Korporata amerikane e Aviacionit, “Boeing”, ka arritur një marrëveshje me Iranin për t’i shitur atij 100 aeroplanë për pasagjerë, njofton autoriteti iranian për aviacionin.
Kontrata është njëra prej tre marrëveshjeve të arritura mes Iranit dhe prodhuesve perëndimorë të aeroplanëve për 200 avionë, që kur Uashingtoni hoqi sanksionet ekonomike ndaj Teheranit në muajin janar.
Aviacioni civil iranian do të zëvendësojë 230 nga 250 avionët që ka ai vend, sipas zyrtarëve iranianë. Pjesa dërrmuese e Flotës së Aviacionit Civil të Iranit është në gjendje të keqe dhe ka nevojë të zëvendësohet.
Kompania “Boeing” është ende në pritje të autorizimit përfundimtar nga Departamenti amerikan i Thesarit, thonë zyrtarët iranianë.
Kontrata për aeroplanët e kompanisë “Boeing” kap shumën e 17 miliardë dollarëve dhe nëse realizohet, do të ishte hera e parë që Irani blen avionë “Boeing” që nga periudha e Revolucionit Islamik i vitit 1979.
Në janar, Irani arriti një marrëveshje paraprake me prodhuesin evropian Airbus për blerjen e 118 avionëve, ndërsa përsëri pritet autorizimi amerikan, pasi 10 për qind e pjesëve të Airbus-it janë prodhim amerikan.