“Paketa e Maleve”, një tjetër ligj klientelist

Nga Arbjona Çibuku/ citizens.al

Qeveria po mendon ta shtrijë qasjen me investimet strategjike edhe në zonat malore. Për këtë ajo ka propozuar një projektligj të quajtur “Paketa e Maleve”, e cila pritet të votohet në Kuvend nga shumica parlamentare.

Kjo nismë i hap rrugë kalimit të pronave shtetërore tek privati kundrejt tarifës simbolike €1, sipas modelit të njohur tashmë nga ligjet e mëparshme “Shqipëria €1” apo “Investimet Strategjike”.

Në praktikë, mundësohet privatizimi i pyjeve, kullotave dhe livadheve me kushte të favorshme për bizneset që premtojnë zhvillim të zonave.

Projektligji parashikon lehtësira fiskale për ata që marrin pronësinë, me kusht që të përfundojnë projektet e miratuara brenda 10 viteve. Sidoqoftë, këto përfitime ofrohen deri në një kufi maksimal prej 500 subjektesh, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe konkurrencën.

Ekspertët kanë ngritur dyshime mbi qëllimin dhe funksionimin e këtij projektligji duke bërë paralelizime me ligjin e investimeve strategjike.

Për Zef Preçin, ekspert ekonomie, projektligji ka një lloj përsëritje të aspekteve favorizuese dhe klienteliste të ofruara dhe më parë nga ligjet që synojnë zhvillimin e turizmit.

“Çdo kornizë ligjore që injoron transparencën dhe konkurrueshmërinë nuk mund të mbrojë interesat e qytetarëve,” theksoi ai për Citizens.

Ngjashëm mendon edhe Aranita Brahaj, drejtuese e Open Data Albania, e cila shprehet se propozimi “është tipik në favor të bizneseve të caktuara”.

“Në formën e shkruar ai krijon kushte për përvetësim prone dhe lehtësira fiskale për grupe tashmë të identifikuara,” vijoi Brahaj, e cila nuk mendon se ky ligj do të tërheqë investitorë të huaj apo të diasporës, siç propagandohet.

Sipas Brahajt, ligji nuk përfshin mekanizma për të ndihmuar emigrantët që dëshirojnë të investojnë në Shqipëri, por krijon një “mini-parajsë fiskale” për një grup të vogël të lidhur me qeverinë.

“Duket si një paketë me një strategji në dobi të emigrantëve apo zonave të pazhvilluara, por në fakt ‘dhuron’ terrene, pyje dhe kosto fiskale për një grup lehtësisht të identifikueshëm personash”, tha ajo.

Kritikat nuk ndalen vetëm te klientelizmi. Ekspertët theksojnë se privatizimi i tokave pyjore dhe kullotave mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për ekosistemet dhe komunitetet lokale.

Banorët vendas, të cilët tradicionalisht mbështeten në këto toka për bujqësi dhe blegtori, rrezikojnë t’i humbasin pa ndonjë përfitim të konsiderueshëm.

“Malet janë pasuri të çmuara për komunitetet, jo vetëm për ekonominë lokale, por edhe për mjedisin,” tha Preçi. Në gjykimin e tij, propozimi i qeverisë duket si përpjekje në fushatë elektorale për të transferuar pasuri publike tek klientët e saj të preferuar.

“Krijohet përshtypja që, duke u ndërmarrë në prag të zgjedhjeve, po krijon terren për transferimin në mënyrë të pakthyeshme dhe me çmime gati qesharake në duart e klientëve të paracaktuar të këtyre pasurive publike”.

Qeveria ka dhënë 580 hektarë vijë bregdetarë për investitorët strategjikë. Bregdeti është kthyer i paakseshueshëm nga vendasit, me kosto të larta dhe dëme mjedisore në peizazh.

Por problemet më të mëdha që ka shfaqur ky ligj është klientelzimi dhe favorizimi i persoanve të afërt me qeverinë. Ky ligj dështoi të thithte investitor të huaj, në gati 90% të rasteve.

“Paketa e Maleve” paraqitet si zgjidhje për zhvillimin e zonave të pazhvilluara, por për ekspertët, ajo mbart të njëjtat rreziqe: mungesë transparence, klientelizëm dhe zhvendosje drejt urbanizimit të pakontrolluar.

Ndërsa Kuvendi përgatitet ta votojë këtë projektligj, mbetet për t’u parë nëse ai do të shërbejë vërtet për zhvillimin e zonave malore apo thjesht do të përforcojë praktikat e mëparshme të favorizimit të interesave të ngushta.

Exit mobile version