Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka e cilësoi dje kërkesën e kreut të grupit parlamentar socialist Ruçi për futjen e Reformës në Drejtësi në kalendarin e Kuvendit si një provokim të rëndë ndaj opozitës. Përmes një reagimi për mediat, Paloka edhe njëherë bëri thirrje për miratim të Reformës në Drejtwsi sipas rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Paloka tha se ky provokim i Ramës është akt lufte për opozitën. “Kërkesa për të futur në kalendarin e Kuvendit projektin për kapjen politike të gjyqësorit është një provokim i rëndë ndaj opozitës, parlamentarizmit dhe qytetarëve shqiptarë që nuk mund ta konceptojnë kurrë reformën e domosdoshme në drejtësi si një dorëzim peshqesh të drejtësisë tek Edi Rama. Rruga e vetme për miratimin e Reformës në Drejtësi që nuk mbron por lufton krimin dhe korrupsionin është zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Venecias. Çdo akt tjetër është shpallje lufte ndaj opozitës, parlamentit dhe aspiratës popullore për drejtësi të pavarur. Dhe fundi i kësaj betejë padyshim nuk do të jetë fitorja por shkrumbimi i oligarkisë kriminale dhe të korruptuar të Edi Ramës” tha Paloka në reagimin e tij.