Pazari Rama-Berisha si thikë pabesie mbi Ervin Salianjin!

Nga Ermal Peçi

Në fakt çdo ditë që kalon, çdo orë, çdo minutë dhe çdo sekond e vetëpastron ujin e turbulltë të bashkëpunimit Berisha-Rama. Në fakt ata të cilët ne i mendonim armiq të medhenj qenkan edhe bashkëpunëtorët më të afërt për të eleminuar kundërshtarët e jashtëm edhe të brendshëm në politikën shqiptare. Emri i radhës ishte Ervin Salianji. Në fakt Salianji pavarësisht se ke simpati ose jo, pavarësisht çfarë mendon për të politikisht, askush nuk e mohon fibrën e tij politike. Një djalë i ri i cili ishte rritur brenda Partisë Demokratike dhe kishte zhvilluar betejat e tij me ulje dhe ngritjet e veta por që e kishte krijuar rrjetin e tij për të qenë edhe i pavarur politikisht brenda PD-së.
Çështja Babale është një çështje e cila ngriti shtetin në këmbë jo vetëm se bëhej fjalë për vëllain e Fatmir Xhafës por në fakt denoncimi ishte aq i fortë sa e mbaj mend në ato ditë edhe PD u rrethua nga civilë të shumtë që monitoronin çdo lëvizje. Tashmë Salianji ka rrugën ligjore të drejtë në çdo instancë për të vazhduar e fituar pafajsinë por edhe me rrugën e tij politike.
Në fakt po e komentoja live me gazetarin Xhoi Malësia në emisionin e tij Breaking vendimin për Salianjin por më pas pashë deklaratën e tij dhe shikoj që përsëri në lojë është kunata e Belinda Ballukut. Njëra prej gjyqtareve e cila ka marrë vendimin për të dënuar Salianjin dhe po ashtu e njëjta e cila i dha vulën në Apel, Sali Berishës. Në fakt këtu del në pah edhe marrëveshja Rama-Berisha i cili kur dëshiron e ringjall politikisht Berishën duke i dhënë vulën në Apel dhe kur do bashkëpunon për të goditur zërat kundër tij.
Por pse i interesonte Berishës, koka e Salianjit ndërkohë që e kishte zgjedhur drejtues qarku në Elbasan?! E thjeshtë fare, për të pastruar partinë, në një anë merr vulën në një anë lëshon Salianjin dhe përsëri fiton politikisht me betejat e tij mediatike se është kundërshtari më i egër i Ramës. Këtu Rama gjithmonë gjenë benzinë për narrativën pezhorative të Berishës ndaj tij duke ditur se ata kurrë nuk fitojnë përballë tij, kjo për sa kohë që fytyrat e opozitës janë Berisha dhe Meta. Në fakt me ujin i cili po kristalizohet duket se i radhës do të jetë Gazment Bardhi, njeriu që nga pazari Rama-Berisha do t’i pritet koka sepse Berisha është ujku i plagosur i cili ka dalë për gjah. E në këtë ambient të egër ai do të do të shqyejë këdo i cili i cenon pushtetin politik brenda PD-së dhe cenon edhe trashëgimtarin e zgjedhur prej tij. Prandaj Salianji sot u vra politikisht duke u dënuar për të mos marrë pjesë në politikë, e cila do të zgjasë deri në vitin 2034. E gjitha, pasi Salianji është një njeri politik që kishte ambiciet e veta, kishte shprehur qëndrimet e tij e kundër Berishës por gjithashtu kishte rrjetin e kontakteve brenda opozitës. E kjo e shqetësonte Berishën i cili tashmë duke e ditur që rotacionin nuk e sjell dot vetë, i duhet plani si të pastrojë partinë për ta lënë fushën e pastër për trashëgimtarin që ai ka zgjedhur.

Exit mobile version