Matthias Schafer
Kanë qenë dy ditë shumë intensive, nga njëra anë sepse sfidat para të cilave qëndron shoqëria dhe ekonomia shqiptare, janë të mëdha, por nga ana tjetër gjithashtu dhe kjo është një gjë që dua ta them që në fillim para se të kaloj tek disa pika të programit ekonomik, mua më bindi shumë serioziteti me të cilin ne shkëmbyem ide me njëri-tjetrin, me ekspertët e Partisë Demokratike. Folëm për problemet e situatës ekonomike, por gjithashtu edhe për pikat konceptuale për t’i zgjidhur këto probleme në programin e zgjedhjeve të ardhshme. Ishte një përgatitje e shkëlqyer dhe ne shumë shpejt arritëm që të hynim në një diskutim shumë të saktë, shumë serioz dhe për këtë sigurisht nga ana ime dhe nga ana e kolegut Matias Hubscheru ju falënderoj shumë.
Ludvig Erhard, ministri i Ekonomisë, i cili ka qenë në kohën e Kancelarit Adenauher dhe njëri nga etërit e Fondit Ekonomik, ka thënë gjithmonë, 50 për qind, gjysma e një suksesi ekonomik, është besimi dhe psikologjia. Kështu që besoj se këto janë dy pika shumë të rëndësishme, të cilat na ndihmojnë për të ecur dhe për të mos e humbur fillin e diskutimit dhe sipas këtyre pikave ne u orientuam në diskutimet tona. Pra, si mund ta krijojmë besimin e shqiptarëve, besimin tek institucionet, tek politika, tek përfaqësuesit e tyre, të cilët në fund të fundit janë aty për të sjellë ndryshim ekonomik dhe besoj se me këtë program dhe me shumë pika të tij, ne kemi mundësinë që ju në Shqipëri t’u ofroni qytetarëve një përgjigje të sinqertë dhe të realizueshme se si do ta ringrini në këmbë ekonominë shqiptare. Pra, kjo është pika e dytë e rëndësishme, pra rritja. Është një pikë shumë e rëndësishme që u përmend edhe në fjalën e kryetarit. Njerëzve nuk duhet t’u bëhen premtime boshe, por duhet t’u ofrojmë perspektiva realiste, duhet të kemi guximin të vendosim prioritete, për t’i çuar gjërat përpara, ato që janë të rëndësishme. Edhe në këtë pikë sërish një citat të Ludvig Erhard, i cili që herët në historinë e Republikës Federale gjermane, ka thënë: Ne nuk bëjmë dot magji në politikë, por ajo që mund të bëjmë është që të punojmë fort. Pra, duhet të punojmë në politikë dhe në ekonomi. Ne duhet të krijojmë kuadër me të cilin mund të punohet për të mirën e gjithsecilit dhe të gjithë shoqërisë. Kjo është ideja jonë. Një ekonomi tregu, sociale, e cila është e lidhur me shumë punë, me sfida, me besim dhe pikërisht këto janë bazat e rritjes ekonomike. Tani do të kaloj në programin konkret, për të cilin folëm këtu në diskutim të hapur dhe ne sollëm idetë tona, të cilat ndërthureshin me përvojën e ekspertëve shqiptarë. Nga këndvështrimi im, ky program është i përshtatshëm për të zgjidhur shumë probleme që frenojnë rritjen ekonomike në Shqipëri dhe për të sjellë një kurs më të shpejtë dhe më të fuqishëm rritjeje në këtë vend. Thelbësore është situata e infrastrukturës publike. Çfarë prioritetesh vendosen këtu? Si mund të zhvillohet infrastruktura, e cila në thelb u jep njerëzve mundësinë që të përdorin potencialet e tyre. Që të përfshihen me idetë e tyre në dinamikën ekonomike dhe të mos jenë të varur nga ato që u jep shteti, por që të marrin vetë situatën dhe përgjegjësitë e tyre në dorë. Dhe për të qëndruar sërish në këmbë. Pikërisht në këtë drejtim, infrastruktura, ndërtimi i rrugëve, i aeroporteve etj., vazhdon me infrastrukturën në fushën e arsimit, të gjitha këto janë ato pika kyçe, të cilat mbështesin procesin e rritjes me qëllim që qytetarët të bëhen sërish të pavarur dhe të veprojnë. Një pikë e rëndësishme gjithashtu është edhe arsimi. Ne arritëm në përfundimin që është shumë e rëndësishme që të rritet cilësia në fushën e arsimit dhe pritshmëritë e njerëzve nga fusha e arsimit, me qëllim që njerëzit ta gjejnë veten në një zhvillim dinamik dhe t’i vënë thekset pikërisht aty ku duhet. Sa më herët që fëmijët të bëhen e të ndjehen pjesë e sistemit të arsimit, infrastrukturës, aq më të mira janë perspektivat për të realizuar një rregull ekonomik dhe një program ekonomik, i cili mbështetet nga një dinamikë e sektorit privat e jo thjesht nga shteti. Sepse në fund të fundit shteti është sipërmarrësi më i keq i mundshëm. Pra, duhet që të mbështetet iniciativa private, reformat dhe ndryshimet në sistemin e taksave janë gjithashtu të rëndësishme. Duhet krijuar bindja që të kemi një sistem taksash të thjeshtë, transparent me qëllim që të ardhurat e njerëzve të mbeten po tek ta. Kemi zhvilluar disa propozime në fushën e taksave, të cilat duhet të kontribuojnë për të mbështetur dinamikën sipërmarrëse. Kjo është një përvojë, të cilën e kemi bërë në Gjermani dhe kjo çon në rritjen e vendeve të punës, në rritjen e mirëqenies. Këto janë disa ide në fushën e politikave të taksave për të njohur rritje në ekonominë shqiptare. Nëpërmjet rritjes ekonomike mund të krijohen vende të reja pune, duke krijuar bazat e barazisë sociale, pasi dua të theksoj se përzierja e rendit të lirisë ekonomike e kombinuar me një ekuilibër social përbëjnë baza të rëndësishme edhe për ata persona, të cilët kanë vështirësi apo e kanë më të vështirë që të jenë pjesë e ekonomisë së lirë të tregut. Pra, duhet të lidhin si përgjegjësinë individuale për sipërmarrjen ekonomike, si edhe përgjegjësinë sociale për shtresat më të dobëta në mënyrë që mos përmirësohet vetëm ekonomia shqiptare, por edhe shoqëria shqiptare. Pasi nuk flasim vetëm për rendin ekonomik, por edhe për rendin shoqëror, për atë rend shoqëror për të cilin ne duam të jetojmë. Në këtë kuptim dëshiroj që për dy ditët e fundit të shpreh falënderimet dhe vlerësimet për të gjitha çështjet që kemi biseduar. Besoj se të gjitha potencialet e këtij vendi janë të tilla që ju mund të ofroni impulse që këto potenciale të mund të shfrytëzohen në të ardhmen akoma më mirë dhe shumë më mirë seç ka ndodhur në periudhën e fundit. Ju falënderoj që kishim mundësi të ishim pjesë e këtij procesi dhe ju uroj shumë suksese.
Matthias Schafer, drejtues i politikave ekonomike te Conrad Adenauer:
Programi i PD i përshtatshëm për të zgjidhur problemet që frenojnë rritjen ekonomike;
Program i PD, rikthen besimin;
Programi i PD, jo premtime boshe, por realiste;
Skemë taksimi që ndihmon sipërmarrjen, garanton rritje ekonomike, vende të reja pune;
Taksa të thjeshta dhe transparente.