Papa Francesku mund të vizitojë Kosovën

Zëvendës/ministri i Jashtëm i Kosovës, z. Emanuel Demaj ka zhvilluar vizitën e parë zyrtare në Vatikan, ku është takuar me homologun e tij në Selinë e Shenjtë, zëvendës/ministrin për Marrëdhëniet me Jashtë, Imzot Antoine Camilleri. Në fokus të këtij takimi ishte mundësia e njohjes sa më të shpejtë të shtetit të Kosovës nga Selia e Shenjtë. Në intervistën e dhënë për Ora News, Demaj përcolli pjesë të bisedës së tij me zotin Camilleri, i cili siguroi se, Vatikani ndjek nga afër e vlerëson progresin e arritjet institucionale të shtetit të Kosovës. Por sa e rëndësishme është për vendin njohja e saj si shtet nga Selia e Shenjtë? Demaj: Është mjaft e rëndësishme, duke pasur parasysh që njohja nga Vatikani nuk do të llogaritet vetëm si numër, një shtet plus që po njeh Kosovën, por është i një rëndësie mjaft të veçantë, duke pas parasysh që ne si popull kemi shumë kohë në bashkëpunim të ngushtë para shumë shekujsh, bashkëpunojmë dhe kemi raporte të mira me Selinë e Shenjtë. Jemi një popull europian dhe rrugëtimi dhe orientimi ynë është drejt Europës. Përsa i përket një vizite të mundshme të Papa Françeskut në Kosovë, Demaj u shpreh se ky do të ishte një akt i ngjashëm me njohjen. Ai rikujtoi ftesën zyrtare që qeveria i ka bërë Selisë së Shenjtë, duke lënë të kuptohet se, Papa mund të nderojë vendin në shtator të vitit të ardhshëm në përurimin e Katedrales së Shën Terezës në Prishtinë.

Exit mobile version