Pasaportë europiane, standarde ballkanike!

Nga Lutfi Dervishi

Pasaportë europiane, standarde ballkanike!

Në një vend europian, kur nuk mban fjalën, kërkon ndjesë.

Kur kapesh gafil, mban përgjegjësi, nuk kërcen te premtimi tjetër, më i madh, më i bukur, më i parealizueshëm.

Pasaporta europiane kërkon ndarje pushtetesh, jo një gravitet politik, ku çdo gjë rrotullohet rreth njëshit.

Ajo kërkon konkurrencë të lirë, jo kapitalizëm të emëruar me PPP dhe tenderë pa garë.

Kërkon një sistem ku fiton kush është më i aftë, jo kush është më afër.

Pasaporta europiane nuk jepet për inspektime spektakolare, ku kryeministri dhe ministrat rreshtohen në kantier si në dokumentarët e dikurshëm të Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Ajo kërkon që 900 inspektimet e zhurmshme të Kryeministrit dhe ministrave të bëhen pa zhurmë nga AKU dhe inspektorate që e kanë për detyrë inspektimin.

Europa kërkon zgjedhje të lira e të ndershme, ku konkurrojnë partitë më njëra-tjetrën, e jo administrata me opozitën.

Pasaporta europiane është për shtete që riciklojnë mbeturinat, jo premtimet.

Për vende ku inceneratorët djegin plehra, jo fonde publike dhe prova ligjore.

Por më shumë se kaq, pasaporta europiane kërkon standarde.

Kërkon shkolla që edukojnë, jo që lëshojnë diploma.

Rroga që të jetosh me dinjitet.

Pensione që mbajnë gjallë, jo që të çojnë në borxh për ilaçe.

Drejtësi që jepet sa je gjallë, jo kur ke ndërruar jetë.

Prona që mbrohen me ligj, jo që grabiten me vendim gjykate.

Europa është hapësirë sigurie, lirie dhe drejtësie.

Ne përafrohemi vetëm në një aspekt: në pozicionin gjeografik!

Po, pasaporta europiane kërkon shumë.

Më shumë sesa firmën e një kryeministri, më shumë se një ceremoni me flamur blu për sfond.

Të besosh se një copë letër me yje mund të zëvendësojë standardet që s’i kemi ndërtuar kurrë, është si të ngatërrosh barkodin me dinjitetin.

Sepse në Shqipëri, nuk është problem të bëhesh europian në letër dhe në premtime, problemi është të sillesh si europian në përditshmëri.

Dhe më e vështira nga të gjitha: Të qeverisësh si europian.

Passporta bën diferencë, por mendja, realiteti dhe mentaliteti edhe më shumë.

Kur të dëgjosh për pasaportën europiane, kujtohu se:

Nuk na mungojnë “letrat”. Na mungon Europa në jetën e përditshme.

Sepse Europa nuk është strehë, është standard.

Dhe ai standard nuk stampohet, por ndërtohet.

Europa është këtu. Ne nuk jemi atje.

Dhe për t’u ndërtuar, nuk kërkon mrekulli, magji, fantazi.

Mjafton të mësojmë dhe të ngulitim si “ves”, vetëm një fjalë: Mirëqeverisje.

Pastaj nuk do të na duhet pasaporta e BE.

Do të mjaftojë karta e identitetit.

Exit mobile version