Pazari mes PS dhe Rithemelimit/ Sistemi TIMS, përjashtimi i dëshmisë së Ramës, vetëposhtërim i “revolucionit” të Berishës

Nga Bato Kosova

Mungesa e dëshmisë së Edi Ramës në Komisionin Parlamentar të sistemit TIMS, është kapaku në kokën e revolucionit të Berishës, Bardhit dhe atyre që për 5 muaj kishin mbajt peng parlamentin, duke lejuar Ramën të votonte gjithçka, por duke moslejuar asnjë alternativë dhe zë të arsyeshëm të dëgjohej, me retorikën e gënjeshtërt që, nëse nuk plotësohen kërkesat tona, nuk do të ketë jetë parlamentare të qetë.

Pasi kërkuan 8 Komisione Hetimore, u katandisën në dy. Në kundërshtim me interesin publik, përjashtuan nga hetimi koncensionin e laboratorëve dhe dializën, sepse pronari i tyre ishte një oligark që kishte paguar edhe te Rama edhe te Berisha, kështu që nuk mund të hetonin “bamirësin” e tyre.

Për 5 muaj me radhë, thoshin se duan Komision Hetimor për udhëtimet sekrete të Ramës dhe të pushtetarëve të tjerë, se Rama kishte urdhëruar vjedhjen e data-base të TIMS, që të zhdukte lëvizjet e Olsit dhe të tijat, por në fund, “i zoti i punës”, Edi Rama pra, nuk u thirr, pas marrëveshjes së rithemelistave të Berishës dhe Gogut të Ramës, i cili dje tha që për të mirën e Shqipërisë do të bashkëpunojmë edhe me Berishën (Stalinin, nëse do të besojmë se Ramën e krahasoi me Çurçillin).

Mosthirrja e Edi Ramës në komisionin TIMS nuk është gjë tjetër vetëm se amnistim i Kryeministrit.

Thënë ndryshe, bie e gjithë retorika dhe mashtrimi i ngritur se sistemi TIMS do të nxirrte lakuriq të gjithë aferat e Edi Ramës dhe të vëllait të tij.

Nuk është asgjë më shumë vetëm se dorëzim pa kushte në prehrin e Edi Ramës, sepse duke miratuar planin e Partisë Socialiste do të thotë do hetojnë vetëm ato që do t’u thotë PS-ja.

Në fakt, Komisionet Hetimore, pas ndryshimeve të njëanëshme të PS-së në Kuvend, ndërkohë që Berisha, Bardhi, Noka etj., i binin bilbilave, nuk ishte gjë tjetër vetëm se loja për të ardhur deri këtu.

Nevoja për të mbijetuar dhe për t’u njohur nga Edi Rama si faktor politik i Sali Berishës, pavarësisht se ishte betuar se nuk do të bashkëpunonte me “non gratat”, bën që revolucioni të vetëposhtërohet dhe të vijë te dita të hetojë vetëm ato që i lejon PS-ja.

Dhe Revolucioni e pranon me dëshirë të madhe, për sa kohë që njihet si “opozitë” e vërtetë nga pushteti./ Alfapress.al

Exit mobile version