Departamenti i Punonjësve Migratorë në Filipine ka njoftuar zyrtarisht qytetarët për mundësi të reja punësimi në Maltë dhe në Shqipëri. Sipas njoftimit zyrtar, Malta kërkon kujdestarë me rroga mujore që variojnë nga 1 mijë deri në 3500 euro. Ndërkohë që Shqipëria ka kërkuar të punësojë rreth 20 mijë punonjës në sektorin e mikpritjes.
Në maj të vitit të kaluar, ministria e Ekonomisë njoftoi se qeveria shqiptare ishte në negociata me një shtet të huaj për të sjellë dhjetra mijëra punonjës.
“Ministria po bën përpjekje të mira për të marrë punonjës cilësor nga tregu i huaj. Ajo që po them si një e re që do të ndodhë shumë shpejt është që jemi në përfundim të një kontratë me një shtet që ka punonjës të kualifikuar, profesional në pjesën e disa industrive, duke përfshirë atë të turizmit por edhe të veshjeve. Mendoj që shumë shpejt do të bëhet e mundur kjo lidhje marrëveshje, dhe do të kemi punonjës të kualifikuar që do të plotësojnë nevojat e biznesit për punonjës të kualifikuar,” deklaroi në atë kohë Albin Gega, drejtori i Përgjithshëm i Punësimit dhe arsimit profesional në ministrinë e Ekonomisë.
Me sa duket marrëveshja është nënshkruar dhe tashmë departamenti i migracionit në Filipine ka shpallur zyrtarisht njoftimin për vendet e lira të punës në Shqipëri. Qeveria filipinase u ka kujtuar qytetarëve që aplikimet e punës “qeveri me qeveri” do të procesohen direkt nga zyrat e departamentit të Migracionit, pa asnjë tarifë. Ndërsa aplikimet private duhet të bëhen vetëm përmes agjencive legale të listuar në faqen e tij zyrtare.
Kërkesa e Shqipërisë për të importuar punonjës nga ashtë ngjason me një paradoks të madh. Shqipëria është vendi me pagat më të ulëta në Europë, që kanë detyruar miliona shqiptarë të braktisin vendin e tyre dhe të ikin në emigrim. Por pavarësisht kësaj, qeveria kërkon 20 mijë punonjës në një kontinent tjetër.