Paralelizmat në historinë e Shqipërisë/ Nga Fan Noli deri në ditët tona, injoranca dhe arroganca e politikës shqiptare

Nga Enriketa Papa

Në historinë politike të Shqipërisë, është e dukshme një përsëritje e zhvillimeve dhe aksioneve që kanë formuar rrugën e vendit tonë. Megjithatë, pavarësisht këtyre paralelizmave të qarta, politikanët shqiptarë vazhdojnë të injorojnë leksionet e së kaluarës.Ata refuzojnë të këshillohen dhe veprojnë me një pragmatizëm të ngushtë, që shpesh herë i shërben interesave momentale, por sjell pasoja të rënda për shoqërinë dhe vendin. Kjo qasje tregon jo vetëm një mungesë të njohjes së historisë, por edhe arrogancën dhe injorancën fatale që vazhdon të mbizotërojë në vendimmarrjen politike.

Fan Noli, si kryeministër i dalë pas revolucionit (puçi) të Qershorit 1924, nuk u njoh nga SHBA dhe asnjë shtet i Evropës Perëndimore. Vetëm Çekosllovakia fillimisht e njohu, por edhe ajo e tërhoqi njohjen më pas. I vetmi shtet me të cilin Noli hyri në bisedime konkrete për të lidhur marrëdhënie diplomatike ishte Bashkimi Sovjetik.

Fuqitë e Mëdha dhe shtetet anëtare të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë ishin skeptike ndaj përpjekjeve të Nolit, për të kërkuar hua financiare dhe mbështetje për qeverinë e tij progresiste. Retorika e tij fodulle dhe akuzuese gjatë fjalimit në Asamblenë e Lidhjes në shtator të 1924 dhe takimeve që kreu në Gjenevë u pritën me kritika të ashpra dhe refuzim të kërkesës për hua nga Lidhja.

Përfaqësues të rëndësishëm në Gjenevë, madje shprehën hapur shqetësimin e tyre ndaj kërkesave të shumta të delegacionit shqiptar, të kryesuar nga Noli dhe Luigj Gurakuqi, drejtuar Fuqive Perëndimore për mbështetje të kauzës së qeverisë së Nolit.

Ardhja në pushtet me dhunë, mosnjohja ndërkombëtare dhe përpjekjet e Nolit për të njohur qeverinë bolshevike të Stalinit, shiheshin me skepticizëm. Aksionet e Nolit konsideroheshin të rrezikshme dhe destabilizuese për rajonin ballkanik nga fuqitë perëndimore. Kështu, shtetet e fuqishme të Lidhjes së Kombeve zgjodhën të mos e mbështesin Shqipërinë e qeverisur nga një kryeministër revolucionar. Qeverisja e Nolit shihej si e brishtë dhe jo e qëndrueshme, ndaj dhe Lidhja e Kombeve mbeti pasive, duke e konsideruar Nolin, si kërcënim për stabilitetin e përgjithshëm të vendit dhe rajonit.

Në dallim nga Ahmet Zogu, i cili shtyu në kohë çdo marrëdhënie me Rusinë bolshevike, duke u konsultuar me përfaqësitë diplomatike shqiptare në Perëndim dhe kancelaritë kryesore, Noli nuk u konsultua me askënd. Veproi thjesht me kokën e vet.

Në mbledhjen e 28 qershorit 1924, kabineti i tij shprehu vullnetin për të negociuar me Bashkimin Sovjetik për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike, edhe për të mbrojtur interesat dhe pronat e shqiptarëve te Odesës në Bashkimin Sovjetik. Ministri i Jashtëm, Sulejman Delvina, më 4 korrik i dërgoi kërkesën për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, Komisarit të Jashtëm sovjetik, Georgy Chicherin. I cili iu pergjigj dy muaj më vonë, duke i shprehur vullnetin e Moskës për realizuar kërkesën e qeverisë shqiptare. Për këtë do të mjaftonte shkëmbimi i letrave kredenciale.

Bisedimet konkrete për të përcaktuar modalitetet mes dy qeverive u zhvilluan nga ambasadori shqiptar në Romë, Tefik Mborja. Ai u takua me ambasadorin sovjetik, Konstantin Juranev, si një shenjë e këmbënguljes inatçore të kryeministrit shqiptar për normalizim të marrëdhënieve diplomatike me Moskën. Noli në fakt ishte paralajmëruar disa herë nga shtetet perëndimore, që të mos vijonte bisedimet me përfaqësuesit e Stalinit.

Por, pas kthimit duarbosh dhe pa mbështetje nga Gjeneva dhe si pasojë e refuzimit të shteteve kryesore të Lidhjes së Kombeve për të mbështetur qeverinë e tij, Noli në shtator ndaloi në Romë, me shpresën për t’u takuar edhe me Musolinin. Musolini refuzoi ta takonte. Nolit i mbeti vetëm të realizonte pjesë e dytë të agjendës së tij në Romë. Ai zhvilloi një vizitë në ambasadën sovjetike, ku takoi ambasadorin Juranev dhe i shprehu gatishmërinë e qeverisë së tij, për njohjen e qeverisë së Stalinit. Juranevi e konsideroi njohjen si çështje tashmë të përfunduar dhe ishte në pritje të përfaqësuesve të dy vendeve në Tiranë dhe në Moskë. Nga Moska ishte përcaktuar edhe përfaqësuesi i saj, siç pohonin dhe britanikët. Arkadi Krakovetsky dhe zonja e tij, Elizabet Stoutschevsky, bashkë me stafin diplomatik ishin gati të shkonin në Tiranë.

Vendimi i Nolit për të njohur Bashkimin Sovjetik, përveçse ishte një vendim ekskluzivisht personal, i pakonsultuar dhe i marrë me shumë nxitim, tregon joseriozitetin dhe paaftësinë e tij për të kuptuar pasojat për Shqipërinë dhe rolin e saj në rajon dhe arenën ndërkombëtare. Megjithatë, ky vendim i papeshuar dhe deri diku arrogant, në fakt përputhej me stilin e tij autoritar të qeverisjes. Qeveria kishte shpallur zgjatjen e ligjit marcial, kishte proçeset gjyqësore ndaj kundërshtarëve politikë me dënime deri në dënime me vdekje dhe kishte instrumentalizuar organet e drejtësisë për interesa politike, siç ishte rasti i procesit gjyqsor mbi vrasjen në Mamuras të dy shtetasve amerikanë, De Long dhe a Coleman. Po ashtu, ishte tregues i moskuptimit të rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Noli nuk kishte mbështetje as brenda dhe as jashtë vendit, për të vazhduar me njohjen e Bashkimit Sovjetik.

FB IMG 1729439219127
Albanian writer, politician and historian Fan Noli (1882-1965), former Prime Minister of Albania, appears in Boston, United States on 28th June 1937. Bishop Fan Noli has recently graduated from the New England Conservatory of Music. (Photo by Paul Popper/Popperfoto via Getty Images)

Vendimi i Nolit për të njohur Bashkimin Sovjetik, përveçse ishte personal dhe i nxituar, tregoi paaftësinë e tij për të kuptuar pasojat për Shqipërinë dhe rolin e saj në arenën ndërkombëtare. Arroganca dhe kokëfortësia e Nolit u shfaq hapur edhe në bisedën me përfaqësuesin britanik në Shqipëri Harry Eyres, i cili e paralajmëroi se njohja e Qeverisë së Stalinit nuk do të përmirësonte gjendjen e shqiptarëve në Ukrainë. Qeveria shqiptare duhej të fokusohej tek ndalimi i çdo aktiviteti bolshevik në vend.

Në krye të 6 muajve, Noli mbeti i izoluar dhe pa mbështetje ndërkombëtare, duke treguar se ishte i papërgatitur dhe i paaftë për të qeverisur Shqipërinë. Madje u konsiderua destabilizues për Ballkanin. Gjithashtu përkrahja ndaj tij brenda vendit u zbeh, duke u abandonuar, si rezultat edhe i dështimit të reformave premtuese që ai lançoi gjatë triumfit të Revolucionit të Qershorit 1924.

Qeveria 6-mujore revolucionare e Nolit u pasua me rikthimin e Ahmet Zogut dhe “trumfin e Legalitetit” në 24 Dhjetor 1924.

Exit mobile version