Analisti dhe juristi, Kreshnik Spahiu, ka bërë një analizë interesante në Euronews Albania, për atë që po ndodh në prapaskenën e këtyre zgjedhjeve lokale.
Ai ka zbërthyer deklaratën e fundit të zyrtarit të lartë amerikan Gabriel Escobar i cili pasi konfirmoi, se “opozita” Berisha-Metaj është e shkuara e Shqipërisë, theksoi se SHBA do të analizojnë me vëmendje rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit.
Sipas Spahiut, amerikanët duket se tashmë e dinë se për rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit është kopsitur një Pazar mes Ramës dhe Berishës. Kjo marrëveshje konsiston te plani, që “opozita” Berisha-Metaj të dalë me një rezultat shumë të kënaqshëm në këto zgjedhje, kurse Edi Rama me ata si opozitë e vetme deri në vitin 2025, të fitojë për herë të katërt zgjedhjet e përgjithshme.
Intervista e plotë
Pyetje: Do të analizojmë rezultatin e zgjedhjeve, ishte fundi i komentit të bërë nga Gabriel Escobar, kur u pyet për zgjedhjet në Shqipëri, raportin që do të kenë më zotin Berisha mbas zgjedhjeve të 14 majit, pak interesante kjo. Çfarë do të thotë Gabriel Escobar me këtë: “Do të analizojmë rezultatin e zgjedhjeve”?
Kreshnik Spahiu: Mendoj që Escobar dhe SHBA kanë filluar të kenë dyshimet e tyre, që ka një pazar mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Që do të thotë si Reali dhe Barcelona, njëra shiti ndeshjet në La Liga për të fituar kampionatin dhe tjetra shiti ndeshjet e kupës.
Parashikohet, ka dyshime të forta që është bërë një Pazar mes Berishës dhe Ramës. Që Rama të marri mandatin e katërt dhe ndërkohë Rama ti lëri disa bashki në zgjedhjet lokale Sali Berishës. Si një njeri i interesuar që kundërshtarë të tij të ketë një person Non Grata të deklasur nga SHBA, Rama është duke luajtur me dy porta. Nga një anë mban krahun e SHBA, nga ana tjetër i jep garanci Berishës që do të jetë i paprekshëm dhe e mban si faktor opozitar duke e lejuar atë që të jetë në politikë, por duke e mbajtur me thërrime pushtetin.
Për këtë arsye, amerikanët do analizojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe do reflektojnë në 15 maj mbi këtë çështje.
Pyetje: Për tu ndalur pak tek çështja e nongratave. Duket se edhe BE po e nis një mekanizëm të tillë, ka qenë një paralajmërim i bërë nga Komisioni Europian: Sanksione dhe ndalim të hyrjes në shtetet anëtare të BE për të gjithë ata që dyshohet se kanë kryer vepra korruptive. Po ndjekin thua të njëjtën praktikë si SHBA dhe Britania e Madhe?
Kreshnik Spahiu: Jo vetëm që po ndjekin të njëjtën praktikë, por Komisioni Europian e ka futur në axhendë si pasojë e negociatave që amerikanë, diplomacia amerikane ka zhvilluar me BE. Duhet të dini që pas luftës ne Ukrainë strukturat drejtuese të Komisionit Europian, të BE, janë gjithmonë e me afër diplomacisë amerikane. Pra ndikimi i diplomacisë amerikane është shumë i lartë tashmë në BE dhe një nga argumentet që është dhënë në Komisionin e Jashtëm te cili është propozuar futja e praktikës së shpalljeve Non Grata të personave dhe sekuestrimi i pasurive, është pikërisht Ballkani Perëndimor.
Pra ligji që ka miratuar Biden ka hapur një politikë të re të jashtme me qëllim që vende të cilat janë kandidate për tu anëtarësuar në BE, të mos hyjnë si shtete më individë që janë nën influencat antiamerikane dhe anti europiane dhe nga ana tjetër, mos të futin elementë të inkriminuar brenda familjes europiane.
Për këtë arsye mendoj që jo rastësisht një praktikë e cila nuk ka qenë fare në axhendën e BE, madje shtetet europiane kanë qenë kundra në një kohë rekord futën edhe miratuan brenda dy javësh një praktikë të tillë për të shpallur Non Grata persona nga Ballkani Perëndimor, nën praktikën e ndjekur nga SHBA.