Shkollat në Himarë në vitin 1935

Nga Kastriot Dervishi

Më 12.3.1935 në Gjykatën e Hagës shteti shqiptar humbi gjyqin dhe u detyrua të hapë shkolla private. Vinte ky vendim pas mbylljes së tyre në vitin 1933, vendim i cili ishte ankimuar nga Greqia. Ky vendim shkaktoi një përshtjellim të gjendjes në Himarë, deri në përplasje të shërbimeve sekrete. Më 24.1.1936, të dërguarit e Zyrës Sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Zef Kadarja (sekretar i përgjithshëm) e Thoma Papapano, pasi kryen një hetim 10-ditor paraqitën raportin e tyre për gjendjen në Himarë. Më poshtë publikimi i pjesës së parë (i korrektuar nga ana gjuhësore):

“Në hetimet që bëmë nëpër të gjitha katundet, Palasë, Dhërmi, Himarë, na rezultoi se shumica e popullit të këtyre tre katundeve kanë lidhë besë duke u betuar që të mos dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë, derisa qeveria të mos u koncedojë të drejtën e çeljes së shkollave private në gjuhën greke e me mësues të paguar prej tyre. Në Himarë ka vetëm një nxënës që ndjek shkollën, se të 4 nxënësit e tjerë janë bij, vëllezër ose nipa mësuesish në shkolla femërore të këtij katundi ndjekin mësimet vetëm tri nxënëse, por dhe këto jorregullsisht. Në të dy katundet e tjerë ndjekin shkollën, një numër i vogël nxënësish në përpjesëtim me numrin e detyrueshëm për shkollë: në katundin Palasë afro 24 nxënës dhe në Dhërmi afro 70 nxënës. Sikurse shihet, qysh ditën që Bregu i Detit iu shtrua administratës së shtetit tonë, shkollat e këtyre kanë qenë shtetërore me mësues të paguar nga arka e shtetit duke u mësuar edhe gjuha greke vetëm si gjuhë. Mbasi në vjetët e fundit orët e mësimit të gjuhës greke pakësoheshin, i pari katundi Palasë në muajin dhjetor 1934, paska kërkuar shtimin e orëve të mësimit të gjuhës greke me anë lutjeve të drejtuar drejtorisë së shkollës Himarë. Në muajin gusht të vitit të kaluem, i janë paraqitur titullarit të nënprefekturës së Himarës 4-5 përfaqësues të çdo katundi Himarë, Dhërmi e Palasë, e i kanë kërkuar verbalisht të mësohej gjuha greke dy orë në ditë për çdo klasë. Zoti nënprefekt në vend që të merrte menjëherë masa, për t’ia prerë hovin iniciativës së tyre, paska kërkuar t’i paraqitesh kjo kërkesë me anë lutjeje të nënshkruar nga të gjithë banorët e këtyre tre katundeve. Atëherë këta mblodhën nënshkrimet e popullit që të mos i linin shteg që ndokush prej tyre të pengohesh për atë lloj plebishiti, bashkë me nënshkrimet, mundën e morën dhe betimin mbi ungjill se ata nuk do të hiqnin dorë nga kjo kërkesë derisa qeveria të mos u jepte të drejtën e çeljes së shkollave private. Vetëm në Palasë e në Dhërmi një pjesë e vogël e popullit qëndroi besnike për shkollat shtetërore dhe në Himarë vetëm dy a tre persona. Në Palasë e Dhërmi e sidomos për Himarë, nuk ka qenë populli vetë i shtyrë nga ndonjë ide për të pasur shkolla private, por kanë qenë vetëm disa, e ma shumë në Himarë, të cilët janë munduar e kanë krijuar këtë gjendje të shtyrë nga interesa materiale e morale të veta. Deri një vit ma parë në Himarë ata që sot kryesojnë këtë lëvizje për shkolla minoritare, ishin një pakicë e vogël, por për fat të keq, këta me mashtrimin që mundën t’u bëjnë autoriteteve kishtare, shtinë në dorë ma parë këshillin kishtar dhe si administrator të pasurive kishtare tërhoqën për vete shumicën e banorëve. Pasuria kishtare lot një rol shumë të madh pse shumë familje bujqish, rrojnë duke punuar në këto pasuri. Propaganda greke e zhvilluar në popullin injorant është bërë me mënyra të dobëta se i është thënë popullit që shkolla private do të jetë ajo që do ta shpëtojë nga turqizmi.
Megjithëse iniciatorët vetë të kësaj lëvizjeje nuk e mohojnë se janë prej race shqiptare e se gjuhën greke e kanë adaptuar nga rrethana të kohëve të vjetra, e me gjithë që nuk deklarohet të jenë minoritet race por vetëm gjuhe, të bindur edhe se ndoshta nuk do t’ia arrijnë këtij qëllimi të sotëm të tyre, është e pamundur të heqin dorë nga iniciativa e marrë. Mundëm me kuptuar nga goja e njërit nga iniciatorët se ndoshta janë gabuar dhe se kanë hyrë në një rrugë që s’del, porse revokimi i këtij hapi kishte me ekspozuar në opinionin e atyre me të cilët janë lidhë në besë e betim. Ndër të tjera venë për shkak edhe se me çeljen e shkollave private, do të mundin të përfitojnë nga të ardhurat e një pasurie të një bamirësi himarjot që ka vdekur në Egjipt, i cili në testament ka thënë shprehimisht se këto të holla i len për t’i përdor për shkolla greke të Himarës. Por gjithë ky pretendim i tyre i fundit asht vetëm një pretekst. Për arsye të të gjitha këtyre që ekspozuam sipër, ishte e pamundur çdo sabotazh nga ana e jonë e kësaj lëvizjeje. Duke qenë pra, se këto nuk janë minoritete race, por vetëm gjuhe, qeveria nuk duhet kurrsesi t’u cedojë një të drejtë minoritare, të drejtën e shkollave private. Mjede me qenë se lëvizja është antikombëtare dhe e shtyrë nga një propagandë e huaj, iniciatorët e saj t’i dërgohen gjyqit politik. Por mbasi, ndoshta qeveria do t’i evitojë masa të tilla, jemi të mendimit që të disponohen masat që vazhdojmë ma poshtë, të cilat patjetër, brenda nj kohe të shkurtër, do të bëhen shkak shkatërrimi të kësaj lëvizjeje tradhtare dhe iniciatorët e saj të urrehen nesër edhe nga ai popull i cili sot verbërisht asht i lidhë me ta.
Jemi takuar e kemi folur edhe me disa prej banorëve të katundeve të sipërme të cilët kanë qenë me mbahen anëtarë të nxehtë të shkollave shtetërore si dhe disa prej parisë së katundeve shqipfolës të kësaj krahine dhe të gjithë njëzëri na kanë shfaqë çuditjen dhe njëfarë zemërimi për tolerancën dhe përkëdheljen që i është bërë dhe i bahet anës kundërshtare”.

Exit mobile version