Punësimi, ku jemi sot?

Jorida TABAKU

Gjatë kohës që mazhoranca aktuale ishte pjesërisht në opozitë, provokoi shifrën e 1 milion të papunëve, të cilët sapo të vinte në pushtet do t’i jepte mundësi të punësoheshin. Kanë kaluar 3 vjet dhe opozita e djeshme nuk ka mundur të rrisë punësimin megjithëse është duke shpikur mënyra të tjera për ta rritur atë fiktivisht me numrat në letër, siç fundja bëri dhe me 1 milion të papunët. Disa ditë më parë, dolën shifrat edhe të dhënat e INSTAT për numrin e të punësuarve dhe të papunëve në rang vendi. Anketa e forcave të punës që përdoret që nga viti 2007, tregon se numri i të punësuarve është rritur me 59.000 në krahasim me vitin 2015. Sipas INSTAT, vërehet se numrin më të lartë të të punësuarve e ka sektori i bujqësisë, industria përpunuese, ndërtimi dhe tregtia. Në raport me vitin 2014, duket se bujqësia, industria përpunuese dhe tregtia kanë rritjen më të madhe. Shifrat janë disi të çuditshme duke parë raportin mes rritjes ekonomike që këto sektorë kanë pasur si për vitin 2014 ashtu edhe për vitin 2015. Sipas të dhënave të po vetë INSTAT, rritja ekonomike për bujqësinë për vitin 2014 ka qenë 2% ndërkohë që për vitin 2015 rritja ekonomike ka qenë -0.87% kurse për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 sektori i bujqësisë rezulton me ulje – 0.27%. Gjithashtu industria përpunuese ka thuajse dy vjet që ka ulur volumin e punës si pasojë e rënies së çmimeve të mineraleve dhe naftës, mjafton të kujtojmë që Bankers (që nuk i kish shitur aksionet ende në tremujorin e parë 2016) ka ulur në maksimum prodhimin e naftës. ARMO gjithashtu ka shpallur falimentin dhe punëtorët e saj nuk paguhen, minierat e kromit në Bulqizë nuk është se po eksportojnë si dikur. Të dhënat e INSTAT për vitin 2016 paraqesin zërin e “Industrisë, energjisë dhe ujit” me rënie -2.02%. Tregtia duket gjithashtu se ka pasur rritje të madhe sipas të dhënave të punësimit, që gjithashtu e habitshme kur rritja ekonomike e vitit 2014 ka qenë 2.96%, ndërsa ajo e vitit 2015 1.68%. Praktikisht këto shifra vështirë është të shpjegojnë shifrën e punësimit prej 57.000 të punësuarve më shumë në tremujorin e parë 2016 në krahasim me 2014. Një shifër që bëhet akoma më e vështirë kur të dhënat sa i takon rritjes ekonomike në fushën e “Ndërtimit” kanë pësuar një rënie me 4.87% në tremujorin e parë të vitit 2016.  Atëherë si mund të shpjegohet shifra prej 57.000 të punësuarve në këto sektorë që nuk kanë pësuar rritje ekonomike? Një mundësi mund të jetë që shumica e të punësuarve të jetë produkt i formalizimit, por a nuk do të shpjegohej ky formalizim (në raport me tregtinë) si një rritje ekonomike sa i takon tregtisë gjithashtu? Kush kupton pak nga ekonomia e di se këto shifra janë në rastin më të mirë të manipuluara e në rastin më të keq në kah të kundërt të kësaj që reklamon qeveria.  E realiteti tregon ndryshe! Në fakt punësimi ka rënë! Të pretendosh se punësimi është rritur në këtë mandat kur shifrat e ekonomisë tregojnë për rrënimin e saj aq sa vendi është në prag recesioni, me një rritje ekonomike poshtë 2% që mbahet në këmbë vetëm nga investimi i TAP. Ku punësimi është nga investimi i TAP. Ka vetëm një mënyrë për t’i shpëtuar kësaj përgjegjësie, të shpikësh slogane dhe shifra dhe rilindja është kampione e shpikjes së shifrave dhe mbi të gjitha e sloganeve. Të gjitha dështimet e saj, kjo mazhorancë dhe kjo qeveri i ka mbuluar me slogane dhe shifra të shpikura, të llojit “Punë ka, por mungojnë profesionistët”. Megjithëse ne të gjithë e dimë që e vërteta është se bizneset po taksohen më shumë, vendet e punës po mbyllen dhe profesionistët po përpiqen me të gjitha mënyrat të largohen nga vendi.

Exit mobile version