SHBA nuk tërhiqet nga planet ushtarake në kufi me Rusinë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Rusi ka bërë përpjekje të qetësojë shqetësimet e Moskës në lidhje me synimet e NATO-s, ndërsa ka ofruar mbështetje të fuqishme për aleancën ushtarake.
Në një intervistë për shërbimet ruse të Radios “Evropa e Lirë” dhe “Zërit të Amerikës”, John Tefft fillimisht ka përsëritur paralajmërimet e SHBA-së për fluturimet e avionëve rusë pranë luftanijeve dhe avionëve luftarakë amerikanë, duke thënë se manovrat janë provokuese.
Komentet e tij vijnë përpara samitit të NATO-s, më 8 dhe 9 korrik në Varshavë, ku udhëheqësit e aleancës pritet të miratojnë shtimin e forcave në Poloni dhe në shtetet e Baltikut – anëtare të krahut lindor të NATO-s, të cilat kanë qenë nën domenin e Moskës gjatë kohëve sovjetike.
Shtimi i forcave synon t’i qetësojë këto vende, të cilat janë të shqetësuara me sjelljet e Rusisë, pasi kjo e fundit ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe vazhdon të mbështesë separatistët në lindje të Ukrainës.
Kremlini është ankuar me vite se, liderët e NATO-s kanë thyer premtimin se nuk do të zgjerohen drejt lindjes, në vendet e ish-bllokut sovjetik, në vitet 1990. Aleanca, këto akuza i quan të pabaza.
Ambasadori Tefft ka përsëritur garancitë e Perëndimit se, Moska nuk duhet ta shohë zgjerimin e NATO-s si akt të agresionit dhe ka thënë se shtimi i forcave në Evropën Lindore është përgjigje ndaj veprimeve të Rusisë në Ukrainë.
“NATO është aleancë e mbrojtjes. E them këtë kudo që mundem këtu në Rusi. Nuk është organizatë sulmuese. NATO përgatit veten për të mbrojtur anëtarët e saj, pasi e ka përgjegjësi me Nenin 5 (v.j. të Traktatit të Atlantikut të Veriut, për parimet e mbrojtjes kolektive)”, ka thënë Tefft.
Kremlini ka kritikuar me zemërim edhe rrjetin amerikan për mbrojtje raketore, që po vendoset në Rumani dhe Poloni.
Tefft ka thënë se, sistemi nuk është paraparë për të sulmuar Rusinë, ndonëse Moska ka kërcënuar me disa kundërmasa të paspecifikuara.
“Objektet që janë duke u vënë në Rumani dhe Poloni janë për të garantuar sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë kundër agresionit të një shteti mashtrues. Ato nuk janë sisteme sulmuese. Ato nuk janë projektuar për të sulmuar Rusinë”, ka thënë Tefft.
Ai ka theksuar se NATO mbetet një forcë e rëndësishme për stabilitetin në Evropë dhe gjetkë. I pyetur për kritikat e kandidatit republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, i cili ka thënë se NATO është “e vjetëruar”, Tefft ka mbrojtur aleancën dhe nuk i ka ofruar mbështetje asnjërit kandidat në zgjedhje.
“Nuk duhet hequr dorë nga një sistem strategjik, nga një organizatë, e cila, në këtë rast, mendoj se është aleanca më efektive mbrojtëse në të gjitha kohërat”, ka thënë Tefft.
Ai po ashtu ka kritikuar refuzimin e Rusisë për të rinisur shkëmbimet studentore me SHBA-në, në bazë të programit Shkëmbimi i Liderëve të Ardhshëm, ku Rusia i ka dhënë fund pjesëmarrjes së saj dy vjet më parë.
Ndër arsyet e përmendura nga zyrtarët rusë për braktisje të programit ka qenë një çift amerikan i gjinisë së njëjtë, i cili ka marrë kujdestarinë mbi një student rus, i cili ka qenë në SHBA në kuadër të programit.“Ky veprim i ka ndaluar të rinjtë dhe të tjerët nga qasja në pjesën tjetër të botës”, ka thënë ambasadori Tefft.

Exit mobile version