Para disa kohësh, Rama do publikonte në faqen e tij zyrtare një listë me emrat e 101 zyrtarëve të administratës, të cilët sipas tij ishin përfolur në komentet e tij në Facebook. Mes tyre dhe emra prokurorësh dhe gjyqtarësh. Në fakt, këto lloj fletërrufesh si ato të kontrollove punëtore nuk janë praktikë e një kryeministri serioz, për sa kohë ai ka të gjitha mekanizmat kontrolluese që burojnë nga pushteti i tij. Por duket qartë se ajo listë, ka qenë dhe një presion që i bëhet sistemit të drejtësisë. Jo më kot ajo u publikua në kohën kur vettingu sapo ka nisur. Kryeministri del me një listë të zezë me emrat e gjykatësve dhe prokurorëve të padëshiruar prej tij. Kjo do të thotë as më shumë e as më pak se, Rama nuk ka pasur nevojë të komunikojë fshehtas me strukturat që do të bëjnë vetingun. Ai e ka shpallur publikisht se kush do të jenë njerëzit që nuk dëshiron të mbeten në gjyqësor. Në listën e publikuar nga Rama renditen 30 gjyqtarë, prokurorë, noterë dhe përmbarues, për të cilët kryeministri kërkon t’i largojë nga sistemi i drejtësisë, duke kompromentuar gjithë procesin e vetingut, i cili aktualisht është duke u marrë konkretisht me verifikimin e pasurive të anëtarëve të sistemit të drejtësisë. Duke vendosur sistemin e drejtësisë tërësisht në gijotinë, Rama nuk po bën gjë tjetër, veçse po përforcon instalimin e regjimit diktatorial në Shqipëri, duke u përpjekur për të vendosur tërësisht nën kontrollin e tij edhe sistemin gjyqësor. Ky është një akt skandaloz, i cili dublon dhe dikton tërësisht procesin e vetingut. Aktualisht, institucionet e administratës shtetërore kanë filluar punën për kontrollin e pasurive të punonjësve të institucioneve të drejtësisë, të cilët do të verifikohen nëse kanë bërë deklarime të sakta të pronave të regjistruara dhe parave që kanë në bankë. Në media janë publikuar dy kopje të shkresave konfidenciale që Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka çuar në zyrën qendrore të hipotekave, ku kërkon verifikimin për dy kategori: 13 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorëve dhe Këshillit të Lartë të Gjyqtarëve, si dhe 775 gjyqtarët e prokurorët të punësuar në të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë. Në letrën zyrtare të dërguar pranë Hipotekës, ILDKPI kërkon që të nisë menjëherë vettingu për anëtarët e KLP-së dhe KLGJ-së, pasi puna për ta fillon në shtator. Pas tyre, radha e verifikimeve do të jetë për magjistratët e tjerë. Kërkesa e firmosur nga kryeregjistruesi për anëtarët e këtyre organeve mban datën 30 qershor, ndërsa kërkon të dhëna për pasuritë që kanë krijuar deri më 16 janar 2017-të, kohë kur ka përfunduar edhe afati për dorëzimin e formularit të Vettingut. Përveç regjistrimit të pronave në emër të tyre dhe pjesëtarëve të familjes, ILDKPKI kërkon informacion edhe nëse ka patur shitje apo ndryshime të pronësisë gjatë kohës kur kanë dorëzuar të dhënat. Në urdhrin që kryeregjistruesi i ka dërguar administratës së Hipotekës, kërkohen që të gjithë të dhënat të dokumentohen brenda 5 ditëve, përndryshe do të merren masa të rrepta administrative. Por i gjithë ky proces rrezikon të hidhet në erë nga vetë Rama, i cili po përpiqet që të diktojë tërësisht procesin e vetingut, duke shpallur publikisht emrat e gjyqtarëve dhe prokurëve që ai i sheh si kërcënim në goditjen e aferave, vjedhjeve dhe korrupsionit të tij dhe njerëzve pranë tij.