Pas Veliajt, a do të vijë radha e Edi Ramës?

Nga Namir Lapardhaja

Për vite me radhë, Erion Veliaj u paraqit si një politikan modern, i afërt me qytetarët dhe i angazhuar për transformimin e Tiranës. Megjithatë, pas fasadës së tij, akuzat për korrupsion, abuzim me fondet publike dhe lidhje me oligarkët vetëm sa u shtuan. Arrestimi i tij ishte një zhvillim i pritshëm për ata që kanë ndjekur me vëmendje kontratat e dyshimta, betonizimin e kryeqytetit dhe projektet që kanë pasuruar një grusht njerëzish, ndërsa qytetarët përballen me rritjen e taksave dhe çmimet e larta të jetesës.
Për shumëkënd, Veliaj ishte vetëm një pjesë e skemës së madhe të korrupsionit që ka lulëzuar nën qeverisjen e Edi Ramës. Kryeministri ka drejtuar vendin për më shumë se një dekadë dhe gjatë kësaj periudhe, akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe kapje të shtetit kanë arritur nivele alarmante. Skandalet që kanë përfshirë inceneratorët, koncesionet, PPP-të dhe tenderat e dyshimtë kanë një të përbashkët: Rama ka qenë gjithmonë në qendër të vendimmarrjes.

Arrestimi i Veliajt është një hap i madh, por a do të ndalet drejtësia këtu? Ajo duhet të ndjekë fijet që e çojnë te Edi Rama dhe të hetojë rolin e tij në skemat e mëdha korruptive që kanë rrjepur financat publike. Veliaj nuk duhet të jetë fundi i kësaj sage, por vetëm fillimi.
Koha do të tregojë nëse drejtësia shqiptare ka kurajon të shkojë deri në majë të piramidës së pushtetit. Një gjë është e sigurt: Veliaj ra. A është Rama i radhës?

Exit mobile version