Pajisja hyri me 12 mars nga Durrësi në bagazhin e një makine me targa italiane

Nga Blendi FEVZIU

Debati mbi një pajisje ilegale përgjimi ka dominuar dhe duket se do të dominojë javën politike që sapo nisi. I kthyer nga një debat mediatik në një debat legal, ku janë përfshirë Ministria e Brendshme, Prokuroria, Presidenti i Republikës, Parlamenti dhe partitë politike, përgjimi po dominohet më shumë nga misteri mbi pajisjen që e kryen atë dhe ekzistencën e saj. Policia ka pranuar se një pajisje e tillë gjendet në Shqipëri, por ka sqaruar se ajo shërben jo për përgjim, por për identifikim të vendndodhjes së numrave të caktuar telefonikë.
Po si qëndron e vërteta e pajisjes dhe përse mund të përdoret ajo? Burime nga shërbime të inteligjencës kanë deklaruar për “opinion.al” se pajisja ndodhet në Shqipëri prej më shumë se dy muajsh. Një informacion i rezervuar dëshmon se ajo është futur në Shqipëri mëngjesin e datës 12 mars 2016, nga Porti i Durrësit, në bagazhin e një makine “BMW” me targa italiane. Ne nuk kemi arritur të zbulojmë përkatësinë e makinës dhe poseduesin e saj. As lidhjet e tij me shërbimet policore apo sekrete italiane. Por dihet se pajisja nuk është deklaruar as në doganë dhe as në Prokurori, ku sipas ligjit duhej të ishte regjistruar, duke shënuar se kush do ta përdorte dhe për çfarë qëllimi.
Pajisja është një pajisje e sofistikuar izraelite e modelit “IMSI-Catcher”, e cila shërben si për identifikimin e numrave telefonikë në një distancë të madhe, ashtu edhe për dekriptimin e bisedave të kriptuara si Viber dhe Whatsaap. Pajisja luan rolin e një antene të telefonisë celulare falso dhe klonon në moment numrin, i cili do të përgjohet. Që nga ky moment, çdo bisedë audio dhe çdo sms shkon si tek numri ku është nisur ashtu edhe në numrin e klonuar që ndodhet në këtë pajisje.
Sipas një kërkimi në internet, pajisja mund të shërbejë për të bllokuar numra të caktuar, për t’i nxjerrë ata jashtë shërbimi ose për të zhurmuar telefonatat. Me një soft më të përparuar, IMSI, mund të hapë dhe të lexojë bisedat e kriptuara të platformave të ndryshme, por kjo ka një kosto shumë të lartë. Në një rrethanë tjetër, ajo mund ta kthejë telefonin e përgjuar në një mikrofon për përgjim ambiental ose përmes instalimit të padukshëm të një programi, mund të marrë të gjitha datat që ai ka, pra fotot apo testet dhe dokumentet që dikush ruan në telefon. Pajisja kushton rreth 1 milion USD, por programet e saj kanë kosto shtesë.
Policia shqiptare mendohet se e ka përdorur atë në disa operacione për identifikim të numrave në ndjekje, por nuk thuhet nëse pajisja ka modulin që përgjon apo atë që dekripton bisedat. Pra, nëse ajo është thjesht pajisja bazike që përdoret si GPS siç shprehet ministri apo është pajisja e apdejtuar me programet e përgjimit. Nuk dihet nëse herë tjetër ajo është përdorur në Shqipëri dhe për momentin mendohet se ka lëvizur nga ambientet e Policisë së Shtetit. Ajo që të bën të dyshosh është se përse policia heshti më shumë se 48 orë dhe e pranoi ekzistencën e saj me aq vonesë. Por kjo mbetet të shihet nga hetimi. Nëse gjithçka është kaq e thjeshtë sa thuhet apo pas saj ka operacione ilegale që mund të ktheheshin në një skandal politik.
“Opinion.al” ka informacione se variante më minore të së njëjtës pajisje, disponohen edhe privatisht në Shqipëri. Gjë që është krejtësisht e paligjshme dhe problematike. Por edhe kjo mbetët për t’u vërtetuar.
Debati mbi përgjimin mbetet deri këtu për momentin, por ditët në vijim me siguri do të japin një informacion më të hollësishëm…

Exit mobile version