Pas uniformave po fshihet tenderi 30 milionë euro i Tahirit

Prej disa ditësh në shumë media po i bëhet jehonë një lajmi për tenderin e uniformave të reja të Policisë së Shtetit, i cili do të hetohet nga Task-Forca e Prokurorisë së Tiranës. Për këtë tender që shkonte deri në 1 miliard lekë, doli vetë të flasë me pompë edhe ministri Tahiri. I njëjti person që i kishte propaganduar veshjet e reja të policisë, deklaroi pak ditë më parë: “Jam informuar që është kallëzim i Policisë së Shtetit, kjo është shenjë e vullnetit tonë për zbatuar standardet. Në të kaluarën një tender uniformash do të kalonte pa u ndier edhe me pikëpyetje të forta korruptive siç ka ndodhur. Sot ne nuk pajtohemi me këtë realitet. Policia e Shtetit porositi disa uniforma që erdhën jashtë standardeve, policia ndërpreu kontratën, nuk pranoi të merrte në dorëzim uniformat, bëri kallëzim në Prokurori. Shembull më të mirë të përkushtimit për të respektuar ligjin dhe për t’i shërbyer punonjësve të policisë që të kenë uniforma të denja unë nuk di të ketë”.
E gjithë zhurma në fakt po bëhet me pretendimin se uniformat e dala nga ky tender, ku nuk dihet nëse është zbatuar rregulli i pashkruar i 20%, janë të një cilësie të dobët.
Po si qëndron në fakt e vërteta.
“Lapsi.al” ka shqyrtuar dokumentet dhe proceduarat e kësaj gare të shpallur në dhjetor të vitit të shkuar.
Këqyrja e dokumentacionit rezulton e habitshme.
Kontrata nënshkruar më 12 janar, natyrisht pas kryerjes të të gjitha formaliteteve të nevojshme, ka përfunduar më 5 shkurt.
Brenda një periudhe 25 ditore janë marrë në dorëzim nga Policia e Shtetit plot 90 mijë artikuj.
Po pastaj çfarë ka ndodhur?
Policia i ka marrë në dorëzim të gjitha uniformat e tenderuara ndryshe nga e pavërteta që thotë ministri Tahiri. Pra ajo, sipas dokumentacionit që ka parë “Lapsi.al”, jo vetëm e ka pranuar, por e ka certifikuar mallin dhe e ka futur atë në përdorim. Ka kryer edhe analizat e veta laboratorike për të vërtetuar që cilësia është konform kritereve të kërkuara.
Po më pas çfarë ka ndodhur?
Ndryshe nga komisioni i specialistëve, Policia e Shtetit ka ngritur një komision të vetin me specialistë, ku njëra nga anëtaret është në konflikt të hapur interesi e lidhur me një nga firmat humbëse në trenderin e uniformave dhe prej andej ka dalë versioni e uniformave me cilësi të dobët.
Po pyetja është: pse kur i pranoi dhe i çertifikoi vetë këto uniforma policia u kujtua të bëjë kazus pas pilafit cilësinë e tyre të dobët?
Edhe një pyetje më absurde: Pse ajo u kujtua 7 muaj me vonesë të merakosej për cilësinë?
Dyshimet janë se po organizohet një prapaskenë e zakonshme nga ato që jemi mësuar të shohim rëndom në tenderat e organizuar nga qeveritarët.
Së shpejti Ministria e Brendshme po përgatitet të organizojë një tender gjigant me vlerën afro 30 milionë euro. Ajo tashmë i ka shpërndarë kompanive që konkurrojnë në këtë fushë, kërkesat për ofertat e para. Dhe natyrisht me një thesar të tillë parash, nuk bëhet shaka lehtë. Vetëm 20%-shi i kësaj shifre shkon 6 milionë euro. Aty nuk duhet të ketë surpriza.
Ndaj dyshimet janë se zhurma e tanishme nuk po bëhet, as për transparencën të cilën e propagandon Tahiri, as për standardin e ri të rilindasve të ndershëm. Ajo po bëhet për t’u paraqitur si shembull ndëshkues, për këdo kompani prodhimi mjetesh policie, që do të futet pa leje në tenderin ku ndahet feta e stërmadhe.
Duke qenë se standardi i ri që është vënë nga qeveria, është ai i tenderave elektronikë, ndoshta është më e kollajshme që të gjenden rrugë të tërthorta për të dekurajuar firmat që mund të guxojnë të marrin pjesë në ndarjen e fetës së madhe, duke konkurruar me ulje çmimesh ashtu sikurse bëri kompania që po anatemohet sot, që në tenderin e parë prej 1 miliard lekë, dha çmimin më të ulët, për të mirën e taksapaguesve shqiptarë, por për të keqen e përfituesve të 20%-shit.

Prokuroria sekuestron llogaritë bankare të kompanisë fituese të tenderit të uniformave

Sipas Prokurorisë, është kërkuar në gjykatë sekuestrimi i llogarive bankare të kësaj kompanie, pasi dyshohet se ka konsumuar dy vepra penale, atë të “mashtrimit” dhe “falsifikimit të dokumenteve”. Për këto dyshime, është kërkuar bllokimi i llogarive bankare deri në një vendim tjetër pasi rezulton se ka përfituar një shumë të konsiderueshme parash si detyrim për prodhimin e uniformave dhe veshjeve të tjera speciale për Policinë e Shtetit. Veç llogarisë, Prokuroria ka kërkuar edhe sekuestrimin e dosjes së kompanisë pranë Qendrës së Regjistrimit të Bizneseve, me dyshimin e dorëzimit pranë QKR të shkresave të falsifikuara. Prokurorët gjithashtu kanë kërkuar nga Ministria e Brendshme t’i vërë në dispozicion të gjithë dosjen për tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit. Kontratën mes policisë dhe kompanisë shqiptaro-turke të dhjetorit të 2015, si dhe letërkëmbimet shkresore mes tyre.
Hetimet për dosjen në fjalë, kanë nisur pak muaj më parë pas publikimit në media të disa të dhënave, që ngre dyshime se me tenderin e uniformave është abuzuar. Për këtë fakt, Prokuroria ka sekuestruar dhe administruar disa prova shkresore, ku provohet tashmë se kompania shqiptaro-turke është shpallur fituese pa çertifikatën e cilësisë. Veç kësaj, në dosje thuhet se uniformat janë prodhuar në Turqi, ndërsa Prokuroria nuk ka gjetur ndonjë shkresë apo provë në dogana që faktojnë hyrjen e tyre brenda territorit shqiptar, duke ngritur dyshime se kemi të bëjmë me falsifikim ose kontrabandë. Për këtë dhe të tjera dyshime, Prokuroria po heton anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave që shpallën fitues kompaninë “Marsi & AL” dhe “Yakupoglu Tekstil” për dizajnimin dhe qepjen e 27 mijë e 900 copë uniformave të ndryshme të policisë.

Skandali me tenderin e uniformave

Prokuroria e kryeqytetit e ka regjistruar procedimin penale, për tenderin me vlerë rreth 1 miliard lekë të zhvilluar nga Ministria e Brendshme. Burimet thonë se hetimi ka nisur kryesisht, pas publikimit në media të dyshimeve për abuzimin me tenderin e uniformave të policisë. Sipas akuzës, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave pranë Ministrisë së Brendshme ka hapur dy herë procedurat e tenderimit për uniformat. Fillimisht më 6 nëntor të 2015, ku brenda ditës është anuluar kjo proceduar për të vazhduar dy muaj më pas, në dhjetor të 2015. Ku edhe është shpallur fituese kompania turko-shqiptare si fitues e tenderit me vlerë rreth 1 miliard lekë. Sipas vendimit të shpalljes së fituesit, kompania shqiptare “Marsi & AL dhe ajo turke “Yakupoglu Tekstil”, është renditur si ofertuesja me çmimin më të ulët për dizajnin dhe qepjen e 27 mijë e 900 copë uniforma të ndryshme të policisë. Por pas shpalljes së fituesve, janë ngritur dyshime në media për cilësinë e uniformave dhe akuza konkrete nga Partia Demokratike që ka denoncuar këtë fakt. Pas këtyre denoncimeve, ka nisur edhe hetimi i Prokurorisë së Tiranës. Nga veprimet e para hetimore, janë ngritur dyshime për cilësinë e mallit të përdorur për qepjen e uniformave. Gjithashtu, mësohet se nga verifikimi në dogana, ka rezultuar se këto uniforma nuk janë prodhuar në Turqi siç janë raportuar nga ministria apo edhe nga kompania fituese e tenderit. Pasi në asnjë rast nuk janë gjetur fatura doganore të hyrjes së këtyre uniformave të policisë. Çka ka lind dyshimi se uniformat janë prodhuar në Shqipëri. Nga ana tjetër, Prokuroria mësohet se po verifikon edhe kompaninë turke të deklaruar si bashkëpunuese me kompaninë shqiptare në fitimin e këtij tenderi rreth 1 miliard lekësh. Burimet thonë se nga verifikimi i procedurave të kompanisë, rezulton se kompania shqiptare është krijuar në vitin 2012 dhe më pas në vitin 2014 është ndryshuar pronësia dhe administratorët. Kjo kompani Marsi &AL, ka dorëzuar dokumente gjatë tenderimit si kompania bashkëpunuese me kompaninë turke “Yakupoglu Tekstil”, e cila po verifikohet për regjistrimin e saj në Shqipëri, pasi dyshohet se nuk është e regjistruar si shoqëri në QKR.

Exit mobile version