Dhuna ndaj fëmijëve, shembëlltyrë e dhunës së kudondodhur

Enver Bytyçi

Me trishtim dhe të dëshpëruar deri në palcë shqiptarët ndoqën mbrëmë dhunën që pronarja dhe edukatorja e një kopshti privat ushtronte mbi një fëmijë trivjeçar. Nuk besoj se dikush nuk ka përjetuar një tmerr të paparë. Skenat rrënqethëse nuk i vuan vetëm ai fëmija viktimë e dhunës së shfrenuar të një psikopateje, që me siguri ndjehet e mbrojtur nga maliqët e shtetit e të pushtetit. Ato nuk janë vetëm vuajtje të këtij fëmije trivjeçar. Kjo sjellje kafshërore do ta shoqërojë atë fëmijë dhe mijëra të tjerë gjithë jetën.
Trauma e kësaj dhune do të shfaqet në jetën e karakterin e këtij njeriu, që sot është 3-vjeçar, por që kurrë nuk do të harrojë se çfarë i kanë bërë në fëmijëri dhe do të kërkojë gjithë jetën të hakmerret në mënyrën e vet. Ato pamje të tmerrshme kërkojnë një reflektim kolektiv, një katarsisi nacional, për t’i thënë ndal dhunës në familje, në shoqëri, në administratën e shtetit, në drejtësi, në ushtri, në polici, e madje edhe në qarqet akademike, kulturore, shkencore, studimore, kudo në çdo qelizë të jetës e të shoqërisë sonë, të infektuar me virusin e sjelljeve arrogante, të dhunshme, që tmerrojnë çdo njeri normal e madje që dhunën na e kanë shndërruar në normalitet.
Në qarqet akademike i forti i “shkencës” me mbështetjen e të fortëve që vetë i votojmë u japin grada e tituj shkencorë të gjithë pjesëtarëve të familjes së vet, pa pjerdhur për faktin nëse bëhet shkencë apo shkruhen paçavure bakalli, nëse ka apo nuk ka ligj, kritere dhe rregulla, nëse duhet ose jo që diku të japë llogari për atë që bën.
Shoqëria jonë ka degraduar deri në atë masë sa nuk ka Zot ta rikthejë në binarët e një normaliteti të pranueshëm. Prandaj duhet që çdokush nga ne, shteti, shoqëria, shkolla, universiteti, akademia, institutet, Shoqëria Civile, të gjithë papërjashtim të merremi me veten tonë. Dhuna është bërë tashmë tipari kryesor i kësaj shoqërie dhe kësaj qeverisjeje, madje edhe i politikës në tërësi.
Eshtë e natyrshme që një psikopate pronare dhe edukatore kopshti të shndërrohet në bishë, kur gjithkund rreth e rrotull saj shikon bishat e pushtetit e të politikës që hanë njëri-tjetrin, kur sheh se që nga pragu i derës së shtëpisë së saj e deri në çdo cep të këtij territori që e quajmë Shqipëri shikon njerëz të frustruar, inatçi, hakmarrës, dhunues në profesione, në punë, në rrugë, në shkenca, në art, në sallat e gjyqit, në komisariatet e policisë, kudo.
Asnjë shenjë tolerance dhe ndjenjë e sjellje prej humanisti nuk shohim askund në këtë vend. Edhe nëse dy ose tre përfaqësues të politikës do të donin të ishin paqësor, ata humbin në vorbullën e dhunës së përditshme që na shfaqin në ekranet televizive pushtetarët tanë, prej kryeministrit e deri te Erion Braçe. Të gjithë në këtë vend, punëdhënësi sillet si kjo edukatore me punëmarrësin. Qeveritari sillet si kjo edukatore me të varfërin.
Krimineli e trafikanti që na bëjnë ligje e na firmosin fermane, sillen si kjo edukatore me nevojtarin. Rroshët dhe Frrokët, të cilët kanë përdhunuar dhe vrarë komisarë policie, pijnë kafen e mëngjesit me kryeministrin e ndërkohë shkërdhejnë si t’u dojë qejfi votuesit dhe këta të fundit megjithëse viktima të kësaj dhune të pamoralshme i brohorasin heronjtë e tyre kriminelë. Mjafton të kujtojmë rastin e Kavajës. I forti në familje vret, rrah e pret si t’i dojë qejfi pjesëtarët e familjes së vet. I forti i lagjes, fshatit, qytetit, krahinës vë gjoba e merr peng kë të dojë nën mbikëqyrjen e policisë, grabit, dhunon e përdhunon çdo kënd që e ka vënë në rrethin e tij të kuq. I forti me pushtet kontrollon 5000 km katror të mbjella me kanabis si dhe trafikun e marijuanës, kokainës, heroinës, prostitucionit, mjafton që të bëjë para.
Me këto para të fortit e këtij vendi, me të cilin mburremi aq fort, blejnë njerëz të varfër, blejnë vota, blejnë deputetë, blejnë të shkuarën kriminale, blejnë drejtësinë, blejnë politikën, blejnë tenderat, duke shpërdoruar taksat e qytetarëve dhe më në fund të gjitha këto përkthehen në atë që shohim e pamë sonte në emisionin STOP, torturën kundër fëmijëve trivjeçarë, krijesës më të pafajshme mbi këtë tokë.

Exit mobile version