Pengesa e projektit amerikan

NGA ALBI XHUNGA

 

Padrino vendosi më në fund t’i lëshojë dhe dy bashkëpunëtorë të ngushtë. Xhaçka fshihet me gjithsej. Asnjë post në qeveri. Asnjë post në parti. Rol në fushatë jo e jo. Pra Xhaçka flaket lehtë. Nuk kemi dëgjuar prej saj mesazhe mafioze kërcënuese për liderin suprem. Përplasja me GJK duket e mjaftueshme si një qokë e fundit për bashkëpuntoren e vjetër.

Pak më e kopmlikuar duket puna me lalin. Lali e kërcënoi haptas: ‘’Si ka mundësi që një kryeministër, apo në rastin tim, një kryetar bashkie, të jetë në dijeni të çdo gjëje që bëjnë bashkëpunëtorët e tij?’’. Paralelja qëndronte. Nëse Edi Rama nuk dinte gjë për zëvendësin që hante dardha pas shpinës së tij, për të ruajtur të njëjtin standard, kjo nuk mund të pretendohej ndaj lalit. Padrino u detyrua t’i dilte publikisht në mbrojtje bejnaminit të radhës të kapur me presh në dorë. Tek e fundit nuk e kishte për herë të parë. Të njëjtën skemë i bëri Saimir Tahiri.

Padrino nuk e lëshon lalin me dëshirë. Por me sa duket as nuk e mbron dot. Nëse do ta marrim të mirëqenë se ai ka informacion për hetimet e SPAK, çka e konfirmon jo vetëm fakti se ministrat shkarkohen e vetëm pastaj arrestohen, por edhe tentativa për të kapur kreun e këtij institucioni ku humbi me vetëm një votë, atëherë nga sjellja e shefit të mazhorancës kuptojmë se lali ka afatin e gjelit të detit. Mirëpo Padrino as nuk mund ta mënjanojë aq lehtë sa Xhaçkën, as nuk mund të rrezikojë të lërë kryeqytetin pa drejtues politik nëse lali arrestohet. Ai do të donte ta poshtëronte. Ta flakte në rrugë e të bënte sikur nuk e kishte njohur kurrë. Por lali e kërcënoi. Përkulja ndaj kërcënimit na bën të kuptojmë se lali e ka fuqinë ta varrosë. Ndaj lali duhet trajtuar me respekt deri në fund. Me shpresën se kur t’i vijë dita, ai do ta mirëkuptojë formulën e thënë me zemër në dorë: ‘’Lal, bëra të pamundurën, por…’’, njësoj siç thonë mjekët kur u vdes pacienti në dorë. Pra mqs lalin nuk e flakim dot, atëherë e dublojmë. E meqenëse dublimi do të dukej keq, atëherë e triplojmë. R.I.P Erion Veliaj !

Gjithsesi jeta vazhdon. Padrinos i duhet pushteti për të garantuar lirinë. Duhet mbajtur partia e bashkuar, se mos o zot ndonjë luftë civile, apo ndonjë rebelim para zgjedhjeve…

Çfarë mund ta mbajë një parti më të bashkuar se garantimi i pushtetit dhe fuqia e Padrinos për të ndarë poste?! Loja vazhdon. Emërohen drejtuesit e qarqeve dhe luhet me listën e kandidatëve. Edhe këtë herë do ta marrim vesh në momentin e fundit se kush hyn në parlamentin e ardhshëm në vagonin e klasit të parë dhe kush do të kacaviret në vendet e fundit. Padrino gjoja tha diçka, por realisht nuk tha asgjë. Ai tha se ata që kanë më shumë se një mandat do të duhet të renditen në vendet e pasigurta të listës, por kjo do të ketë dhe përjashtime. Pra të gjithë mund të shpresojnë se do të bëjnë pjesë te përjashtimet. Vendet e sigurta në listë do t’u rezervohen të rinjve. Ky është në fakt thelbi i asaj që do të ndodhë.

Duhen zëvendësuar të korruptuarit që kanë rënë dëshmorë në SPAK me të tjerë. Korrupsioni duhet të vazhdojë për të garntuar pushtetin. Mediat duhen paguar. Ato po e bëjnë punën si duhet. Në të gjitha ekranet po na shfaqet tango e dajë boje Rilindje-Rithemelim. U duhet mbushur mendja shqiptarëve se këto janë alternativat e vetme. Të tjerët nuk ekzistojnë. Duhen paguar dhe ushtritë me patronazhistë e me aktivistë. Ndaj Padrinos i duhen para, shumë para…

Një zyrtar i lartë i policisë gjermane, pas një aksioni të suksesshëm ndaj trafikut ku u arrestuan mbi 20 trafikantë shqiptarë, u shpreh shumë pesimist. Në vend që të ishte i gëzuar për suksesin e operacionit, shefi i policisë gjermane tha: ‘’Ne po luftojmë me mullinjtë e erës. Kjo luftë nuk mund të japë asnjë rezultat. Ne arrestojmë trafikantë, por shefat e tyre që drejtojnë trafikun që nga Shqipëria, i zëvendësojnë me të tjerë. Nëse nuk godasim burimin e trafikut, nuk kemi bërë asgjë.’’

E njëjta gjë po ndodh në Shqipëri. Nga frëngjia e asamblesë socialiste, Edi Rama tha: ‘’Çfarë kujtojnë ata? Se ne nuk i zëvendësojmë dot ata që na bien në SPAK?’’

Mesazhi është i qartë. Ju arrestoni. Por ne vazhdojmë punën, se ne mund t’i zëvendësojmë ata me të tjerë. Më vonë i lirojmë me amnisti, sepse edhe opozitën e kemi domestikuar. Ne bëjmë ligjin. Në finale asgjë nuk ndryshon.

A e kuptojnë amerikanët se po bëjnë një vrimë në ujë në Shqipëri? Natyrisht që po. Padrino ua ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend ta dorëzojë kokën e tij në sini. Ai është rebeluar disa herë, duke kaluar disa vija të kuqe. Tentoi t’u kapë kreun e SPAK (investimi më i madh amerikan në Shqipëri) dhe humbi vetëm për një votë. Iu korruptoi agjentin më të lartë të FBI, çka është edhe poshtëruese për ta. Bashkëpunoi me non gratta-n. Ende pa e njohur gjykata, Sali Berishën e njohu Edi Rama me Lindita Nikollën. Madje po tenton t’u kompromentojë dhe kandidatin për president. Një ishull i virgjër si Sazani duket një qokë e denjë për një familje miliardere.

Amerikanët kanë dy zgjedhje, të përplasen haptas me Padrinon e Shqipërisë, apo të fusin bishtin ndër shalë si në Afganistan? Ky është një vendim i rëndësishëm dhe në një demokraci të madhe një vendim i rëndësishëm nuk mund të merret nga një administratë në ikje. Fillimviti i ardhshëm do të na tregojë nga do të anojë fati i Shqipërisë. Do të vazhdojë projekti amerikan për një shtet të së drejtës, për largimin e të korruptuarve me në krye pengesën kryesore, kryeministrin? Apo do t’i jepet prioritet stabilokracisë me koston e uljes së kokës përpara mbretit të korrupsionit?

Është fare e pamendueshme që një i korruptuar në një cep të globit të bëjë qesharake fuqinë më të madhe të botës. Gjithsesi, fillimviti i ardhshëm do të na i shuajë të gjitha pikëpyetjet…

Exit mobile version