Jo më larg se dje, Exit.al raportoi mbi emërimin e zotit Egon Velaj në postin e drejtorit të burgut të Vlorës nga Ministrja e Drejtësisë, ndërkohë që vetëm një vit më parë ai ishte shkarkuar për abuzim me detyrën po nga ministrja Etilda Gjonaj.
Velaj ka mbajtur, deri vitin e kaluar, vendin e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Aluiznit Vlorë.
Pas konstatimit të rasteve të shpërdorimit të detyrës nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria vitin e shkuar, nisi një hetim për llogari të Egon Velaj dhe 6 personave të tjerë.
Në shkurt të këtij viti, Prokurori Anton Pali filloi proçedimin penal për grupin, pasi doli në përfundimin se kishte prova vendimtare për fajësinë e të pandehurve për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Vendimi u dha sot në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Vlorë.
Burime të pranishme në sallën e gjyqit i thanë Exit se Egon Velaj u gjend fajtor për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Gjykatësja Atalanta Zeqiraj, pasi prokurori kish kërkuar 8 muaj burg, e ka dënuar me 6 muaj burg të konvertuara në 12 muaj shërbim prove.
Gjithashtu 1 vit heqje të drejte për kryerje të funksioneve publike.
I pandehuri nuk ka qenë i pranishëm sot në seancë, ndaj gjykatësja i ka kërkuar avokatit të tij të deklarojë vendndodhjen e Velaj.
Rikujtojmë se emërimi i.Velaj më 17 tetor në postin e drejtorit të burgut Vlorë, ndërkohë që ishte i pandehur në një proces penal, është një akt arbitrar dhe në kundërshim me ligjin.
Dëshmia e penalitetit do të duhej ta skualifikonte automatikisht Egon Velajn nga konkurrimi për një post publik.
Por ai jo vetëm është lejuar të konkurojë nga Ministria e Drejtësisë, por duhet të besojmë se ka rezultuar edhe kandidati më i përshtatshëm.
Rasti i mësipërm, ashtu si shkarkimi në grup i drejtorëve të mëparshëm të burgjeve, tregon edhe një herë shpërfilljen e qeverisë për ligjin dhe proçedurave ligjore.
Emërimi dhe shkarkimi i krerëve të institucioneve bëhet me diktat partiak.
Jo vetëm kaq, por si emërimi, edhe shkarkimi programohen për të përmbushur qëllime propagandistike.
Shkarkimi i Velaj nga Ministrja Etilda Gjonaj u propagandua si goditje e korrupsionit në nivele të larta institucionale.
Riemërimi i tij, me gjasë, i shërben Partisë Socialiste si një mënyrë për të siguruar militantët e saj se partia shpërblen ata që mbledhin vota me pozicione drejtuese dhe ligji nuk ka fuqi mbi ta. /Exit.al