Panik te Pediatria, polici nxjerr armën për fëmijën e sëmurë

Radha e gjatë e prindërve në Urgjencën e Pediatrisë ka degraduar në dhunë. Pas mosmarrëveshjes se kush nga fëmijët do të vizitohej më parë, një nga prindërit ka nxjerrë pistoletën. Ky ishte një polic që me veprimin e tij ka shkaktuar panik mes të sëmurëve dhe stafit mjekësor të Urgjencës së Pediatrisë. Për rastin në fjalë është njoftuar policia që ka shoqëruar në komisariat prindërit e fëmijëve. Sipas policisë, rreth orës 13:20 janë lajmëruar efektivët për konfliktin në ambientet e Pediatrisë në QSUT.
“Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ku nga veprimet paraprake ka rezultuar se brenda ambjenteve të spitalit kishte patur një konflikt midis 3 prindërve që prisnin në radhë për të vizituar fëmijët. Njëri prej tyre është punonjës i një Policie Private konkretisht shtetasi A.C”, thuhet në njoftimin zyrtar. Ata janë shoqëruar në komisariat për sqarimin e rrethanave, pasi dy prindërit e tjerë pretendojnë se polici privat u ka treguar armën që mbante me vete.

Exit mobile version