Anëtari i Këshillit Bashkiak të PD në Vlorë Gjergj Nika tha në MCN Live se në Lungomaren e Vlorës çmimi për apartamente banimi ka shkuar deri në 3500 euro metri/katror. Nika tha që ka para informale, pasi nuk mund të justifikohen çmimet e larta të apartamenteve. Ai paralajmëroi se do të ketë një kolaps në ndërtim në vitet e ardhshme, si pasojë e taksave dhe hetimeve të SPAK-ut. Nika tha se ka 7-8 projekte për kulla mbi 25-katëshe në Vlorë, të cilat nuk kanë nisur të ndërtohen pasi ndërtuesit s’i përballojnë dot taksat e reja.
Si anëtar i Këshillit Bashkiak, ne kemi kundërshtuar paketën fiskale që u miratua në dhjetor, e para sepse nuk u konsultua me grupet e interesit, dhe pjesa e dytë është që s’jemi gati për një rritje të tillë të taksës së ndërtimit. Në Lungomare variojnë çmimet nga 2800-3500 euro metri/katror për banesa. Për njësitë tregtare çmimi shkon 8500-10 000 euro. Jemi në një absurditet. Nuk shiten. Ato që shiten janë nga 900 në 1300 euro. Taksa e ndërtimit për shitje është rritur në 8 për qind. Kjo taksë ka edhe 3 për qind për pjesën sociale që i paguhet bashkisë, dhe shkon në 11 për qind, dhe 40 për qind i do pronari i truallit, je -50 për qind që në fillim. Është shumë e vështirë me këto taksa. Kanë filluar të rrisin edhe çmimin e apartamenteve. Por kjo pjesa 3000 euro metri/katror në Vlorë, unë e quaj edhe abuzim. Të gjithë ata që duan të investojnë në hotel me 5 yje, një brand name le të themi, e kanë zero taksën.
Kërkesa është e lartë, interesi është i lartë, por tërhiqen sapo shikojnë çmimet e larta. Pjesa e kullave është transferuar nga Tirana në Vlorë. Në vitin 2023 janë miratuar ndërtimi i 8 kullave në Vlorë. Vlora nuk është se ka një stok të pashitur, Vlora ka një kërkesë, por oferta është e lartë. Paraja informale në ekonomikë gjithmonë është një problem. Patjetër që para informale sepse përndryshe nuk mund të shkonin këto çmime në 3000-3500 euro metri/katror në Lungomare. Unë besoj që në një të ardhme ndërtimi do ketë një ngecje. Për një, dy vjet, unë besoj që ndërtimi do jetë problematik. Mos shitja ose mbajtja e stokut do sjellë probleme për ata klientë që s’do shlyejnë dot kredinë. Unë besoj që informaliteti pjesërisht është i lartë, por ka edhe nga ata biznesmenë që duhen falënderuar që e kanë mbajtur ndërtimin gjallë. Ndërtimet në Vlorë kanë qenë shumë cilësore gjithë këto vite. Unë besoj te një krizë të ndërtimit, që do sjellë efekte të njëpasnjëshme. Ne nuk jemi një vend që prodhojmë, sa do ta mbajmë me shërbime?!
Çdo lloj ndërtimi që bëhet sot në Vlorë bëhet me investitorë nga Tirana apo të huaj. Ata i kanë marrë masat për ta mbaruar investimin, qoftë me pjesën bankare, apo informale. Sot në Vlorë janë 7-8 projekte për ndërtime mbi 20-25 kate, që nuk po fillojnë. Unë kam informacion që nuk paguajnë dot taksat. Për momentin s’mund ta quaj vështirësi dhe kolaps Vlorën. Sektori në Shqipëri brenda 1-2 vjeçari do ketë një bllokim, një kolaps. Kolapsi ka ndodhur edhe para 10 vitesh. Ky kolaps do vijë vetvetiu nga këto kosto që ndërtohen. Ne kemi bërë një investim që taksën 8 për qind ta bëjnë me këste. Edhe me ndërhyrjen e SPAK-ut do sjellë një tkurrje të sektorit”.