ktheu: “Or shoq, kafsha lidhet, burri vritet!”

Por kur të vijë radha, do flas për Mark “gjigantin”. Sapo i shpranguar kapërceva pragun, u ç’tensionova dhe u plandosa në këndin ku më shpunë këmbët. Ishte hera e parë që provoja qelitë e kampit. S’e kisha idenë ç’përfaqësonin ato. Godina e spostuar në skajin më verior, larg kapanonëve të fjetjes, nën karakollin e rojës, ish nga cepat më ideal, për tortura të fshehta. Edhe të klithje, edhe të vije kujën, askush s’të dëgjonte, veç ushtarit me automatik, që do ndihej i lumtur të qëllonte mbi këdo të dënuar politik, për më tepër, gëzohej edhe një dekorate dhe lejes pesëmbëdhjetë ditorëshe.

Gjatë hetuesisë më kishin ndërruar disa qeli, por fundja, të tëra ishin pjesë e së njëjtës godinë, pavarësisht se ishin instaluar në pjesën fundore, në bodrumet me lagështirë. Kur bëra krahasimin mes kësaj munxe dhe atyre të hetuesisë, m’u dukën lule birucat e Shkodrës. Më një sy të shpejtë, ambienti këtu m’u duk tmerr e, kaluar tmerrit. Sido që këto do t’iu përkisnin ditëve në vijim, ato çaste iu gëzova të paktës: “Shyqyr o Zot që më ruajte nga ndëshkimi dhe gjymtimi fizik”!

I kruspullosur në kënd, përsërita edhe njëherë: “Të falem o Zot i Madh”! dhe u shkreha, si një ngrehinë akulli nën zhegun e korrikut. – “Zoti ndih të ndershmit e besimtarët”! – ushtoi një zë tenori, që çau tej e përtej soletën e betontë. Bash atë çast kuptova, se s’isha i vetëm në qeli, një hije lëvizte tej e ndanë tretësirës. M’u desh pak të më ambientoheshin sytë me terrin, që të shquaja një burrë të moshuar, që shëmbëllente me ca karikatura groteske të revistës “HOSTENI”; kokëmadh me një qafë të thatë, mbi një trup tepër të dobët. Aq i hequr ish ai, sa ta thoshte mendja, se shpirti i rronte në eter.

E shihja për herë të parë këtë fytyrë. Në ecejake e sipër, më hodhi sytë, si për të më vënë mbi kandar e, në heshtje vijoi varavingat përgjatë qelisë. Teshat më kullonin ujë, vendi ku u ula, shpejt u shndërrua në pellgaçe. Llurba që kish rrjedhur mbi dysheme nga opingat e përbaltura, kish lenë një vazhdë argjile të murrme, përzier me shtrepa gjaku. Po më kërcëllinin dhëmbët. Nga këndi ku isha strukur, falenderova me vete bashkëqeliasin që s’po më shqetësonte me muhabete të kota. Po s’kaloi gjatë e dy zëra të njëkohshëm çanë terrin: – “Kush je ti”? – pyeti i pari. – “Kë ke rraf”? – i dyti. I dëgjoja qartë, ndjeva edhe frymëmarrjet e tyre, si t’i kisha pas kurrizit, por me gjithë ngulmimin për të shquar në gjysëmterr, s’arrita të dalloja tjetër njeri, veç karikaturës që bareste kokë-rrëzuar.

Shpejt e kuptova, s’kisha nga t’ua shihja fytyrat, sepse flisnin nga qelia ngjitur dhe në mes, na ndante pareti i betontë e dyert e hekurta të siguruara me dryna të mëdhenj. E mora me mënd, ata kishin ndjekur bisedën mes meje dhe Mark “mustakuqit”, kishin dëgjuar se kish ndodhur një sherr dhe se viktima ish një person negativ, por pyesnin ta saktësonin nga goja ime. Iu tregova shkurt ç’më kishte ngjarë dhe cili isha. Pa mbaruar ende fjalën, fqinjët e panjohur më përgëzuan. Të ngazëllyen shpërthyen në lëvdata, urime dhe premtime. – “Veçse tash hap sytë, ke m’i pas hije, në shpinë”! – më ushtoi sërishmi, zëri i fuqishëm që bëri të kumbonte tavanin e qelisë. Ky ton i lartë tersi, më shtangu. S’mund ta besoja se ky tip karikature, i dobët dhe i ronitur, të kish këtë zë të jashtëzakonshëm. Pastaj kur jehona vazhdoi edhe mbasi ai heshti, habia m’u shumëfishua.

Interesant, nga ky gurmaz i thatë e i hollë, gjithë damarë e deje, që shquheshin qartë edhe këtu në gjysmë-terr, të dalë ky zë i trashë, po çuditërisht i butë?! – “Duhet burni e madhe, m’u përballë me djallin”! – shtoi përsëdyti me të njëjtin ton. – “Janë të mbrapshtë k’ta, or mik”! – theksoi, në dialekt malësori. Më hynë dridhmat në zemër, dhëmbët që fërkoheshin me njëri tjetrin, nxirrnin kërkëllima. S’isha i aftë ta shterja këtë zhurmë. Tringëllima e nofullave, duket i tërhoqi vëmendjen bashkëqeliasit sepse m’u avit pranë dhe më kqyri me ngulm nga lartë poshtë. – “A po mbërdhin, a”? – “Po, shumë”! – “Po ti kënke ba qull, or burr! Kulloke ujë, si me t’pas qit prej posit”! – shtoi, kur pa pellgun poshtë meje.

– “Ç’të bëj, më mbajtën pas shtyllës për katër orë”! – ia ktheva. – “Dhe sot kan rrudh qiejt, lavd i kjoftë të Madhit Zot”! – “Po, qe qamet i madh”! – pohova mes drithërimave. – “Ani, baj gajret! Pas pak, kanë me ardh me na qit për nevoja personale dhe kan me na shti ene bataniet”. – “Do edhe shumë”? – “Dreqi e blen mendjen e tyne”! – bëri nja dy ec-e-jake, pastaj shtoi: – “Po deri at’her, duhet me lujt! Mos rrin galuc, he burr, se ke me ngri krejt! ajd, çohu tash, e mate qelën me turr, m’u nxef nji fije”! U çova me përtesë. Nisa t’i vija rreth qelisë. Në fillim ngadalë, pastaj ë shpejt dhe më pas, me vrap.

Plaku u ngul në mes, si një trajner që stërvit atletin e tij, ndërsa unë, sillesha në këtë minifushë me përmasa mikroskopike. Porse ky lëm, s’ishte ndonjë shesh rrumbullak, po një hapësirë drejtkëndëshe, prej dhjetë këmbë gjatësi dhe gjashtë gjerësi dhe për rrumbullak, s’kish ndonjë copë hu të ngulur midis, po një qenie të gjallë. Renda për disa minuta rreth këtij limiti. Shumë shpejt i ndjeva efektet, këmbët zunë pozicionet e tyre dhe s’kërkëllinin më si më parë. Por teshat e lagura vazhdonin të rridhnin ende dhe të më peshonin rëndë mbi trup. Dukej, pambuku mbushës ish tejngopur përtej kapacitetit të tij thithës, ndaj teprinë e nxirrte në formë rrjedhe.

Tashmë i ngrohur disi, teshat m’u dukën barrë, ndaj e hoqa peliçen dhe e flaka te dera. – “Kënke qull, or djalë, duhet m’i shtrydh teshat, nji për nji! Hiqi ene opingat e kalcet e leshit, se kan me t’kallë plevitën”! – urdhëroi me ton të lartë trajneri kokëmadh, me pamje si të Mentorit. Çuditërisht çdo fjalë që nxirrte nga goja, dukej urdhëruese, mbase për shkak të atij toni dhe të asaj pamje, ngjasonte me Mentorin e lashtësisë. U zhvesha pa fjalë. Hoqa xhaketën prej doku, zhvesha pantallonat e çorapet e leshta. Mbeta këmbëzbathur, vetëm në benevrekë dhe në bluzë. – “Hiqi dhe ato”! – urdhëroi Mentori.

Ndjeva turp, më mungonte kuraja të zhvishesha para një të huaji, aq më tepër një plaku flokëbardhë, që pas çdo fjale të impononte respekt. Por vetullat e rëna të Mentorit, s’të linin hapësirë. U binda, zhvata bluzën e leshtë që më ish ngjitur pas shtatit por,… m’u lëndua klavikula. Një dhimbje therëse më sëmboi në zemër, një ofshamë e thekur më shpëtoi nga buzët: – “Oh, o-o-oh”! – rënkova. Sado u përpoqa ta platitja, s’m’a mbajtën dhëmbët, sepse u drithëruan dhe klithma doli pavullnetshëm.

– “Hajd, nepi or burr, mos ki marre, se meshkuj jena! – u rrek të më jepte zemër plaku, që pasthirrmën time, e kish marë si shenjë turpi. – “Për ma tepri, ti je i lagun ligsht, t’duhet m’u tha! Po njitu s’kena ku, ndaj duhet m’i shtrydh fort”! – shtoi me tonin e lartë. Kur vuri re hezitimin, u shty më tej: “S’kalohet tan nata e lume, t’u u dridh, or djalë”! Me sforco mbinjerëzore, e hoqa edhe këmishën prej pupuline të ashpër, mbeta në kanatjerë dhe në benevrekë. – “Hiqe dhe atë”! – Mentori, shënjoi kanatieren. – “Njitu ke m’i shtrydh”! – me gishtin tregues më bëri shenjë drejt derës së hekurt. – “A e shef nji kët hallkën, futi e rrotulloj me forcë”!

U avita te dera, gati në mes pashë një tip dorëze prej profili të rrumbullakët, rreth njëzet centimetër e gjatë dhe sa të nxinte dorën, e gjerë. Dukej, ustai e kish salduar enkas, për raste të tilla. Mbase ai saldator, do ketë qenë padyshim ndonjë i dënuar i vjetër, me përvojë të gjatë në biruca. “Mbase e ka ngjitur atë vjegëz aty, për t’iu gjindur heshturazi bashkëvuajtësve apo, edhe vetes së vet”?! Ky mendim më shkoi ndërmend, atë çast kur futa kanatjerën për ta shtrydhur. E mbështolla tura rreth dorëzës së hekurt por sapo i dhashë forcë për ta rrotulluar, pavetëdijshëm më doli nga fyti një klithmë e mprehtë.

Dhimbja e klavikulës nga sipër supit, e shumëfishuar u shpërngul në zemër. Më erdhi qelia vërdallë, si të më kishin lidhur në epiqendrën e një fuge vërtitëse dhe fuga rrotullohej me shpejtësi skëterre, e më përplasi pa ndjenja, përdhe. Sot s’jam në gjendje të kujtoj, ç’ndodhi më pas, veçse kur fitova vetëdijen, ndjeva se po më fërkonin me një shtupë. Kur u ndërgjegjësova, plaku më bëri shenjë të heshtja; ndërkohë vazhdoi fërkimin mbi klavikulën e lënduar. Sikur u lehtësova disi, tashmë dhimbja më dukej më e suportueshme. – “Të paskan sakatue katilët, po lavdi t’shenjtës Mari, s’paske thymje”! – tha, si të fliste me vete. – “Ene n’kyçe, t’rrjedhka gjak”!

Unë e dëgjova, por qëndrova sy pulitur sepse, sikur më lehtësonte fërkimi mjeshtëror i atyre duarve kockore. Mbase kjo ndjesi përftohej edhe për efekt të dashamirësisë që rrezatonte ajo fytyrë e rreptë. – “Kënke i dërmum, or burr, duhet m’u kurue”! – dhe gishtat mjeshtëror kalonin kujdesshëm nga eshtrat e lënduara në kyçet e përgjakur. – “S’e di si jam katandisur, po më lidhën keq”! – ja ktheva unë. – “Duket. Po njitu jena n’izolim or bir, e s’ka kush m’u kujdes”! – shtoi me merak atëror. – “Duhet me iu nënshtrue një terapie strikte”! – tashma po fliste si mjek. – “E kjo asht e mundshme, ene njitu ku jena! E more vesh”?

S’dita si ta merrja, si urdhër Mentori apo, merak prindi? S’isha në gjendje të bëja dallimin. Ato çaste ai i përngjiste edhe xherahut, kur i jep këshilla pacientit, edhe atit të merakosur. Qoftë fjala e goditur, qoftë kompetenca profesionale, s’i linin gjë mangët, as atit, as mjekut. – “Më fal! – e ndërpreva. – Mos jeni gjë mjek, ju”? – “Jo, s’jam mjek, po prift! Prift katolik”! – precizoi më tej. – “Si ju quajnë”? – “Dom Mark Hasi”, më thonë! – “Ah-ah-h-h”! – e ndërpreva me habi, sepse vërtetë i kisha dëgjuar emrin këtij prifti stoik, por askush s’më kish folur për aftësitë e veçanta në mjekësi. – “Po ç’randsi ka, he burr, tash ti ke ma s’tepri nevojë për mjek, e un diça marr vesh nga mjeksia. Në kto kushte do bajm sa t’mundim”!

Ai tërhoqi nga shqegëza kanatieren time të njomë, që varej si mustaf plënci dhe e shqeu në copëra. Me shiritin që përftoi, nisi masazhin nga sipër supit, e kaloi nën sqetull dhe mandej edhe një herë rreth e rreth gjoksit, ku e pleksi me sa mundi. Më kish fashuar ustallëkçe, sepse fill pas kësaj, u ndjeva shumë më ndryshe. Tashmë dhimbja ekzistonte, po më e lehtë, më e durueshme, më e ëmbël, nëse mund të shprehesha kështu. Mbase ndjesia e mirësisë, yshti në tru mendimin, se dikush po kujdesej për mua edhe aty, në fund të FERRIT.

“Zoti qenka i Madh, deri sa më nxori në rrugë këtë prift të uruar”, – ndërsa me gojë i thashë: – “Të falemnderoj për përkujdesjen, Dom Mark”! “Bajm’ sa t’mundena”! – ma ktheu modest. – “Ma hoqe dhimbjen! Ti qënke shënjt”! – “Jam ushtar i Jesu Krishtit”! – “Pa diskutim, do ta shpërblej një ditë”! – “Ani he burr, njitu ku na kan’ shti, gjithkush do ta bënte kët, për gjithkënd! Vet jam prift e, kam detyra shpirtërore, mirëpo na zuni”! – sërish me modesti të tepruar. Punën që s’munda ta kryeja unë, domethënë shtrydhjen e teshave të qullura, e përfundoi prifti. Pellgu i ujit përfund derës, u zmadhua.

Teshat u shtrydhën, po llurba e argjiles do përthahej mbi to sepse, s’kishe ku t’i shkundje, jo më t’i laje e, t’i ndehje të thaheshin. Kish kaluar mbi një orë nga koha që më ndrynë aty, kur nga jashtë qelisë, u ndjenë kërcitjet e llozit. Hapën derën. Nën dritën që derdhte prozhektori nga lartësia e karakollit, pashë në hajat dy policë dhe një të burgosur. I dënuari po më shihte i përqendruar. Më këqyrte në kokërdhok të syrit, sikur diç donte të më kumtonte.

Ndihmës kuzhinierin e kampit, e njihja vetëm për fytyrë, e shihja sa herë vija të merrja garuzhdën e supës, por asgjë më tepër. Zakonisht, me personat e punësuar në prapavijë dhe veçanërisht në kuzhinë, s’para afrohesha, ngaqë hallku flisnin keq dhe opinioni i shihte me sy jo të mirë, përgjithësisht i konsideronin spiunë e bashkëpunëtorë të operativit apo, thjeshtë servilë të kryetarit të zyrës teknike. Kur merrja gjellën, s’këmbeja muhabete me ta, po mbaja radhën te kazani, zgjasja tasin kur afrohesha dhe e tërhiqja, sapo më hidhnin racionin e supës, pastaj largohesha ta gjerbja ku të më zinte, o te krevati, o në ndonjë rrëzë.

Asnjëherë s’isha kthyer për një garuzhde plus edhe pse uria më gërryente zorrët. Më kishin mëkuar me idenë, se që të ruaje të paprekur dinjitetin dhe të gëzoje integritet, s’duhej të riktheheshe së dyti te kazani. Ndërkohë, në kamp njoha shumë të uritur, që u ish bërë zakon të qëndronin rreth e rrotull kuzhinës, në pritje të një porcioni të dytë, nga kjo zhizhitë e pështirë që mbetej në fund të kazanit apo, të qëmtonin zgëqeve për ndonjë krodhë bukë të flakur. Këta të burgosurit pa ndihma, pa familje ose, të braktisurit nga të afërmit, kërkonin të mbijetonin. Megjithëse rikthimi te kazani shihej si fyerje, këta mjeranë të uritur, e kishin ngrënë turpin me bukë sepse, vetëm në këtë mënyrë mund të siguronin ekzistencën.

Ndihmës kuzhinieri kish vënë tenxheren e zezë, mbi një bankë dhoge. pri saj, një trastë e madhe bezeje e pistë që s’i dallohej ngjyra origjinale. Prifti iu afrua bangës me tas në dorë, priti t’i hidhnin garruzhden e lëtyrës dhe u rikthye në qeli. E la përdhë dhe mori për nga nevojtorja që të kryente nevojat personale. Njëri nga policët, seç i pëshpëriti shoqit, që s’m’a kapi veshi sepse ende fërgëlloja; pastaj tjetri u spostua në skajin fundor të birucës, për të mbajtur në vëzhgim banjon.

– “Or tëj, a mbrend keni pshurr, a”?! – pyeti i çuditur polici, kur në gjolin pranë derës, iu laturisën çizmet lustrina. – “Ç’a tan ky uj, bre? Or tëj, a don m’e marr gjellën”! – m’u kthye mua, me gishtin shtrirë nga ndihmës kuzhinieri: – “Hajd, pra, luj”! – “Nuk kam me se”! – dhe duarbosh ndalova në prag të qelisë. – “Eja, t’i kam sjellë unë”! – u hodh i dënuari dhe si zgjidhi ushkurin e trastës, nxori një tas e diçka tjetër, që s’munda ta shihja, ngaqë polici me trup, ma kish zënë rrezen.

– “Shpejt or tëj, s’kena nge me t’prit ty”! – u hodh tjetri, nga këndi ku vëzhgonte. Hodha krahëve peliçen që ende kullonte dhe iu afrova. Te këmbët e tyre dergjej një pako e mbledhur me letër çimento. – “Merri, janë të tuat”! – ndihmës kuzhinieri me njërën dorë më zgjati trastën dhe plaçkat e paketuara, ndërsa me tjetën një tas alumini, mbushur me supë. – “Ç’je tuj i dhan, or tëj? Ç’asht, q’ajo strajcë”? – u hodh polici që vigjilonte në këndin e qelisë. – “Asgjë, enët dhe batanijet e tij”! – ndërsa fliste, i dënuari u zverdh e, vjedhurazi i hodhi policit tjetër, një vështrim të shpejtë.

Diçka nuhata, ky shikim-rrufe, nënkuptonte një konspiracion, ndaj se zgjata, po i rrëmbeva trastën nga duart dhe bëra për nga dera. – “Prit, or tëj, du me i pa vet”! – “Lëne or Preng, i kam kontrollue veta”! – ia ndërpreu zellin polici tjetër. – “Hajd pra, luj, se na thau era njitu”! – m’u ngrefos mua. – “Ç’soj robit paske ken, or burr, ke tash nji jetë me kët zanat e ke mbet fyll”! – cyti ndihmës kuzhinierin. Me ato që më dhanë, u ktheva në qoshen time. – “Or çun, s’je tuj shku n’hale njitash, apo don m’e gdhi, deri nesri nade? A po më ndin, or tëj”? – m’u drejtua polic Prenga.

Ky urdhër më solli në vete. U kujtova se s’kisha dalë jashtë, qysh para se të më lidhnin. – “Si udhëron”! – ja ktheva shkurt dhe iu drejtova banjos pas birucës. Ndërkohë, Dom Marku që kish mbaruar punë para meje, mori batanijet nga bankina dhe një fshesë degash shqope, e nisi të shtynte ujin e mbledhur jashtë pragut. Mbaroi dhe hyri brenda, mbas tij u ktheva edhe unë. Policët na mbyllën derën me lloz e kyç dhe iu drejtuan birucës fqinje.

Kalova një ditë të ngjeshur, me ngjarje që pasuan njëra tjetrën. Në një segment pak orësh, m’u desh të përjetoja disa faza: në fillim përplasja me pederastin dhe arritja në kafshëri; pastaj hutimi total nga ngjarja që as më kish shkuar kurrë në mënd se mund të ndodhte, domethënë të shndërrohesha nga viktimë në vrasës me vetëdije; mandej kryqëzimi me tel bari, për mbi katër orë, pas shtyllës në Golgotë, në të ftohtin e akullt dhe shiun e pareshtur; në fund një polic solidar që s’më lidhi me gjermanka dhe ky prift i bekuar, që m’u gjend në çastin më kritik; tani një i dënuar që pak më parë, e kisha parë si të padenjë për t’i folur dhe sërishmi, një tjetër polic solidar! Tërë këto, ishin shumë për një ditë!

Gjithsesi zorrët që po më kërcisnin, më kthyen në realitetin e hidhur. E rrëmbeva tasin me supën lëtyrë dhe e kullufita me një frymë. Rrotat e preshit, sa s’më zunë fyçkën, por më ngrohnin barkun. U plasa përtokë. Po fërgëlloja. Peliçja e lagur që kisha krahëve, më futi cërrmën. Mjaftuan pesë minutat në cingërimë, të më riktheheshin dridhmat, dhëmbët kërcëllinin më zi se më parë. Zemra më përpëlitej në gji, si zog i fryrë. Prifti kur pa se po dridhesha, më urdhëroi: – “Hidhe mënjanë at peliçe t’lagun! Hape strajcën dhe merr nji batanije e hudhe krahëve”!

S’prita të ma përsëritnin së dyti, sytë gjetën trastën e pistë në këndin më errët. Me duart që më fërgëllonin, zgjidha ushkurin e trastës dhe mbasi e zgjerova me gishta, e ktheva përmbys, e shkunda të rrëzoja sendet që ishin brenda. Po ishin të ngjeshura fort e s’po binin, ndaj futa dorën, pa një cep dhe e tërhoqa. Kur i nxora, në njërën dorë më mbeti një rrotullame lidhur model ushtarësh, me spango, ndërsa në tjetrën, strajca e pistë. U përpoqa të shprishja nyjen e korkolepsur. Me apo pa qellim, nyja ishte shtërngur tej mase, aq sa edhe me dhëmbë s’arrita ta shkokolepsja. Më ndihmoi prifti, së fundi ja dolëm. Zura cepin e një cohe të ashpër dhe vërtita mbi shpatulla. Rrotulla u zgjatua mbi dysheme dhe një shuk me rroba të tjera, u shpërndanë para këmbëve tona.

Prifti i ngriti një e nga një; ishin ca ndërresa të brendshme, mes tyre nga doli një xhamadan dhe një palë qillota shajaku, një bluzë leshi me fill të trashë, një palë çorape, po të së njëjtës dorë dhe një tjetër pako më e vogël, mbështjellë me letër çimento. Jashtë zërat qenë shuar, policët kishim përfunduar ritualin edhe me të )luarit e birucës fqinje dhe ishin larguar.

– “Paske pas miq florinit, vishu njitash”! – urdhëroi dhe njëherësh sikur përgëzoi Mentori. I nemitur ende nga e papritura që po më shihnin sytë, mekanikisht dha rrëzë derës peliçen e qullur; mora një këmishë, e vesha, mbi të një bluzë të leshtë dhe mbi të ende, një xhamadan me kopsa teli. Zgjidha mandej ushkurin e benevrekëve të lagura dhe vesha të thatat, mbi to pantallonat qillota prej shajaku dhe së fundi, çorapet e leshta.

I ngrohti m’u shpërnda në gjithë trupin, nga periferia depërtoi në brendësi, gjaku nisi të më ziente ndër deje dhe zemra zuri vend. Ç’kënaqisi ndjeva atë çast, m’u rehatua xhani! Kish triumfuar jeta! Shvoshkëm pakon prej letre; brenda dy racione buke të ndara për së gjati. “O Zot, bukë! Dy porcione ditore të një punëtori”! S’po iu besoja syve. Dikush kish hequr dorë vullnetarisht për hatrin tim, nga ushqimi i dy ditëve! Të tjerët kishin prishur terezinë, kishin privuar veten nga rrobat e shtatit! Por dikush kish rrezikuar edhe më tepër, duke marrë përsipër transportin, deri këtu në vrimën e miut! Memorie.alNga Shkëlqim Abazi

Luka Modriç është madrilen deri në 2025-ën, ja rekordet që e presin kroatin

Luka Modriç ka firmosur zyrtarisht rinovimin e kontratës së tij me Realin edhe për një sezon. Që do të thotë se ai do të luajë në moshën 39-vjeçare për kampionët e Spanjës dhe të Europës në fuqi.

 

Klubi i bardhë ka zyrtarizuar vazhdimësinë e kroatit dhe në këtë mënyrë shmang lamtumirën e dhimbshme të dyfishtë të dy lojtarëve që kanë mbretëruar në mesfushën e Realit në dekadën e fundit, Modriç dhe Toni Kros. Kroati do të luajë në këtë mënyrë sezonin e tij të trembëdhjetë me të bardhët, pasi mbërriti në verën e vitit 2012 nën drejtimin e Murinjos. Marrëveshja mes vetë Luka Modriç dhe Florentino Perez u finalizua pas paraqitjes së mirë të lojtarit në pjesën e fundit të sezonit.

REKORDET – Luka Modriç ka sfiduar këdo, duke zgjedhur të luajë për Realin në moshën 39 vjeç. Dhe natyrisht me ambicie për të tjera suksese. Me “konsumimin” e rinovimit të tij me “Los blancos”, prapa skenës qëndrojnë të tjera rekorde. Kur Modriç do të luajë një ndeshje zyrtare pas 16 tetorit, ai do të jetë futbollisti më i moshuar që ka luajtur një ndeshje si lojtar i Realit të Madridit.

Rekordi mbahet nga Pushkash, 39 vjeç e 36 ditë, kur luajti ndeshjen e fundit si madrilen në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës kundër Betisit (8 maj 1966). Është rekordi më i lehtë për t’u arritur për Modriç, por jo i vetmi. Me 26 trofe të fituar me Realin ai është së bashku me Naçon lojtari më i suksesshëm. Por me Naçon të larguar, kroati ka shansin të bëhet më i suksesshmi. Provimi i parë është Atalanta në Superkupën e Europës. Me Botërorin e ri të klubeve, Modriç do të kërkojë 7 trofe brenda një sezoni që do të ishte një rekord absolut.

Mungoi ndihma e shpejtë, turisti francez humb jetën në ishullin e Sazanit

Një turist francez ka ndërruar jetë në ishullin e Sazanit mëngjesit e ditës së sotme.

Mediat raportojnë se turisti, rreth të 40-tave ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa ndihma e parë iu dha nga bordi i një skafi që ndodhej aty dhe një turist.

Në ishullin e Sazanit mungon ndihma e shpejtë, prezenca e një mjeku apo e një qendre kujdesi, për këtë arsye e nisën me urgjencë drejt spitalit rajonal të Vlorës, por ka ndërruar jetë rrugës.

Turisti francez po pushonte në ishullin e Sazanit me familjen e tij, bashkëshorten dhe vajzën e vogël 6 vjeçe.

Qeveria nuk është kundër çmimeve të larta, thjesht nuk i pëlqen konkurrenca

Pinterest

Nga Klodian Tomorri

Kostoja e çertifikatës elektronike, që përdorin bizneset me detyrim, është më pak se 500 lekë. Por qeveria e shet atë 4 mijë lekë në vit, ose 8 herë më shumë se kosto.

Kostoja e pasaportave është më pak se 2 mijë lekë. Por qeveria ia u shet ato qytetarëve 5 mijë lekë.

Kostoja e një çertifikatë pronësie është rreth 200 lekë. Por Kadastra ia u shet qytetarëve 10 herë më shtrenjtë.

Këto krahasime mund të vazhdojnë pafundësisht, pasi thuajse të gjitha tarifat e shërbimeve publike që shteti u ngarkon qytetarëve dhe bizneseve janë disa fish mbi koston e tyre reale. Kjo e bën qeverinë padiskutim matrapazin më të madh në treg.

Por spekullantët nuk e kanë qejf konkurrencën. Ata duan që monopoli i zhvatjes të jetë vetëm i tyre. Meraku i kryeministrit se vlonjatëve dhe sarandiotëve u kanë fluturuar trutë e kokës me çmimet është thjesht dëshmia.

Megjithatë këtu nuk ka krahasim. Qeveria përdor forcën e ligjit për të zhvatur tregun me çmimet e saj abuzive. Shërbimet që ajo u shet qytetarëve me çmime disa herë mbi koston janë monopol ose më keq akoma monopole, që shesin produkte ose shërbime të detyruara me ligj. Kurse tregu i shërbimeve turistike operon në kushtet e konkurrencës ideale.

Teorikisht nuk ka forcë që mund të koordinojë të gjitha restorantet ose hotelet e Vlorës dhe Sarandës për të rakorduar çmimet. Thjesht nuk ekziston një e tillë. Ofruesit e këtyre shërbime konkurrojnë me njëri tjetrin, por jo vetëm kaq. Ata konkurrojë dhe me destinacionet e tjera. Ndaj çmimet që ata vendosin janë rezultat i pastër i forcave të tregut të lirë, ekuilibrit të kërkesës dhe ofertës.

Koncepti i çmimeve spekullative në një treg që operon në kushtet e konkurrencës perfekte nuk mund të ekzistojë. Sepse spekullimi dhe konkurrenca perfekte janë dy nocione të papajtueshme me njëra tjetrën.

Sigurisht që çmimet në tregjet konkurrenciale rriten. Por rritja e tyre është mekanizmi që e mban tregun në ekuilibrin optimal, i cili maksimizon përfitimet për shoqërinë. Për dy arsye. E para rritja e çmimeve parandalon mbishfrytëzimin e burimeve. Nga njëra anë qeveria thotë se është rritur turizmi me 80 për qind. Nga ana tjetër shqetësohet për rritjen e çmimeve. A ka marrëzi më të madhe se kjo?

Cili është ai treg që nuk i rrit çmimet nëse kërkesa rritet me 80 për qind? Dhe çfarë ndodh nëse çmimet nuk rriten? Për shembull, çfarë do të ndodhte me Ksamilin nëse çmimet nuk do të rriteshin? Si do të bëhej përzgjedhja se kush do të kishte të drejtën të pushonte në Ksamil dhe kush jo? Me llotari apo me dekret qeveritar?

Pra, rritja e çmimeve në këtë rast është e detyrueshme. E madje, ndonjëherë e pamjaftueshme për të ndalur mbishfrytëzimin e burimeve. Shikoni Kroacinë, Spanjën, Portugalinë.

Së dyti, çmimet janë mekanizmi që çon sinjalet për shpërndarjen efiçente të burimeve në treg. Sa më shumë rriten çmimet në Jug, aq më shumë investime do të ketë. Ky është një mekanizëm nga i cili përfitojnë të gjithë.

Ndaj qeveria mos të shqetësohet. Podin e matrapazit më të madh në treg nuk ja merr dot askush, sado që sarandiotëve t’u ikin trutë dhe vlonjatëve t’u plasin sytë. Ky është monopoli ekskluziv i saj./kapitali.al