Partia Demokratike ka hapur fushatën elektorale në Lezhë. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi në takimin me demokratët në Lezhë, tha se PD nuk do të bëjë gabimet e së shkuarës duke fuqizuar Ilir Metën, i cili në 2013-ën solli në pushtet Edi Ramën.
“Edhe në këtë betejë elektorale të pazakontë, ne kemi hyrë me një qëllim: Të ruajmë dinjitetin e PD! Ka qenë një vendim i vështirë, çdo zgjidhje që mund të bënim ishte me pasojë. Secili mendonte që njëra zgjidhje kishte pasojat më të vogla, dikush tjetër mendonte që zgjidhja tjetër kishte pasojat më të vogla. Për Bashkinë e Lezhës u gjykua që do të duhet të bëheni pjesë e zgjidhjes. Një gjë s’ia falim askujt, në 2023 të përsërisim gabimet e të shkuarës për inate të momentit. Të gjithë e mbani mend në 2009 e mbushëm me pushtet Ilir Metën dhe me atë veprim, sollëm në pushtet Edi Ramën në 2013”
Bardhi tha se beteja elektorale e demokratëve të Lezhës do të jetë për Këshillin Bashkiak, por Pjerin Ndreu nuk mund të jetë më kryebashkiak, duke shprehur mbështetjen për kandidatin Pashk Gjoni.
Partia Demokratike nuk ka kandidat në asnjërën prej tre bashkive të Qarkut Lezhë, por do të garojë vetëm për Këshillat Bashkiak në zgjedhjet vendore të 14-majit.