Pas 2 vitesh arrati, policia nuk e ka arrestuar dot, por ish kreu i policisë në kartelin “Tahiri” është dorëzuar vetë në polici. E gjitha duket një farsë e orkestruar.
Lajmi konfirmohet nga burime të policisë në Vlorë, të cilët bëjnë të ditur se Çela është dorëzuar pranë autoriteve mesditën e sotme. Jaeld Çela ishte shpallur në kërkim në kuadër të dosjes “Habilaj”, ku i akuzuar ishte edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Avokati i Jaeld Çelës, Petrit Ismaili ka konfirmuar se ky ishte vendim tashmë i paralajmëruar nga Ish-drejtuesi i Policisë, i cili do të vijojë tashmë betejën në Apel së bashku me ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Më poshtë deklarata e marrë përmes avokatit:
Vendosa të paraqitem përpara trupit gjykues në këtë fazë të dhënies së drejtësisë.
Në këto 2 vite nuk i jam bindur një mase denigrimi ndaj meje (që prokurorët e kësaj çështjeje e quajtën masë sigurimi).
Nuk më udhëhoqi në këtë veprim instikti i lirisë, por arsyeja dhe respekti për punën që kam bërë në më se 17 vite në strukturat e Policisë së Shtetit.
Më udhëhoqi:
-Respekti për punonjësit e shumtë të policisë, vartës, kolegë dhe eprorë, me të cilët kam shërbyer vetëm bazuar në ligj;
-Arsimimi dhe formimi im si Punonjës Policie dhe si një njeri që po i nëpërkëmbej e drejta;
-E mbi të gjitha respekti dhe dashuria për familjen time, së cilës mund t’i kërkoj ndjesë vetëm pse isha bashkëkohës me një sistem drejtësie që nuk interesohet të japë drejtësi me vendimet e tij, por të performojë politikisht, përmes tyre.
Nuk shkova në paraburgim edhe për një arsye tjetër: Do të “zhgënjeja” gjithë ata të fajshëm që Ligji Penal, synon përveçse t’i ndëshkojë, edhe t’i ndreqë, pasi kjo e dyta do dukej e parëndësishme, meqë në burg mund të hysh edhe kot.
Kam qenë dhe mbetem i bindur në pafajësinë time sepse ajo mbështetet mbi të vërtetën, drejt së cilës duhet të shkojë drejtësia….
Përgjatë gjithë kësaj periudhe mbi emrin tim është hedhur baltë nga të gjithë ata që kurrë nuk më kanë njohur, që kurrë nuk kanë pasur dëshirën të njohin të vërtetën dhe që e kanë gjithmonë të lehtë të ngrenë gishtin dhe të nëpërkëmbnin “prenë” e radhës.
Prokurorët më donin “bashkëpunëtor” të ish-Ministrit Tahiri, ndërkohë që isha vartës dhe bashkëpunëtor në shërbim të Ligjit.