Parlamenti Europian kërkoi dje konsensus dhe transparencë në lidhje me Reformën në Drejtësi. Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Evropian diskutoi dje në një mbledhje të jashtëzakonshme në lidhje me zhvillimet e orëve të fundit në Shqipëri. Në fokus ishte dhe takimi i djeshëm i liderëve politikë për të gjetur një kompromis para se të enjten të shkojë votimi në Kuvend, Reforma në Drejtësi. Europarlamentet në mënyrë shumë të qartë theksuan domosdoshmërinë e miratimit të Reformës në Drejtësi në 21 korrik. Në të kundërt theksuan ata rrezikohet e ardhmja evropiane e Shqipërisë.
Komisioneri Hahn ka kërkuar edhe siguri, sa i takon kësaj reforme, e cila siç tha ai do të nisë të zbatohet menjëherë sapo të miratohet. Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johanes Hahn tha se: “Duam të sigurohemi që vërtet ky ligj do të funksionojë, që do të bëhen ndryshime”. Ai tha se, Brukseli zyrtar do të monitorojë situatën nëse reforma do të zbatohet. “Vitin tjetër do të ketë zgjedhje, është e rëndësishme që para pushimeve verore kjo reformë të miratohet, sapo të miratohet do nisin direkt hapat për zbatimin e saj ndaj nuk ka më kohë lidhur me këtë çështje, para pushimeve reforma duhet të miratohet. Nëse nuk do të merret një vendim, ka mundësi të ketë një referendum.
Mendoj që 90% e popullsisë është pro reformës, ka deklaruar publikisht Hahn në mbledhjen e sotme të Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Europian. Ai ripërsëriti qartazi se, perspektiva europiane e Shqipërisë do të minohet nëse nuk miratohet Reforma në Drejtësi. Nga ana e saj. eurodeputetja Tanja Fajon ka deklaruar se, nga informacionet që ka, politikanët shqiptarë nuk janë shumë të sigurt sa i përket imunitetit të tyre, dhe ndaj po bëhet e gjithë kjo zhurmë, sa i përket miratimit të reformës”, tha Komisioneri për Zgjerimin.
“Më 21 korrik duhet marrë vendim patjetër, pasi nuk kemi më kohë për të humbur. Nëse nuk merret vendim ka mundësi të diskutohet për referendum, pasi mbi 90% e popullsisë janë pro. Do të ishte shumë negative nëse nuk miratohet Reforma në Drejtësi. Ka pasur shumë shtyrje të negociatave dhe perspektiva e këtij vendi do të ketë efekte negative, mund të minojë prandaj na duhet të sigurohemi se ka sinjal të fortë për mundësinë e miratimit.
Duhet patjetër të merret vendimi”, është shprehur Hahn.
Të gjithë eurodeputetët e Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë i Parlamentit Europian shprehën shqetësimin për situatën në Shqipëri. “Politikanët shqiptarë nuk janë shumë të sigurt sa i përket imunitetit të tyre, dhe ndaj po bëhet e gjitha kjo, gjithë kjo vështirësi, sa i përket miratimit të reformës. Duhet kuptuar edhe pala shqiptare se është vërtet një çështje e rëndësishme. Ne po ju dërgojmë një sinjal mjaft të rëndësishëm, fakti që ne po e diskutojmë është shumë domethënëse”, tha Fajon.
Të shtunë shtunën, dy raportuesit për Shqipërinë në një deklaratë të përbashkët përsëritën apelin ndaj klasës politike shqiptare për të miratuar reformën në drejtësi siaps rekomandimit të Komisionit të Venecias. Dy eurodeputetët e cilësojnë rolin e autoriteteve shqiptare në këtë proces si thelbësor. Përmes një deklarate të përbashkët, dy eurodeputetët theksojnë rëndësinë e respektimit të rekomandimeve të bëra nga Komisioni i Venecias, ndërsa vlerësojnë se roli i vëzhguesve ndërkombëtarë në procesin e Vetingut duhet të jetë rol mbikëqyrës.
“Ne po ndjekim zhvillimet e fundit rreth Reformës së Drejtësisë në Shqipëri shumë ngushtë. Ne kemi mbështetur këtë reformë nga fillimi e saj shumë dhe ne vazhdojmë ta mbështesim atë, së bashku duke nxitur partnerët tanë përkatës politikë në Shqipëri për të gjetur zgjidhje kompromisi të shëndoshë, duke kërkuar standardet më të larta të mundshme për një reformë tërësore gjyqësore. Na vjen keq që propozimi i kompromisit i fundit i bashkësisë ndërkombëtare nuk është pranuar. Megjithatë, ne jemi të bindur ende se zgjidhja është brenda mundësive. Kjo është një detyrë e shtetit shqiptar për të garantuar sundimin e ligjit për qytetarët e saj dhe kjo është përgjegjësi e liderëve politikë në Shqipëri për të miratuar një reformë të besueshme gjyqësore, e cila do të garantojë një sistem të pavarur dhe efikas të drejtësisë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të dy eurodeputetëve. Kukan dhe Fleckeinstein e cilësojnë si thelbësor rolin e autoriteteve shqiptare në procesin e Vetingut ndaj dhe ata theksojnë se një rol mbikëqyrës i faktorit ndërkombëtar në procesin e verifikimit të kandidatëve për gjyqtarë e prokurorë nuk do të zvogëlojë rolin e autoriteteve shqiptare.
Brok: Të vazhdojë dialogu mes palëve deri në një marrëveshje
Kryetari i Komisionit të Jashtëm, Elmar Brok kërkoi dje vijimin e dialogut mes palëve në Shqipëri deri në arritjen e një marrëveshjeje. Ai tha se ende asgjë nuk është e sigurt për reformën, ndonëse janë zhvilluar bisedime me të gjithë aktorët politikë. “Kam theksuar se, Reforma në Drejtësi është shumë e rëndësishme për zhvillimin e negociatave Shqipëri-BE. Vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje në Shqipëri, por ka patur hezitime sa i takon reformës në gjyqësor.
Pas 21 korrikut do të shohim sesi do të vazhdojnë zhvillimet. Nëse nuk do të vonohet Reforma në Drejtësi, besojmë se nuk do të mund të vonohemi më lidhur me këtë çështje. Janë zhvilluar bisedime me partitë në koalicion, me liderin e opozitës, me ambasadorët e SHBA e BE, është biseduar me Presidentin. Duket sikur është arritur një kompromis, por asgjë nuk është ende e sigurt. Komisioneri Hahn është përgjegjës për këtë. Kemi përcjellë një mesazh të veçantë dhe besojmë se do vijojë dialogu derisa të arrihet në një marrëveshje”, tha Brok.
Në fokus do të jenë edhe diskutimet për situatën në Turqi dhe Francë. Në fillim të mbledhjes është mbajtur një minutë heshtje për viktimat në Francë. Bashkimi Europian ka shprehur mbështetjen dhe solidaritetin ndaj Francës. Ndërkaq është përmendur edhe një ngjarje të ndodhur në Gjermani, ku një person ka vrarë me sëpatë disa persona në një tren.
A.Shahini