Pazari për ndarjen e Kosovës me Thaçin dhe Ramën, reagon Vuçiç: Kam dështuar

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të hënën se politika e ndjekur pesë vjet për ta rikthyer çështjen e Kosovës në tryezën e bisedimeve, ka pësuar disfatë. Ai i bëri këto komente në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Partisë Përparimtare serbe.
“Politika ime që Serbia të ruajë shumë gjera në Kosovë, qartazi në Serbi nuk ka fituar, sepse serbët duan të humbin gjithçka, më së shumti dëshirojnë të vajtojnë mbi fatin e tyre. Më shumë duan të qajnë për diçka që është e largët, sesa të kenë diçka në duart e tyre… Raundin e parë e fitoi Serbia e shkatërrimit, Serbia e vajit e jo Serbia që fiton”, tha ai duke nënvizuar se druan që nuk do të ketë një mundësi të re, por ai do të “luftojë edhe më fuqishëm për popullin serb në Kosovë. Do të luftojmë që ata njerëz të jetojnë më mirë dhe të kenë më shumë te drejta”, tha ai.
Presidenti serb tha se shumë ‘lojtarë’ nga perëndimi nuk duan që Serbia të përzihet në Kosovë dhe kjo është rrjedhojë e “politikës katastrofale dhe të papërgjegjshme që është udhëhequr në të kaluarën”.
“Vetveten e kemi larguar nga Kombet e Bashkuara më 2010. Vetë e kemi gjykuar vetveten më opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në vitin 2011 kemi vënë kufirin ndërmjet serbëve në Jarinjë”, tha ai.
Ai foli të hënën edhe për fjalimin e tij në Mitrovicë në fillim të shtatorit gjatë të cilit kishte vlerësuar se ish presidenti serb

Sllobodan Milosheviç, ishte udhëheqës i madh” duke vlerësuar se askush nuk ka dashur të dëgjojë se çfarë ka thënë realisht kur e ka përmendur atë.
“Fjalimi im në Mitrovicë ishte fjalim i shkëputjes nga politika e presidentit Millosheviç, por fjalim serioz në të cilin unë nuk e kam fyer personalisht… Politika që e kam paraqitur është shkëputje nga qëllimet, mënyrat e metodat”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e kishte shpallur politikë të tij vënien e kufijve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve që nënkupton ndarjen tokësore të Kosovës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ngulë këmbë për idenë e tij për korrigjimin e kufirit, që nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë me Kosovën. Ideja e tij kundërshtohet ashpër nga opozita në Kosovë, por edhe një pjesë e partive të koalicionit qeverisës. Madje lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar edhe protesta kundër tij.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç gjatë verës kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje normalizimi ndërmjet të dyja vendeve, përfshirë edhe mundësinë e korrigjimit të kufijve.
Idetë e tilla nxitën reagime edhe në skenën ndërkombëtare. Një pjesë e vendeve të Bashkimit Evropian, posaçërisht Gjermania dhe Britania e kundërshtojnë ndryshimin e kufijve nga droja për pasojat në pjesën tjetër të rajonit të Ballkanit.
Zyrtarët amerikanë kanë ritheksuar disa herë se “Shtetet e Bashkuara duan t’u japin hapësirë të dyja palëve që të gjejnë një zgjidhje “krijuese”, që do të jetë e qëndrueshme dhe e zbatueshme”. Por, ata thonë se çfarëdo që të jetë marrëveshja, Shtetet e Bashkuara do ta shohin atë dhe do të thonë fjalën e tyre.

Exit mobile version