Paparashikueshmëria, prova e pavarësisë së drejtësisë

Nga Blendi Kajsiu 

Heqja e masës “arrest shtëpie” ndaj Sali Berishës nga Gjykata për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) krijoi pështjellim në sferën tonë publike. Reagimet e shumta ndaj vendimit, herë me hare dhe herë me trishtim, kishin një emërues të përbashkët; hutimin.

Ky hutim vihej re së pari në kampin berishist ku Berishën e pritën me hare, sikur të ishte shpallur i pafajshëm. Pyetja që trazonte festën berishiste ishte, “si ka mundësi që drejtësia e Ramës e la të lirë Berishën pikërisht para zgjedhjeve parlamentare? A nuk u bë refroma në drejtësi thjesht për të hequr qafe opozitën, d.m.th. doktorin?”

Përgjigjen e parë përballë hutimit berishist e dhanë komisarët mediatik të berishizmit që i paralajmëruan militantët të mos e tepronin me festimet sepse me siguri Berishën e liruan për ta goditur edhe më fort, ndoshta edhe brenda familjes. Sipas kësaj llogjike SPAK-u i Ramës liroi Berishën për të dënuar Jamarbërin, Argitën, Lirinë ose Shkëlzenin.

E megjithatë ky sqarim lehtësues për fabulën berishiste, se SPAK u ngrit thjesht për ti rënë doktorit, nuk shpjegonte përse duhej liruar Berisha për të arrestuar familjarët e tij. Nëse SPAK dhe GJKKO janë vegla qorre të Ramës, siç janë të bindur berishistët, ata pa pikë turpi mund ta fusin në burg të gjithë familjen Berisha.

Pa përmendur faktin që llogjika elektorale e lirimit të Berishës për të futur në burg Zenin mbetet më misterioze se triniteti i shenjtë. E thënë ndryshe, pyetja se çfarë fiton elektoralisht dhe politikisht Rama nga lirimi Berishës dhe burgosja e Zenit, mbetet pa përgjigje.

Natyrisht u hodhën edhe shpjegime të tipit “Berishën e liroi presidenti Trump”, nga njerëz pranë Berishës por shumë larg llogjikës. Ndaj nuk ia vlen barra qiranë të ekspozojmë absurditetin e tyre. Majfton të sqarojmë lexuesin se Trump ende nuk është president i SHBA-ve.

Si përfundim, llogjika e mpakur politike e berishizmit nuk arriti ta shpjegonte lirimin e Berishës nga GJKKO e Ramës. Ndoshta për këtë arësye berishistët u përqendruan tek festimi i vendimit si një fitore e madhe politike, por që politikisht nuk shpjegohet dot.

Një fenomen i ngjashëm u shfaq edhe në kampin anti-berishist dhe ramist. Disa u ankuan se vendimi ishte i dyshimtë se vinte pas protestave berishiste. Të tjerë u trishtuan sepse gjykata tregoi dobësi përballë Berishës. Ndërkohë shumica filloi të argumentonte se në fakt Ramës i leverdis Berisha në fushatë elektorale dhe jo si hero i burgosur në shtëpi.

Edhe këtu llogjika politike ose nuk e shpjegon dot, ose nuk ka të bëjë fare me vendimin e GJKKO. Idea se Ramës i duhet Berisha në gjendje të lirë për të legjitimuar fitoren në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 mund të shjegojë efektin e vendimit të GJKKO, por jo vetë vendim-marrjen.

Ndonëse ka shumë pak gjasa që Rama të jetë i shqetësuar se fitorja e tij në vitin 2025 mund të delegjitimohet nga mos-pjesmarrja e Berishës në fushatën elektorale. Mjafton të kujtojmë që Rama legjitimoi fitoren në zgjedhjet lokale të vitit 2019 pa pjesmarrjen e PD-së, kur kjo drejtohej nga Lulëzim Basha që në atë kohë nuk ishte as non-grata dhe as në hetim për korrupsion.

Berisha del nga izolimi, vendimi surprizë i gjykatëses Floriana Davidhi

Fitorja e PS-së në vitin 2025, që tashmë duket e sigurt, do denoncohet njësoj nga Berisha si në arrest shtëpie si në gjendje të lirë. Vështirë të mendosh se Rama shqetësohet se Berisha mund ti delegjitimojë atij fitoren në vitin 2025, sidomos përballë një komuniteti ndërkombëtar që prej kohësh i ka vënë vizën Berishës dhe berishistëve.

Është akoma më e vështirë të imagjinosh që GJKKO përpara se ta lirojë Berishën nga arresti shtëpiak ka marrë parsysh, apo ka analizuar, efektet politike që ky vendim do kishte në llogaritë elektorale të Ramës. Ndaj edhe në këtë rast llogjika politike nuk e shpjegon dot vendimin e gjykatës.

Sa më shumë stërhollohen shpjegimet politike të vendimeve të drejtësisë, aq më i qartë bëhet fakti që gjithnjë e më shumë këto vendime nuk shpjegohen dot sipas llogjikës politike por sipas një llogjike juridike, që është më e mira sepse është më e thjeshta. Parimi i Ockham-it në filozofi thotë se nëse për një fenomen ka shumë shpjegime të ndryshme, atëherë shpjegimi më i mirë është ai më i thjeshti.

Në rastin konkret përballë spekullimeve politike kemi një shpjegim juridik, sa të thjeshtë edhe bindës. Berishës ia hoqën arrestin shtëpiak sepse hetimi përfundoi dhe çështja është në gjygj. Pra ai tashmë nuk mund të manipulojë provat, nuk ka rrezik që të arratiset, ndaj nuk ka arësye që të mbahet në gjendje arresti.

Është një shpjegim shumë më i thjeshtë dhe bindës se spiralet e konspiracioneve politike që tek vendimet e SPAK dhe GJKKO përpiqen të gjejnë gjurmët e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Në fakt, prej kohësh këto institucione marrin vendime që shpjegohen më lehtë juridikisht se sa në funksion të llogaritjeve politike.

E tillë ishte edhe masa me arrest shtëpie e Berishës. Nuk u bë me urdhër të Ramës për të hequr qafe Berishën, por thjesht sepse ky i fundit në mënyrë publike dhe me vetëdije shkeli detyrimin ligjor për paraqitje. Nëse Berisha do e kish respektuar këtë detyrim ligjor, sikurse shumica dërrmuese e shqiptarëve të thjeshtë, atëherë masa e arrestimit në shtëpi nuk do ish dhënë. Kaq.

Për të shpjeguar këtë ngjarje kaq të thjeshtë berishizmi ka ngritur një fabul sa konspirative edhe absurde se SPAK i merr urdhërat nga Rama për të hequr qafe Berishën. Arrestimet e zyrtarëve të lartë socialist, arrestimet e aleatëve politik të Ramës, arrestimet e grupeve kriminale me të cilët Rama ka marrë vota në Elbasan, Durrës dhe Shijak, të gjitha reduktohen në strategji për legjitimimin e arrestimit të Berishës.

Mbetet mister i madh se përse Rama duhet të sakrifikojë bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, të humbasë miliona euro në afera korruptive, të njollosë qeverisjen e tij, të hedh në erë modelin Tirana, të heqë qafe aleatë të vyer politik si Lefter Koka, apo të godasë grupe kriminale që sipas vetë berishistëve i sigurojnë fitoren në terren, thjesht për të eleminuar Berishën nga gara elektorale.

A nuk e ka më kollaj Rama ta mundë Berishën në zgjedhje me milionat e aferave korruptive, me grupet kriminale në krah, me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë në qeveri dhe me aleatë të vyer që i sjellin vota?

Në fund të fundit popullariteti i Berishës dhe i Metës nuk përbëjnë ndonjë rrezik elektoral që PS-ja të sakrifojë kaq shumë ministra, kriminelë, para dhe deputetë për arrestimin e Berishës. Aq më tepër kur e gjithë kjo sakrificë ka shkuar kot sepse Berisha sot mbetet i lirë të bëjë fushatë elektorale në zgjedhjet e ardhëshme.

Boshllëku i shpjegimeve politike të vendimeve të gjygjësorit buron nga fakti se për herë të parë në historinë e shtetit i shqiptar drejtësia po merr vendime që nuk mund të parashikohen politikisht. Për të kuptuar këtë mjafton të kujtojmë se sa politikisht të parashikueshme ishin vendimet e gjygjësorit shqiptar, të paktën që nga koha e komunizmit deri sot.

Në komunizëm politikja ishte identike me juridiken. Ndaj një dënim politik ishte identik me një dënim juridik. Dënimi që të jepte Partia e Punës thjesht vulosej nga gjykata. Për këtë arësye llogjika politike shpjegonte 100% vendimet e gjygjësorit.

Me rënien e komunizmit politikja dhe juridikja u ndanë teorikisht por jo në praktikë, sidomos në nivelet e larta të politikës. Gjatë qeverisjes së parë Berisha (1992-1997) sistemi i drejtësië i merrte vendimet me sytë dhe veshët nga doktori që në cilësinë e tij si President i republikës ishte edhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Nëse përfaqësues të gjygjësorit i rezistonin imponimit politik të ekzekutivit ata largoheshin me dhunë.  Ky ishte rasti i ish kryetarit të Gjykatës së kasacionit, Zef Brozit që jo vetëm u shkarkua në vitin 1995 nga Berisha por edhe u kërcënua fizikisht nga SHIK-u. Ndaj sistemi i drejtësisë vazhdoi të ishte një vegël e ekzekutivit që merrte vendime thellësisht politike

Rasti më famshëm ishte arrestimi i kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano më 30 korrik të vitit 1993. Në momentin që Nano u arrestua nuk kish asnjë dyshim që do dënohej. Jo sepse akuza ndaj tij ishte solide por sepse ai përbënte një rrezik politik për Berishën, i cili orientonte në mënyrë direkte vendimet e sistemit të drejtësisë.

Vetëm një vit më parë Partia Socialiste me në krye Fatos Nanon e kish mundur bindshëm Partinë Demokratike të Sali Berishës në zgjedhjet lokale të 28 korrikut 1993. Ky ishte mëkati i madh i Fatos Nanos që u dënua nga prokurorë dhe gjygjtarë që udhëhiqeshin nga interesat politike të Berishës shumë më tepër se nga parimet e drejtësisë. Llogjika politike iu mbivendos asaj juridike.

Për të njëjtën arësye akuzat e forta për korrupsion të Fatos Nanos kundër Ilir Metës dhe ministrave të tij gjatë fushatës për katharsis në vitin 2001 nuk prodhuan asnjë procedim penal. Drejtësia nuk u vu në lëvizje nga akuzat e Nanos sepse operonte sipas një llogjike thellësisht politike.

Për sistemin e drejtësisë ishte e qartë që fushata për katharsis e Nanos i shërbeu këtij të fundit të qeveriste me të njëjtët ministra që pak kohë më parë i kish akuzuar për korrupsion. Në këtë rast mos-veprimi i gjygjësorit ishte aq i parashikueshëm politikisht saqë as nuk u vu re nga mediat tona, ku askush nuk habit, dhe pakkush u ankua, se përse nuk u hap asnjë procedim penal pas aq shumë akuzave të rënda për korrupsion.

I njëjti arësyetim politik e shpjegon edhe pafajësinë e Fatmir Mediut dhe Shkëlzen Berishës pas shpërthimit të Gërdecit. Askush nuk dyshonte se pushteti i tyre politik do i ofronte mbrojtje dhe paprekshmëri nga gjygjësori, edhe pse përfshirja e tyre direkte në krimin e Gërdecit ishte dhe mbetet një sekret publik. Edhe në këtë rast sistemi ynë i drejtësisë u udhëhoq nga kalkulimi politik dhe jo nga llogjika e drejtësisë.

Ashtu sikurse ndodhi edhe me aferën korruptive të Ilir Metës të kapur me zë e figurë nga i ndjeri Dritan Prifti. Askush nuk kish dyshim tek korruptimi i Metës, duke përfshirë edhe demokratët. E megjithatë askush nuk u çudit që sistemi i drejtësisë i dha pafajësinë, sepse duhej mbajtur në këmbë qeveria Berisha-Meta.

Të gjitha janë vendime juridike që mund të shpjegohen vetëm politikisht. Në fakt ky ka qenë parimi kyç i funksionimit të gjygjësorit tonë, sidomos në çështje të profilit të lartë politik. Në këto raste vendimet e gjygjësorit janë përcaktuar pothuajse në tërësinë e tyre nga interesat politike të pushtetit.

Ndaj sot ka shumë pështjellim, nervozizëm e hutim kur diçka e tillë nuk ndodh. Analizat politike kanë humbur çdo kapacitet për të shpjeguar dhe parashikuar vendimet e drejtësisë së reformuar. Sot askush nuk mund të parashikojë me siguri vendimin që do marrë GJKKO nesër në rastin Berisha. Kjo është prova më e madhe se drejtësia e re nuk është vegël e interesave politike të pushtetit dhe aq më pak e shantazhueshme nga opozita.

Natyrisht kjo nuk do të thotë që pavarësia nga politika garanton automatikisht vendime juridike cilësore apo të mirë-arsyetuara. Kjo pavarësi thjesht do të thotë që vendimet e gjygjësorit tonë janë gjithnjë e më të paparashikueshme politikisht. Dhe ky është një lajm i keq për ne analistët politik, por shumë i mirë për qytetarët.

Exit mobile version