PD: Rregullat statutore të garës për Kryetarin e PD

Zgjedhjet për Kryetarin e ri të Partisë Demokratike do të zhvillohen më 22 korrik. Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, dy nënkryetarët Edi Paloka dhe Edmond Spaho, citojnë statutin e Partisë Demokratike, ndërsa theksojnë se data përcaktohet në të. Dy nënkryetarët e PD-së, Edmond Spaho dhe Edi Paloka theksojnë se Statuti i PDSH dhe aktet e tjera të dala në zbatim të tij, si dhe organizmat e PDSH garantojnë garë të ndershme, të drejtë dhe të barabartë për këdo që dëshiron të kandidojë. Duke iu përgjigjur akuzave të kritikëve të Bashës, dy nënkryetarët shprehen se, “procesi i shpallur i garës për kryetarin e PDSH është normal dhe bazuar në Statutin e saj. Kryetari i partisë, bazuar në nenin 43, pika 2 ka autorizuar delegimin e të gjithë vendimmarrjes organizative tek të dy nënkryetarët dhe sekretari i Përgjithshëm”. Gjithashtu në deklaratë theksohet se në vendimin e dy nënkryetarëve të partisë për hapjen e garës për kryetarin e Partisë Demorkatike, përcaktohet se në votim do të marrin pjesë vetëm ata, të cilët janë anëtarë deri në datën 28.06.2017. Ata thonë se është pikërisht Komisioni për Organizimin dhe Kontrollin e Operacioneve Elektorale, ai që ka autoritetin për përgatitjen dhe organizimin e operacioneve të votimit në nivel kombëtar dhe territorial.

Garë e ndershme dhe e barbartë

Në përfundim të procesit të paraqitjes së kandidaturave për Kryetar të PDSH, kanë paraqitur dokumentacionin në Sektorin e Organizimit disa kandidatë. Do të mblidhet Kryesia e PDSH për të miratuar kandidaturat që do të garojnë për Kryetar të PDSH.
Në lidhje me disa pretendime të ngritura gjatë këtij procesi sqarojmë:
1. Çdo kandidat paraqet kërkesën e tij në Sektorin e Organizimit të PDSH. Statuti i PDSH dhe aktet e tjera të dala në zbatim të tij, si dhe organizmat e PDSH garantojnë garë të ndershme, të drejtë dhe të barabartë për këdo që dëshiron të kandidojë.
2. Procesi i shpallur i garës për Kryetarin e PDSH është normal dhe bazuar në Statutin e saj. Kryetari i partisë, bazuar në nenin 43, pika 2 ka autorizuar delegimin e të gjithë vendimmarrjes organizative te dy nënkryetarët dhe sekretari i Përgjithshëm.
3. Neni 30, pika 2, flet për paraqitjen e kandidatëve për pushtet qendror dhe vendor: “Kryesitë e degëve vendosin për kandidaturat e këshilltarëve vendorë. Për bashkitë e kategorisë së parë, lista e këshilltarëve të përgatitur nga kryesitë e degëve miratohen nga Kryesia e PDSH”.
Kompetencat e Kryesisë së PDSH përcaktohen në nenin 40, pikat 1 deri 9. Në asnjë prej tyre nuk parashikohet e drejta e Kryesisë për të hapur garën për kryetar partie.
4. Koha e zgjedhjes së Kryetarit të PDSH dhe organeve të tjera të saj përcaktohet në nenin 58 të Statutit: “Të gjitha organet e partisë duhet t’u nënshtrohen zgjedhjeve të paktën çdo katër vjet. Sikurse dihet zgjedhjet e fundit janë zhvilluar më 22.07.2013. Zgjedhjet e ardhshme do të mbahen më 22.07.2017.
5. Databaza e partisë krijohet dhe administrohet në përputhje me statutin e PDSH. Neni 13/1 përcakton detyrimin e mbajtjes së regjistrit elektronik dhe pika 2 e këtij neni thotë: “Rregullat e hollësishme për formatin e regjistrit, administrimin dhe aksesimin e tij përcaktohen me vendim të kryetarit të partisë.
Në vendimin e dy nënkryetarëve të partisë për hapjen e garës për Kryetarin e PDSH përcaktohet se në votim do të marrin pjesë vetëm ata, të cilët janë anëtarë të PDSH deri në datën 28.06.2017.
Që nga data 28.06.2017 në PDSH nuk ka patur dhe nuk do të ketë anëtarësime të reja derisa të përfundojë procesi i zgjedhjes së kryetarit të saj.
Listat e anëtarësisë administrohen sipas Statutit dhe rregullave të përmendura më sipër. Çdo degë e PDSH ku do të votohet për Kryetarin e PDSH do të marrë në avancë në përputhje me vendimin e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale kopje të listës së anëtarësisë të degës së saj, të cilën ajo e disponon edhe në degë. Listat e votimit sipas përcaktimeve në Statut do të administrohen nga Komisioni i Votimit, i cili kryesohet nga kryetari ose sekretari i degës dhe anëtarë të tjerë që i zgjedh Kryesia e Degës. Çdo kandidat do të ketë vëzhgues në çdo Komision Votimi.
Çdo degë e PDSH administron databazën e anëtarësisë së saj. Çdo ndryshim në databazën në qendër bëhet vetëm me kërkesën zyrtare të degës shoqëruar me dokumentacionin e plotë të anëtarit që shtohet apo largohet.
6.  Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, përbërja e tij dhe kryesimi krijohen në bazë të nenit 46 të Statutit dhe është kompetencë e Kryesisë së PDSH.
Sipas pikës 2 të këtij neni ai ka autoritetin për përgatitjen dhe organizimin e operacioneve të votimit në nivel kombëtar dhe territorial dhe siguron rregullsinë e tyre. Ai ndërhyn në zgjidhjen e çështjeve elektorale në degët e partisë në përputhje me aktet e nxjerra për këtë qëllim. Ai përgjigjet përpara Kryesisë së partisë.
Në këto rrethana, ne si drejtues të PDSH nuk mund të plotësojmë kërkesa që nuk parashikohen apo janë në kundërshtim me Statutin dhe as të ndryshojmë statutin e PDSH.
Ne garantojmë që brenda kompetencave tona do të sigurojmë për çdo kandidat një proces të rregullt, të ndershëm dhe të barabartë sipas statutit të PDSH.

Nënkryetarët e PDSH:

Edi Paloka
Edmond Spaho

Artikulli paraprakFitimtarit i duhet të kënaqë peshkaqenët që shqyen votat
Artikulli tjetër“Më kanë vënë emrin pa më pyetur”, a është e vërtetë lista antiBasha?