Pasaporta, burokracia që ndan Shqipërinë nga Kosova

Nga Flamur Vezaj

Një krahasim mbi procedurat për marrjen e pasaportës në Konsullatat përkatëse në Nju Jork!

Nuk është ndeshje futbolli, as ndonjë konkurs mes këtyre dy vendeve, por thjesht një procedurë aplikimi dhe marrje pasaporte në konsullatat respektive në Nju Jork!

Duke qenë se jam shtetas i Kosovës dhe Shqipërisë, po rendis eksperiencën time në të dyja konsullatat, shërbimin dhe kushtet për qytetarët këtu në Nju Jork!

Konsullata e Shqipërisë në Nju Jork

Adresa: 320 E 79th St, Neë York, NY 10075

#Për të aplikuar për pasaportë të Shqipërisë, duhet të krijosh një profil në e-Albania dhe të aplikosh online aty, jo vetëm për pasaportë por edhe për kartë identiteti, duke dhënë të dhënat personale dhe numrin e letërnjoftimit. Më pas, pret minimumi 3-7 ditë që të konfirmohet verifikimi yt dhe ata nga Tirana të caktojnë orarin kur dhe në çfarë ore të shkosh në Konsullatë në Nju Jork për të bërë aplikimin, për të dhënë gjurmët e gishtave, fotografinë dhe pagesën.

Orarin ta caktojnë brenda tre javësh nga aplikimi online në e-Albania, ku të thonë se duhet të kesh letërnjoftimin dhe pasaportën me vete dhe një çek bankar, por jo personal (çek banke etj.). Nuk pranohen karta debiti, karta krediti dhe as para në dorë.

Kur shkon në Konsullatë, duhet të gjesh parking afër (30-60$ ora). Edhe pse ke një orar të caktuar, nuk hyn asnjëherë menjëherë, sepse ka radhë që nuk kanë mbaruar ende. Duhet të presësh në korridorin e ngushtë (janë dy karrige që zakonisht janë të zëna), në shkallë ose në kafen përballë, pasi dhoma e pritjes është mbyllur (thonë se nuk kanë buxhet për të paguar pastruese dhe faturën e dritave). Edhe për nevoja personale duhet të shkosh në kafen përballë, sepse banjo është e mbyllur.

Në momentin që të vjen radha, nëse nuk e ke letërnjoftimin me vete (nëse ta ka humbur), nuk mund të bësh aplikimin për pasaportë. Në këtë rast, duhet të bësh denoncimin në polici ku jeton (të marrësh një raport) ose punonjësja i dërgon një email policisë në Shqipëri, të cilët kthejnë përgjigje pas disa ditësh, dhe ti nuk mund të bësh aplikimin atë ditë (shkon rruga kot). Nëse e ke letërnjoftimin e vjetër, atëherë bën aplikimin, gjurmët e gishtave, foton dhe pagesën, dhe je i lirë për t’u larguar.

Pas 1-2 muajsh, pasaporta mbërrin në Konsullatë dhe duhet të shkosh ta marrësh personalisht. Kishte një opsion që paguan një zarf poste dhe ia lë punonjëses që ta dërgojë në adresën e banimit, por kjo vlen vetëm për pasaportën. Ndërsa për letërnjoftimin (shumë e çuditshme), duhet të shkosh herë tjetër përsëri në Nju Jork për ta marrë personalisht, sepse letërnjoftimi nuk të dërgohet me postë. Pra, duhet të bësh dy udhëtime në Nju Jork për të marrë dokumentet!

Konsullata e Kosovës në Nju Jork

Adresa: 801 2nd Ave #301, Neë York, NY 10017

#Për të aplikuar për pasaportë në Konsullatën e Kosovës në Nju Jork, nuk të duhet të aplikosh askund online apo të marrësh konfirmim. Mjafton të dërgosh një email ose të telefonosh, dhe punonjësja e konsullatës të pyet kur është më mirë për ty që të vish, jo vetëm për ditën, por edhe për orën!

Të kërkohet të kesh pasaportën e vjetër dhe letërnjoftimin, për të cilët duhet të aplikosh njëkohësisht, jo vetëm për pasaportën. Për pagesën, në Konsullatën e Kosovës mund të paguash me kartë krediti, debiti etj., dhe nuk të duhet të marrësh një çek bankar (money order).

Kur shkon në Konsullatë, edhe këtu duhet të gjesh parking (30-60$ ora). Hyn në ndërtesë, regjistrohesh në katin e parë dhe ngjitesh në katin e tretë, ku ndodhet konsullata. Nuk pret dhe hyn menjëherë për të dorëzuar pasaportën dhe letërnjoftimin dhe për të vazhduar procedurën. Por aty ka hapësirë pritjeje me më shumë vende për t’u ulur (jo vetëm dy karrige). Banjoja është e hapur dhe mund të përdoret nga të gjithë.

Edhe këtu duhet të blesh një zarf dhe punonjësja e Konsullatës ta dërgon pasaportën dhe letërnjoftimin me postë brenda një muaji. Ndryshe nga Shqipëria, këtu të dërgojnë të dy dokumentet me postë.

Nëse nuk ke letërnjoftimin dhe të ka humbur, duhet ta denoncosh në qytetin ku jeton (SHBA) si të humbur dhe të marrësh një raport policie (të humbur) ose punonjësja e konsullatës i shkruan policisë së Kosovës (me email), dhe brenda 30 minutash kthehet përgjigjja (raporti) që konfirmon letërnjoftimin e humbur, duke vazhduar më pas aplikimin pa probleme.

Konstatim:

Të dyja konsullatat kanë staf thuajse të njëjtë, por proceset janë shumë të ndryshme.

Pse nuk i lehtëson të paktën si Kosova edhe Shqipëria këto burokraci e kokëdhimbje?!

Exit mobile version