Real Madrid duhet të konsiderohet si favorit për të shtunën kundër Barcelonës, sipas trajnerit të PSG-së, Unai Emery. Kampionët në fuqi të Spanjës i mirëpresin katalanasit në “Santiago Bernabeu”, me “Los Blancos” 11 pikë pas, në vendin e katërt të renditjes aktuale. Megjithatë, Real Madridi ka një ndeshje në dorë, pas fushatës së tij të suksesshme në Botërorin për Klube. Dhe Emery, i cili do të marrë pjesë në “El Classico”, sepse do të studiojë kundërshtarin e vet në raundin e radhës të Ligës së Kampionëve, beson se avantazhi i të luajturit në shtëpi i bën favoritë të besuarit e Zinedine Zidane.
“Ata janë shumë pikë prapa, por të shtunën, nëse një ekip është favorit për të fituar, atëherë duhet të jetë Real Madridi, pasi luan në shtëpi”, tha Emery për “Marca”. “Të luajturit para tifozëve të tu është e rëndësishme në një klasike. Për më tepër, Real Madridi po luan për të qëndruar ‘gjallë’ në La Liga, në garën për titull. Të bardhët kanë nevojë për tri pikë dhe avantazhi në shtëpi është mjaft i rëndësishëm, por ju nuk mund ta përjashtoni as Atletico Madrid për titullin në La Liga. Real Madridi ka ende një ekip shumë të mirë. Ata kanë fituar dy titujt e fundit të Ligës së Kampionëve dhe një titull në La Liga”.