Nga Alban Daci
Ka një kakofoni mediatike që krizën e PD e kanë impostuar vetëm në një vulë. A thua se vula është problemi apo zgjidhja e vetme dhe e vërtetë e krizës! Në fakt kriza e PD është një çështje e mirëfilltë politike dhe me prioritete që lidhen me të ardhmen e kësaj force politike e duke e konsideruar këtë të fundit forcën më të madhe opozitare në vend edhe me fatin e demokracisë dhe të ardhmen e Shqipërisë!
Kriza në PD nuk nisi për çështjen e vulës, por ajo nisi për shkak të orientimit që duhet të kishte dhe duhet të ketë PD! Kjo e fundit është themeluar si forcë politike jo nga individë, por nga shumica e qytetarëve që ishin të papajtueshëm me Regjimin! Pra, kërkesat e shqiptarëve në fillim të viteve ì90 ishin “ Liri e Demokraci”.
Kjo është edhe arsyeja që PD shqiptare është i vetëm subjekt politik në demokracitë perëndimore që ka këtë emërtim dhe pozicionohet djathtas. Në fillim të viteve ’90 e djathta, edhe pse me një historike konkrete e reale pas instalimit të demokracisë ishte zhdukur arbitrarisht dhe padrejtësisht nga sistemi politik shqiptar!
Kriza e PD nisni pikërisht në dilemën e saj, nëse duhet të zgjidhte orientimin euro-atlantik për të cilën ishte krijuar dhe kishte marrë pushtetin politik duke rrëzuar Regjimin më mizor komunist në Kontinent ose nëse do të bënte hapa pas duke u kthyer mbrapa në histori, duke mohuar misionin e saj për të cilën e kishin krijuar njerëzit e lirë dhe e kishin mbrojtur atë si alternativë demokracie kundër çdo forme diktature ose autoritare të Majtë.
Azem Hajdari është padyshim një ndër simbolet e PD dhe të demokracisë të re që duhet të kishte Shqipëria. Njeriu që vinte nga radhët e studentëve, që besonte tek liria dhe demokracia dhe që thuajse gjithë jetën e tij ua dedikojë këtyre idealeve.
Azemi është simboli i përpjekjeve për të ndërtuar demokracinë e munguar në Shqipëri, në një vend që ata që kishin qenë komunist veshën gëzofin e deles pas rrëzimit të Regjimit duke u paraqitur si demokratët e vërtetë. Nuk dua ta përmend apo ta përdor rolin dhe figurën e Hajdarit, sepse për faktin e keq të PD dhe të demokracisë, ai nuk jeton tashmë, por duke lënë një histori të dokumentuar që në fakt është edhe historia e vetë tranzicionit të stërzgjatur të Shqipërisë. Megjithatë, kushdo që ka ndjekur ëndrrën e Azemit, sot mund të bëjë një pyetje thelbësore: A do të ishte dakord sot Azemi me zgjedhjet që kanë bërë një pjesë e PD dhe a do të ishte pozicionuar ndryshe nga Ata?
Në fillim të viteve ’90, shqiptarët nuk luftuan vetëm Regjimin, por luftuan çdo lloj formë të devijuese që ai prodhonte ose mbronte.
Bashkë me Regjimin, shqiptarët tentuan që demokracia të ishte gjithëpërfshirëse, që pushteti të ishte në shërbim të qytetarëve dhe po ashtu politika të mos kthehej në një aktivitet politik të trashëguar. Trashëgimia në vende ku nuk ka monarki kostitucionale është sinjal i qartë i autoritarizmit dhe i kontrollit të disa familje që qytetarët i konsiderojnë shërbëtor dhe të nënshtruar.
Shpesh kam bërë një pyetje elementare: Kemi më shumë se 30 vjet tranzicion, SHBA dhe shumë demokraci të tjera të Perëndimit kanë ndërruar disa lider e ndërsa Shqipëria vazhdon të ketë të njëjtët! Atëherë pyetja ime e sinqertë është: Shqipëria është kaq vend i shkretuar sa në këto 30 vite nuk ka djem e vajza të mirëshkolluar, demokratë e patriotë sa mund të jenë alternativë lidershipi, por duhet të vazhdojnë të pranojmë si të pazëvendësueshëm ata që kanë për më shumë 30 vjet aty në mejdan, si alternativë e vetme?!
A thua Shqipëria nuk meriton oferta të reja lidershipi? Me këtë mendësi apo avancojmë projektin tonë demokratik, apo po e pengojmë këtë të fundit me emocionet dhe paranojat e trashëguar nga Regjimi?
Për këto analiza nuk mendoj se kriza e PD është çështje vule apo logoje, por është çështje modeli dhe optike dhe vizioni që duhet të ketë për aktualitetin dhe të ardhmen e Shqipërisë! Sot, dhe që nga fillimi i krizës, PD ka dy opsione:
– Të bëj hapa mbrapa duke ngjarë me Regjimin që e mundem në fillim të viteve ’90!
– Të vazhdojë me misionin për të cilën e krijuan njerëzit e lirë në fillim të viteve ’90!
Në fakt nga ngjarjet e viteve ’90 dhe tashmë thuajse pas 34 vitesh askush nuk e kishte menduar që përsëri hijet e të kaluarës do të ishin përsëri një rrezik real për të ardhmen dhe për rrugën që duhet të ketë Shqipëria!
Ndarja si pasojë e krizës është një ndarje parimore për çështje thelbësore në lidhje me të ardhmen e PD dhe të demokracisë në vend.
Përtej logjikës ose jo sesi kanë rrjedhur ngjarjet, parimet tona dhe qëndrimet tona politike janë:
– Orientimi euroatlantik i PD
– Partneriteti i ngushtë dhe i pandashëm me SHBA, UK dhe BE
– Qëndrime serioze e të palëkundura ndaj korrupsionit ose të personave që akuzohen apo ka dyshime për aktivitete të tilla në të kaluarën, të tashmen apo që mund të kenë të ardhmen
– Rotacioni i elitave dhe i pushtetit
– Kundër çdo lloj forme personalizimi apo trashëgimie politike
Nuk mendoj se të gjithë e gjejnë plotësisht vetën në këto parime apo ideale dhe nuk mendojnë se të gjithë ata që janë sot tek PD janë të shenjtë. Megjithatë, unë e kam fjalën për ato që kanë mbajtur qëndrime dhe besojnë në këto parime. Për këto të fundit, pavarësisht si mund të shkojë çështja ligjore e krizës së logos dhe vulës, nuk mendoj se do të ndryshojë gjë në zgjedhjet apo qëndrimet e tyre që shpresoj të jenë në koherencë të vazhdueshme.
Shqipëria ka nevojë t’i jap fund tranzicionit të stërzgjatur politik dhe kjo është e mundur vetëm nëse qëndrojmë besnik në parimet e më sipërme. Shqipëria ka nevojë për një ndryshim radikal dhe për hapa serioze e domethënëse politike duke nisur nga PD e cila është e duhet të jetë e vetja alternativë qeverisëse.