Kapobanda Emiliano Shullazi ka kapur edhe SHKB-në në Ministrinë e Brendshme dhe doganat nëpërmjet Arben Skëndos dhe Zamir Shtyllës. Ish-kryeministri Berisha ka denoncuar publikisht në një postim në Facebook kapjen e Shërbimit Sekret të Policisë nga Emiliano Shullazi, nëpërmjet avokatëve të tij, drejtorit të SHKB-së, Arben Skëndo dhe Zamir Shtylla. Duke ju referuar mesazhit që i ka dërguar një oficer i Policisë Gjyqësore (OPGJ), Berisha zbulon edhe skemën e kësaj kapje.
“OPGJ dixhital dëshmon si futi në dorë dhe kriminalizoi Mili i Partisë, SHKB-në, shërbimin informativ të Policisë së Shtetit! Më poshtë keni mesazhin e plotë të OPGJ dixhital! Sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e OPGJ.
“Përshëndetje zoti Berisha do doja të ju bëja me dije që ky Besmir Qebini lidhjet e tij nuk ndalen tek Shullazi, por tek drejtori i SHKB, Arben Skëndo, i cili bashkë me ish-zëvendësuesin e tij Zamir Shtyllën ka qenë avokati i Emiliano Shullazit. Zamir Shtylla tashmë punon me Besmir Qebinin, duke bërë lekë me thasë në dogana. Besmiri është një mik me Arben Skëndon, drejtori i Përgjithshëm i SHKB. Kam shumë fakte se si Arben Skëndo e ka mbrojtur Besmirin, kur mbulonte aksidentet rrugore në kohën, kur ishte shef qarkullimi. Dhe sa për Arben Skëndon në rast se një oficer policie do të bënte Sk1 Sk2 për Shullazin, Arben Skëndo do e thërriste në Ministri për t’i bërë presion që të mbyllte gojën se po shkel në dërrasë të kalbur. Edhe për bombën që ju vendos babait të ministrit të Brendshëm, me shumë guxim kam përpiluar informacion që bombën e vendosi ushtari i Shullazit, por kërcënimet erdhën nga drejtori i Përgjithshëm i SHKB, që “policia duhet të mendojë se bombën e vendosi familja Gjuta”. E kuptoni zotëri se çfarë mafie është. Janë mbytur policët e pafajshëm OPGJ dhe shefat e vegjël, se Besua që s’di të shkruajë emrin e vet dhe ka frikë të mbaj armën me vete, por ja jep të fortit të lagjes ngjitet në karrierë kjo është fytyra e kupolës së policisë…. Me rrespekt OPGJ”, përfundon mesazhi i oficerit të Policisë Gjyqësore.
Emiliano Shullazi është arrestuar pas kërcënimit dhe dhunimit ndaj profesorit Mynir Koni që të tërhiqej nga gara për Rektor i Universitetit të Tiranës. Tashmë, ai po hetohet nga Prokuroria edhe për gjobëvinie ndaj biznesmenëve dhe rrëmbim pronash nën kërcënimin e armëve nga banditët e tij. Një grua biznesmene ka dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda se si Emiliano Shullazi i ka grabitur një pronë me vlerë 1 milion euro, duke e kërcënuar. Prokuroria bëri të ditur se, emri i biznesmenes nuk bëhet publik për arsye sigurie.
Sipas Prokurorisë, biznesmenia ka denoncuar direkt Emiliano Shullazin dhe krahun e djathtë të tij, Gilmando Danin për marrjen e një prone në afërsi të zonës së njohur si “Zogu i Zi” në Tiranë. Prokuroria i kërkoi policisë që ta marrë në mbrojtje biznesmenen, pasi i rrezikohet jeta nga banda e Shullazit. Mjaft biznesmenë të tjerë kanë frikë të denoncojnë Shullazin për gjobëvënie, pasi kanë frikë se u rrezikohet jeta nga banditët e Shullazit që janë të lirë.
R.POLISI