“Reuters”: Ndotja e ajrit në Ballkan kërcënon shëndetin publik dhe anëtarësimin në BE

Media prestigjioze “Reuters” i ka kushtuar një artikull ndotjes në Ballkanin Perëndimor, për të cilin thotë se mbetet i lartë për shkak të ngrohjeve të shtëpive, impiante të vjetëruara të qymyrit, makinave të vjetra dhe mungesës së parave për të trajtuar problemin.

“Reuters” shkruan se qytetet e vogla si kryeqyteti i Serbisë, Beogradi dhe ai i Bosnjes, Sarajeva, shpesh kanë kryesuar listat e ndotjes globale sipas faqeve që ndjekin cilësinë e ajrit në mbarë botën.

Por kjo ka ndikime negative në shëndet dhe gjithashtu mund të rrezikojë perspektivat e vendeve të Ballkanit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, i cili ka standarde të rrepta përsa i përket emetimeve.

“Nuk ka burime në rajon për reduktimin e ndotjes së ajrit,” u shpreh Mirko Popoviç, drejtor i Institutit Rregullator të Energjisë së Rinovueshme dhe Mjedisit në Beograd.

Një raport i Komisionit Evropian thotë se në BE emetimet e gazrave serrë kanë rënë me rreth 40% që nga viti 1990, kjo për shkak edhe të “përqafimit” të energjisë së rinovueshme.

Ndërkohë, vendet e Ballkanit Perëndimor janë zotuar të reduktojnë emetimet e karbonit, por vështirësitë ekonomike kanë ngadalësuar progresin.

“Reuters” shkruan se Kosova gjeneron më shumë se 90% të energjisë së saj nga qymyri. Banka Botërore vlerëson se një kalim në një ekonomi pa qymyr do të kushtojë 4.5 miliardë Euro.

Ministria e Energjisë e Kosovës tha për median prestigjioze se ishte e përkushtuar për reduktimin e emetimeve dhe po investonte në projektet e energjisë së rinovueshme dhe përmirësimin e impianteve ekzistuese.

Më tej, në artikull thuhet se ndikimi i ndotjes është i qartë në të gjithë rajonin, veçanërisht në dimër.

“Smogu ka mbuluar Beogradin këtë javë, ndërsa Sarajeva ndodhet në një luginë që vepron si një “kurth ndotjeje”. Cilësia e ajrit të kryeqytetit boshnjak u klasifikua si i rrezikshmi në botë, sipas “IQAir” që gjurmon nivelet e ndotjes”, shkruan “Reuters”.

Shkalla e vdekjeve që i atribuohet ndotjes së ambientit është relativisht e lartë – 114 për 100,000 njerëz në Bosnje dhe rreth 100 në Serbi dhe Mal të Zi, tregojnë të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, krahasuar me 45 në Gjermani dhe 29 në Francë.

Exit mobile version