Gjykata e Tiranës, me kërkesë të prokurorit Ndini Tavani ka vendosur 11 masa arresti në mungesë, 6 prej të cilave janë ekzekutuar nga Policia e Tiranës, kurse 5 janë ende në kërkim. Personat për të cilët është dhënë masa e arrestit dyshohen se përmes një skeme mashtruese me TVSH i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 9 milionë dollarë.
Policia njofton se, nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë u krye ekzekutimi i masave të sigurimit personal “arrest me burg” të nxjerra nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë për shtetasit Dhimitraq Çelo, 23 vjeç, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë. Shkëlqim Hasani, 50 vjeç, lindur në Gramsh banues në Tiranë. Bujar Murataj, 31 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Ruzhdi Murataj, 60 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Indrit Sulaj, 30 vjeç lindur dhe banues në Tiranë. Nevruz Lami, 36 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Gjithashtu janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre dhe për shtetasit B.Gj, A.B, E.SH, S.K dhe M.M.
Ndalimi i këtyre shtetasve është kryer në kuadër të operacionit “Situacioni”, i kryer nga Drejtoria e Hetimit Tatimor Rajoni Qendror, Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, të cilët pas një hetimi disa mujor ka siguruar fakte dhe prova materiale se persona të ndryshëm kanë regjistruar subjekte tregtare në mënyrë fiktive, pa asnjë lloj aktiviteti, me qëllim tërheqjen e blloqeve Tatimore të TVSH-së, duke lëshuar fatura TVSH-je shitje (fiktive) për subjekte të treta.
Administratorët e këtyre subjekteve në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar një skemë mashtrimi me TVSH-në, ku janë përfshirë një numër i madh subjektesh.
Veprimet Hetimore dhe Procedurale kanë dokumentuar veprimtarinë kriminale që këto persona kryenin duke përfituar nga shitjet fiktive dhe duke bërë të mundur kreditimin e TVSH-së në blerje.
Nga aktiviteti fiktiv i këtyre subjekteve llogaritet se në fazën e parë të hetimeve është shkaktuar një dëm ekonomik Administratës Tatimore në vlerën totale 9,000,000 $, vetëm për TVSH-në.
Këto subjekte në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementë të veprës penale “Skemë mashtrimi në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, “Fshehje të Ardhurash”, “Mospagim të Taksave dhe Tatimeve”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose formularve” të parashikuara nga nenet, 180, 144/a, 181 dhe 190/2 të Kodit Penal.
Gjithashtu dyshohet se në këtë skemë kriminale janë përfshirë dhe subjekte të tjera, për të cilat vazhdojnë hetimet për të dokumentuar, subjektet e tjera, të cilat janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për kapjen dhe ndalimin edhe të pesë personave të tjerë të shpallur në kërkim.